Fakti që ne akoma nuk kemi zbuluar ndonjë dokument se kush nga shqiptarët dhe sa paguhet aktualisht nga qeveria e Serbisë për të çorientuar politikat e Prishtinës, Tiranës, Shkupit e Sarajevës, nuk na ndalon të gjykojmë e t’i identifikojmë proceset që çojnë ujë në mulli të saj. Se kush nga aktorët e këtyre proceseve merr para më shumë ose më pak apo nuk merr fare, por e kryen punën thjeshtë nga inercioni ose budallallëku, kjo është më pak e rëndësishme
Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë
Lajmi që e skandalizoi publikun shqiptar erdhi nga Athina. Politikanë, artistë, gazetarë e medie nga Tirana qenkeshin paguar prej qeverisë greke për ta çorientuar lëvizjen çame në Shqipëri. Hisen e luanit e paskëshin marrë vetë deputetët çamë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Po sikur një skandal i tillë të shpërthente në qeverinë serbe dhe të dilnin listat e politikanëve, artistëve, gazetarëve e medieve shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, të paguara nga Qeveria e Republikës së Serbisë?.
Nga arkivat serbe të 100 viteve më parë vërejmë se investimet e Qeverisë së Pashiqit kanë qenë shumë më të mëdha se ato greke për të përzënë Princin Vilhelm Wied-in nga Shqipëria. Nga këto arkiva dalin politikanë të pakorruptueshëm shqiptarë, por edhe ata që në këmbim të parasë i kryen shërbime shtetit serb: Esat Pashë Toptani, Ahmed Zogu, Arif Hikmeti, Prenk Bib Doda e Haxhi Qamili. Për këtë të fundit historianët tanë të shumtë akoma mendojnë se ishte një fanatik mysliman i cytur nga Stambolli. Jo vetëm, që para 100 viteve, përmes këtij personi karizmatik e intelegjent Serbia ua hodhi Fuqive të Mëdha (vetëm bullgarët e austriakët dyshonin se prapa Haxhi Qamilit qëndronte Serbia e jo Stambolli), por edhe pas 100 viteve historianët tanë e gëlltisin hilen e Serbisë. Zaen, kabineti i Nikolla Pashiqit shqyhej së qeshuri kur diplomati serb nga Durrësi lajmëronte qeverinë serbe se si “Haxhi Qamili po nxitej nga Stambolli”, ngaqë nuk e dinte që jo Stambolli po pikërisht qeveria e shtetit të tij ishte ajo që i nxiste dhe financonte me armë, municione e ushqime kryengritësit e Haxhi Qamilit. Natyrisht, kur Haxhi Qamili kreu punën për të cilin ishte paguar (e përzuri Princ Wied-in), serbet e varën përmes njeriut tjetër të tyre, Esad Pashë Toptanit.
Fakti që ne akoma nuk kemi zbuluar ndonjë dokument se kush nga shqiptarët dhe sa paguhet aktualisht nga qeveria e Serbisë për të çorientuar politikat e Prishtinës, Tiranës, Shkupit e Sarajevës, nuk na ndalon të gjykojmë e t’i identifikojmë proceset që çojnë ujë në mulli të saj. Se kush nga aktorët e këtyre proceseve merr para më shumë ose më pak apo nuk merr fare, por e kryen punën thjeshtë nga inercioni ose budallallëku, kjo është më pak e rëndësishme.
Derisa detyrë e të paguarve nga Qeveria e Greqisë ishte të çorientohet çështja çame, detyrë e të paguarve të Qeverisë së Serbisë është gërryerja e shtetësisë së Kosovës. Natyrisht, shqiptarët që paguhen nga Beogradi nuk dalin me sloganin “poshtë pavarësia e Kosovës, rroftë Serbia!”, por thonë “duam bashkim me Shqipërinë”. Kjo mjafton për t’i treguar botës se kot lodhen me njohjen e pavarësisë së Kosovës, kur ajo nuk do të mbijetojë, dhe nëse atë nuk e merr Shqipëria, ja ku është Serbia.
Në këtë vazhdë, shqiptarët që paguhen nga Beogradi e sulmojnë Marti Ahtisaarin, simbolet kombëtare të Kosovës etj. Sigurisht, që simbolet kombëtare të Kosovës nuk u përzgjodhën as në mënyrë demokratike e as më të mirat të mundshme, por ato u votuan nga 110 prej 120 deputetëve dhe, së këndejmi, janë të ligjshme e legjitime dhe plus kësaj mund të ndryshohen kurdo që 80 deputetë, nga 120 sa ka Parlamenti i Kosovës, të pajtohen për këtë.
