Një shqiptar nga Bujanoci, Milazim Gegulaj, 38 vjeç, ka siguruar së paku një vakt, çdo ditë, për njëzet fëmijë me aftësi të kufizuara nga Vranja, për katër vjet.
Dhe për këtë shqiptar përveçse mediat shqiptare në Luginë të Preshevës, së fundmi kanë shkruar edhe mediat serbe, përcjell Telegrafi, sipas të cilave prindërit e Milazimit kanë lindur në Prizren, prej nga u shpërngulën në Bujanoc në vitet 1970 dhe filluan biznesin e tyre aty.
Sot, vëllai i Milazimit në Bujanoc ka një furrë, dhe katër vjet më parë, një nga vëllezërit Gegulaj hapi një furrë buke gjithashtu në Vranjë.
Milazimi me gruan e tij Sado konsiderohet një humanist i madh, por ata nuk duan ta përmendin këtë gjë, shkruajnë mediat serbe.
Pasi dyqani i bukës ndodhet pranë dhomave ku qëndrojnë fëmijët e Shoqatës për Ndihmë të Personave me Aftësi të Kufizuara, filloi të shfaqet miqësia e pazakontë midis shqiptarëve dhe tyre.
“Nga Shoqata për Ndihmën e Personave me Aftësi të Kufizuara kërkuan ndihmë për t’i ndihmuar disi. Ne në furrë vendosëm të sigurojmë ushqime çdo ditë për ta. Ndonjëherë është një burek, herën tjetër, një kifle,… Unë kam tre fëmijë dhe ata luajnë me fëmijët e Shoqatës, jemi bërë miq të mirë. Nga fëmijët e Shoqatës për Vitin e Ri, çdo herë marr një kartolinë në gjuhën shqipe, me dëshirat më të mira për mua dhe familjen time. Buzëqeshjet e fëmijëve të sëmurë, gëzimi i tyre i sinqertë, janë shpërblimi më i madh për mua”, rrëfen Milazimi.
Ai është një nga pak shqiptarët që punon në Vranjë. Ai thotë se deri më tani nuk kishte probleme, sidomos në baza kombëtare.
“Babai është nga Prizreni dhe gjithmonë na ka edukuar se ka vetëm njerëz të mirë dhe të këqij, dhe ashtu t’i ndajmë ata, jo nga kombi, feja apo raca. Unë kam shumë klientë këtu, të gjithë janë të kënaqur. Kam një numër të madh miqsh në Vranjë dhe në mesin e të punësuarve kam serbë dhe shqiptarë. Shqiptarët vijnë nga Bujanoci dhe serbët janë nga Vranja dhe Vranjska Banja. Të gjithë duhet të ndihmojmë nëse jemi në gjendje të bëjmë diçka të tillë, sepse është një ndjenjë e mrekullueshme. Unë nuk mendoj se bëj ndonjë gjë të veçantë duke ndihmuar të tjerët – çdo person ka nevojë të bëjë diçka të mirë”, thotë Milazimi