Hoti është një fis historik dhe nënndarje e Malësisë, krahinë kjo e ndarë ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Nënkrahina e Hotit shtrihet në kufirin shqiptaro-malazez, ku vendbanimet kryesore janë Hoti dhe Rapshë-Starja në Shqipëri; dhe Arza, Helmësi me Traboinin në Mal të Zi.[1]
Më 1414 përmendet për herë të parë ky fis që gëzoi një rritje jashtëzakonisht të fortë (Otti, Octi, Chioti, Coti) në një vëllazëri me Tuzët dhe Bythëdosët (Octi, Tusi et Bitidossi). Shuflaj vlerëson se rrënjët e këtij fisi duhen kërkuar në Plavë përmbi Guci, mbi Lim, më 1330 përmendet Mali i Hotënve (srb. Hotina Gora). Në vitin 1417 ky fis ishte gjak (lat. quia manus posuit sanguine eorum) me Balshën III Balshaj.
Ky mal (montanea) në vitet 1417 gjendej kryesisht në shërbim të Venedikut, por herë-herë shkretonte edhe krahinën e Shkodrës. Kryetari i saj quhej kapetan (capitaneus montanee Ottorum). Në vitin 1434 quhej Junch Hoth iam dominus in partibus Albaniae. Në shumë fshatra si cavo (kryetar) përmendet ndonjë Hot.[2] Në regjistrin e kadastrës së Shkodrës përmendet i quajturi Andrea Hoti, i përmendur si proniar dhe kre i fshatit Podgorë (ku radhiten dhe Hotë të tjerë, të quajturit Radas e Mazrrak), më 26 mars 1417 merr në konçension vreshtat e këtij vendi që i përkitnin komunës së Shkodrës. Në fshatin Ljushta krerët janë Junk dhe Vlatik Hoti. Në fshatin Pesiugla kre është Nikolla Hoti, i përmendur gjithashtu për koncensione dhe ndershmërinë e tij.[3] Më 1474 përmendet sërish Malin/Malet e Hotënve (montanee octorum, montanea ottanorum).[4]
Me pushtimin osman, Malet e Hotit përbëjnë nahije më vete në kazanë e Podgoricës, pjesë e Sanxhakut të Shkodrës. [5] Administrata osmane i caktoi hotjanët, ashtu si krejt malësorët e tjerë të MbiDrinit, si derbendxhinj për të ruajtur rrugën që lidhte Shkodrën me kalatë e Depedukenit dhe të Medunit, duke kaluar përmes krahinës së tyre. Përmes këtij shërbimi duhej të ruanin shtigjet malore nga kalonin rrugët, të siguronin qarkullimin e lirë duke vënë roje në çdo fshat, të mos lejonin të prekej jeta dhe pasuria e udhëtarëve, të ndërtonin ura, të hapnin grykat në kohën e dimrit, etj. Për këto shërbime hotjanët ishin të falur zakonisht nga disa taksa në dobi të pushtetit qendror dhe ishin gjithashtu të falur nga e dhjeta e gjakut ose dhënia e fëmijëve jeniçerë (yeniçer oglani).[6]
Forma Hotti përdoret në një raport dërguar Romës shtatorin e 1621 nga Ipeshkvi i Sapës dhe Sardës, Pjetër Pudi, dhe nga relacionet ekleziastike të P. Gasparit më 1671, në raportin e Stampaneos më 1685 dhe në hartën e Da Vignola-s më 1689.[7]
Bajraku i Hotit dhe bajraktarët
Me vendosjen e institucionit territorial të bajrakut në kohën e Perandorisë Osmane, edhe fisi i Hotit iu nënshtrua kësaj reforme duke qenë bashbajrak (bajrak i parë) i Malësisë. Duke u mbështetur në tetë brezat derës të bajraktarëve të Hotit, sipas gojëdhënës së kësaj shtëpie, duke marrë për të mirëqenë se nuk e morën tagrin e bajraktarëve prej kujt tjetër përveç autoriteteve osmane, e shpie formimin e bajrakut të Hotit në fundshekullin e XVII.[8]
Më 1907, Provinciali i Urdhrit Françeskan në viset shqiptare, Át Lovro Mihaçeviq, e përshkruan Hotin:[9]
Banorët jetojnë rreth malit Bukovik dhe në rrafshet e luginës së tij, ndahet në dy bajrakë, në Rrapshë e Traboin.
Më 1609, Bolica e përmend Hotin si pjesë e 6 fiseve të ritit katolik roman ndër 11 fiset kryengritëse.[10] Sipas një relacioni të Bogdanit më 24 mars 1684, Hoti qe nën Ipeshkvinë e Drishtit, më pas në atë të Pultit.[11]
Sipas Nopçës, Hoti festonte Shën Kollin një javë të tërë.[12] Tradicionalisht një fis katolik, shenjti mbrojtës i Hotit është Shën Gjon Pagëzori, dita e të cilit Shnjoni i Hotit, kremtohet çdo vit më 29 gusht.[13]
Në relacionin dhe përshkrimin që Mariano Bolica i bën Sanxhakut të Shkodrës më 1614, Hotti ka 212 shtëpi dhe 600 burra në armë, me në krye Marash Pepën.[14]
Personalitete të njohura
- Anaro Hoti – rreth 1476, i njohur për bashkëpunim me Vendikun dhe Ballshajt
- Dedë Gjo Luli – bajraktar i Hotit, udhëheqës i Revoltës së Malcís s’Madhe
- Palok Traboini – djali që pruri flamurin që u ngrit në majen Rudinë me 6 prill 1911, dhe dy të tjerë që solli nga Vjena, të dytin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit.
[1] Elsie 2015, pp. 47–48
[2] Shuflaj, Milan (2004) [1925]. Serbët dhe shqiptarët. Translated by Hasan Çipuri. Tiranë: Toena. pp. 79–80. ISBN 99927-1-854-4.
[3] ^ Zamputti, Injac (1977). Regjistri i Kadastrës dhe i Koncensioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417. Tiranë: Akademia e Shkencave e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Instituti i Historisë. pp. 59, 63, 64. OCLC 955216133.
[4] Elsie 2015, pp. 47–48
[5] Pulaha, Selami, ed. (1974). Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485. Tiranë: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë – Instituti i Historisë. p. 4. OCLC 25633315.
[6] Defteri 1974, pp. 28-29.
[7] Elsie 2015, pp. 47–48
[8] Ulqini, Kahreman (1991). Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror. Tiranë: Akademia e shkencave e RPS të Shqipërisë. OCLC 39215998
[9] Mihaçeviq, P. Lovro (2006) [1911]. Nëpër Shqipëri – mbresa udhëtimi [Po Albaniji – Dojmovi s puta]. Tiranë: Gjergj Fishta. p. 24. ISBN 99943-810-6-7.
[10] Bartl, Peter (2011). Ballkani Perëndimor midis monarkisë spanjolle dhe Perandorisë Osmane [Der Westbalkan zwischen spanischer Monarchie und osmanischem Reich]. Translated by Pëllumb Xhufi. Tiranë: Dituria. pp. 200–201. ISBN 978-9928-103-09-
[11] Pulaha, Selami; Zamputti, Injac (1990). Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë IV (1675-1699). Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë: Instituti i Historisë. p. 32. OCLC 164916955.
[12] Nopça, Franc (2012). Pikëpamjet fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe. Translated by Mihal Zallari. Tiranë: Eneas. p. 75. ISBN 978-9928-110-29-9.
[13] Elsie 2015, pp. 47–48
[14] Elsie 2015, pp. 47–48
/Wikipedia/