Para shtatëdhjetë viteve, përfundoi Lufta e Dytë Botërore dhe filloi beteja për ta kontrolluar kujtesën e kësaj lufte. Në Kosovë, kujtime të ndryshme paraqiten si kujtimet e vetme të vërteta të luftës: ekziston një kujtesë e rezistencës anti-fashiste, një kujtesë e vrasjeve etnike të partizanëve, njëjtë sikur që ekzistojnë edhe tregimet mitike të jetës ndër okupimin italian dhe gjerman ja si idilike, ja si tragjike. Secila prej tyre, në kohëra të ndryshme u bë kujtesë zyrtare, duke i lënë kështu kujtimet tjera nën radar.
Me këtë ekspozitë ne duam të sfidojmë idenë së ekziston vetëm një e vërtetë e historisë së Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo se vetëm një grup – qofshin shqiptarët apo serbët, nacionalistët apo socialistët – e posedon këtë të vërtetë. Nuk ka të vërtëta në kujtime homogjene që bazohen në një nocion abstrakt të popullit. Kujtimet homogjene janë të pavërteta sepse nuk janë kritike dhe i mohojnë të vërtetat e pakëndshme, si për shembull krimet e luftës që bëhen nga populli respektiv. Por ato janë veçanërisht të pavërteta sepse nuk e njohin shumëllojshmërine që ekziston brenda cilitdo grup.
Këtë na e lejon historia gojore: të thejmë monopolin e së vërtetës – pa marrë parasysh a e ka këtë monopol shteti, kombi, apo një grup politik – në mënyrë që t’i dëgjojmë rrëfimet që ekzistojnë nën radar. Këtu ju prezantojmë rrëfime të shkurtra për individë që qëlluan të jenë protagonistë në ngjarje të mëdha. Ata identifikoheshin me grupe më të mëdha se vetja, por bënë zgjedhje individuale kur ishte gati e pamundur për të zgjedhur lirshëm, në një kohë kur lëvizje më të mëdha të popujve dhe ideve rrëmbyen Kosovën. Ndonjëherë ata e gjetën veten të tërhequr në anë të kundërta prej besnikërive të ndryshme që kishin ndaj ideve apo vendeve. Duke i ritreguar rrëfimet e tyre, ata apo familjet e tyre, na tregojnë se çka u është imponuar, dhe si t’i interpretojmë edhe rrëfimet e tyre por edhe vet Historinë.
Abdullah Zajmi (1922-2001) ishtë mësues, përkthyes dhe autor librash shkollor. Më poshtë, një fragment nga autobiografia e tij.
“Ministria e Arsimit e Shqipërisë, […] me 27.X. 1942 më emëron mësues në Suhi Doll të Peshterit. Unë, as që e dija se ku ndodhej Suhi Dolli, por, për fat, në Kursin pedagogjik kisha një shok të ngushtë nga Rozhaja, të cilin e quanim ‘Boshnaku’ Shuqo. Me të shkuam në Pejë e të nesërmen u nisëm në këmbë për Rozhaje. Në mbrëmje arritëm në shtëpinë e tij. Pas dy ditësh, me një shoqërues shkova në këmbë në Tutin te Shemsedin Hadri, i cili ishte sekretar i nënprefekturës, ndërsa kryetar ishte Nexhat Begolli. Pas disa ditësh erdhi njëri nga Komuna e Suhi Dollit dhe me kuaj shkuam në Suhi Doll. Është e pamundur të përshkruhet përshtypja që më bëri takimi me vendasit. Të gjithë ishin shqiptarë.
Më çuan në objektin që shërbente si shkollë […] Më pritnin nxënësit (nja 20-30) mashkuj, të veshur me rrobe kombëtare […] Shqipën e flisnin mirë. Pas pak erdhi sekretari i Komunës, i vetmi nëpunës i komunës. Edhe ai, si shumica e mashkujve të rritur, e kishte pushkën në krah. Në atë trevë zhvilloheshin shpesh lufta të përgjakshme në mes të partizanëve e çetnikëve, në mes të partizanëve e ushtrisë okupuese italiane, në mes të shqiptarëve (boshnakëve-muslimanëve) e çetnikëve, prandaj të gjithë ishin të armatosur e të gatshëm për tu mbrojtur.”
/oralhistorykosovo/
Abdullah Zajmi me klasën e tij. 1943-44, Novi Pazar.