Dhjetëra njerëz protestuan të dielën para furrës “Roma” në qytezën Borça të Serbisë – pronar i së cilës është shqiptari Mon Gjuraj. Para furrës u mblodhën njerëz me flamuj dhe simbole kombëtare të Serbisë.
Shkak i protestës u bë një fotografi e vëllait të pronarit të furrës, që e tregonte atë duke bërë simbolin e shqiponjës dykrerëshe. Fotografia, e vjetër dy vjet, u shpërnda në mediat sociale. Protesta u organizua me moton: “Nëse nuk ka respekt, nuk ka as vend pune”. Edhe javën e kaluar, disa dhjetëra njerëz u mblodhën para furrës “Roma”, duke mbajtur flamuj serbë dhe duke thirrur parulla kundër Kosovës, ndërsa në makinën e pronarit vendosën një kokë derri. Më 3 maj, disa qytetarë të Beogradit dolën në mbështetje të Gjurajt, i cili atë ditë, në shenjë falënderimi, shpërndau byrekë falas. Organizatorët thanë se tubimi i së dielës është i fundit. (Përgatiti: Valona Tela)
https://www.evropaelire.org/23d3b37b-5b0c-477e-9aef-73e4b979ec30