Anëtari kroat i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, kërkoi që të mërkurën të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kreut Kolektiv të Shtetit mbi propozim-vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, Millorad Dodik, anëtar serb i Presidencës, kërkoi që po nesër të zhvillohet një seancë, ku do të diskutohej nisma për zhvendosjen e ambasadës së Bosnjës nga Tel Avivi në Jerusalem.
Por, Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë iu konfirmua nga Presidenca e Bosnjës se asnjëra prej këtyre seancave nuk do të mbahet nesër.
Të mërkurën, në Bosnje arrin zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili do të takohet me anëtarët e Presidencës.
Dodik tha të martën në Mostar se Palmer është i informuar rreth nismës për zhvendosjen e ambasadës së Bosnjës nga Tel Avivi në Jerusalem.
Komshiq tha se ky paralajmërim është “hipokrizi” dhe se në Bosnje nuk ka njeri që është më kundër interesave amerikane sesa Dodiku.
Dodik është nën sanksione të SHBA-së qysh në vitin 2017 për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës për të ndaluar organizimin e një referendumi.
Ndryshe, javën e kaluar, Serbia, në kuadër të një marrëveshjeje me Kosovën, të nënshkuar në Uashington, ka rënë dakord për zhvendosjen e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Por, statusi i Jerusalemit është një çështje rreth së cilës ka mospajtime mes shtetit të Izraelit dhe autoriteteve palestineze.
Izraeli e pretendon të tërin si kryeqytet të vetin, ndërsa palestinezët e shohin Jerusalemin Lindor – i cili është pushtuar nga Izraeli në vitin 1967 – si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.
Në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe, në bazë të atij vendimi, kanë bartur ambasadën në Jerusalem.
Megjithatë, nga Bashkimi Evropian asnjë shtet nuk e ka ndjekur një hap të tillë.