Në kuadër të solemnitetit që mbahet për Ditën e malazezëve të Kosovës dhe Ditën e Pavarësisë së Malit të zi dhe me rastin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, Shoqata dhe Unioni i malazezëve të Kosovës e nderuan poetin Lulzim Tafa me çmimin e parë ndërkombëtar për letërsi “Radovan Zogoviq”, për librin e tij “Zavjetne Pjesme” (Këngët e përgjërimit), të botuar në Podgoricë.
Çmimin në prani të autoriteteve shtetërore dhe kulturore të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, poetit Tafa ia dorëzoi ambasadori i Mali të Zi në Kosovë, Shkëlqesia e Tij, z. Ferhat Dinosha, në Teatrin Kombëtar, në Prishtinë.
LulzimTafa është njëri ndër poetët më të njohur dhe më të përkthyer të letërsisë shqipe në botë.
Gjeni bashkëngjitur fjalimin e poetit Lulzim Tafa, me rastin e marrjes se çmimit të parë ndërkombëtar për letërsi “Radovan Zogoviq”, për librin e tij “Zavjetne Pjesme” (Këngët e përgjërimit), të botuar në Podgoricë.
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore e kulturore të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi,
Zonja e zotërinj,
E pranoj sot këtë çmim, duke qenë jashtëzakonisht i nderuar, ngase rëndësia që ka ky çmim është e shumëfishtë, së pari për faktin se këtë e kuptoj si përkrahje për punën time krijuese për mbi dy dekada për letërsinë e në veçanti për poezinë, për faktin tjetër se ky çmim mbanë emrin e “Radovan Zogoviq, një personaliteti të shquar të letërsisë dhe kulturës malazeze, por edhe shqiptare, pastaj për faktin se ky çmim me jepet në Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, një vend mik i vendit tim dhe në ditën e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.
Personalisht jam rritur në një qytet multietnik dhe multikulturor, ku malazezët e Kosovës kanë qenë dhe janë gjithmonë një komunitet i respektuar nga shumica shqiptare.
Zonja dhe zotërinj,
Edhe pse ne si vend dhe si popull kemi kaluar periudha të vështira, gjithherë jam munduar që me krijimet e mia të jap sa më shumë dashuri për njerëzit dhe jo vetëm për ta por edhe për kafshët, shpezët, pra, për të gjitha krijesat e Zotit në këtë planet.
E thash këtë për faktin se gjëja kryesore që më bëri përshtypje në këtë çmiminështë motivacioni, pra jo vetëm për vlera të mirëfillta letrare, por për përhapjen e paqes e dashurisë përmes artit, poezisë në këtë rast.
Motivacioni më ka nderuar më së shumti.
Edhe pse mendoj se nuk kam bërë asgjë të jashtëzakonshme, vetëm kam qëndruar në detyrën time si njeri dhe si shkrimtar.
Për fat të keq, jo të gjithë shkrimtarët e Ballkanit e kanë bërë këtë gjë. Shumë shkrimtarë të rajonit tonë gjatë luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, nuk e kanë luajtur rolin që duhet ta kishin, e disa prej tyre edhe i frynë zjarrit të luftës për tu përshtatur me politikën.
Nuke kam thënë vetëm unë, këtë e kanë thënë edhe shkrimtarë të tjerë, letërsia nuk përzihet në punët e politikës as të shtetit, por, ka raste që letërsia e thotë fjalën e vet, atëherë kur vlerat njerëzore vihen në rrezik. Disa nuk e bënë këtë, e bënë të kundërtën.
Shkrimtarit nuk i shkon të dalë në krahë të forcës, shkrimtarit i takon të qëndrojë pranë të shtypurit, atij që ka nevojë për ndihmë e mbrojtje, thjesht dhe shkurt. Shkrimtarit i shkon të jetë shkrimtar si Radovan Zogoviqi, i cili me veprën e tij të jashtëzakonshme artistike: “Ardhacakët- Këngët e Ali Binakut”, u bë një zë i fuqishëm kundër padrejtësive të pushtetit mbi shqiptarët. Zogoviqi me këtë vepër u bë ndër shkrimtarët më të dashur për shqiptarët. Vepra “Këngët e Ali Binakut” u bë revoltë për vuajtjet dhe jehonë për rezistencë ndaj padrejtësisë.
Pastaj, shkrimtari duhet të jetë si Jevrem Berkoviqi, i cili jo vetëm që është poeti më i mirë i gjallë i Ballkanit,(së paku për vlerësimin tim), por edhe një disident dhe luftëtari të drejtave të njeriut, besnik i madh i vlerave njerëzore. Ai ishte përkrah nesh në ditët më të vështira për Kosovën dhe popullin tonë.
Të nderuar të pranishëm, unë sot jam i kënaqur që jam i njohur për lexuesin malazez. Një shtëpi e njohur botuese atje ka botuar librin tim, shtypi në Podgoricë i ka dhënë interes botimit të këtij libri, lexuesit e kanë pritur mirë, kanë folur e shkruar për librin tim atje shumë kritikë e shkrimtarë, madje edhe Jevrem Berkoviqi, Mirash Martinoviqi e shumë të tjerë, jam ndier shumë i nderuar.
Shkrimtarët e letërsitë e kombeve të vogla çfarë jemi ne,shkrimtarët shqiptarë por edhe ata malazezë e të tjerë,është mirë që përkrahen edhe në këtë formë nga njëri – tjetri, sepse edhe pse ne përfaqësojmë letërsitë tona nacionale, vlerat letrare dhe artistike janë universale.
Ju faleminderit!
Lulzim Tafa