Që nga viti 1912 e deri në prag të viteve të tridhjeta të shekullit XX, rrethi i Preshevës, në të cilin përfshihej komuna e Bujanocit bashkë me vendbanimet përreth, pjesën më të madhe të ekzistencës së shtetit të atëhershëm jugosllav ishte pjesë e Qarkut të Kumanovës, por herë pas here – në intervale të shkurtra kohore – Rrethi i Preshevës në ndryshimet administrative u përfshi në përbërje dhe të Qarkut të Vrajës
Shkruan: Skënder LATIFI, Preshevë
Përgjatë shekullit XIX, shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin pjesë e pandashme e kryengritjeve shqiptare që në radhë të parë kishin karakter ekonomiko-social dhe – në fazat e mëvonshme – ato në vete përmblidhnin edhe kërkesa për realizmin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve të këtyre trevave. Pa dyshim se kërkesat për autonomi të shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë përfshirja e tyre në kryengritjen e Dervish Carës në gjysmën e parë të shekullit XIX. Mirëpo, sipas një analize më të hollësishme të qëndresës së shqiptarëve të këtyre anëve, rezulton se njëra nga luftërat vendimtare mbi mbajtjen në kontroll të njërës nga pikat strategjike të Grykës së Gërdelicës, u zhvillua në gjysmën e dytë të janarit të vitit 1878. Kjo grykë është e gjatë 34 km dhe e lidh Vrajën me Leskocin. Mirëpo, përkundër luftimeve të përgjakshme, si pasojë e konstelacioneve ndërkombëtare dhe si pasojë e vendimeve të Kongresit të Berlinit, këto vise iu dhanë Principatës së Serbisë. Deri në këtë kohë kryengritjet shqiptare shtriheshin deri në Vrajë, Leskoc, Nish dhe viset e thella të principatës së Serbisë. Ndërkaq në periudhën e viteve 1878-1912 viset shqiptare të Luginës së Preshevës përbënin viset periferike të Arnautllëkut (Shqipërisë), ngase kështu quheshin si nga të huajt, por edhe nge vetë serbët, trevat që shtroheshin poshtë Leskocit e Vrajës. Megjithatë, në prag të luftës ballkanike luftërat e shqiptarëve të viseve të Luginës së Preshevës herë pas here u influencuan dhe ndikuan nga qarqet shtetërore të Serbisë së atëhershme, si p.sh. kishte raste kur ato përkraheshin materialisht, përkraheshin me furnizimin me armatim etj. Ndikimet serbe mbi qarqet kryengritëse shqiptare në radhë të parë u koordinuan nga qarqe politike-ushtarake serbe, që ishin vendosur në Vrajë, sepse menjëherë pas vendosjes së kufirit të ri midis Viljatetit të Kosovës dhe Serbisë së atëhershme, ky qytet u shndërrua në bërthamën kryesore serbe të koordinimit të aktiviteteve politiko-ushtarake, që për qëllim e kishin “çlirimin” e minoritetit serb në Viljetin e Kosovës ose, thënë më qartë, këto qarqe, në bashkëpunim dhe dirigjim të rreptë të Beogradit, ishin vënë në realizimin e zgjerimit të Serbisë drejt jugut.
Periudha më e vështirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës është ajo midis Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore dhe, thënë kushtimisht, vetëm fillimi i Luftës së Botërore e ka penguar kolonizimin e plotë dhe spastrimin etnik të këtyre viseve, që pushteti i atëhershëm kolonialist, kishte filluar ta zbatonte këtu.
