Në rubrikën “Profil” kësaj radhe përmes një interviste do t’ua prezantojmë z. Ali Daci, themelues i organizatës “Kosova për Sanxhakun”, veprimtar, patriot, poet por edhe mësues studiues i trevës.
Daci ndër tjerash flet për politikën diskriminuese që ende edhe sot udhëheq qeveria malazeze ndaj shqiptarëve të Malit të Zi , të cilët si 5.5 % e popullsisë, sipas tij, janë krejt të pazëshme , krejtësisht të pa përkrahur dhe gati sa nuk hetohen se janë në tokën e tyre.
Kush është Ali Daci ?
Kam lindur në fshatin Dacaj, Malësia e Rozhajës, më 3 dhjetor 1959. Në radhë qesh i treti fëmijë i prindërve Nezir Ajdin Daci dhe Begie Hysen Nilçi. Nëna ime është nga Shtupeqi i Madh, katund ky në krahinën e Rugovës. Pas meje prinderit e mi patën edhe 6 vajza dhe një djalë. Që të gjithë shëndosh dhe mirë deri në dtën e sotme. Meqë babai im ishte i pa punë, ne fëmijët më goxha vështirësi arritëm t’i bëhemi atij krah pune. Kushtet jetësore qenë të tilla, saqë duheshin mjaft sakrifica për të rritur, edukuar dhe arsimuar dhjetë fëmijë. Megjithatë prindërit e mi ia dolën . Babai im shkronjat e para i kishte mësuar në gjuhën shqipe gjatë Luftës së Dytë Botërore nga mësues Spiro Rexha nga Vlora, pasiqë në atë kohë, siç e quanin pleqtë tanë “Koha e Shipnisë” në Rozhajë, e që ishte nënprefekturë e prefekturës së Pejës, shteti shqiptar, më inisiativën e ministrit të Arsimit Ernest Koliqi, vetëm në këtë nënprefekturë kishte hapur plot 13 shkolla në gjuhën shqipe dhe mësues ishin emëruar normalistët e Elbasanit, qoftë nga Kosova apo Shqipëria. Pas pushtimit sllavo – komunist, shkollat shqipe dhunshëm u mbyllëm dhe mësuesit u përndjekën e disa edhe u pushkatuan nga OZNA komuniste. Shkollat shqipe dhe mësuesit shqiptarë u zëvendësuan me shkollat ideologjike komuniste më mësim në gjuhën serbokroate. Kështu, unë mësimet në shkollën që kishin ngritur me vetë inisiativë prindërit tanë, i fillova në gjuhën e huaj sllave. Meqë nuk e njihja gjuhën e mësuesit e as mësuesi gjuhën time, unë më vështirësi mësova alfabetin cirilik nga “Bukvari” serb. Katër klasat e fillores, sa kishte shkolla në Dacaj i përfundova në gjuhën serbe dhe pas këtyre babai më dërgoj në shkollën shqipe të fshatit Novosellë të Pejës. Në klasën e pestë mësova alfabetin e shenjtë të gjuhës amtare. Pas mbarimit të shkollës fillore, mësimet i ndoqa në shkollën e mesme teknike “Shaban Spahia “ në Pejë. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në armatën jugosllave, u regjistrova në SHLP ” Bajram Curri” ku edhe u diplomova në drejtimin gjuhë dhe letërsi shqipe. Nga viti 1989 jam mësues i gjuhës shqipe në shkollën fillore Dacaj, këtu në vendlindje.
Ç’mund të na thoni për vendlindjen tuaj, tokë shqiptare me një histori tragjike dhe aktualisht ende çështje e pazgjidhur ?
