Më poshtë keni një pjesë të shkurtë që spjegon aktivitetin e Lidhjes së Prizrenit gjatë këtij viti. Kjo është një pjesë e shkoqitur nga kapitulli II i librit (Britania, çështja shqiptare dhe rënia e Perandorisë Otomane 1876-1914) që gjendet në proces të botimit:
Dr. Daut Dauti
Gjatë tërë vitit 1880 Lidhja e qeverisi pjesën dërmuese të territorit të Katër Vilajeteve, sidomos pjesën që sot njihet si Kosovë, Shqipërinë dhe veri-perëndimin e Maqedonisë, si një qeveri de facto. Në shkurt të këtij viti Abdyl Frashëri i tha Komitetit Qendror të Lidhjes në Prizren se Porta nuk do të bënte asgjë për Shqipërinë dhe se do t’i jepte Greqisë dhe Malit të Zi territor shqiptar. Lidhja nisi përgatitjet për formimin e një armate me 12 000 luftëtarë. ‘Duhet të jemi shqiptarë dhe ta bëjmë një Shqipëri,’ kishte deklaruar Frashëri në një mbledhje të Lidhjes.
Artisti dhe ilustratori i njohur britanik, Richard Caton Woodville, e ka regjistruar të njëjtën frymë që ndjehej për pavarësi në Shkodër. Ai dhe shoqëruesit e tij, për shkak se ishin britanikë, ishin lejuar që ta përcillnin një mbledhje sekrete të Lidhjes Shqiptare. Woodville e karakterizoi mbledhjen e prijësve shqiptarë të Lidhjes si tubim që përngjante me secilin senat evropian të asaj kohe. Në një atmosferë anti-otomane, e vizatoi pamjen dhe e regjistroi fjalimin e njërit prej udhëheqësve:
“Çka dëshirojmë të bëjmë ne me çështjet e tokës së Arbenisë? A jemi ne fëmijë që nuk mund të ecim vetë? Çka bënë sulltanati për neve? A i mbron ai jetët tona? Jo. A i ndërton kulmet e shtëpive tona? Jo. A i ushqen njerëzit tanë që vuajnë nga uria? Jo. A duhet ta mbyllim gojën e të hamë dhe? […] Ju tregoj unë. Cili është vullneti i pushtetarëve tanë? Se ne duhet të dorëzohemi para sllavëve të Karadakut [Malit të Zi]? Për çka? Për shkak se sulltanati dëshiron kështu? Për shkak se Kuvendi i Berlinit dëshiron kështu? Për shkak se rusët dëshirojnë kështu? […] Duhet të flasim – por me hekur e plumb, me jataganë e pushkë”.
Aktivitetet e Lidhjes, gjatë tërë atij viti, u shënuan në shtypin evropian që kishte filluar të tregonte vëmendje të konsiderueshme ndaj çështjes shqiptare. Një artikull i botuar në Manchester Guardian e kritikoi qeverinë britanike për shkak që ajo nuk merrej me çështjen shqiptare. Suksesi i Lidhjes, i cili ishte evident në gushtin e vitit 1880, kishte krijuar një vetëbesim të madh në mesin e disa udhëheqësve shqiptarë që filluan të mendonin për pavarësi. Ky fakt ishte vërejtur nga gazetat në Britani, të cilat, me ca ekzagjerime, raportuan se Lidhja kishte shpallur pavarësinë dhe kishte vënë nën kontroll të plotë pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe Maqedonisë.