Ndërkaq, lëvizja punëtore, që në këto vise zuri rrënjë në fillim të viteve të tridhjeta të shekullit XX, qysh në fillim të aktiviteteve të saja u përpoq me ngulm që veprimtarinë politike dhe luftarake ta bashkërendojë më Kosovën. Krerët e luftës antifashiste në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, u përpoqën me mish e me shpirt që komitetet vendore, siç quheshin atëherë organizatat lokale komuniste, t’i përfshijnë në kuadër të Kosovës, duke i radhitur ato përkrah komiteteve të Gjilanit, Ferizajit etj. Për dallim prej antifashistëve, nacionalistët ose antikomunistët shqiptarë të këtyre anëve, të cilët i luftuan forcat çetniko-partizane dhe bullgare në periudhën shtator-nëntor 1944, rezistencën e tyre e përqendruan përgjatë vijës hekurudhore Bujanoc-Kumanovë, duke filluar nga viset e Bujanocit e deri në Fushën e Kumanovës dhe kjo ishte përpjekja e tyre për krijimin e një vije ndarëse midis kombit shqiptar dhe atij serb, i cili duhej të realizohej me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Dhe, së fundi, Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (UÇPMB), luftën e saj në mbrojtje të këtyre trevave e përqendroi kryesisht në viset e Malësisë së Bujanocit dhe Karadakun e Preshevës. Një luftë e tillë, kryesisht, u kushtëzua nga krijimi i Zonës Tokësore të Sigurisë, që rezultoi me Marrëveshjen e Kumanovës, e cila u arrit në qershorin e vitit 1999 midis përfaqësuesve të Aleancës Veriatlanike dhe përfaqësuesve të pushtetit të Millosheviqit. Vendbanimi më i madh shqiptar në Luginë të Preshevës ku UÇPMB-ja i shtriu aktivitetet e saja gjatë luftës së vitit 2000-2001 ishte Tërnoci i Madh, ndërsa pozitat më strategjike që u kontrolluan për disa muaj nga guerilët shqiptarë, ishin Gryka e Konçulit tek Bujanoci dhe Gryka e Caravajkës në Karadakun e Preshevës.
Zanafilla e çështjes së kufijve të Luginës së Preshevës në kohën më të re
Që nga viti 1912 e deri në prag të viteve të tridhjeta të shekullit XX, rrethi i Preshevës, në të cilin përfshihej komuna e Bujanocit bashkë me vendbanimet përreth, pjesën më të madhe të ekzistencës së shtetit të atëhershëm jugosllav ishte pjesë e Qarkut të Kumanovës, por herë pas here – në intervale të shkurtra kohore – Rrethi i Preshevës në ndryshimet administrative u përfshi në përbërje dhe të Qarkut të Vrajës. Mirëpo, sipas ndryshimeve territoriale të 3 tetorit të vitit 1929, kur edhe erdhi deri tek ndryshimi i emrit të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe shteti i ri tanimë quhej Mbretëria e Jugosllavisë, kur kjo krijesë shtetërore u nda në nëntë banovina, Lugina e Preshevës u radhit në Banovinën e Vardarit me Shkupin si kryeqendër. Më saktësisht, Presheva – si qendër e rrethit u bë pjesë e Qarkut të Kumanovës – dhe ky organizimi i tillë ngeli deri në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Por, zanafillën e çështjes së kufijve të Luginës së Preshevës, pa dyshim se duhet kërkuar në ngjarjet që janë zhvilluar në verën e vitit 1944 dhe të cilat ngjarje rrodhën në trekëndëshin Maqedoni-Kosovë- Serbi.
Paraprakisht mund të thuhet se organizata partiake komuniste e Preshevës ka shërbyer si lidhje midis Komitetit Krahinor të Kosovës, Komitetit Krahinor të Maqedonisë dhe Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Serbisë. Ndërkaq, Komiteti Krahinor i Kosovës në atë kohë ishte edhe më konkret me letrën që ia kishte drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ku – përveç tjerash – paraqitej gjendja organizative e Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe ajo ishte si në vijim: komitet vendore ekzistonin në Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Preshevë etj”. Së pari, para se të paraqesim fakte mbi mosmarrëveshjet kosovaro-serbo-maqedone rreth Luginës së Preshevës, vlen të potencohet se Komiteti Krahinor i Serbisë, në një shkresë që e mban datën e 6 nëntorit 1944, i drejtohet Komitetit Krahinor të Kosovës ku thuhet se “Rrethi i Preshevës që përkohësisht ndodhet në përbërjen e Qarkut të Vrajës, më vonë do të hyjë në kudër të organizatës partiake kosovare (Kosovës). Mirëpo, Komiteti Krahinor i Serbisë – nën trysninë e Komitetit të Qarkut të Vrajës – në gusht gusht të vitit 1944 heshturazi e kishte kaluar Rrethin e Preshevës në përbërje të Qarkut të Vrajës, kështu që Lugina e Preshevës nuk ishte më pjesë e Qarkut të Kumanovës, prandaj kjo njëherazi ishte edhe shkëputje arbitrare e Luginës së Preshevës nga përbërja e shtetit të ardhshëm maqedonas..
