Ky shkrim i Xhafer Devës botohet për herë të parë. Shkrimi përmbledh një analizë të dendur të ngjarjeve të rëndësishme që ndodhën më 1943-1944, përkatësisht kapitullimi i Italisë dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Këto faqe mund të jenë pjesë të një punimi të gjatë të shkruar afërsisht më 1962.
Shkruan: Muhamed MUFAKU, Prishtinë
Ky vit, që shënon 45 vjet të vdekjes së Xhafer Devës (1904-1978), filloi herët nga Tirana me ceremoninë e pagëzimit të një segmenti të rrugës “Ibrahim Rugova” me një emër domethënës (Rruga “Dëshmorët e 4 shkurti”) , gjë i aktualizoi edhe një herë polemikat në shtyp dhe mjetet sociale rreth Xheafer Devës: kriminel dhe bashkëpunëtor me Gjermaninë naziste apo lider nacionalit që e lidhi fatin me rishpalljen e pavarësisë shqiptare dhe për shpëtimin e Kosovës prej rrezikut të pritur atëherë?
Vërtet, këto polemika të nxituara reflektojnë dy kultura politike shqiptare, që u krijuan me kohë gjatë 1941-1945. Së pari është kultura politike në Shqipërinë e 1913-tës, e sidomos në jug, e cila ishte e hapur për bashkëpunim me “vëllezërit”, sllavë që më 1941 erdhën për ndihmë për themelimin e Partisë Komuniste dhe e ngritën Enver Hoxhën në krye të asaj partie, duke siguruar më vonë edhe ndihmën e partizanëve shqiptarë në 1944-1945 për “çlirimin” e Kosovës, me pasojat që dihen. Për këtë kulturë, Xhafer Deva fillon dhe përfundon si kriminel, kjo edhe në sajë të teksteve shkollore të hartave me direktivat e Partisë. Pra, nuk përcillet aktiviteti i tij i madh në mërgim për bashkimin e opozitës antikomuniste dhe në “Operacionin e madh” sekret (1948-1951), i cili kishte për qëllim përgatitjen e terrenit në Shqipëri për një kryengritje kundër regjimit komunist me ndihmën e aleatëve (SHBA dhe Britania e Madhe). Nga ana tjetër, kultura politike në Shqipërinë e Veriut, sidomos në Kosovë, kishte një përvojë tjetër me sllavët, si më 1877-1878, 1912-1913 dhe më 1918-1941, ndaj ajo u shpreh përsëri me Lidhjen e Dytë të Prizrenit më 1943 në krye me Devën dhe shokët e “Grupit Kosovar” (Rexhep Mitrovica, Xhelal Mitrovica, Tahir Zajmi dhe Rexhep Krasniqi), i cili vazhdoi aktivitetin politik në mërgim, duke ngritur përherë fatin e Kosovës edhe kur aleatët u pajtuan gjatë Luftës së Ftohtë me fatin e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, duke themeluar më 1962 Lidhjen e Prizrenit në Mërgim në krye me Devën, në krye të së cilës qëndroi deri në vdekjen e tij, më 1978. Mu për këtë, këto figura u rehabilutuan në Kosovë pas 1999 në mënyra të ndryshme.
Në këtë kontekst, polemika rreth rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit” nuk u kufizua vetëm me faktin që ajo ishte një segment i rrugës “Ibrahim Rugova”, por kaloi së shpejti te Xhafer Deva si “kriminiel”, për ta mjegulluar këtë cenim të emrit të Ibrahim Rugovës. Tani, me rastin e 45-vjetorit të vdekjes së Xhafer Devës, ishte moment të sqarohet ç’ndodhi më 4 shkurt 1944. Kuptohet, kjo mund të arrihet vetëm në bazë të dokumenteve të arkivave të ndryshme dhe të shkrimeve të Xhafer Devës.
