Xheladin Zeneli, SHQIPTARËT NË MAL TË ZI-POPULL I RREZIKUAR,Botoi: Art Club, Ulqin, 2019
Pas rënies së sistemit monist në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi nga autor të profileve të ndryshme shkencore, artistike e kulturore opinionit i janë prezantuar botime të fushave të ndryshme. Kemi të bëjmë me botime shumëdimensionale në kohën e pluralizmit, duke dëshmuar se kemi të bëjmë më autor të cilët në monizëm e kishin të mohuar një mundësi të tillë për rreth pesë dekada. Në gamën e gjerë të botimeve nuk kanë munguar edhe ata nga fusha e publicistikës duke sjellur risi në trajtimin e çështjeve përkatëse sidomos mbi pozitën e statusin e shqiptarëve në këtë mjedis.
Pas librit të parë “Diaspora dhe vendlindja” botuar në vitin 2011, kohë më parë Xheladin Zeneli i paraqitet opinionit me librin me të ri “Shqiptarët në Mal të Zi-popull i rrezikuar”. Kemi të bëjmë me një përmbledhje të artikujve publicistikë, të cilat autori i ka shkruar dhe botuar viteve të fundit në mediat e shkruara apo portalet e rrjetëve sociale.
Vet titulli i këtij botimi është intrigues për lexuesin sepse kemi të bëjmë kryesisht me pjesëtarët e popullit shqiptarë në Mal të Zi, të cilët kanë sfiduar rrethanat shoqërore të kohës për të mbijetuar në hapësirën e tyre etnogjeografike. Dhe një çështje e tillë vazhdimisht ka qenë dhe mbetet preokupuese për studiues profileve të ndryshme, ku nuk mungojnë botimet edhe nga fusha e publicistikës.
Ndonëse i larguar nga vendlindja ai nuk ka qenë statist sepse interesimi i autorit për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi ka vazhduar edhe në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork në mjedisin e ri ku është vendosur në fund të vitit 1991. Një veprim i tillë paraqet rast të veçantë, jo vetëm për diasporën por nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një person me qasje intelektuale, andaj edhe artikujt, analizat dhe komentet e publikuara në mediat e shkruara apo portalet e ndryshme, dëshmojnë seriozitetin dhe shqetësimin e vazhdueshëm, çështje kjo preokupuese për autorin e këtij libri.
Qasja e autorit është shumëdimensionale sepse vetëm si e tillë mund të trajtohet çështja shqiptare në Mal të Zi edhe në kohën e pluralizmit. Pa mohuar të arriturat të cilat janë pothuaj kozmetike, autori trajton identitetin e shqiptarëve në aspektin arsimor, kulturor, informativ e ate politik. Janë këto fusha të cilat mund të shkruhet gjatë dhe me argumente, që dëshmojnë për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi.
Si rrallë kush deri më tash autori në disa tekste thekson Deklaratën për Drejtat e Popujve Autokton e miratuar nga Organizata e Kombëve të Bashkuara, çështje kjo e cila nuk është marrë në shqyrtim asnjëherë nga asnjë parti politike nacionale te shqiptarëve në Mal të Zi. E dhëna së një Deklaratë e tillë vlen vetëm për në shqiptarët si popull autokton në Mal të Zi, ka peshë të veçantë, andaj meriton analizë të veçantë, që duhet të jetë obligative edhe për Malin e Zi. Nga ana tjetër duke e marrë parasysh se ne shqiptarët jemi i vetëm popull me përkatësi jo sllave, është një argument plus, që shqiptarët këtu duhet të kenë tretman të veçantë, si qytetarët e një vendi multinacional e multigjuhësor, por me specifikat e veta kombëtare. Një veprim i tillë, do të ishte digë qasjeve mohuese të qeverive në Mal të Zi, si në të kaluarën edhe në ditët tona, sepse ka tendenca të asimilimit kombëtar dhe të atij politik.
Duke lexuar artikujt e ndryshëm në këtë libër, del qartë shqetësimi i autorit në aspektin politik, ku shqiptarët me një numër të vogël banorësh kanë numër të madh të subjektëve politike, të cilat gjoja janë formuar për avancimin e çështjes shqiptare në këtë vend. Ndërsa pas tyre viteve në pluralizëm, çdo gjë është transparente dhe e qartë për çdo kend, se disa subjekte politike janë formuar për interesa të ngushta personale e klanore, që nuk është në favor të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërsa mungesa e një platforme të përbashkët politike për çështjet jetike në nivel shteti është dëshmi e mungesës së seriozitetit ndaj çështjes shqiptare në këtë mjedis. Andaj, nuk është për tu çuditur së shqiptarët në zgjedhjet shtetërore dalin jo të unifikuar në një listë zgjedhore, por në disa të tilla, nga del se kemi rezultate dëshpruese, pa përfaqësim dinjitoz në parlamentin e Malit të Zi.
Autori po ashtu trajton edhe ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi, në sajë të kontakteve me personalitete të rëndësishme të jetës politike në SHBA, çështje kjo e cila ka një vazhdimësi, duke filluar me kryetarin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z.Joseph Dioguardin, por edhe kongresmen e senator të nderuar të senatit e kongresit amerikan. Duhet cekur me këtë rast dëshminë në Kongresin Amerikan me 30 tetor 2003, të udhëhequr nga kongresmeni dhe miku i shqiptarëve Tom Lantos, ku folës ishim tre shqiptarë nga Mali i Zi. Duke marrë parasysh se statusi i shqiptarëve në Mal të Zi, është duke ngecur, jo sipas dinamikës së dëshiruar, sepse nuk ekziston vullneti politik i pushtetit, faktori ndërkombëtar mbeten gjithnjë adresë e obligueshme, sidomos për mjediset me demokraci të pakonsoliduar.
Madje, çdo artikull i prezentuar në këtë botim paraqet një temë të veçantë që meriton analizë sepse kemi të bëjmë me një mjedis i cili vuan nga mentaliteti i kohës së monizmit, ku ndonëse në pluralizëm ende mungon kapaciteti dhe vullneti politik i pushtetit për avancime demokratike sipas standardëve ndërkombëtare.
Pikërisht duke marrë parasysh çështjet e trajtuara të cilat kërkojnë zgjidhje këtë libër duhet ta lexojnë të gjithë e ne veçanti ata që janë pjesë e strukturave të ndryshme politike, sepse kanë informacione të natyrave të ndryshme që janë të nevojshme për takime kur diskutohet për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi.
Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një libër të shkruar nga një autor i cili edhe vet ishte pjesë e fillimeve të pluralizmit politik në Mal të Zi, dëshmon seriozitetin në qasjen e çështjeve të cilat janë preokupuese për shqiptarët në këtë mjedis në të kaluarën dhe në ditët tona.
Libri “Shqiptarët në Mal të Zi-popull i rrezikuar” i shkruar nga bashkëvendasi ynë i cili jeton në diasporë, është shembull se si duhet trajtuar çështjet e identitetit, në këtë kohë te tranzicionit shoqëror të kohës së pluralizmit, duke mos qendruar pasiv, por aktiv sikurse të jetonte në vendlindje, që paraqet rast të veçantë në diasporën shqiptare.
Andaj, duke marrë parasysh ate qe u tha më lartë këtë libër e vlerësojmë një kontribut me vlerë për ndriçimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi, ku autori prezanton pikëpamjet dhe jep rekomandime për avancimin e çështjeve përkatëse ku e them pa hezitim se do të jetë i mirë se ardhur për opinion e gjerë shoqëror.
Dr.Nail Draga
(Lexuar më rastin e përurimit të librit në Ulqin, me 12 gusht 2019)