Bilall Dreshaj (Dresheviq) i njohur si Biko, (1910 – 1987) dhe Dervish Dreshaj (Dresheviq) i njohur si Deko, (1907-1981) ishin luftëtarë shqiptarë të Sanxhakut të Novi pazarit ( Pazarit të Ri), të cilët luftuan përkrah Aqif Blytës në mbrojtjen e Sanxhakut nga çetnikët dhe komunistët.
Fotot janë bërë nga vizita e fundit në Peshter
Kur bëhet fjalë për udhëheqësin politik e ushtarak të Sanxhakut – Aqif Blytën, është e pamundur të mos përmenden edhe vëllezërit Dreshaj (Dresheviq). Vëllezerit Bilall dhe Dervish Dreshaj përkrah Aqif Blytës, Shaban Polluzhës, Xhemail Koniqanit kanë qenë personalitete të rëndësishme në mbrojtjen e këtij qyteti nga sulmet e aradhave çetnike të Drazha Mihailoviqit.
Sanxhaklinjëve u është deshur 50 vite kohë për ti përmbledhë forcat që me rastin e formimit të Këshillit Nacional Mysliman të Sanxhakut, ta rehabilitojnë Aqif Blytën, legjendën e këtij qyteti i cili gjate Luftës se Dytë Botërore organizoi mbrojtjen e popullsisë së kësaj ane nga çetnikët. Pushteti komunist Blytën dhe vëllezërit Dreshaj i kishte shpallur tradhtarë, bashkëpunëtorë të okupatorit gjerman.
Vëllezërit Dreshaj janë lindur në fshatin Gllogovik të Peshterit. Dervishi u lind në vitin 1907 ndërsa Bilalli në vitin 1910. Për këta dy vëllezër, qytetarët e Pazarit të Ri kishin dëgjuar në vjeshtë të vitit 1940, ku në një rrahje me xhandarët ishin burgosur por shumë shpejt kishin ikur nga burgu dhe ishin arratisur në male. Pas thirrjes që ua kishte bërë Aqif-efendiu, vëllezërit Dreshaj në maj të vitit 1941 kthehen në Pazarin e Ri ku qytetarët kishin përgatitë një pritje madhështore. Lufta i kishte gjetur në moshën 30 vjeçare, të përgatitur shumë mirë fizikisht. Me tu kthyer në qytet, Dreshajt vihen në shërbim të Aqif Blytës nga i cili merrnin detyra të rëndësishme për ta organizuar mbrojtjen e qytetit nga çetnikët, të cilët bënin masakra në viset tjera.
Ata formuan policinë myslimane me qëllim të mbrojtjes së popullatës. Kjo polici karakterizohej me disiplinë të fortë dhe efikasitet të lartë në teren. Para se të merrnin vendet komanduese në polici, vëllezërit Dreshaj ishin dëshmuar në mbrojtjen e Pazarit të Ri, në zhbllokimin e tij dhe në kundërsulmin që e kishin kryer forcat e bashkuara shqiptaro-boshnjake më 16 dhe 17 nëntor të vitit 1941. Derisa Myslimanët në njërën anë luftonin për ta mbrojtur popullsinë civile nga gjenocidi çetnik, në anën tjetër Rifat Burxheviqi, komunist i njohur, me bashkëpunëtorët e tij mundoheshin të formojnë celulën komuniste në qytet. Duke e ditur se kjo mund t’a ndaj dhe dobësojë popullsinë e Pazarit të Ri me rrethinë, Bilalli dhe Dervishi e shpartallojnë organizatën komuniste kurse anëtarët e sajë i burgosin. Në mesin e popullsisë boshnjake të këtij regjioni ka të tillë që nuk i shikojnë me simpati veprimet e vëllezërve Dreshaj. Sipas tyre, ata kanë qenë të pamëshirshëm në luftë me komunistët dhe fajësohen për vrasjen e vëllezërve Hamzagaj nga Tutini.
Një sukses tjetër që Dreshaj kanë treguar është edhe lufta me partizanët në malet Jarut në tetor të vitit 1944. Bilalli dhe Dervishi kanë mbajt lidhje të ngushtë me komandën e policisë myslimane në viset tjera të Sanxhakut: me hoxhë Sylejman Paqarizin, Hasan Zvizdiqin, Xhemail Koniqaninin. Ata kanë furnizuar me armë popullatën shqiptare të Peshterit dhe të Luginës së Limit të cilët ishin në luftë kundër forcave të çetnikëve serbo-malazezë.
