Ka shumë njerëz në Pesher edhe në Novi Pazar që thonë se në një mënyrë ndjehen shqiptarë dhe se deri vonë në shtëpitë apo familjet e tyre është folur shqip
Cila është pozita e shqiptarëve në Sanxhak meqë kohëve të fundit është duke u folur për shqiptarizimin e Sanxhakut?
Zukorliq: Këtë gjë duhet ta kemi parasysh në dy mënyra. E para, në Sanxhak ka shqiptarë në disa fshatra të Rozhajës, të cilët në kuptimin e plotë të fjalës kanë mbetur shqiptarë. Ata të tillë ndjehen dhe të tillë deklarohen. Mendoj se identiteti i tyre nuk vihet në pikëpyetje. Ata janë të vetët në tokën e tyre dhe këtu nuk ka asgjë diskutabile. Shqiptarët në Mal të Zi janë në të njëjtën pozitë me boshnjakët. Sa u përket qytetarëve të caktuar që jetojnë në Peshter, ekziston një numër i vogël i tyre që tashti e ndjejnë veten shqiptarë.
Unë takoj dhe bisedoj me shumë njerëz edhe në Novi Pazar që thonë se në një mënyrë ndjehen shqiptarë dhe se deri vonë në shtëpitë apo familjet e tyre është folur shqip?
Zukorliq: Po, ashtu është, sikur që në Kosovë ka shumë shqiptarë me origjinë boshnjake e cila gjë ka ndodhur me shpërnguljet e para 300 viteve. Ballkani ka qenë inkubator i përzierjeve. Dikujt kjo mund t’i duket keq ose mirë, por ky është fakt i pakundërshtueshëm.
Ta sqarojmë një gjë: a mund të themi se shumica e njerëzve që deklarohen boshnjakë kanë prejardhje shqiptare?
Zukorliq: Unë e thashë në fillim se një numër i konsiderueshëm i boshnjakëve kanë prejardhje shqiptare. Kjo është një lidhje e jonë pozitive dhe disa mburren me këtë.
A ka ndonjë dëshirë tek këta njerëz që tashti të deklarohen si shqiptarë?
Zukorliq: Mendoj se ekzistojnë grupe të caktuara të cilat veprojnë në mënyrë nostalgjike e me emocione e jo me ndonjë program të organizuar. Por, kur përmendet termi shqiptarizim, për mua më shumë është diçka e natyrës manipulative, që bëhet për poenë politikë. Disa opsione të caktuara politike tentojnë të përfitojnë nga kjo situatë. Kështu që flitet për shqiptarizim kur ka interes e pastaj më nuk flitet. Pra, nuk kemi të bëjmë me ndonjë program serioz të shqiptarizimit as nga njëra e as nga tjetra anë, pos kur paraqitet ndonjë situatë kur dikush duhet të marrë ndonjë poen politik.
Intervistoi Daut Dauti