Është e vertetë se edhe vendlindja ime, si gjithë trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi, gjatë shekullit të fundit ka përjetuar degradim të plotë në çdo fushë të jetës. Po flas vetëm për kohën e sundimit monist jugosllav këtu. Siç e thashë edhe më lart, pushtimi jugosllav kombit shqiptar i ka kushtuar shumë, qoftë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni , Luginë e Preshevës, Sanxhak e kudo ku frymonin shqip. Me mbylljen e shkollave shqipe dhe zëvendësimin e tyre më mësim në gjuhën sllave , shqiptarët e Rozhajës humbën përfundimisht shpresat për një progres edukues dhe përparues në trojet e veta. Elita komuniste e freskuar më forcën çetnike, ngulfati çdo gjë që kishte karakter kombëtar shqiptar. Partia komuniste shkeli të drejtat elementare të shqiptarëve këtu, duke u mohuar në radhë të parë gjuhën, arsimimin dhe duke shkatërruar kulturën shpirtërore dhe atë materiale të kombit shqiptar, gjithnjë në saje të motos famëkeqe të bashkim-vëllazërimit. Shqiptarët e Rozhajës, sikurse ata të Plavës , Gucisë dhe të Tivarit, u diskriminuan mizorisht, pasi që ishin edhe si pakicë në kuadër të etnitetit që fliste gjuhën sllavofone. Fatkeqësisht prijësit e tyre ushtarak dhe shpirtëror u torturuan dhe u pushkatuan nga klika komuniste, kush me gjyq e kush pa gjyq. Eliminimi i komandantëve të forcave vullnetare shqiptare që luftuan me mish e me shpirt për Shqipërinë etnike, prijësve fetarë e bajraktarëve të vendit , dhunshëm iu muar jeta. Meqë mësimi sllav u imponua, pak djem dhe vajza të asaj kohe mbaruan katër klasët e fillores. Prindërit dhe gjyshërit tanë, jo rrallëherë kanë treguar skena rrënqethëse rreth sjelljes së mësuesve serbë ndaj nxënësve shqiptarë. Rrahjet deri në alivanosje dhe përdorimi i dhunës ndaj nxënësve ishte përditshmëri. Fëmijët asqë guxonin të rrëfenin në shtëpi, por edhe si të rrëfeheshin për keqtrajtimin. Prindërit ishin të pazotët t’u ndihmonin pasiqë shkollimi ishte i obligueshëm dhe mësimi i gjuhës sllave i detyrueshëm. Për shkak të mungesës së shkollës në gjuhën shqipe, si në Rozhajë ashtu edhe nga Plava e Gucia, me dhjetra fëmijë thyen kufirin dhe ikën në Shqipëri, me qëllim të arsimimit në gjuhën amtare. Katër kushërinj dhe axha im e ndoqën këtë rrugë dhe ia arritën qëllimit. Në Shqipëri gjetën gjuhën e nënës dhe atje arritën deri në shkallën e doktorit të shkencave dhe qenë anëtarë të akademive përkatëse. Kështu për njëzet vjet me radhë, shumë gjenerata përjetuan dhunën dhe nënçmimin nga mësuesit komunistë sllavë. Kulmi i asimilimit arriti shpejt dhe në zonat ku u mbyllën shkollat shqipe, avancoj shumë serbishtja dhe mbrenda 5 dekadave shumica u asimiluan dhunshëm. Ngeli vetëm Malësia e Rozhajës si pararojë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, kjo pjesë e pastër etnike, e që në vitet 1957-67 u shpërngul dhunshëm, pjesa me e madhe e tyre për në Turqi. Në bashkësinë lokale të Dacajve, në vitin 1968 u rihap shkolla katër klasëshe në gjuhën shqipe me mësues shqiptarë. Nga ajo kohë e deri me sot kjo shkollë u rrit në shkollë të plotë 8 vjeçare dhe në vitin 1990 u bë institucion publik i pavarur nga shkollat e tjera. Gjeneratat me radhë këtu u edukuan në gjuhën amtare dhe mësimet e mesme i morën në Kosovë apo në shkollat e mesme këtu në gjuhën joamtare. Një numër i konsiderueshëm kanë mbaruar fakultetet në Prishtinë dhe shumica e tyre jetojnë dhe punojnë atje.