Nga këto shkrime, do ta japim këtu një shkrim të Xhafer Devës që botohet për herë të parë. Shkrimi përmbledh një analizë të dendur të ngjarjeve të rëndësishme që ndodhën më 1943-1944, përkatësisht kapitullimi i Italisë dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Këto faqe mund të jenë pjesë të një punimi të gjatë të shkruar afërsisht më 1962. Në atë kohë Grupi Kosovar u forcua në Mërgim, në prag të themelimit të Lidhjes së Prizrenit në mërgim, dhe krerët e tij (Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi dhe Tahir Zajmi) u morën vesh për të shkruar versionin e tyre nacionalist shqiptar për ato ngjarje historike, pasi që secili prej tyre kishte rolin e vet në ato ngjarje që e kanë karakterizuan Shqipërinë etnike, pra Shqipërinë e 1913-tës me “Tokat e lirueme”. Kështu, Rexhep Krasniqi (1906-1999), i pari shqiptar që u doktorua në histori në Universitetin e Vjenës më 1935, botoi disa shkrime dhe tek pas vdekjes iu botua në Prishtinë disertacioni “Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria Verilindore”, kurse Tahir Zajmi e botoi në Bruksel më 1964 librin e tij “Lidhja e dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”.
Këto faqe të Devës e kanë vlerën e tyre, sepse autori paraqet një analizë të veten për gjendjen në rajon pas shpartallimit të Jugosllavisë në prill të 1941-shit dhe kapitullimit të Italisë më 1943, që hapen një horizont të ri për shqiptarët me përvoja të ndryshme në vendet ku jetonin deri atëherë. Me rendësi të veçantë janë ato të dhëna që i përmend Deva për kontaktet e para me komandën gjermane në Beograd dhe për lëvizjet e tij në Kosovë dhe në Shqipëri për një shtet të ri të pavarur shqiptar me sovranitet të kufizuar, që mund të pranonte praninë ushtarake gjermane në pika të caktuara “derisa të kryhet lufta”. Më këto lëvizje të Devës u sigurua pajtimi për konceptin e shtetit të ri shqiptar me regjencë, në krye me Mehdi Frashërin, dhe një qeveri me prani të ndjeshme të Grupit Kosovar: Kryeministër Rexhep Mitrovica, Ministër i Brendshëm Xhafer Deva dhe Ministër i Arsimit Rexhep Krasniqi. Kuptohet, kjo qeveri nuk u shikua me sy të mirë në tërë Shqipëri, e sidomos në jug ku Partia Komuniste kishte agjenda të tjera.
Këto fletë dhe të tjera ruhen me kujdes të madh nga veterani Idriz Lamaj, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Xhafer Devës, i cili trashëgoi nga bashkëshortja e Devës nja 1000 faqe me korrespodenca dhe shkrimet e tij në disa gjuhë. Lamaj, i cili ka botuar disa libra me vlerë për historinë shqiptare, u mbështet në këtë mori dokumentesh për ta paraqitur më ndryshe Devën në librin e tij “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa tjera të mërgatës”, që doli në Nju-Jork më 2002 dhe u ribotua në Prishtinë më 2022. Tani, me bujarinë e tij të njohur (i dhuroi Arkivit të Kosovës 15 mijë dokumente më 2021), na lejoi që ta botojmë këtë shkrim origjinal të Devës, i shkruar me makinë me dorën e vet, si kontribut për një qasje më objektive të figurës së Devës, për çka meriton një diskutim në një konferencë shkencore me rastin e 45-vjetorit të vdekjes.
Në fund, vlen të theksohet se Xhafer Deva, i lindur në Mitrovicë më 21 shkurt 1904, nuk arriti ta mësojë gjuhën amtare në shkollë, por e kreu shkollimin në serbisht dhe e vazhdoi shkollimin duke mësuar shumë gjuhë (serbisht, rusisht, turqisht, gjermanisht, italisht dhe anglisht). Shkrimi është në gegnishte të rrjedhshme, që e mësoi në shtëpi dhe e ruajti më vonë në mërgim, qoftë në diskutimet ose shkrimet e tij.
Në vazhdim transkripti nga raporti i Xhafer Devës.
Xhafer Deva: ZHVILLIMET HISTORIKE NË KOSOVË DHE SHQIPNI GJATË LUFTËS -II-TË BOTNORE
Përiudha Prill 1941 – Shtator 1943:
Okupacioni i mbretnisë jugosllave nga ana e ushtrisë gjermane u kompletue me 17 Prill 1941. Mbas bombardimit të randë të kryeqytetit (Belgradit) qeveria e gjeneral Simoviqit me në krye Mbretin Peter i II-të, rishtasi i kunorzuem ishte largue në Cetinje dhe me 12 Prill mbërrin në Ingliterë. Çmimi i “puçit” të 27 Marsit 1941, ishte shpartallimi i nji shteti mozaik i përbamë prej kombësive të ndryshme për me u dominue prej hegjemonisë serbe e udhhequn nga nji mbret despot.
