NOVI PAZAR – Kryetarët e Këshillave Kombëtare (KK) të boshnjakëve dhe shqiptarëve, Sulejman Ugljanin dhe Shukri Imeri, nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim formimin e një qasje të përbashkët për programin e zhvillimit.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në Novi Pazar, u tha se preambula përfshinë pikën në të cilën thuhet se shqiptarët dhe boshnjakët janë popuj autoktonë në rajonin e Luginës së Preshevës dhe Sanxhakut, dhe se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e përfshirjes në proceset integruese, në përfaqësimin proporcional, si dhe për arritjen e një konsensusi të gjerë të faktorëve politik, ekonomik, intelektual dhe shoqëror.
Kreu i këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Imeri, tha se bëhet fjalë për një moment historik në të cilin shqiptarët dhe boshnjakët kanë bashkuar forcat për avancimin e të drejtave kolektive brenda kornizave ligjore.
“Të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak, kemi vendosur të përpilojmë këtë Memorandum Bashkëpunimi, i cili synon të krijojë bashkëpunim mbi politikat rajonale, programet, nismat, dhe krijimin e aktiviteteve të përbashkëta për mbështetjen e politikave të këshillave kombëtare në kuadër të fushës së tyre të veprimit”, tha Imeri, sipas të cilit, një nga politikat e përbashkëta të këshillave do të jetë ruajtja e identitetit dhe kulturës së dy bashkësive.
Sulejman Ugljanin nga ana e tij rikujtoi se Këshillat kanë të drejtë ligjore të marrin qëndrime dhe nisma për çështjet të cilat lidhen me identitetin dhe statusin, sepse të drejtat e populiit boshnjak dhe atij shqiptar janë të garantuara me ligj.
Ai tha se në shumë fusha ka ndryshuar qasja ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve, por që kjo nuk vlen për policinë, prokurorinë, gjyqësorin dhe ushtrinë.
“Kjo na obligon të punojmë së bashku për ndërtimin e një kornize ligjore dhe zbatimin e të gjitha 35 kapitujve për aderimin e vendit tonë në BE, zbatimin e Planit Aksional të Veprimit për Minoritetet, me theks të veçantë te bashkëpunimit për ridefinimin e ligjeve të pakicave”, tha Ugljanin.
Ai shtoi më tej se boshnjakët në Sanxhak dhe shqiptarët në Luginë të Preshevës i lidh raporti i organeve të shtetit me autorizimet publike të policisë, ushtrisë, prokurorisë dhe gjyqësorit të cilat kanë rol shtypës dhe jo mbrojtës.
Në bazë të ligjeve për të drejtat e pakicave kombëtare në Serbi, pakicat përfaqësohen nga Këshillat Kombëtarë.
shih : http://www.bnv.org.rs/wp-content/uploads/2018/04/Sporazum-BNV-ANS-v17-2.pdf