Flitet shumë për Kosovën Lindore, për Çamërinë, për Plavë – Guci, por për Rozhajën rrallë, tepër rrallë flitet ? Ç’mund të thoni ?
Sigurisht që për ne flitet rrallë, e mos të them fare. Kjo ka bërë që në të jemi kështu edhe si jemi, pakicë , krejt e pazëshme dhe krejtësisht e pa përkrahur. Duke qënë pakicë shqiptare, me 5.3 % të popullsisë, ne sot gati sa nuk hetohemi se jemi në tokën tonë , në saje të politikës diskriminuese që ende sot udhëheq qeveria malazeze ndaj shqiptarëve këtu. Nuk mund të tërheqim një paralele mes Kosovës Lindore dhe shqiptarëve nën Malin e Zi, jo për një arësye ,por për shumë. Në radhë të parë shqiptarët në Mal të Zi shtrihen gjithandej kufirit me shtetet amë , më Kosovën dhe Shqipërinë dhe se tani nuk kanë një kompaktësi gjeografike siç e kishin dikur, pasiqë kur dua të shkoj në Plavë e Guci, sot me duhet të kaloj tri qytete me popullsi sllavofone, Beranën, Andrijeviçën dhe Morinën, e mos të flasim për largësinë tonë gjeografike me Malësinë ( Tuzin), apo edhe me qindra kilometra që na ndajnë nga Tivari, Ulqini e Kraja. Kjo largësi pamundëson bashkëpunimin tonë aq të nevojshëm. Edhe sikur subjektet politike shqiptare të vepronin unike, ne nuk do të mund të përfaqësoheshim ashtu si duhet, pasi që elektorati votues shqiptar këtu është i vogël, andaj edhe zëri ynë dëgjohet rrallë përmes gojës së tjerëve. Ndoshta kemi fatin e njëjtë me vëllëzerit çamë, edhe pse ne akoma jetojmë në trojet tona. E them të njëjtin fat, sepse edhe ne na shpërgulen për në Turqi sikur çamët. Edhe ne na asimiluan sikurse ata edhe ne i lamë trojet e të parëve pa të drejtë kthimi sikurse çamët. Këtu ka shumë për t’u thënë, por ja, kjo është e vërteta, të jetosh pa shpresën për të ardhmen tënde dhe të femijëve të tu, është kulmi i fatkeqësisë. Ne duhet të qëndrojmë në trojet tona me çdo kusht, andaj edhe jemi pakicë. Plava e Gucia gjatë këtyre 100 viteve të ndarjes nga shteti amë, edhe ajo është përgjysmuar dhe asimiluar. Po më keq se ne qëndron Sanxhaku me Pazarin e Ri dhe populli i tij. Edhe atje me përpikmëri është zbatuar projekti antishqiptar famëkeq i Vasa Çubrilloviçit. “Naçertanja” famëkeqe për dëbimin dhe asimilimin e shqiptarëve. Me ftesën tuaj,para disa vitesh ishim në Rrozhajë.
Vetëm një pakicë flet shqip, madje edhe të moshuarit me plisin në kokë, simbol i identitetit tonë, flasin serbisht. Pse ?