Dhe, derisa Greqia financon mediet e Tiranës, Komisioni i Pavarur për Media i Kosovës lejon që 12 milionë euro në vit nga tregu medial i Kosovës t’u shkojnë medieve të Tiranës që financohen nga qeveria greke (dhe e Serbisë, me gjasë). Pikërisht këto TV-të e Shqipërisë bëhen zëdhënëse të ndarjes së Kosovës.
A e bën këtë punë Komisioni i Pavarur për Media i Kosovës, ngaqë paguhet nga Qeveria e Serbisë apo ngaqë TV-të e Tiranës, me para që marrin nga Qeveria e Serbisë, e korruptojnë Komisionin e Pavarur për Media të Kosovës apo ky institucion vepron thjeshtë nga budallallëku e mosdija, kjo mbetet për t’u parë nëse shpërthen farë skandali apo vetëm kur të hapen arkivat pas 100 vjetëve.
Ajo çfarë Serbia, përmes të paguarve të vet, arrin ta mbajë larg vëmendjes së opinionit është “Çamëria” e saj që quhet Sanxhaku i Novi Pazarit.
Historia e dhimbshme e Sanxhakut të Novi Pazarit do të duhej të ishte pikë fokale për opinionbërësit në Kosovë, Shqipëri, pjesën shqiptare të Maqedonisë, por edhe Bosnje e Hercegovinë. Por, Sarajeva në vend se të konkurronte me Prishtinën, Shkupin e Tiranën për prezencë të saj në Sanxhakun e Novi Pazarit, ajo i konkurron këto qendra në injorimin e Sanxhakut të Novi Pazarit dhe çështjes së tij.
Krejt çfarë ka depërtuar perden e hekurt të injorimit të Sanxhakut janë dy emisione dokumentare të Marin Memës dhe një reportazh i RTK-së, si dhe emisionet e TV Mitrovicës. Është e pamundur të bindet ndonjë politikan shqiptar në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni që ta vizitojë Novi Pazarin ose të presë zyrtarisht liderët e Sanxhakut. Nga gjithë përpjekjet e shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, ku bëjnë pjesë personalitete të shquara si Azem Vllasi, Prof. Dr. Mazllum Baraliu, Xhavit Kastrati (nip i Shaban Polluzhës) etj., është arritur që Presidenti Hashim Thaçi dhe zv./kryeministri Behxhet Pacolli t’i presin në zyrat e tyre liderët e Sanxhakut.
Politikanë të tjerë, qoftë në Prishtinë, qoftë në Shkup, qoftë në Tiranë, le që nuk guxojnë të shkojnë në Novi Pazar, por as që guxojnë t’i presin në zyrat e tyre liderët e Sanxhakut. Prej kujt frikësohen? Ndoshta as vetë nuk e dinë se prej kujt konkretisht frikësohen, por e dinë se do të jenë cak i argatëve të Serbisë.
Për të parë se me çfarë ankthi dhe shprese sanxhaklinjtë presin ndihmë nga Kosova, Shqipëria, nga shqiptarët e Maqedonisë apo Bosnja, në vijim po e jap stenogramin e fjalimit tim në Novi Pazar më 29.07.2018.
________
Stenogrami i fjalimit në Novi Pazar më 29.07.2018.
Të dashur miq, Urime ditëlindja e 28 e SDA-së dhe ju dëshiroj punë të mbarë.
Javën e kaluar unë është dashtë të marr pjesë në një tribunë këtu në Novi Pazar së bashku më zv./kryeministrin e Kosovës, z. Behxhet Pacolli, gjë e cila nuk ndodhi dhe ai ishte një rast i shkëlqyeshëm që të përmirësohen raportet mes serbeve e shqiptarëve, raportet mes serbëve e boshnjakëve, si dhe të thellohen marrëdhëniet e mira mes shqiptarëve e boshnjakëve, të cilat kanë qenë jashtëzakonisht të mira historikisht.
Ky ishte një rast që u humb dhe të shpresojmë që në të ardhmen të mos humben raste të tilla, por të shfrytëzohen në të mirë të gjithë rajonit.
