As këtë 4 shtator sanxhaklinjët nuk i harruan paraardhësit e tyre, viktimat e pafajshme të ekzekutuar nga komunistët serbë në Haxhet të Pazarit të Ri. Pas lutjes të së premtes ( namazit të Xhumasë) të tubuarit nga qendra e qytetit marshuan drejt Haxhetit, vendit të krimit të disa mijëra sanxhaklinjëve.
Ismet Azizi
Dita e Marshimit në Haxhet është përcaktuar para pesë viteve. Popullata e Sanxhakut, nën udhëheqjen e prijësve fetar, më 4 shtator të viti 2010, u përplas me forcat speciale policore serbe me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së vakëfit nga grabitja. Ata kanë mbrojtur edhe hapësirën ku të parët e tyre janë ekzekutuar dhe varrosur në një varr masiv.
Të premten pasardhësve e të vrarëve dhe disa qindra besimtarëve, iu prinë përfaqësuesit e Meshihatit të kryesuar nga kryetari myftiu Mavlud Dudiq dhe Myftiu e Sanxhakut Muamer ef. Zukorliç. Edhe pse nuk dihet saktësisht numri i shqiptarëve të ekzekutuar, besohet se shumica ishin shqiptarë. Për fat të keq, as kësaj radhe nuk u përmenden viktimat nga radhët e shqiptarëve të cilët në krye me Aqif Blyten dhe Ahmet Dacën, ishin në shënjestër të komunistëve serbë.
Pas depërtimit të forcave partizane-jugosllave në këto treva, prijësi kryesor i kësaj treve, Aqif Blyta, me prejardhje nga Gjakova, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri dhe pas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Ahmet Dacën, u ekzekutuan në Haxhet, në lagjen e sotme të Pazarit të Ri, më 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.
Pjesëmarrësve në këtë manifestim iu drejtua Myftiu i Sanxhkut, Muamer Efendia Zukorliq. Ai u thënë të pranishmëve se: “përfaqësuesit e një shteti 70 vjet më parë kanë vrarë njerëz të pafajshëm për shkak se ata i përkasin një kombi tjetër dhe për shkak që politikisht dhe ideologjikisht nuk ishin të përshtatshëm për regjimin e atëhershëm. Përfaqësuesit e këtij shteti në mënyrë të qartë duhet të distancohen nga ky krim.”
Mandej Myftiu Zukorliq shtoi: “Së pari, patjetër duhet hapur arkivat për të bërë të mundshëm shfrytëzimin e dokumenteve. Derisa kjo mos të ndodhë, do të jetë një mesazh i keq i cilës do qoftë qeverie dhe regjimi. ”
Myftiu rikujtoi kremtimin e përvjetorit të parë e kur autoritetet u përleshën me popullin, duke shtuar: “Duam të besojmë se do të vijë një kohë e tillë kur qeveria dhe populli do të jenë në të njëjtën anë, në radhë (saf) të njëjtë për lutje dhe nën të njëjtin bajrak. Kjo do të ndodhë kur në të gjitha nivelet e qeverisjes të përfshihen përfaqësuesit të cilët nuk janë në kundërshtim me popullin, të cilët respektojnë atë që respekton populli.”
Nga ky vend i shenjtë Zukorliq ua bëri me dije autoriteteve shtetërore se boshnjakët janë të gatshëm për dialog.” Pranojmë thirrjen për dialog. Duam dialog me përfaqësuesit e shtetit dhe popullin, një dialog në të cilën ne nuk do të mohojmë vlerat e njëri-tjetrit. Marrëveshja ka sukses vetëm kur udhëhiqet në mes të palëve të cilat respektojnë parimet e njëri tjetrit. Ne duam marrëveshje të vërtetë dhe jo të rremë. Njëra nga ato marrëveshje është që viktimat të fitojnë statusin që iu takon. ”
Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe hyrjes së partizanëve në qytete të Sanxhakut qeveria komuniste mori vendimin që me procedurë të shpejtë të ndëshkojë të gjithë ata të cilët sipas vlerësimit të tyre nuk ishin në linjë të regjimit. Në shënjestër të sunduesit të sapoardhur u gjetën pothuajse e gjithë elita e asaj kohe, e cila nuk ishte anëtarë të lëvizjes serbo komuniste-partizane.
Bombardimet e alenacës veri-atlatike në Pazar të Ri, pas bombave të hedhura në Haxhet krijuan kratere të cilat u përdoren si varre masive për të gjithë sanxhaklinjët e ekzekutuar. Deri më sot, asnjë nga këto varreza nuk janë evidentuar-shënuar. Por aktivitetet që po ndërmerr Bashkësia Islame dhe Këshilli Kombëtar Boshnjak për të sqaruar ngjarjet që lidhen me krimin kundër popullsisë japin shpresë se një gjë e tillë do të ndodhë.