Thashë se Tregovishta e dikurshme shqiptare, Rozhaja e sotme është e asimiluar në një nacionalitet të pakuptimtë boshnjak pa dëshirën e vet. Është e vertetë se disa nga shqiptarët e Rozhajës apo rrethinës mbajnë plisin e bardhë mbi kokë, më të cilin duan që veten ta dallojnë nga të tjerët dhe të identifikohen si shqiptarë, por ç’ti bësh që me kohë kanë humbur monumentin më të shenjtë të kombit, gjuhën shqipe. Andaj, bartja e simboleve si plisi i bardhë apo edhe flamurit kombëtar nga shqiptarët e këtushëm, e dallon atë vizualisht nga korpusi tjetër nacional ,por edhe jo gjuha më të cilin ai komunikon. Ky është problemi numër një i yni,mësimi i gjuhës shqipe. E më një shkollë fillore 9 klasëshe shqipe, zor që mund të rikthehet gjuha në Rozhajë. Brezi i moshuar por edhe i mesëm e dinë gjenezën e vet shqiptare, ndërkaq brezi i ri pak a shumë e njeh dhe din për origjinën e vet. Gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, ky popull ka dhënë maksimumin e vet në pritjen dhe strehimin e të përndjekurve nga Kosova dhe kjo është një dëshmi e fortë se ende këtu vlon gjaku i shqiptarit. Edhe pse gjuhën shqipe shumica nuk e flet, ata shqiptarisht i pritën vëllezërit dhe motrat e tyre, bukë e krypë e zemër dhe hapen potrat e tyre në kohën më të veshtirë të genocidit serb mbi populli shqiptar në Kosovë. Gjatë dy viteve të luftës për çlirim kombëtar të Kosovës, kam qënë kryetar i Këshillit Emergjent për pritjen dhe strehimin e të përndjekurve nga Kosova këtu në Rozhajë dhe shumë mirë e di rolin e secilit këtu. Andaj edhe mund të konstatoj se në gishtat e pëllëmbës së dorës, mund të numërohen ata individë ose familje që nuk i hapen dyert dhe zemrat e tyre për pritjen e të dëbuarve nga vatrat e tyre. Kjo më bënë krenar për punën që kam bërë mua dhe gjithë stafit tim të asaj kohe, por edhe për mikpritjen vëllazërore që populli dhe rrethina e Rozhajës tregoj.
Ju jeni veprimtar, patriot, por ndërkohë mësues dhe studiues i trevës. Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve të atyre anëve dhe a është, sipas jush një çështje që duhet drejtuar kancelarive europiane ?
Me vijimin e mësimeve në shkollat shqipe të Kosovës, unë pata rastin dhe mësova shumë nga profesorët e mi, por edhe nga vetë populli kosovar. Shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 ka qenë dhe mbetet sprova më e madhe e popullit shqiptar atje, por edhe më gjerë. Unë këto demonstrata i përjetova nga afër si gjithë bashkëmoshatarët e mi të asaj kohe. Populli e kërkonte të shtrenjëten liri, ndërsa Jugosllavia fallco e shtypte rininë më gjithë forcën e hekurt dhe barotit që kishte. Qëndresa dhe vendosmëria e popullit shqiptar ishte unike dhe së me daljen në skenë të rinisë studentore , iu dridhën themelet Jugosllavisë titiste. Kjo periudhë deri në periudhën kohore 1990, ka qënë një kohë e ligë e burgosjeve dhe vrasjeve të rinisë shqiptare. Kjo mendoj se shqiptarët i ka kalitur se si t’iu qasen vështirësive, ta duan shkollën shqipe dhe atdheun e tyre. Më shfaqjen e pluralizmit në Mal të Zi, unë iu bashkova nismëtarëve nga Plava e Gucia për themelimin e subjektit politik shqiptar në Mal të Zi dhe se këtë e arritëm në vitin 1990 me themelimin e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi. Nga themelimi i saj e deri më sot, jam anëtar i kryesisë së këtij subjekti, ndërsa për njëzet vite kam udhëhequr degën e Rozhajës. Më 1 mars të vitit 2015 kuvendi zgjedhor me shpalli kryetar nderi i degës së Lidhjës Demokratike në Rozhajë, për çka u jam shumë mirënjohës. Në vitin 2013 në Washington DS kam qënë pjesëmarrës i konferencës për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. Në vitin 2009 kam themeluar Manifestimin Tradicional Lerar “Ora e Maleve” në Rozhajë , manifestim ky që u kushtohet viktimave të luftës së Kosovës të shkaktuara në teritorin e Rozhajës. Në pranveren e vitit 1999 forcar serbo-malazeze vranë 21 civilë kosovarë, të cilët po kërkonin ndihmë në këtë komunë. Ata u vranë për të vetmin shkak që ishin shqiptarë. Rreth vrasjes së të përndjekurve në vitin 2009, kam botuar një libër faktografik rreth vrasjes së këtyre personave ,në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe pleq. Andaj për t’i kujtuar këta martirë ne themeluam ketë manifestim letrar, në të cilin tash tetë vite kanë marrë pjesë krijues të dëgjuar të letrave shqipe nga mbarë hapësira shqiptare. Se sa është reale drejtësia malazeze, flet vetë fakti se të akuzuarit për vrasjen e refugjatëve në Husaj të Rozhajës me 18 prill 1999, u liruan si të pafajshëm edhe përkundër fakteve dhe dëshmive rrethe ngjarjes makabër.