Presidenti Vučić ka bërë një hap të madh kur ka shkuar në Srebrenicë dhe është përkulur para viktimave të Srebrenicës. Ky është një hap i madh drejt pajtimit dhe vendosjes së mirëbesimit mes serbëve e boshnjakëve. Por, pajtimi i vërtetë mes serbëve dhe boshnjakëve do të ndodhë kur Presidenti Vučić, së bashku me Dr.Sulejman Uglaninin, do të zbulojë përmendoren e madhe të Aqif Efendisë (Blytës) në qendër të Novi Pazarit. Sepse, po të mos ishte Aqif Efendija (Blyta), Novi Pazari do t’ishte Srebrenicë para Srebrenicës.
Nuk do të ishit gjallë ju, sepse nuk do të ekzistonin prindërit tuaj, e as ata që kritikojnë Dr. Sulejman Uglaninin për vendosjen e pllakës përkujtimore të Aqif Efendisë e as prindërit e tyre. I zihet për të madhe Aqif Efendisë (Blytës) se ka bashkëpunuar me gjermanët. Ai që e thotë këtë nuk e di historinë e Ballkanit, d.m.th. nuk e di historinë e Luftës së Dytë Botërore në territoret e ish-Jugosllavisë. Po kush nuk ka bashkëpunuar me gjermanët në atë kohë? Kanë bashkëpunuar çetnikët, kanë bashkëpunuar partizanët, ka bashkëpunuar natyrisht edhe Milan Nedić (kryetari Serbisë nën pushtimin gjerman) e ka bashkëpunuar edhe Aqif Efendija (Blyta). Çetnikët kanë bashkëpunuar me gjermanët kundër partizanëve gjatë Republikës së Uzhicës, Kurse partizanët kanë bashkëpunuar me gjermanët kundër çetnikëve gjatë Betejës së Neretvës.
Të gjithë ju e keni parë atë filmin propagandistik “Beteja për të plagosurit”, por natyrisht aty nuk tregohet e vërteta e kësaj beteje. E vërteta e kësaj beteje është se çetnikët, të cilët deri atëherë ishin forca kryesore antigjermane në ish-Jugosllavi, e që ishin të ndihmuar nga anglezët dhe amerikanët, tentuan që të shkonin në Neum, për t’u takuar me anglezët e amerikanët që pritej të zbarkonin aty nga Italia. Tito bashkëpunoi me gjermanët për t’i vënë në kurth çetnikët dhe i shkatërroi ata.
Dhe, tani ia zënë për të madhe Aqif Efendisë që ka bashkëpunuar me gjermanët e nuk ia zënë për të madhe shokut Tito që ka bashkëpunuar me gjermanët, nuk ia zënë për të madhe Draža Mihajlović-it, që po ashtu ka bashkëpunuar me gjermanët dhe që tani, së fundmi, është rehabilituar me vendim gjykate. Natyrisht, kështu do të duhej të rehabilitohej edhe Milan Nedić-i, i cili e ka shpëtuar popullin e vet (serb) nga shfarosja në ato kohë të turbullta të Luftës së Dytë Botërore. Dhe, derisa të gjithë këta kanë bërë krime kundër njëri-tjetrit dhe kundër civilëve, Aqif Efendija (Blyta) nuk ka bërë asnjë krim ani pse ai akuzohet në literaturën serbe si kriminel lufte. Por, profesor Ismet Azizi e ka bërë një disertacion, ku e ka shfletuar gjithë literaturën serbe për Aqifin dhe nuk e ka gjetur as edhe një krim të vetëm konkret që ta ketë bërë Aqif Efendija (Blyta). Edhe pse Aqif Efendija (Blyta) është pushkatuar nën akuzën si kriminel lufte.
Po thuhet se Aqif Efendija (Blyta) ka marrë dekoratë nga Hitleri, se është takuar me Hitlerin etj. Kjo nuk është e vërtetë, por edhe sikur të ishte e vërtetë, nuk do t’i ndryshonte gjerat. Ai që është takuar me Hitlerin dhe që kishte marrëdhënie të mira me Hitlerin ishte ambasadori i Mbretërisë së Jugosllavisë në Berlin, shkrimtari Ivo Andrić. Ju mësoni në shkollë se Ivo Andrić-i ka qenë një shkrimtar i madh, një shkrimtar i mirë, por nuk po e mësoni se ai ka qenë në raporte të mira me Hitlerin, ndërsa për Aqif Efendinë (Blytën) kjo po thuhet. Natyrisht, duhet që sa më parë të bëhet vendimi i gjykatës, që ky personalitet të rehabilitohet dhe t’i ndërtohet një përmendore e madhe në qendër të Novi Pazarit.