Në anën tjetër, Komiteti Krahinor i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë i kishte dërguar ftesë sekretarit të Komitetit të Vendit në Preshevë, Abdullah Krashnicës, që ta përfaqësonte Luginën e Preshevës në Mbledhjen e ASNOM-it (Kuvendi Antifashist i Çlirimit Kombëtar të Maqedonisë), që le të nënkuptohet se Lugina e Preshevës – pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore – duhej të ishte pjesë integrale e shtetit maqedonas. Dëshmitarët e kohës, më vonë, e kanë vërtetuar se edhe vetë Abdullah Krashnica ka qenë ithtar i kësaj ideje. “Përfaqësuesit e popullit Abdulla Alija (Krashnica), Kiril Kërste, Vasil Kallajxhievski, Zhivko Brajkovski qenë të kooptuar për anëtarë të ASNOM-it në Mbledhjen e Presidiumit të ASNOM-it, më 6. VIII. 1944.” – kështu qëndron në dokumentet zyrtare të lindjes së shtetit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në gusht të vitit 1944.
Edhe pse çështja e kufijve të Luginës së Preshevës ngeli pezull për një kohë, duket se njeriu kyç që “kufiri të vendosej në vendin e duhur” ishte Svetozar Vukmanoviq – Tempo. “Më 31 gusht 1944 Tempo ia transmetoi Bllagoje Neshkoviqit vendimin e Titos që Preshevën (organizatën partiake) ta marrë Maqedonia.”
Lugina e Preshevës tashmë ishte shndërruar në “molli sherri” edhe midis shtabeve komanduese, që në atë kohë ndodheshin në këto vise. Pala serbe, fajin për gjendjen e krijuar, si gjithherë ia hidhte tjetërkujt, në këtë rast Shtabit Operativ të Ushtrisë Jugosllave për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, të komanduar nga Mihajllo Apostolski.
Gjendja e tensionuar midis palës maqedonase dhe asaj serbe zgjati pothuajse tetë muaj, që nga gushti i vitit 1944 e deri në mars të vitit 1945. Në janar të vitit 1945, sekretari i Këshillit të Rrethit të Vrajës, Aleksandar Trajkoviq, enkas për këtë çështje kishte vajtur në Beograd dhe ia kishte dorëzuar “dokumentacionin” e nevojshëm Bllagoje Neshkoviqit, atëherë kryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar të Serbisë (Qeverisë së Serbisë), duke kërkuar që në Ristoc të hiqej pika kufitare, të cilën tanimë e kishin ngritur maqedonasit! Nën presionin energjik të Vrajës, Neshkoviqi e hapi tek Titoja çështjen e kufijve midis Serbisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Pas debateve rreth kufirit të ardhshëm të Luginës së Preshevës, në fund të janarit 1945 në viset jugore qëndruan Svetozar Vukmanoviq – Tempo, anëtari i Shtabit Suprem, instruktori i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë Dobrivoje Radoslavljeviq dhe ministri në Qeverinë e Serbisë Milentije Popoviq, me ç’rast ata kërkuan informacione të detajuara rreth çështjes së kufirit. Ndërkaq, pas gjashtëdhjetë vitesh, lidhur me çështjen e kufijve të Luginës së Preshevës ishte deklaruar edhe ish-kryetari i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Kiro Gligorov. Pas hulumtimit personal, që duket se ai ia ka bërë çështjes së kufirit, ai ka konkluduar se kjo çështje është zgjedhur në bisedime interne dhe se pjesëmarrësit e këtyre bisedimeve nuk kanë lënë kurrfarë dëshmie të shkruar për vendimet e marra!
“Manastiri i Prohor Pçinjskit, Presheva dhe Bujanoci dhe disa vende tjera, pas çlirimit i kanë takuar Maqedonisë dhe më pas i janë bashkuar Serbisë. Unë si kryetar i Maqedonisë nuk kam mundur të gjejë dokumentet me të cilën është bërë kjo padrejtësi. Megjithatë, as në parlament, e as në qeverinë e atëhershme, nuk kanë mundur të gjenden dokumente të tilla të shkruara. Gjithçka është bërë në katër sy midis sekretarëve të atëhershëm të partive të Maqedonisë, Llazar Kolishevski dhe të Serbisë, Bllagoje Neshkoviq” – ka përfunduar Gligorovi në verën e vitit 2004.
