“Në Rozhajë, pas veprimeve gjakatare mbas veprës gjakësore e çnjerëzore në zonë neutrale, janë grumbullue afro 5.000 frymë refugjatësh janë shtrëngue të ikin nga tokat e tyne dhe të shpëtojnë shpirtin lakuriq nëpër akull, borë dhe furtunë tue ikë nëpër bjeshkë, për shkak të cilës gjë burra gra e sidomos fëmijë janë fare lakuriq ose veshun me rroba rrecka rrecka.
Ndër ta ka shumë të plagosun. Deri tash s\’janë hetue sëmundje infektive, por të sëmurit e ngrirë nëpër artikulacione me zgjebe, me bronhit dhe me të tjera sëmundje lëkure ka shumë.
Të gjithë refugjatët janë me morra dhe qëndron rreziku i ç\’faqjes së tifos axantematicus, dhe shtoj se në disa prej katundarëve të djegum sështë çfaqë tifoja në fjalë.
Mbas kësaj Zone rreziku i kërcënohet popullatës Shqiptare Petnicë, Peshter, Senicë, Suidoll e Delimegjë, në qoftë se Qeverija Shqiptare nuk do u vijë në ndihmë, sigurisht edhe këta kanë me pësue atë që pësuan vllaznit e Bihorit dhe nuk asht çudi që këtë më vonë të pësojë dhe Kosova”, janë vetëm disa detale nga raportet e komisionit të cilat i kanë arritur në janar të viti 1943, Drejtorisë së përgjithshme të Kryqit të Kuq dhe Shkëlqesisë Ekrem bej Libohova, Kryetar i Këshillit të Ministrave në Tiranë.
Shkruan:Ismet Azizi
Në vazhdim po ofrojmë vazdhimin nga pika e 9-të e dokumentit të dytë të gjetura në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, në fondin arkivor të viti 1943 (janar – korrik), gjendet dosja nr. 5, me 57 fletë.
Ekzistojnë disa dokumente origjinale, dërguar kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë Ekrem Bej Libohovës, nga Komisioni i zgjedhur enkas për konstatimin e gjendjes faktike, të cilat në mënyrë të pakontestueshme dëshmojnë krimin dhe gjenocidin serbo-malazias ndaj banorëve shqiptarë të zonës së Bihorit. Dokumentet në fjalë po vazhdojmë t‘i paraqesim në formë origjinale.
( Në vazhdim po japim nga pika 9 e dokumentit të Dytë në formë origjinale. I . A)
9.- Duhet theksuar se zgjidhja e plotë e çashtjes qëndron vetëm në rivendosjen e banorëve nëpër shtëpijat e vet. Por këto u dogjën e u shkatruan, sikundër edhe e gjithë pasunija e tyne e lujtëshme .
Prandaj duhet mendua dhe vendosun mënyrat se qysh këta njerëz mundin të rivendosen nëpër plangjet e veta e t\’a rifillojnë jetën e parë. Duhet theksue gjithashtu se n\’atë vend nuk ka aspak siguri. Me kot thënkan autoritetet e Cetinës se mbretnon qetësija.
Mbasi ikën çetnikët, si me thanë \”zyrtarë\”, u sulen (vërsulën –I . A)për grabitje banorë e bashibozuk të tjerë nëpër të gjitha katundet e prishuna. Këta janë t\’armatosun thuhet se kanë edhe mitraloza. Asht fakt se banorët shqiptarë qi kanë dashun të kthehen në shtëpi të vet, si dhe ata qi kanë shkue për t\’i varrue të vramit e të therunit, janë pritë me pushka dhe disa prej tyne kanë mbetë të vramë.
10.- Tue marrë parasysh se çka ndodhi në Bihor, si duket, vetëm fillimi i një prodroni kundër popullsis shqiptare, dhe ma për së shpejti ka me u ardhur siraja (radha – I.A.) krahinave të tjera, asht e domosdoshme dhe e ngutshme të mendohet dhe të zbatohen qysh tash masa të dobishme e të forta për t\’a sigurue e për t\’a shpëtue popullsin shqiptare të zonës neutrale.
