Diskriminim kishte arritur deri në ato përmasa, sa që ishte krijuar bindja se cilido pushtues që do të vije, nuk mund të t’ishte më i egër se ai serb, apo siç thuhej “le të vijë edhe dreqi i mallkuar, do të jetë më i mirë se ky që është!”
Ismet Azizi
Sanxhaku, si një rajon kompleks dhe shumë i rëndësishëm në aspektin historik, gjeografik, gjeostrategjik dhe sidomos nga pikëpamja gjeopolitike, në vitet e para të Luftës së Dytë Botërore, në Ballkan kishte rëndësi të madhe për të gjitha palët në konflikt.
Më 6 prill 1941, Gjermania sulmoi Jugosllavinë. Më 17 prill Komanda e Lartë e Ushtrisë Jugosllave nënshkroi aktin e kapitullimit. Pushtimi u shoqërua me copëtimin e territorit të Jugosllavisë midis gjermanëve, italianëve e bullgarëve.
Sanxhaku ishte një trevë në të cilën gërshetoheshin interesat imperialiste, i interesat të ngushta nacionaliste të shteteve pushtuese. Në bazë të marrëveshjes së arritur në Vjenë, më 21 -22 prill 1941, midis ministrit të jashtëm gjerman, Ribetrop dhe ministrit të jashtëm të Italisë, Galeaco Çiano, viset shqiptare në Jugosllavi u ndanë midis Gjermanisë, Italisë e Bullgarisë. Në këtë kuadër Italia do të merrte pjesën më të madhe të Rrafshit të Kosovës, me qytetet Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Prizren, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Ulqin, Tuz, Plavë, Guci, Rozhajë e Tutin, të cilat me dekret mbretëror, të datës 7 gusht 1941, ato iu bashkuan Shqipërisë etnike
Ndërkaq rajonet midis Mitrovicës, Podujevës, Vuçitërnës, për shkak të interesave strategjike të Gjermanisë, nevojës që kishte industria e saj e luftës për minierën e Trepçës, u përfshinë në kuadrin e shtetit kuisling serb të Nediqit, që varej drejtpërsëdrejti nga Berlini.
Gjermania, para së gjithash, ishte e interesuar të shfrytëzojë minierën e Trepçës dhe kështu i kushtoi më shumë vëmendje pjesëve lindore të Sanxhakut, gjegjësisht qarkut të Pazarit të Ri, Tutinit dhe Senicës.
Italia, e cila kontrollonte pjesën më të madhe të Sanxhakut, bënte përpjekje nëpërmjet tij të depërton thellë në Gadishullin Ballkanik për të zgjeruar ndikimin e saj. Këto aspirata italiane në mënyrë të pashmangshme u ndeshën me pozitën dominuese të Gjermanisë në Ballkan. Nga ana tjetër, shteti i pavarur i Kroacisë (NDH) pa mundësinë e përhapjes së tij në regjionin e Sanxhakut ndërmjet popullsisë dominante myslimane, e cila konsiderohej popullsi kroate e islamizuar. Për Serbinë dhe Malin e Zi, Sanxhaku ishte zonë e rëndësishme e interesit, sepse, me një strukturë të tillë të popullsisë, jo që mundësonte bashkimin, por ndante këta dy popuj. Rrezikun më të madh forcat reaksionare çetnike dhe ato të Nediqit, por edhe në përgjithësi serbo-malazeze ishte ekzistimi i shqiptarëve në këtë trevë, të cilët paraqisnin, sipas tyre, pengesë permanente për realizimin e aspiratave të tyre. Megjithatë, shqiptarët dhe pjesa dërmuese e popullsisë myslimane e patën rastin që, me përkrahjen perëndimore, njëherë e përgjithmonë të çlirohet nga serbo malazezët.
Popullata shqiptare e Kosovës, e Sanxhakut dhe viseve të ndryshme të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, ndonëse nën sundimin e pushtuesit të ri nazifashist, e përjetuan këtë si lehtësim, madje edhe si shpëtim. Bashkimi i pjesës më të madhe të tokave shqiptare me Shqipërinë, u prit me një entuziazëm të madh nga popullsia shqiptare. Këtë bashkim, edhe pse erdhi si rrjedhojë e interesave strategjike të shteteve të Boshtit, shqiptarët, të cilët kishin përjetuar dhunë e terror të paparë, e konsideronin si çlirim kombëtar. Pra, pajtimi i shumicës së shqiptarëve me situatën e re të krijuar ishte si rrjedhojë e politikës gjenocidale që kishte zbatuar Mbretëria Jugosllave, përkatësisht pushteti serb. Ky diskriminim kishte arritur deri në ato përmasa, saqë te shqiptarët ishte krijuar bindja se cilido pushtues që do të vije, nuk mund të t’ishte më i egër se ai serb, apo siç thuhej në një dokument ushtarak jugosllav “le të vijë edhe dreqi i mallkuar, do të jetë më i mirë se kështu!”