Mbledhja e provave të shkruara dhe dëshmitë e regjistruara të bashkëkohësve dhe të pasardhësve të viktimave, do të mundësojë të shënohet vendi i krimit.
Viktimat e HaxhetitViktimat e Haxhetit
Ekzekutimet e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Haxhet janë kryer në shumicën e rasteve me procedurë të shpejtë, pa asnjë procedurë gjyqësore, pa të dhëna dhe dokumentacion të shkruar. Njerëzit janë marrë gjatë natës me forcë nga shtëpitë e tyre dhe janë dërguar në vendin e përmendur për ti ekzekutuar. Në atë kohë filloi grabitje e pronës së njerëzve më të pasur. Anëtarët e OZNA kanë përcjellë njerëzit me autoritet dhe kanë regjistruar të gjithë ata që me ta kanë pasur ndonjë lloj kontakti. Menjëherë pas kësaj, kanë filluar arrestime masive. Të arrestuar janë marrë në burg, i cili ndodhej pranë ndërtesës së gjykatës së atëhershme. Dëshmitarët thonë se torturat ishin aq mizore, sa që banorët e lagjes janë detyruar të largohen në pjesë të tjera të qytetit, sepse nuk mund të përballoheshin britmat e atyre që ishin prapa mureve të burgut .
Njerëzit u ekzekutuan kryesisht gjatë natës, një përjashtim i rrallë ishte kryetari i komunës dhe prijësi politik e ushtarak, Aqif Efendi Blyta, të cilin më 21 janar të vitit 1945, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Ahmet Daca, u ekzekutua në mes të ditës. Ekzekutimi është bërë publikisht në mënyrë që të shërbejnë si një paralajmërim për ata që e kishin përkrahur dhe adhuruar.
Pas ngjarjeve në Haxhet filloi një valë e emigrimit në Turqi, si dhe më vonë një valë edhe më masive emigrimit, do të përsëritet në kohën e Aleksandër Rankoviqit.
Husein Zatriqi nga Pazari i Ri për ngjarjet e kësaj kohe thotë:”Atëherë kryetar i gjykatës ishte njëfarë Xhorxhe Peruniqiqi, i cili e ka dërmuar popullin. Në Haxhet përveç Aqif Efendiut, më kujtohet se është ekzekutuar Ahmet agë Daca, Qamil Karishiku, Ibrahim-lbro Rasovci, i biri i Salih-beg Rasovcit, Abit Grboviqi – Sheqerxhia, Azem Balina, Mehmed Qilerxhiqi, Hasib Nikshiqi, Iso Hrvaqa, Amir Brunqi, Osman Zvizdiqi nga Senica dhe shumë të tjerë. Ata ishin tmerrësisht shumë, nuk po më kujtohen të gjithë ata të pafat të cilët kanë humbur jetën edhe pse ishin në rrugë të perëndisë. ”
Dëshminë autentike për ekzekutimin e Aqif Blytës dhe Ahamet Dacës, dy prijësve më eminent të Sanxhakut, e ka lënë plaku Jusuf Poplata, nga Pazari i cili jeton në Stamboll.“Më kujtohet si sot“, e fillon tregimin shtatëdhjetëvjeçari Jusuf Poplata, “në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të pushkatohen Aqif Efendia dhe Ahnet Daca. Unë në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim Medë Rozhajën. Të reshurat e borës kishin arritur trashësinë deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet e Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotëm. Dikur aty ka qene një teren futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qenë të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për t me zinxhir me duar mbrapa. U dha komanda që të bëhet pushkatimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha komandën që të pushkatohen. U dëgjuan refalet dhe që të dy lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Pazarin e Ri, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën në qafë për të vërtetuar pulsin dhe ua bëri me dije se Amet Daca ende ishte gjallë, sepse ende i rrihte pulsi i zemrës. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori nxori pushkën automatike gjermane dhe e qëlloi Ahmet Dacën në kokë. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapet e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na u është urdhëruar që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk din”.
Kështu dhe në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momentet e së kaluarës dhe me respekt njeriun më të çmuar të kësaj treve, por edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë Aqif Blytën.