Ndërsa mbretnija jugosllave, administrativisht ishte nda në 9 Banovina (në dukje governatorata autonome me kuvende në vete, etj.) në realitet, qeveria ishte e centalizueme. Me 10 Prill 1941, Kroatet të inkurajuem prej gjermanëve dhe italjaneve, kishin shpall shkëputjen e tyne prej mbretnisë jugosllave, tue përfshi edhe Bosnjen, Hercegovinën dhe Dalmacinë. Slloventë të izoluem dhe të vendosun mos me ndjek shembullin krotat, ishin në pritje të zgjidhjes së problemit të tyne. Nji grup të liderëve serb që ishin burgos nga ana e qeverisë së gjeneral Simoviqit (ashtu e quejtën gjermantfiltë), Cvetkoviqi, Cibnsar Markoviqi, Aqimoviqi, etj., ishin lirue prej gjermanëve dhe me 18 Prill 1941, Aqimoviqi ishte emnue Komisar i Serbisë. Në Maqedoni dhe Kosovë gjendja ishte tepër e komplikueme edhe për arsye të pretendimeve toksore të aleatëve të Gjermanisë, Italia dhe Bullgaria.
Gjatë 23 vjetve të sundimit serb, shqiptart e Kosovës nuk ishin të lejuem me pas qoftë edhe nji organizatë thjeshtë shoqnore të tyne, sa me u kujdesue për zgjidhjen e problemeve që i përkitshin kësaj kombsije. Nji mbështetje në qeverinë shqiptare të Tiranës nën okupacionin italian as që mund të pritej.
Njisinat e ushtrisë gjermane kishin okupue Mitrovicën me 17 Prill 1941. Shtabi i divizionit gjerman No. 60, quhej “Danzing” ishte instalue në kolonin angleze të Mitrovicës. Mbas krimevet të shumta rreth e përqark Mitrovicës dhe Vuçiternit (mase 100 shqiptar të pushkatuem nga ana e Çetnikve Serb dhe hjedhjes s në lumin Sitnica) çetnikët ishin zhduk nga skena. Prezenca e ushtrisë gjermane, mirëpritun si nga ana e popullsisë shqiptare apo ashtu edhe prej pakicës serbe, po për shkak të anarkisë të shkaktueme prej sjelljes barbare të çetnikve, nuk ishte solucioni që pritej prej të dy palëve. Ndërsa pakica serbe kishte mbështet shpresat në Aqimoviqin, shqiptarët ishin në pritje të nji zhvillimi të situatës në favor të tyne.
Me 19 Prill komandanti i divizionit gjerman, në përsonin e gjeneral Ebrhard-it, në shoqni me disa oficer të shtabit të tij, kishte artdh në Bashkinë e Mitrovicës për me u njoftue Kryetarin e Bashkisë. Tue tregue nji interesim të posaçëm për shqiptarët përgjithësisht me kishte ftue për të nesërmen me u paraqitë në shtabin e tij në Zveçan.
Gjatë bisedës gjenerali shfaqi nevojën e organizimit të nji administrate civile thjeshtë shqiptare, tue përfshi policinë, gjygjet, arsimin, etj. etj., në krahinat e ndryshme të banueme me shumicë shqiptare nën juridiksionin e divizionit të komanduem prej tij. Tue pranue sugjerimin e gjeneralit kishem propozue që nji hap të till duhej të ketë aprovimin e parisë shqiptare të këtyne krahinave, dhe për këtë shkak, nji mbledhje e parisë së Mitrovicës me dukej e domosdoshme. Tue pranue propozimin tim m’u lut me ba nji udhtim qendrave të ndryshme dhe me siguruue transportimin e përfaqsuesve (dy për secilen nënperfekturë) nëpërmjet ortakomandave (komandatë ushtarak të qendrave). Koha dhe vendi i mbledhjes ishte caktue në orën 15:00 të 23 Prillit 1941 në sallën e Hotelit Jadran të Mitrovicës. Ndërsa transportimi i delegatëve të nënprefekturave të Vuçiternit, Podujevës, Prishtinës, Skenderajt, Istokut, Pejës, Pazarit të Ri, dhe të Senicës ishte i siguruem, Gilani dhe Ferizaji, për shkak të kohës së shkurtë, nuk u përfaqësuen në këtë mbledhje. Qendra tjera si Shkupi, Kaçaniku, Tetova, Gostivari, Gjakova, Prizreni, Ohri, Struga, Kërçova, Prespa, Presheva dhe Kumanova kishin mbet nën juridiksionin e nji divizioni tjetër.
