Në luftën serbo-turke, 1876-1878, agresionet e forcave të organizuara serbe sollën pasoja shfarosëse për shqiptarët në viset e Moravës jugore, perëndimore dhe lindore.
Në kujtesën e bashkëkohësve të atyre viteve llogariteshin 35 000 viktima shqiptarë të çdo moshe e seksi. Ishte fakt se fshatra, qytete e krahina të tëra zbrazeshin nga këto tmerre. Konsulli i Perandorisë Osmane në Nish njoftonte se nga një lagje thjeshtë shqiptare e Nishit, prej 300 shtëpish shqiptare, vetëm 20 shpëtuan. Të tjerat u rrafshuan me tokë.
Në kazanë e Leskovcit u shkatërruan 1228 shtëpi me 88 fshatra e u shpërngulën rreth 20 667 banorë; në rrethin e Përkupës, në 73 fshatra me 1771 shtëpi, shumica u dogj ose u shkatërruan; nga 67 fshatra me 1 531 shtëpi shqiptare u shpërngulën rreth 12 480 banorë. (Gjurmime albanologjike, seria e shkencave historike IX-1979, Prishtinë, 1980, fq. 142)).
Në vitet 1912-1913 dhe në vijim politikat shfarosëse ndaj shqiptarëve marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. Më 12 nëntor të 1912-ës shkruhej se në afërsi të Shkupit, 2000 dhe jo larg Prizrenit 5000 shqiptarë myslimanë u masakruan. Shumë fshatra u dogjën dhe popullsia e tyre u masakrua. Në rrethin e Prishtinës vetëm gjatë periudhës 18 tetor-12 nëntor 1912 u zhdukën nga terrorizmi masiv serb 5 000 shqiptarë. (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 8-9)
Në krahinën e Lumës u shkatërruan 27 fshatra dhe u vra popullata deri tek fëmijët. Këtu u kryen mizoritë më të tmerrshme që njeh lufta shfarosëse kundra shqiptarëve. Këtu ndodhi që gratë dhe fëmijët, të mbështjellë me kashtë, u dogjën të lidhur përpara syve të burrave dhe baballarëve të tyre të lidhur. Grave shtatzëna u nxirreshin në mënyrë të tmerrshme fëmija nga barku dhe kalohej në bajonetë. Edhe të dorëzuarit vriteshin si në “kasaphanë”. (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 15-16).Bihor