Kam dëgjuar disa akuza se Shoqata “Kosova për Sanxhakun” po punon në shqiptarizimin e Sanxhakut. Kjo nuk është e vërtetë. Shoqata “Kosova për Sanxhakun” është krijuar për të vënë lidhjet mes Kosovës e Sanxhakut, pa marrë para sysh etninë e sanxhaklinjëve. Qofshin këta boshnjakë, serbë, shqiptarë apo kushdo tjetër.
Sanxhaku është regjioni më i afërt me Kosovën dhe në cilëndo vendosje të normalizmit të raporteve me Serbinë, për çka ne angazhohemi, në rend të parë është bashkëpunimi me ata që i kemi më afër, jo vetëm me boshnjakët, por edhe me serbët. Natyrisht, më parë do të bashkëpunojmë me serbët e komunave fqinje me Kosovën sesa me serbët e Vojvodinës. Dhe, kjo është e natyrshme.
Së këndejmi, është e natyrshme që Kosova të ketë bashkëpunim normal me Sanxhakun, i cili gjendet pranë saj dhe me të cilin ka lidhje gjaku, historie, kulture e tradite dhe më të cilin ka pasur raporte të shkëlqyera dhe të cilat duhet të zhvillohen edhe me tutje për të mirën e të gjithëve.
Ju faleminderit që më dhatë mundësinë t’ju flas dhe ju dëshiroj sukses në punë.
___________________________________________
Reagimi në këtë fjalim flet për pozitën e mjerë të sanxhaklinjëve, nëpërkëmbjen që u bëhet atyre në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI. Dhe, derisa sanxhakljinjët dëshpërueshëm presin ndihmë nga Prishtina, Shkupi, Tirana apo Sarajeva, goditjet nga Beogradi u shtohen.
Prishtina, Shkupi, Tirana e Sarajeva i kanë problemet e tyre të brendshme dhe fqinjësore dhe marrja me Sanxhakun e Novi Pazarit, secilit nga këto kryeqytete i duket një luks i tepruar ose sakrificë tepër e madhe. Por, këtu të gjithë harrojnë se paqtimi i Ballkanit nuk mund të bëhet duke i mbyllur sytë para padrejtësive, duke e heshtur nëpërkëmbjen e bashkë-komunitarëve. Nuk mund të ndërtohet fati i një rajoni në fatkeqësinë e pjesës qendrore të atij rajoni. Kurdo që këto kryeqytete t’i kthejnë sytë nga Sanxhaku i Novi Pazarit, në radhë të parë do të lirohen nga mëkati dhe do ta ndihmojnë vetën e tyre.
Kush është Aqif Efendija – Blyta
_______
Aqif Efendija – Blyta (1887-1945) ka qenë njëri ndër themeluesit e “Xhemijetit” bashkë me Nexhib Dragën (1869-1921) dhe Ferat Dragën (1880-1944). Ka qenë nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943-1944) dhe deputet i Sanxhakut në Parlamentin e Shqipërisë në Tiranë më 1943-1944. U pushkatua nga partizanët më 21.02.1945 në Novi Pazar bashkë me afër 2000 shqiptarë e boshnjakë.
Aqif Blyta konsiderohet kryehero i Sanxhakut të Novi Pazarit, pasi ai e organizoi mbrojtjen e Sanxhakut me luftëtarë të Sanxhakut, por edhe duke e ftuar në ndihmë Shaban Polluzhën (1870-1945) me 4.000 luftëtarët e tij nga Kosova. Mbrojtja e Novi Pazarit më 1941, kundër sulmit të kombinuar të çetnikëve dhe partizanëve, rezultoi me sukses të madh dhe Sanxhaku shpëtoi nga gjenocidi. Rrethimi i Novi Pazarit ishte i vetmi rast gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur çetnikët dhe partizanët serbë bashkëpunuan mes vete me qëllim që ta thyejnë rezistencën e organizuar nga Aqif Blyta.
tvshenja