Të dymbëdhjetë botimet e publicistit dhe diplomatit të njohur Shaban Murati janë një ngjarje më vete në hapësirën shqiptare dhe kjo ndodhi edhe me librin më të fundit të tij ‘Bosnja, një pikëpamje nga Tirana’, në shqip dhe në gjuhën boshnjake, mbështetur nga fondacioni kulturor ‘Alsar’.
Autori që është marrë gjerësisht në vepra të veçanta me serbët, maqedonët, shqiptarët e Kosovës, me profile të ndryshme nga diplomacia europiane, me rajonin e Ballkanit apo me Rusinë Ballkanike, me librin e tij të radhës pati disa promovime, mes të cilave në Tiranë dhe në Sarajevë dhe u përcoll më një varg artikujsh e analizash, vendase dhe të huaja, përfshi opinionin e deputetes me origjinë boshnjake në Kuvendin e Kosovës Duda Balje, analizën e Sanadin Voloder në multimedian botërore ‘Al Jazeera’, studiuesin Admiri Lisica e Qendrës së Studimeve Ballkanike dhe shumë të tjerë.
Në panoramën e sotme politike në Shqipëri dhe jo vetëm ka një ndarje të ashpër të palëve kundërshtarë e megjithatë librat e Shaban Muratit, (duke mos qenë populiste që tërheqin verbërisht turmat, por të klasit elitar, pra të profilizuara për një kontigjent të caktuar njerëzish e personalitetesh), përcillen nga të gjitha kahet dhe bëhen njëkohësisht të njohura në Tiranë, Prishtinë, Shkup, në kryeqendra të tjera ballkanike dhe më gjerë.
Në morinë e diplomatëve të vjetër dhe të rinj, të skotës së ministrave të Jashtëm, Shaban Murati ka gjetur këndin e vet për të mos qenë i ngjashëm dhe pikërisht për këtë arsye ai është i lexuar dhe i replikuar nga homologë dhe intelektualë të klasit të vet, jashtë vendit, madje edhe nga vende që janë me peshë planetare për fatet e popujve e të kombeve.
Autori ka një bagazh të gjerë diplomatik, është hulumtues serioz që ndjek përditshmërisht zhvillimet e ndryshme brenda vendit, në rajon, Europë e më gjerë dhe që çdoherë artikulon qëndrimin e vet përtej palëve.
Siç është vënë re edhe nga studiues të tjerë, libri është një përbledhje e analizave të botuara në shtypin e përditshëm në periudha të ndryshme kohore duke marrë shkas nga zhvillime politike që kanë të bëjnë me Bosnje-Hercegovinën, raportet e saj me të tjerët dhe veçanërisht me shqiptarët, qëndrimi i qeverisë dhe administratës europiane ndaj Sarajevës, etj.
Është domethënës fakti se pas një libri kushtuar boshnjakëve, botuar shumë kohë më parë në periudhën e Rilindjes nga Vaso Pasha, ky është libri i dytë që i shikon në një dritë tjetër raportet mes shqiptarëve e boshnjakëve duke nënvizuar nevojën e bashkëpunimeve më të mëdha mes njeri-tjetrit, si dy popuj të lidhur mes shekujsh, me fate të ngjashme e të përbashkëta, madje edhe me popullsi respektive në terriroret e tyre.
Libri hapet me analizën ‘Rruga për në Bruksel kalon nga Sarajeva’, e cila është marrë një një libër i mëparshëm i tij ‘Serbia kundër Serbisë’, ku autori flet si se është punuar ndër vite për ndarjen e Bosnjes, duke risjellë denoncimin e ish-presidentit kroat Stipe Mesiç në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për marrëveshjen Millosheviç-Tuxhman si dhe deklarimet e ish-presidenti të Maqedonisë së Veriut, Kiro Gligorov. Autori me të drejtë është kundër dyzimit të disa politikanëve europianë, madje edhe kundër qëndrimeve lëshuese që janë bërë ndaj Beogradit zyrtar, që si atëhere edhe në ditën e sotme mbetet strumbullari i paqëndrueshmërisë së rajonit.
Analiza e dytë e autorit “Provim i dytë boshnjak i BE’ flet për iniciativën europiane në vitin 2003 që ndërmerrte hapin për një mision sigurie në republikën më të goditur nga regjimi i Beogradit. Në këtë mënyrë Europa merrte më shumë përgjegjësi për sigurinë në vend, pas dështimit të misionit të parë diplomatik në periudhën 1992-1995 ku, nën preteksin e ruajtjes së ish-Jugosllavisë, u shkaktuan katër luftra ndërshtetërore dhe që Bosnja e pagoi më shtrenjtë nga të gjithë me mijëra të vrarë dhe me miliona refugjatë.