Periudha në mes të dy Luftërave Botërore dhe ajo e Luftës së Dytë Botërore mund të thuhet se ndriçohet përfundimisht nëse iu referohemi dokumenteve të klasifikuara nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane e njohur si CIA, në të cilat thuhet: “Në mes Luftërave Botërore autoritetet kishin shfrytëzuar injorancën e madhe të masave dhe me pretekstin se ata ishin turq, për shkak të fesë myslimane ua kishin mohuar të drejtën të flasin gjuhën e tyre dhe u munduan që t’ua çrrënjosin idetë patriotike dhe nacionaliste. Por, gjërat do të ndryshojnë kur Shqipëria pushtohet nga Italia”.
“Më 7 prill 1939, Shqipëria u okupua nga Italia dhe prej këtij momenti shqiptarët që jetonin brenda kufirit të viti 1913 të Shqipërisë së lirë, të gjallëruar nga patriotizmi dhe dashuria për liri, luftuan kundër Italisë dhe Gjermanisë, të cilat ua privuan lirinë. Situata e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës si ishte më ndryshe. Ata ishin shtetas të Jugosllavisë dhe Italia e Gjermania i çliruan ata. Gjurmët e zgjedhës së rëndë jugosllave do të rëndojnë mbi ta edhe në të ardhmen. Më 1941, kur Kosova dukej se kishte rënë në fund të greminës, njerëzit e saj shpëtuan dhe u bashkuan me Shqipërinë. Në këtë kohë ministria e Luftës kishte dërguar mësues dhe punëtorë të administratës në Kosovë në vitin 1941-42. Është interesant të theksohet fakti se shqiptarët ishin sjellë dinjitetshëm me minoritetin serb, ndryshe nga këta të fundit kur e kishin pasur pushtetin në dorë”thuhet në dokumentet e CIA-s..
Përballë të gjitha interesave të përmendura më lart, qëndronte krahina e Sanxhakut jashtëzakonisht e varfër, si në aspektin ekonomik edhe atë kulturor. Në Sanxhak në vitin 1941, ka pasur rreth 254.000 banorë. Serbët dhe malazezët përbënin 57% të popullsisë kurse myslimanët (shqiptarë e boshnjakë) 43%. Gjatë periudhës midis dy luftërave, shteti ka investuar në këtë vend 80 herë më pak se, për shembull, në Slloveni. Analfabetizmi ishte në shkallë të lartë, madje edhe 76% të popullsisë së përgjithshme. Popullsia myslimane dominonte në përqindjen e popullsisë analfabete. Kështu, një mysliman me arsimim universitar binte në 1.500 banorëve. Sa për kuriozitet, po përmendim faktin se vetëm një femër myslimane gjatë periudhës midis dy luftërave ka përfunduar shkollën e mesme katërvjeçare. Gjendja shëndetësore e popullsisë ishte edhe më keq. Në vitin 1931, Sanxhaku kishte rreth 220.000 banorë, ndërsa kishte vetëm 7 mjekë dhe 171 shtretër spitalore. Në Sanxhak ka qenë shkalla më e lartë vdekshmërisë së foshnjave në Mbretërinë e Jugosllavisë, ku në 1,000 foshnje vdisnin 142 fëmijë. Përveç kësaj, Sanxhaku ishte një, mjedis multietnik multifetar dhe multikulturor i ngarkuar me konflikte të trashëguara nga e kaluara. Në mënyrë të veçantë, vrasjet e ndërsjella të serbëve, në njërën anë, dhe myslimanëve (shqiptarëve dhe boshnjakëve), në anën tjetër, u ndërprenë nga vitet ‘30.