Shumë masa të përshtatshme mund të gjenden, por kryepari vijnë në mendje këto: a) Armatimi i popullsis shqiptare; b) Garantimi i kufinit të zonës neutrale me Malinezi nga ana e ushtris italiane të Malitzi; c) Organizimi i përshtatshëm i vullnetarëve shqiptarë të vendit; d) Vendosja në zonë ose aty pranë i autoriteteve eprore të Zonës. Këto masa mund të zbatohen sikundër tregohet ma poshtë:
11. Për t\’a zbatue rifillimin e armatimit, duhet marrun ngutshëm masat që vijojnë:
a) Në popullin e Sienicës i aftë për të mbajtun armë, duhen dërguar së paku 6.000 pushka me municione të mjaftueshme dhe 3.000 pushka të tjara për Tutin e Rozhajë. Në këtë hesap nuk përfshihen nevoja për Plavë e Gusinë dhe që kapin 2.000 pushkë të tjera;
b) Do t\’ishte gja e domosdoshme që, përveç pushkëve, të vihen në dispozitë të popullit shqiptar të Zonës neutrale një sasi mitralozash, të mëdha e të vogla. Për përdorimin e tyne ka mjaft njerëz të stërvitun.
c) Nënkuptohet se këto armë nuk do të ndahen të gjitha në popull, por vetëm një pjesë e vogël, ndër ata burra të njoftun e të besueshëm, që do të përbajnë si me thanë \”Rojen Civile të Vendit\”. Parija e çdo vendi mund të bahet dorëzanëse për njerëzit që do të marrin armët në dorëzim;
d) Sa për pjesën e madhe e këtyre armëve, dhe sidomos të municioneve, ato kanë me u vendue ndër depo të posaçme, të zgjedhuna simbas situatës së vendit dhe me të gjitha sigurimet që kërkon mirmbajtja dhe ruajtja e këtyne depove;
e) Shpërndarja e armëve nga depot e paramendume, do të bahet vetëm në rast reziku, domethënë kur të vërtetohen sheja të dukshme nga ana e çetnikëve për të mësye katundet e zonave në fjalë.
12. Që shpërndarja e armëve, në raste të tilla, të bahet e rregulltë dhe me të gjitha garancinat e duhuna, nevojitet nji organizim paraprak ndër çeta vullnetarësh, të mëdhaja e të vogla, simbas nevojave të vendeve të ndryshme.
Këto çeta do të kenë në krye të tyne njerëz të njoftun që do të mundin me garantue për vullnetarët qi ata kanë me pasë nën urdhën të vet. Ky organizim mund të kryhet mirëfilli tue shënue, së pakut, tre oficera të stërvitun e t\’aftë, si organizues të vullnetarëve ndër zonat e përmenduna, dome thanë nji në Senicë, nji në Rozhaj e nji në Plavë e Gusinë.
13. Duhet pohue për, se sa vullnetarët, sa armët që do të kenë ata, nuk do të mjaftojnë për mbrojtjen e vendit, kur ky të mësyhet nga çeta të mëdhaja, me armatim e organizim të përsosun, si ata të Pavle Gjurishiqit që kanë ba kërdin në Bihor dhe që përbahen nga mija shpirta.
Prandaj zonave neutrale të përmenduna, u duhet me doemos një vërejtje e posaçme nga ana e fuqive t\’armatosuna italiane të Malitzi.
Ato duhet t\’organizojnë një rjetë postësh për t\’a vërejtun lëvizjen e çetave të mëdhaja e, në rast nevoje, për me ndalue të msymit e tyne, ose për ta ndihmue përpjekjet e vullnetarëve shqiptarë.
14. Për të pasun populli shqiptar nji provë të dukëshme interesimi t\’autoriteteve eprore italiane e shqiptare, do t\’ishte mirë që Komisari i Naltë, Shkëlqesa Umilta, sidhe një nëpunës shqiptar me autoritet, t\’a vendosin qendrën e veprimtaris së tyne në Senicë, ose aty pranë.
15. Populli shqiptar i zonës neutrale e kupton me zor situatën e sotme, që sy duhet të vazhdojë me ndejtun i ndamë prej Shtetit shqiptar. Dëshira e tij ma e flaktë dhe shpëtimi i tij i sigurtë do t\’ishte aneksimi i menjëhershëm.
Ay e din boll mirë dhe nuk dyshon se ky përfundim dëshirohet prej Qeverisë shqiptare dhe gjen përkrahje pranë Qeverisë italiane, si edhe se ky bashkim do të kryhet në çastin e volitshëm.
