Drejtori i shkollës fillore “Dacaj”, në fshatin Dacaj të Rozhajës z. Haxhi Lajqi, pati apeluar tek drejtori i drejtoratit për arsim në Komunën e Pejës z. Besim Avdimetaj, që ta ndihmoj këtë shkollë me kuadro të reja, për mësim klasor dhe lëndor në gjuhën shqipe.
Sepse sipas drejtorit Lajqi, shkolla e vetme shqipe në Malësinë e Rozhajës, e cila aktivitetin e saj edukativo-arsimor, e filloi herët në vitin 1939 rrezikon të mbyllet, si pasojë e mungesës së nxënësve dhe e kuadrove të reja.
Lidhur me këtë, drejtori i drejtoratit për arsim në komunën e Pejës z. Besim Avdimetaj, i tha gazetës lokale të Pejës “Zarfi Info”, se bashkëpunimi në mes të shkollës fillore “Dacaj” dhe drejtorisë së Arsimit në Pejë, nuk ka munguar asnjëherë dhe se sipas tij, po i njëjti bashkëpunim do të vazhdoi edhe në të ardhmen.
“Bashkëpunimi në mes të shkollës shqipe në Rozhajë dhe dikasterit të cilin e drejtoi, nuk ka munguar asnjëherë. Në tubimin e 50 vjetorit të shkollës shqipe, publikisht e kam deklaruar se mund të bashkëpunojmë në fusha të ndryshme. Jemi të gatshëm ti pranojmë nxënësit të cilët dëshirojnë të regjistrohen në shkollat e mesme të komunës se Pejës, bashkëpunim ky që e kemi bëre për vite me radhë”, tha drejtori Avdimetaj, duke shtuar se shkolla fillore në Dacaj, duhet të drejtohet me kërkesë zyrtare, për punësimin e kuadrove të reja.
“Lidhur me punësimin e kuadrove deficitare gjuhë shqipe dhe mësues klase, duhet që shkolla e Dacajve, ta bëjë një kërkesë zyrtare në DKA në Pejë. Pas kësaj, neve na mbetet ti joshim kuadrot e profileve të kërkuara, që te punojnë dhe ndihmojnë shkollën shqipe në Dacaj. U premtoj se jemi të gatshëm ta vazhdojmë bashkëpunimin e deritanishëm dhe tu dalim në ndihmë bashkëkombësve tanë në Rozhajë – Mali i zi”, tha drejtori Avdimetaj, i cili tregon se e kemi borxh të jemi pranë njëri tjetrit, sidomos atëherë kur bëhet fjalë për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, të cilët në një të ardhme të afërt, do të kontribuojnë për zhvillimin e vendit, në fusha të ndryshme. / Zarfi Info/