Komanda e njësive çetnike vepronte në Nova Varosh. Më 16 prill 1942, komanda çetnike i raportoi Milan Nediqit se “Muslimanët në Sanxhak merrnin armë nga Shqipëria dhe Pazari i Ri”. Kah fundi i vitit 1944 në shumicën e fronteve të luftës në Evropë gjermanët po pësonin humbje kurse njësitë partizane në Sanxhak përparonin. Prandaj, ishte e logjikshme se njësitë e policisë myslimane do të pësojnë humbje dhe do të shkapërderdheshin. Megjithatë Bilalli dhe Dervishi, si edhe shumica e komandantëve të Sanxhakut, u bënë ballë partizanëve. Një ndër përballjet e fundit ishte në malet Jarut, jo larg Tutinit, në tetor të vitit 1944. Nën ndikimin e propagandës, para luftëtarëve të brigadës së shtatë malazeze popullsia e Peshterit u largua nga vendi i tyre dhe fshatrat mbetën të zbrazëta. Peshteri kah fundi i tetorit të 1944 ra në duar te brigadës së shtatë malazeze.
Çetnikët duke parë se edhe do ta humbin luftën, iu bashkuan partizanëve me qëllim të përbashkët për neutralizimin e forcave myslimane. Në sulmin e bërë në Pazarin e Ri më 26 nëntor 1944, marrin pjesë brigada e shtatë partizane, dy batalone të njësitit partizan të Ibrit, brigada e nëntë e artilerisë bullgare dhe qeta partizane e Golisë. Këto njësi ishin nisur nga drejtimi i Rashkës dhe Mitrovicës. Kishte mbet e lirë vetëm një dalje kah fshati Vidovë. Pas një beteje të përgjakshme ushtarët gjermanë dhe policia myslimane filluan tërheqjen në drejtim të fshatit Vidovë, Vojniq, Pozhegë dhe në malet Ninajë. Gjatë një kohe, vëllezërit Dreshaj janë fshehur në një shpellë në Bobovik, e njohur me emrin Shpella e Ujkut.
Sipas Dr. Sabile Keqmezi- Basha, Vëllezërit Dreshaj ka qenë pjesëmarrës të Kuvendit të Dobërdolit më 4-5 gusht 1945, në të cilin kuvend u themelua ilegalja shqiptare “Besa Kombëtare” në krye me prof. Ymer Berishën. Organizata ilegale-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare” ishte formuar kryekëput kundër ideologjisë komuniste. Dhe qëllimi suprem i saj ishte bashkimi i tokave shqiptare. Sadik Radovci dhe Bilall Dreshaj (Dreshoviqi) ishin caktuar udhëheqës politik dhe ushtarak për Sanxhak.
Organizata i kishte ngarkuar me detyra të posaçme. Ata kishin për detyrë likuidimin e personave, kryesisht tradhtarëve, në mesin e të cilëve ishin bashkëpunëtorët e OZN-ës. Ata kishin për detyrë të organizojnë përcjelljen e tradhtarëve dhe personat që bashkëpunonin me okupuesin, t’i dorëzonin në shtab dhe sipas vendimit të shtabit të likuidohen.
Vëllezërit Dreshaj dhe dy bashkëluftëtarët e tyre tre muaj me radhë i kishte ushqyer dhe fshehur Demir Kaleviqi në shtëpinë e tij. Nga aty ata tërhiqen në drejtim të luginës së Suhudollit deri në Koritë, që pastaj nëpër Kosovë të kalojnë në Maqedoni e pastaj në Greqi. Vëllezërit Dreshaj dhe shokët e tyre që ishin me ta, lëviznin gjatë natës, ndërsa gjatë ditës pushonin- kështu në këtë mënyrë ruheshin nga njësitë partizane që ishin në përndjekje të tyre.
Kështu arrijnë të kalojnë terrenet e vështira në drejtim të Dibrës, Kërçovës dhe Gjevgjelisë dhe arrijnë në Greqi për të vazhduar tutje për Turqi. Ata u vendosën në Adapazar në brigjet e Detit të Zi ku kishte sanxhaklinjë tjerë që kishin shkuar më herët. Në Adapazar , Dreshjat janë marrë me hoteleri. Sukseset e tyre në luftë shumë shpejt ishin përhapur në popull. Si antikomunist i përbetuar, Bilall Dervishi mori pjesë në luftën e Koresë (1950-1953), në të cilën Turqia, SHBA-të dhe forcat e Komonveltit luftuan në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Bilalli nga kjo luftë u kthye si hero me gradën kapiten. Në kërkesën e Jugosllavisë së atëhershme komuniste që vëllezërit Dreshaj t’iu dorëzohen autoriteteve jugosllave, Turqia ishte përgjigj negativisht. Komunistët, pjesëtarët e forcave të policisë myslimane, të cilët ishin organizuar për mbrojtjen e trojeve të veta nga çetnikët dhe nga sllavo-komunistët i kanë vra e përndjekë, ndërsa çetnikët i amnistonin, bile u dhanë edhe funksione të ndryshme në organet shtetërore.
Bilal dhe Dervish Dreshaj jetuan në Adapazar deri në fund të jetës së tyre duke përjetuar pleqërinë e thellë. Bilall Dreshaj vdiq në vitin 1987, ndërsa Dervish Dreshaj në vitin 1981.