Idetë rreth ndryshimit të kufijve në fillim të shekullit XXI
Me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, Lugina e Preshevës u gjet në trekëndëshin e kufijve të rinj, së pari midis Serbisë dhe Maqedonisë e më pastaj edhe atyre të Kosovës. Siç e cekëm më lart, pozita e Luginës së Preshevës si urë lidhëse midis luginave të Moravës dhe të Vardarit edhe më herët ishte prezente në planet e shteteve përreth, por edhe atyre ndërkombëtare. Ndërkaq, përpjekjet e shqiptarëve luginas për t’u bashkuar me Kosovën nuk kanë pushuar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në radhë të parë në rrugë legale, më pastaj edhe përmes organizimit ilegal të shqiptarëve në vitet e tetedhëdhjeta të shekulllit XX dhe, së voni, edhe përmes luftës së armatosur.
Bisedimet e fshehta për ndryshim kufijsh midis Serbisë dhe Kosovës, në të cilat është përfshirë edhe Lugina e Preshevës, datojnë në prag të viteve të nëntëdhjeta dhe që atëherë është potencuar mundësia e këmbimit të territoreve midis komunave Leposaviq dhe Zubin-Potok në Veri të Kosovës me tri komunat e Luginës së Preshevës. E njëjta ide u rishfaq në opinion në maj të vitit 2001, kur qarqe të pushtetit serb filluan ta promovonin ndarjen e Kosovës në bazë të parimit të mbështetur në të drejtën etnike dhe historike. Nënkryetari i qeverisë së Serbisë në atë kohë, Nebojsha Çoviq, që ishte drejtpërdrejtë i kyçur në zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës, hoqi dorë prej kësaj ideje vetëm atëherë kur – përmes Këshillit Koordinues dhe në bashkëpunim me UNIMIK-un – gjeti hapësirë që të veprojë direkt në Kosovë.
Mirëpo, siç dihet, përgjatë tërë kohës së luftërave në ish-Jugosllavi, faktori ndërkombëtar e promovoi qëndrimin e mosndryshimin me dhunë të kufijve të jashtëm të ish-njësive federale të Jugosllavisë.
Dana Rohrabaker dhe mundësia e ndryshimit të kufijve
Kur në verën e vitit 2009, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Dana Rohrabaker, pas gjendjes së tensionuar në Luginë të Preshevës, deklaroi se “e vetmja zgjedhje funksionale për stabilizimin e rajonit do të ishte shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”. Atëherë një zgjidhje e tillë thuajse e mori bekimin e qarqeve ndërkombëtare. Të kujtojmë se Rohrabaker-i më parë kishte qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të ish-presidentit Ronald Regan.
“Është e nevojshme të arrihet një mirëkuptim i përgjithshëm, një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, që të përfshijë shkëmbim territoresh. Ato rajone që janë pranë kufirit dhe mbizotorohen nga popullsia shqiptare të bëhen pjesë e Kosovës, ndërsa ato zona, që në Kosovë ndodhen në veri të lumit Ibër dhe pranë kufirit me Serbinë e që banohen kryesisht me serbë të bëhen pjesë e Serbisë.” – të tillë e ka paraqitur idenë e tij Dana Rohrabaker në verën e vitit 2009.
Edhe tani, pas nëntë vitesh, është rindezur debati që e çon në vend idenë e Rohrabakerit, por ndër shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndoshta për herë të parë që nga viti 1912, bashkimi eventual i këtyre trevave me Kosovën nuk është pritur me entuziazëm as nga qarqet politike, por as nga vetë popullata shumicë shqiptare.
Në radhë të parë, pasojë e një joentuzaizmi të tillë është gjendja e vështirë dhe diskriminimi që shteti i Serbisë e ushtron mbi shqiptarët vendor dhe, së dyti, që ndoshta është parësore, shqiptarët e Luginës së Preshevës në asnjë mënyrë nuk dëshirojnë që ta shohin veten e tyre si dëmtues të kufijve dhe të pavarësisë së Kosovës, të arritur me gjak e me shumë sakrifica, pjesë të së cilave kanë qenë edhe vetë.
Prandaj, në vorbullën e debateve për dhe kundër ndryshimeve të kufijve ose këmbimit të territoreve, ata refuzojnë hapur të jenë “mollë sherri” ose të jenë “Kutia e Pandorës” në paqen e brishtë të Ballkanit.