Rrethet e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Llapit u përfshinë në përbërjen Serbisë së okupuar. Kjo pjesë e Kosovës, së bashku me qarkun e Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe Studenicës (Rashkës) administrata e Aqimoviqit të Serbisë në maj të viti 1941, e shpalli pjesë integrale të Banovinës së Drinës. Megjithatë, në tre rrethet e Kosovës dhe të Dezhevës që nga fillimi i okupimit nën përkujdesjen gjermane ishin vendosur autoritetet shqiptare. Më vonë, më 6 gusht 1941, me urdhër të gjermanëve, Këshilli i Komisariatit të Serbisë së okupuar (“qeveria” kuislinge e Aqimoviqit) aprovoi dekretin për formimin e qarkut të Kosovës me seli në Mitrovicë dhe rrethet, selitë e të cilëve ishin në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë dhe Novi Pazar (në dhjetor 1941 në përbërjen e rrethit të Mitrovicës hynë edhe qarkut i Studenicës, e populluar ekskluzivisht me serbë). Kështu, qarku i Kosovës, me qendër në Mitrovicë, ka qenë pjesë e Serbisë, por me status të veçantë, me kalimin e kohës është dashur të krijohet dypushtetësia.
Besohet se askush nuk ishte i kënaqur me një ndarje e tillë të Kosovës. Nuk ishin të kënaqur italianët, që nuk e morën tërë Kosovën, as gjermanët, që nuk arritën e mbajnë minierën “Kosova” në Obiliq, nga e cila furnizohej “Trepça” me qymyr (linjit), e as bullgarët, që nuk kishin arritur të marrin një “copë më të madhe”. Kjo çështje nuk ka qenë vetëm çështja e fërkimit në mes të forcave pushtuese, por edhe në mes të popullatës lokale dhe liderëve të tyre kombëtar.
Përderisa Kosova ndahet nga tre pushtues: italiane, gjermane dhe bullgare, Sanxhaku do të jetë subjekt i ndarjes mes gjermanët dhe italianët. Edhe sa i përket territorit të Rashkës dhe luginës së Ibrit, duhet të theksojmë se treva e Pazarit të Ri ishte pjesë përbërëse e Serbisë së okupuar, të cilës gjermanët ia kishin bashkuar edhe pjesën “e vet” të Kosovës, Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri e Podujevë).
Bashkimi i një pjese të madhe të Kosovës dhe të viseve tjera me Shqipërinë solli rrjedhoja pozitive për shqiptarët. Ky bashkim shembi murin kinez, që i mbante ata të ndarë prej vitesh në të pjesët e vendit dhe krijoi kushte për një komunikim të lirë e të drejtpërdrejtë midis tyre, ashtu siç kishte qenë më herët. Në ndërkohë, pushtuesi ua njohu shqiptarëve të drejtën e përdorimi të gjuhës shqipe dhe të zhvillimit të arsimit e të shkollës shqipe. Këto masa do të ndikonin në forcimin e lidhjeve, të unitetit e të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.
S’ka dyshim se bashkëpunimi ekzistonte në shumë nivele, por shtysa e këtij bashkëpunimi nuk ishte as simpatia ideologjike ndaj fashizmit apo nazizmit, as ndonjë interesim më i gjerë për synimet e fuqive të Boshtit, por thjeshtë dëshira e shumë shqiptarëve për të shfrytëzuar rastin nga shthurja e Jugosllavisë, për të marrë më tepër pushtet në territorin e tyre edhe për të përmbysur politikën e kolonizimit sllav të dekadave të mëparshme.
Sa i përket bashkëpunimit të shqiptarëve me nazifashistët, Noel Malcolm, citon burimet e Institutit ushtarak të Beogradit, po ashtu edhe Ali Hadrin: “Edhe pse sipas raporteve të një organizatori komunist, thuhej se bashkëpunimi me pushtuesin ishte i fuqishëm…, mirëpo ai po ashtu vërente se asnjë shqiptar, pos mercenarëve, nuk ishte i gatshëm të luftonte jashtë territorit të vet”. Në lidhje me këtë, N. Malcolm, konstaton: “S’duhet habitur pse përpjesëtimi i bashkëpunëtorëve në Kosovë ishte më i lartë, kur të kihet parasysh se shumica dërmuese e shqiptarëve nuk kishin pasur fare besim në regjimin e ish-Jugosllavisë, prandaj e kishte pritur pushtimin e forcave të fuqive të Boshtit, së paku, potencialisht, si një lloj çlirimi. Dallimi kryesor ndërmjet situatës në Kosovë dhe pjesëve të tjera të Jugosllavisë ishte se të dyja lëvizjet e rezistencës që lindën në fillim të luftës, lëvizja çetnike dhe ajo komuniste, konsideroheshin pothuajse si organizata ekskluzivisht sllave. Komunistët nuk patën pothuajse kurrfarë peshe ushtarake në Kosovë deri në muajt e fundit të luftës as çetnikët s’kanë pasur kurrë ndonjë farë rëndësie ushtarake në Kosovë, kurse në pjesën e dytë të luftës ata ishin shndërruar në një lëvizje të gjerë kolaboracioniste, në njëfarë mënyre, një duplikat nacionalist i Lëvizjes shqiptare të udhëhequr nga Xhafer Deva”.