Për krimet që janë kryer nga partizanët pas vitit 1945, kur lufta kishte përfunduar në Sanxhak, shkroi Husnija. H. Çengiç në “Muslimanski Glas” të 05 korrik 1991:
“Kur çetnikët përfunduan masakrimet,ndaj popullsisë së Sanxhakut i filluan partizanët. Ata, për dallim nga çetnikët vranë vetëm të rriturit,intelektualët, parinë e qytetit, ata të cilët nuk u pajtua me ideologjinë komuniste. Ata i vranë me një procedurë të thjeshtë. I nxirrnin nga shtëpitë, i arrestonin me shpejtësi, i merrnin në pyetje, “i gjykonin”, i dënuan dhe i ekzekutuan… Ky gjenocid komunist është dukshëm më i vogël, por për nga cilësia shumë më i vështirë . Pra në Haxhet në Novi Pazar janë vrarë një numër i madh të dëshmorëve, njerëz të pafajshëm të cilët paguan çmimin për shkak se kanë luftuan kundër çetnikëve … Çetnikët i kapnin, i sillnin nga pylli, i merrnin në pyetje, iu kërcënoheshin që të mos kthehen në radhët e çetnikëve. Atyre iu falën të gjitha mëkatet, sepse qysh në nëntor 1944 çetnikët u amnistuan por jo edhe të tjerët … ”
Popullit të Sanxhakut iu deshën 50 vjet kohë për të mbledhur forcë për rehabilitimin e Aqif Blytës, i cili është një nga figurat më të ndritura të Sanxhakut dhe më gjerë. Populli i Sanxhakut këtë e bëri nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Këshillin Kombëtar Mysliman të Sanxhakut (sot Këshilli Kombëtar Boshnjak ) më 11 maj 1991. Megjithatë, intelektualët e Sanxhakut ende janë në pamundësi të ballafaqohen me bërthamën e kësaj çështjeje, me për përpunimin në aspektin shkencor të rolit dhe rëndësisë së milicisë myslimane në Luftën e Dytë Botërore, prijës i së cilës ishte Aqif Blyta.
Me disa përjashtime siç janë Mustafa Memiq, Safet Banxhoviq dhe historiani Esad Rahiq, mandej edhe Instituti për hulumtimin e gjenocidit të komunizmit në Sanxhak, po japin kontribut të çmuar, por ende nuk është ndriçuar e vërteta historike e kësaj treve. Trevë, e cila deri atëherë ka qenë e populluar me shumicë shqiptare, për të cilën sot rrallë kush flet. Esad Rahiq me të drejtë shtron pyetjen: A janë “kuislingët” lokal si Aqif Blyta, Ahmet Daca, Bilall ( 1909) dhe Dervish Dreshaj (1907) nga fshati Gllogovik, Peshter, me të vërtetë tradhtarë, apo anasjelltas, të cilët ishin njerëz shumë të guximshëm që shpëtuan qytetin tonë nga gjenocidi i plotë? Këtë dhe shumë çështje dhe dilema të tjera mund të zgjidhen vetëm me një studim të plotë, konciz dhe me kritere të vërteta të bazuara në të vërtetat historike.
Të shpresojmë se në të ardhmen, në shënimin e kësaj date shumë të rëndësishme për të kaluarën historike, të marrin pjesë, nëse jo nga strukturat qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës, të paktën përfaqësuesit e OJQ “Kosova për Sanxhakun”, pasardhësit, gjegjësisht, familjarët e këtyre viktimave.
http://illyriapress.com/sanxhaku-mysliman-perkujton-viktimat-e-komunisteve-serbe-shume-nga-te-ekzekutuarit-ishin-shqiptare/
*http://gazetablic.com/shenohet-4-shtatori-dita-e-deshmoreve-te-pazarit-te-ri/
*http://gazetadielli.com/tag/dita-e-deshmoreve/
*https://botasot.info/speciale/449831/shenohet-4-shtatori-dita-e-deshmoreve-te-pazarit-te-ri-foto/
*http://www.radiokosovaelire.com/?nav=10,2&id=3028*http://shqiperiaebashkuar.info/2015/09/shenohet-dita-e-deshmoreve-te-pazarit-te-ri/
*http://gazetaora.com/shenohet-4-shtatori-dita-e-deshmoreve-te-pazarit-te-ri/
*http://www.arbresh.info/rajoni/shenohet-4-shtatori-dita-e-deshmoreve-te-pazarit-te-ri/
*http://2lonline.com/category/rrotull/article-page.php?id=15196
*http://www.ekonomia-ks.com/?page=1,9,380865
*http://www.gazetaimpakt.com/lajm/106/sanxhaku-mysliman-perkujton-viktimat-e-komunisteve-serbe-shume-nga-te-ekzekutuarit-ishin-shqiptare/