Vajza boshnjake e cila prej vitesh jeton në Tiranë, rrëfen tmerrin e 11 korrikut në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërkohë që e gjithë bota heshti. Pasi ka zgjedhur të krijojë familjen e saj me Besjanin, tashmë ajo i është përkushtuar trashëgimisë kulturore shqiptare duke iniciuar shumë restaurime të objekteve shqiptare që janë lënë në mëshirë të fatit.
Por si e mban mend Lejla 11 korrikun e vitit 1995 dhe si e përjeton sot shoqëria boshnjake?
Përse zgjodhët pikërisht Shqipërinë për të jetuar?
Unë jetoj në Shqipëri prej tre vitesh, megjithatë e kam vizituar shpesh Shqipërinë që prej vitit 2006. Në një farë mënyre, mendoj se nuk e kam zgjedhur unë Shqipërinë, por ajo mua. Këtu kam vazhduar punën që bëja në Bosnje dhe Hercegovinë, por më e rëndësishme për mua në këtë vend është familja që kam krijuar, pasi në Shqipëri kam gjetur bashkudhëtarin tim të jetës.
Cilat janë dallimet mes kulturës shqiptare dhe asaj boshnjake?
Mjedisi shqiptar ka dallimet e tij sikurse ka edhe ngjashmëri të shumta me atë boshnjak. Ngjashmërinë më të madhe e gjej tek të rinjtë plot ide, energji dhe nevoja për të ecur përpara. Megjithatë, ndryshimi më i madh që kam kuptuar mes dy kulturave është besimi fetar. Shqiptarët janë më të qetë sa i përket fesë, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë njerëzit janë më të dhënë pas besimit fetar. Gjithsesi, Bosnja dhe Hercegovina me Shqipërinë kanë më shumë ngjashmëri se sa dallime dhe kjo e ka bërë shumë të lehtë për mua jetesën në Tiranë.
A jeni përballur në Shqipëri me vështirësi për shkak të kombësisë?
Nuk jam përballur kurrë me vështirësi në Shqipëri prej faktit se jam nga Bosnja dhe Hercegovina. Të qenit një vajzë boshnjake ka rritur interesin dhe më ka bërë të thyej akujt për të njohur njerëz të rinj. Shqipëria dhe shqiptarët janë të kujdesshëm ndaj njerëzve me kombësi të tjera që vizitojnë vendin e tyre. Përqafimi dhe mikpritja e ngrohtë që shqiptarët dhurojnë pa dyshim që janë tregues të mirë. Të paktën kjo është eksperienca që unë kam gjetur këtu.
U bënë 17 vite nga Masakra e Srebrenicës. Si e mbani mend 11 korrikun e vitit 1995?
11 korriku ishte një nga muajt e fundit të luftës. Për të gjithë ne, kjo datë ka ardhur si një ngjarje e tmerrshme që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. E lodhur pas 3 viteve në rrethim, masakra ishte si një hekur i nxehtë mbi një plagë të freskët. Ta lësh veten në harresë dhe t’i thuash se kjo nuk ka ndodhur kurrë, ka qenë ndoshta një mënyrë për të pasur një gjendje normale. Por gjithsesi kjo është një mbresë që do të na ndjekë gjithë jetën tonë. Për të folur për pajtim dhe falje pa marrë parasysh se kam kaluar një luftë, unë nuk duhet të pyetem kurrë. Janë ato, familjet dhe shokët tanë nga Srebrenica që kanë vuajtur më shumë. Nënat nga Srebrenica që kanë humbur fëmijët e tyre në masakër, e shohin mbijetesën e tyre sot si një dënim. Nuk ka dënim më të madh se sa ky për një njeri. Dhe sot, 17 vite pas masakrës, ato ende janë në kërkim të eshtrave të të dashurve të tyre, të paktën për t’i vendosur diku që të prehen. Shumë prej këtyre nënave ende nuk e kanë arritur këtë. E kujtoj atë ditë në heshtje dhe pavarësisht kësaj nuk mundem ta harroj kurrë.
A janë përpjekur boshnjakët ndër vite ta harrojnë këtë datë famëkeqe?
Vetëm disa ditë më parë kam lexuar një artikull, i cili fliste për një vendim të Gjykatës së Hagës. Vendimi fliste për djegien e të gjitha mbetjeve të viktimave, të gjetura së fundmi në një varr masiv. Kjo ishte një tjetër plagë pas kaq shumë kohësh për boshnjakët. Ndërkohë që familjarëve të viktimave u ndalohet të mbajnë si kujtim të fundit një byzylyk, një këmishë apo një send personal të të dashurve të tyre, nga ana tjetër kriminelët e luftës gjykohen në një proces demokratik. Të afërmit e viktimave nuk e meritojnë këtë. Janë të rrallë zërat e avokatëve të familjarëve të mbijetuar. Ata qajnë pak dhe kështu shumë pak njerëz dëgjojnë. Megjithatë, kjo datë përkujtohet çdo vit dhe çdo vit ka varrosje të reja të të tjera viktimave të gjetura. Kështu që kjo datë nuk do të harrohet kurrë. Kjo nuk do të thotë për mua që duhet të urrej, por që unë dhe fëmijët e mi në të ardhmen të respektojmë më shumë njerëz, ndërsa viktimat e gjenocidit serb në Srebrenicë prehen në paqe.
Emri: Lejla Hadzic
Vendlindja: Sarajevë
Vendbanimi: Tiranë
Profesioni: Arkitekte e ruajtjes së trashëgimisë kulturorë
520 varre të reja
Bosnje dhe Hercegovina përkujtoi dje 17-vjetorin e vrasjes së 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe. Njerëzit nga i gjithë vendi u mblodhën pranë qytetit lindor ku në vitin 1995 forcat serbe të Bosnjës kryen masakrën më të madhe që Evropa ka parë pas Luftës së Dytë Botërore. Mbi 30 mijë vetë morën pjesë dje në varrosjen e 520 kufomave të tjera, të gjetura në varre masive gjatë muajve të fundit. Për identifikimin e tyre u kryen analiza të ADN-së ndërsa qindra të tjerë ende rezultojnë të zhdukur.