Forca ushtarake e Gjermanisë gjatë ditëve të para të administrimt, së bashku me krijimin e ortskomandanturave të para (qendra komanduese) filloi të zgjidhë edhe çështjen e administratës civile. Kështu, komandanti i Divizionit 60 të motorizuar, gjenerali Eberhardt, me të shpejtë i thërret në një tubim krerët shqiptarë më 21 prill të vitit 1941, në Mitrovicë në sallën e hotelit “Jadran”. Në këtë morën pjesë përfaqësuesit e Kosovës, Pazarit të Ri, Sjenicës, edhe të Mitrovicës. Nga të pranishmit po përmendim disa: Xhafer Deva, për Mitrovicë; Omer Qiniq dhe Emin Çerkez, për Senicë; Aqif Blyta dhe Ahmet Daci, për Pazar të Ri; Jahja Haxhi Xhemajli, për Vuçitërn, Ilijazi Haxhi Xhemajli, për Prishtinë; Shaqir Halili (Hoxhë Visoka), për Podujevë; Jusuf Gradica, Miftar Huseni, Sadik Zejneli, Mustafa Ibrahim, për Drenicë; Sadik Rama dhe Rrustem Sadrija, për Istog; Sejfedin Begolli, Xhevat Begolli, Peter Lorenzi, Paul Lorenzi, për Pejë. Në procesverbalin gjerman i këtij takimi thuhet se “qeveria e deritashme shtetërore me luftë e ka humbur çdo autoritet” dhe se “udhëheqësi e shqiptarëve etnikë tani duhet të marrin pushtetin”. U vendos që shqiptarët të marrin përsipër organet e pushtetit të qarkut dhe qeveritë komunale, financat, gjyqësorin, arsimin etj., nën mbikëqyrjen e ortskomananturave gjermane. Për këtë pjesë të Kosovës, e cila ishte nën administrimin e gjermanëve duhet të krijohet në bazë të këtij plani, qeveria autonome shqiptare. Në këto krahina vepronte Lidhja Popullore Shqiptare, nën udhëheqjen e Ali Dragës e Rexhep Mitrovicës.
Një ndër temat kryesore që u shqyrtuan në takimin ndërmjet gjeneralit Eberhard dhe parisë së shqiptarëve, më 21 prill 1941, ishte dëbimi i kolonëve serbë e malazezë nga Kosova. Mandej tjetër që u shtrua në bisedimet e gjeneralit Eberhard me parinë shqiptare, në prillin e vitit 1941, ishte edhe marrëveshja për krijimin e policisë shqiptare. Ky do të ishte një ndër formacionet e para ndër mjaft formacioneve kolaboracioniste. Me këtë rast, afro 1000 veta u rekrutuan në “xhandarmëri shqiptare”, e cila u vu nën komandën Bajazit Boletinit. Këtyre policëve në uniformë iu bashkuan edhe 1 000 vullnetarë ndihmës, nëpërmjet angazhimit të organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” në Mitrovicë.
Në lidhje me ndarjen e territoreve, Milorad Vaviq shkruan:“Në Vjenë, më 21 dhe 22 prill 1941, u përtërinë bisedimet ndërmjet Ministrit të Jashtëm italian, Çiano, dhe gjerman Ribentrop. Me këtë rast u diskutua rreth ndarjes së territorit dhe brenda kësaj kornize mbi demarkacionin e zonave në Kosovë. Atëherë u pasqyruan interesat kontradiktore të gjermanëve dhe italianëve. Pavarësisht kundërshtimit italian, ndarja e territoreve iu përshtatën ekskluzivisht interesave gjermane. Pjesa e Kosovës, që i takonte Gjermanisë, ishte dashur të mbetët pjesë e Serbisë, në të cilën në fillim do ta udhëhiqte Këshilli i komisariatit, të cilin do ta përfaqësonte Millan Aqimoviq, ministër i punëve të brendshme të paraluftës në qeverinë e Stojadinoviqit. Ky vendim i gjermanëve shkaktoi pakënaqësi te shqiptarët dhe organizuan demonstrata, të cilat u mbajtën më 23 maj 1941”.
/vijon/