Prokurorët i bënë thirrje gjyqtarëve në Gjykatën e OKB-së të refuzojnë apelin e ish-liderit politik serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe ta rrisin dënimin e tij në burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte.
Prokurorët thanë në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në ditën e dytë të seancave të apelit në rastin e Radovan Karaxhiçit të martën se dënimi i ish-kreut politik serb të Bosnjës duhet të rritet nga 40 vjet burg në burgim të përjetshëm.
Prokurorja Katrina Gustafson u tha gjyqtarëve të apelit se Karaxhiçi “kishte abuzuar me pushtetin e tij të madh për të derdhur gjakun e civilëve të pafajshëm”.
“Drejtësia kërkon që ai të marrë dënimin më të lartë të mundshëm, një dënim me burgim të përjetshëm,” tha ajo.
Gustafson tha se Karaxhiç i kishte kërcënuar jo-serbët në Bosnje me “zhdukje dhe asgjësim”.
“Ai organizoi gjithçka për një fushatë kriminale me natyrë gjenocidale,” tha ajo.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e gjeti Karaxhiçin fajtor në mars të vitit 2016 për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Në ditën e parë të seancave të apelit të hënën, Karaxhiçi tha se dënimi i tij duhet të rrëzohejsepse gjyqi i tij ishte i padrejtë.
Por prokurorët thanë se apeli i tij duhej të hidhej poshtë i gjithë.
Prokuroria po kërkon gjithashtu që ai të dënohet edhe për gjenocid në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.
Prokurori Laurel Baig tha në gjykatë se ishte vërtetuar se forcat serbe nën komandën supreme të Karaxhiçit kishin kryer “vrasjen më të madhe masive që prej Luftës së Dytë Botërore” – vrasjet e mijëra boshnjakëve nga Srebrenica në korrik të vitit 1995.
Baig citoi vendimin, i cili thoshte se Ushtria dhe policia Serbe e Bosnjës qëlluan “të paktën 5,115” boshnjakë pas rënies së Srebrenicës”.
“Karaxhiçi ishte në dijeni të këtij plani. Ai iu bashkua atij dhe mori pjesë në mënyrë aktive në ekzekutimin e tij,” tha prokurori.
Një prokurore e tretë, Barbara Goy, tha se Ushtria Serbe e Bosnjës nën komandën supreme të Karaxhiçit kreu një fushatë bombardimi dhe sulmesh me snajper në Sarajevë, në mënyrë jo të përzgjedhur dhe jo proporcionale për tre vjet e gjysmë, duke vrarë dhe plagosur “10,000 civilë”.
“Përveç ndarjes së qytetit, i cili ishte një nga qëllimet strategjike të lidershipit boshnjak, Karaxhiçi dhe kreu i tij ushtarak Ratko Mlladiç përdorën sulmet ndaj Sarajevës si “mjet për të ushtruar presion ndaj myslimanëve dhe komunitetit ndërkombëtar që të pranonin kërkesat serbe,” këmbënguli Goy.
Baig tha se ishte “nuk kishte rëndësi” nëse Ushtria Boshnjake “provokoi” forcat serbe që të hapnin zjarr në qytet, duke u shprehur se ajo që ishte e rëndësishme ishte nëse reagimi ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar.
“Dhe nuk ishte, sepse ai ishte ose jo proporcional ose drejtpërsëdrejti kundër civilëve,” tha Baig.
Goy argumentoi se pavarësisht asaj që pretendonte mbrojtja, Karaxhiçi ishte shpallur me të drejtë fajtor për përgjegjësinë për një shpërthim në tregun Markale të Sarajevës që vrau 67 civilë dhe plagosi më shumë se 140 të tjerë më 5 shkurt 1994.
Ajo tha se në vendim ishte përcaktuar se bomba e qëlloi tregun nga drejtimi që dihej se ishte pozicioni i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, nga i cili gjatë periudhës në qytet u qëlluan “rreth 30,000 dhe 40,000 predha”.
Prokurorët gjithashtu hodhën poshtë pretendimin e Karaxhiçit se ai nuk kishte pasur një gjykim të drejtë.
“Karaxhiç u dënua me të drejtë si protagonist i katër sipërmarrjeve të përbashkëta kriminale. Ai pati një gjykim të drejtë dhe nuk arriti të vërtetonte ekzistencën e ndonjë parregullsie ligjore apo gabimeve faktike në vendim,” tha Goy.
Vendimi përfundimtar për këtë çështje pritet të merret në dhjetor.
Lexoni më shumë:
Radovan Karaxhiç dënohet për gjenocid
Radovan Karaxhiçi apelon për dënim “të padrejtë” për gjenocid