Por, për t\’i dhënë atij fuçinë shpirtërore dhe durimin me prit, duhet qi, interesimi i Qeveris dhe përkrahja e Qeveris italiane të marrin një formë të gjallë, për t\’a rivendosun atë popull të mjeruam ndjenjën e sigurisë dhe për t\’a forcuen shpresën e tij.
Masat q\’u përmenden ma nalt, dhe të tjerat që Qeverija Mbretnore nund t\’i gjejë vetë, duhen zbatue ngutësisht e në mënyrë sa ma të dukëshme, që populli t\’a rifitojë besimin në mbrojtjen e saktë të Qeverisë shqiptare dhe që, n\’anën tjetër, të mund të mënjanohen ato të këqija për ahmarrje e të tjera që mund të lindin nga dishprimi i popullit.
16. Autoritetet shqiptare të njanës anë dhe ato italiane n\’anën tjetër duhet të kenë besim te mendarija (te të mençurit –I. A.) e popullsis shqiptare. Ajo e kupton vleftën e urtësis dhe të durimit në këto çaste. Pra, jo vetëm se nuk kërkon të nxjerë ngatrime, por do të mundohet të gjith krenat e saj të ndalohen e të prevenojnë çdo akt e vendim të papëlqyeshëm.
I bashkohen këtij relacioni nji sasi dokumenta – radhoj e qartësisë fiktive të cilat epen hollësinat dhe provohen çka u tha ma nalt mbi mizerinat e kryme prej Malazezve ndër katundet e Bihorit. Tiranë, me 30 Kallnuer 1943-XXI.
Dokumenti i III -të
Drejtoris së përgjithshme të Kryqit të Kuq
Me anë të ngarkuesit t\’onë zotni Emrush Myftarit po ju dërgojmë nji kuti me raportin mjekues ku gjinden të mbylluna nji pjesë të masakrimevet që kanë bërë çetnikët Malazez kundra popullatës Shqiptare të Bihorit që gjinden gjatë bregut të lumit, në anë të këtyne dokumenteve mundë të marrë vesh gjithë bota mbarë se këto janë veprimet e shekullit 20 që kanë adaptue çetnikët Malazez kundra nji zone thjesht Shqiptare dhe që në dejt e banorve të tyne vlon gjaku Shqiptar.
Këta vllazën masakrue nga anmiku pse pakë në numër në proporcion me ata të anmikut që i ka sulmuar dhe pa mjete luftarake. Këta vllazën me gjith se janë Shqiptarë fatkeqësisht kanë ngelë provizorisht jashtë vijës së demarkasjonit si zonë neutrale dhe me gjith kërkesat e tyne qi t\’i lidhen nënës Shqipni, fatkeqësisht dëshira e tyne nuk mbriti të realizohesh deri sa anmiku i zhduki nji herë e përgjithmonë.
Mbas kësaj Zone rreziku i kërcënohet popullatës Shqiptare Petnicë, Peshter, Senicë, Suidoll e Delimegjë, në qoftë se Qeverija Shqiptare nuk do u vijë në ndihmë, sigurisht edhe këta kanë me pësue atë që pësuan vllaznit e Bihorit dhe nuk asht çudi që këtë më vonë të pësojë dhe Kosova. Rrozhajë, me 23-I-1943
Dokumenti i IV-të
1.- Kokë djali rreth 13- 15 vjeç e preme me anë të nji arme të bardhë (shpatë- thikë)dhe këtë me nji të sjellme nga e cila shihet se anët e plagës janë krejtësisht të rrafshëta, kështu qi skajet e ashtit të nofullës të poshtme janë krejt të rrafshëta.
2.- Kokë gruje rreth 22-26 vjetshe e preme me anë të nji arme të bardhë e cila shihet në skajet e plagës janë krejt të rrafshëta. Flokët e kokës djegun dhe lëkura karbonizua, nga e cila shihet se koka i është premun grues së gjallë dhe masandej hjedhun në zjarë.
3.- Shuplakë djaloçi rreth 10 vjetësh e preme me nji të sjellme me nji armë të bardhë nga e cila shihet se skajet e plagës në asht (koc) e mish janë të rrafshëta.
4.- Këmba e burrit të pjekun, e preme me armë prefëse me nji të sjellme si kur duket nga skajet e rrafshëta të plagës në asht e mish.