Ju jeni shumë aktiv dhe keni bërë shumë për Rrozhajën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi!
Pos punës në arsim jam përpjekur që me fakte të paraqes situatën alarmante të shqiptarëve këtu. Kam marr pjesë në dhjetra konferenca shkencore historike apo edhe sociale e humane, ku kam parashtruar faktet për diskriminim, asimilimin dhe shpopullimin e kësaj zone autoktone shqiptare. Jam munduar që ta njoftoj botën demokratike për rrethanet dhe klimën politike që ka mbretëruar dhe po mbretëron në Rozhajë e Sanxhak. Më këtë rast kam krijuar miqësi të madhe me shumë njerëz paqedashës e të vullnetit të mirë. Falë angazhimit dhe punës, kam arritur që deri diku të paraqes të vërtetën për shqiptarët. Kam publikuar dhe vazhdoj të punoj në publikimin e fakteve historike por edhe për ndodhitë e kohës. Mjerisht kjo zonë është frekuentuar pak nga politikanët dhe punëtorët shkencorë shqiptarë dhe si e tillë mbetet një fushë e paprekur e studimit në shumë lëmi. Pas përfundimit të luftës dhe fitores së shqiptarëve mbi agresorin serb, e të ndihmuar nga miqtë amerikanë dhe aleatët e tyre, Kosova arriti çlirimin dhe pavarësinë. Shqiptarët e Rozhajës si kurrë më parë iu gëzuan kësaj fitoreje të shumë pritur. Duke parë sigurinë dhe përparimin e Kosovës nga viti 1999, nga kjo trevë migruan drejt Kosovës shumë familje shqiptare. Kështu sot vetëm në Malësinë e Rozhajës kemi 3 fshatra tërësisht të zbrazura. Fatkeqësisht kjo shpërngulje ka varfëruar skajshmërisht faktorin shqiptar këtu. Kjo ka sjellë zvogëlimin e numrit të nxënësve në shkollën e vetme shqipe në Dacaj dhe ka zvogëluar numrin e votuesve shqiptarë në këtë vendvotim, më ç’rast ka pakësuar akoma më shumë ndikimin tonë në qeverisjen lokale këtu. Duke patur gjitha këto shqetësime, ne shpesh kemi kontaktuar liderët politikë shqiptarë në Mal të Zi dhe në Kosovë ,e herë pas here edhe në Shqipëri duke i njoftuar për problemet dhe shqetësimet e shqiptarëve të Malit të Zi, me të cilat preokupohen me decenje. /Gjon Neçaj
___________________________________________________________________
Ali Daci është themelues i organizatës “Kosova për Sanxhakun “ dhe nënkryetar i saj,si dhe autor i librave :“ Zemër e madhe në Malësi”, monografi,bashkëautor me Rrahman Jashari, kushtuar humanistit Martin Dreshaj nga Malësia e Tuzit, “Shtigjet e përgjakura “, liber faktografik mbi vrasjen e refugjatëve kosovarë, 1999, “Shtigjet e rinisë” , poezi, Shtëpia Botuese “Lulu” New York ,2010.