Analiza e tretë ka në fokus një qëndrim dhe deklaratë të presidencës holandeze të BE, më 22 nëntor 2004 që kërkonte mbështetje dhe bashkëpunim edhe të Shqipërisë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Presidenca holandeze e di fort mirë se luftën në ish-Jugosllavi e shkaktoi regjimi i Millosheviçit dhe kriminelët e luftës mbrohen nga udhëheqësit e rinj të Beogradit që duan ta sfidojnë komunitetin ndërkombëtar dhe gjykatën e Hagës.
Analiza e katërt merret me gjyqin absurd të Serbisë kundër NATO-s kur siç dihet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si trupi më i lartë legjislativ i OKB-së, e hodhi poshtë këtë padi në dhjetor 2004.
Në analizën ‘Kush dëshiron ta rindezë Bosnjen’ autori flet për përpjekjet e drejtuesit të “Republika Srpska’ Dragan Çaciç që i nxiste serbët e kësaj republike artificiale për të kërkuar pavarësi dhe si qëllim përfundimtar për t’u bashkuar me Serbinë.
Në analizën e gjashtë flitet për qëndrimin e padrejtë të Europës ndaj Turqisë në samitin e Kopenhagenit të 12-13 dhjetorit 2004 duke e lënë sërish jashtë saj me disa pretendime që nuk janë fort të besueshme. Turqia, si vend anëtar i NATO-s dhe me një peshë të konsiderueshme në këtë aleancë, me parametra të tjerë demokratikë si edhe vendet e tjera të perëndimit, edhe në këtë samit mbetet jashtë familjes europiane.
Shkrimi vijues ‘Integrim rajonal apo jugosllavizëm rajonal’ analizon propozimin që bëri në 3 maj 2005 ish-administratori i BE-së për Mostarin në periudhën 1994-1996 dhe i dërguari i qeverisë gjermane për Bosnjë-Hercegovinën, Haans Koshnik. Ky propozim sipas autorit që Ballkani të integrohet fillimisht brenda vetes e pastaj në BE, nuk është gjë tjetër veçse një arenë e re ‘përplasjesh mes interesave strategjike të kundërta të shteteve europiane’.
‘Mohimi i holokaustit boshnjak’ flet për qëndrimin e qeverisë serbe në 8 mars 2006 që kundërshtoi zyrtarisht padinë për genocid të bërë nga pala boshnjake në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Përfaqësuesit e kryeqendrës serbe, Stojanoviç, ish-kryeministri Koshtunica, ish-zëvendëskryeministri Labush e mbështesnin kundërshtinë e tyre me moskopetencës së gjykatës së Hagës dhe akoma më keq duke mohuar tërësisht genocidin në Bosnjë.
Sipas autorit holokausti boshnjak i kryer nga forcat ushtarake dhe paramilitare është ‘I mirënjohur, i mirëdokumentuar dhe i dënuar nga bashkësia ndërkombëtare’, përfshi OKB, OSBE, Këshilli i Europës, ‘Amnesty International’. Është një holokaust ku u vranë dhe u masakruan mbi 200 mijë boshnjakë, ga, pleq, fëmijë, me masakrat horror si ato të Srebrenicës më 1995 ku serbët vranë gjakftohtësisht mbi 8 mijë vetë, me kampe përqëndrimi të shfarosjes si ai i Omarskas, me gjymtime e përdhunime masive, me 2 milionë refugjatë, etj. Holokaustit boshnjak autori i rikthehet dhe në shkrimin ‘Pendesa europiane’ ku vlerëson vendimin e marrë më 15 janar 2009 për të shpallur në të gjitha vendet anëtare të BE, një datë të caktuar përkujtimi, pra 11 korrikun si ditë e përkujtimit të maskarës së Srebrenicës.
Të tjera problematika bartin analizat e tjera si ‘Bomba e Sanxhakut’, ‘Pamje e re me fytyrë të vjetër’, ‘Pse jam me Karla del Ponten’, ‘Dekorata shtetërore e turpit’, ‘Një tumor ballkanik’, ‘Kriza bosnjake dhe tolerance europiane’, etj.
Të gjitha artikujt e këtij libri kanë interes të veçantë pasi dokumentojnë qëndrime të liderëve ballkanikë dhe europianë, në periudha të ndryshme kohore dhe akoma më tepër fshikullojnë tentativat e disa protagonistëve të mëhershëm e e të sotëm, që vijojnë ta mbajnë Ballkanin ende të izoluar dhe larg integrimeve euro-atlantike.