5.- Dora e djathtë e preme në bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se dora e fatkeqit ka qenë premun për së gjalli dhe masandej hjedhun në zjarr. Dora ësht e nji djali.
6.- Dora e djathtë e preme në bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se asht premun për së gjalli të viktimës dhe masandej hjedhun në zjarë. Dora i ka përkitun nji persone të rritun.
7.- Dora e majtë e preme pak nën bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se ka qenë e preme për së gjalli të viktimës dhe masandej hjedhun në zjarë. Dora ka qenë e nji persone të rritun.
8.- Veshi i djathtë dhe i majtë të njeriut pjekun. Tu dy veshtë kanë qenë të premë në nji të sjellme e me anë të nji arme prefse, nga duken skajet e së premes plotësisht të rrafshëta. Të dy veshët janë të preme më parë.
9.- Veshi i djathtë i premë në bazë të nji të sjellme e me anë të nji arme të preftë, nga duken skajet e së premes plotësisht të rafshëta.
10.- Hundë me buzën e sipërme me gjithë mustakët të preme mbi kocin e hundës. Skajet e plagës janë të rrafshëta.
11.- Syni i djathtë dhe i majtë, të nxjerrun me kapak nga gropa e syvet. (Rozhajë, 23 I 1943)
Dokumenti i V-të
Kryesis Komitetit të Kryqit të Kuq Shqiptar
Në Rozhajë mbas veprës gjakësore e çnjerëzore në zonë neutrale, janë grumbullue afro 5.000 frymë refugjatësh janë shtrëngue të ikin nga tokat e tyne dhe të shpëtojnë shpirtin lakuriq nëpër akull, borë dhe furtunë tue ikë nëpër bjeshkë, për shkak të cilës gjë burra gra e sidomos fëmijë janë fare lakuriq ose veshun me rroba rrecka rrecka.
Ndër ta ka shumë të plagosun. Deri tash s\’janë hetue sëmundje efektive, por të sëmurit e ngrirë nëpër artikulacione me zgjebe, me bronshit dhe me të tjera sëmundje lëkure ka shumë.
Të gjithë refugjatët janë me morra dhe qëndron rreziku i ç\’faqjes së tifos axantematicus, dhe shtoj se në disa prej katundarëve të djegum sështë çfaqë tifoja në fjalë.
Nëpër disa gra e djelm asht dukun në disa raste avitaminoza dhe këtë \”D\” \”B\” C\”. Ka fillue organizimi i banjës primitive dhe spitalit prej 15-20 shtretë.
Prandaj i lutemi Kryesis Kryqit të Kuq Shqiptar, t\’udhëzon dërgimin sa më të shpejtë të ndihmës në roba djemsh, grash dhe burrash, dhe po qe e e mundun dhe me rrobat për fëmijët në moshë të ndryshme, e për foshnjët e vogla në gji, pelena (shperra) gjithashtu të keni mirësinë me dërgue ndihmë të shpejtë në medikamente për të cilat ndihet nji mungesë e madhe sidomos në materialin mbështjellës dhe në specialitetet e vitaminave (C, A, B dhe D) me të cilat aspak s\’disponohet në këto vise.
Lusim ma tepër t\’urdhënoni dërgimin e nji mjekut, e në qoftë se Kryqi i Kuq Shqiptar nuk disponon nji mjek, të përpiqeni pranë Ministrisë përkatëse se të dërgojnë me urgjencë së paku nji mjek, dhe së fundit drejtohuni patriotizmës së mjekëve të Tiranës që të vijnë në ndihmë ndonji prej tyne si vullnetarë në këtë anë të masakrueme. Rozhajë, më 23-I-1943 Kandidat Medicine – Hasan Llukaqi.(vijon)
botuar:
http://www.ekonomia-ks.com/?page=1,9,374581
http://2lonline.com/category/lajmet/article-page.php?id=11166
http://www.mesazhi.com/mendime/masakra-e-biohorit-8239ne-naten-e-bozhiqeve-te-43tes-pjesa-e-iiite
http://gazetadielli.com/masakra-e-biohorit-ne-naten-e-bozhiqeve-te-43-tes-pjesa-e-iii-te/
http://gazetaora.com/masakra-e-biohorit-ne-naten-e-bozhiqeve-te-43-tes-pjesa-e-iii-te/
http://gazetakritika.net//Forumi/Doreshkrim.php/index.php?itemid=7687