Gjenerali me shtabin e tij kishte ardh në sallën e Hotelit Jadran dhe delegatët shqiptar koroprativisht hynë. Mbas nji përshendetje të shkurtë, gjenerali lexoi protokollin të përgaditun në frymën bindëse që patëm me 20 Prill në shtabin e tij dhe kërkoj që delegatët të shfaqin mendimin e tyne. Për shkak të mungesës të nji përkthyesi me përkiste mue me plotësue detyrën. Simbas zakonit tonë delegatët ma të shquem shfaqen mendime e tyne dhe protokolli u aprovue unanimisht prej të gjithve prezent.
Në këtë rast gjendja në Shqipni paraqitej mjaftë e përzieme dhe konfuze për arsye se, grupet politike nacionaliste, që sigurisht paraqitshin shumicën e popullit shqiptar nuk kishin qenë në gjendje, jo vetëm me krijue nji bashkim midis tyne, por as me koordinue veprimtarinë e tyne në lidhje me rrethanat e reja që priteshin të ngjajnë mbas kapitullimit italjan dhe ndërhymjen eventuale të ushtrisë gjermane në Shqipni.
Dy grupet kryesore politike nacionaliste në mbështetje të lidhjeve që kishin me misionet aleate veprojshin me koncepte që derti dikund i pengonte me marrë përgjegjësina të hapta në përiudhen e realitetit gjerman në tokën shqiptare. Si rrjedhje e natyrshme e kësaj gjendje, u paraqitën disa përsonalitete shqiptare të gjeneratës ma të re, të cilat tue pa rrezikun e madh që kërcnohej atdheut nga veprimtarija e vendosun dhe mirë e koordinueme e të ashtuquejtunes Lëvizje Nacional- Çlirimtare, e udhëhequn prej emisarëve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe materialisht dhe moralisht e përkrahun prej Komandës Aleate të Mesdheurt, ishin gadi të merrshin përgjegjësina të randa ndaj popullit shqiptar. Në këtë mënyrë, nji grup i përbamë prej 22 vetave, midis të cilëve gjindeshin përsona që kishin lidhje si me grupet e mdha nacionaliste shqiptare, ashtu dhe me përsona të vendosun anti-komunist, që deri diku kishin pas lidhje me qeveritë e përiudhës italijane.
Folsitë e grupit të 22 vetave, tue pas mbështetjen e plotë të antarëve të vet hynë menjiherë në bisedime paraprake me Përfaqsuesin e Plotëfuqishëm të shtetit gjerman, Dr. H. Neuhachwer. Mbas diskutimeve të gjata ma në fund u mbrri nji marrëveshje në baza që janë shque në pikat e shenueme ma sipër. Grupi i 22 vetave ose Këshilli në fjalë zgjodhi nji Komitet Ekzekutiv të përbamë prej 7 vetave të cilët nga ana e tyne zgjodhen si Kryetar z. Ibrahim Biçakun, bir i patriotit dhe ish antarit të Këshillit të Naltë, Aqif Pashë Elbasanit.
Detyrat Kryesore të Komitetit Ekzekutiv ishin:
1) Pranimi imidiat i dorëheqjes së qeverisë së fundit të përiudhës kalueme.
2) Fuqizimi dhe normalizimi i jetës administrative shtetnore dhe t’organeve të sigurimit.
3) Përgaditja e sheshit për mbledhjen e nji Kuvendit kushtetues kombëtar që lypsej të mbahej mbrenda nji kohe së shpejt.
4) Çlirimi i ma se 2000 të burgosunve politik nga kampi i Porto Romanos, midis të cilve gjindeshin edhe komunista të njoftun.
Zhvillimi i ngjarjeve në Kosovë:
Në këtë ndërkohë Këshilli Ekzekutiv i Prizrenit i përbamë prej: Xhafer Deva dhe Asllan Boletini prej Mitrovicës, Muda Shehu, Sheh Hasani, Luk Simon Mjeda dhe Pjeter Vuçaj prej Prizrenit, Tahir Zajmi prej Gjakoves dhe Qazim Bllaca prej Suharekës, që ishin ngarkue me organizimin e Kuvendit në Kosovë kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për krijimin e komiteteve përkatëse në të gjitha prefekturat, Nënprefekturat dhe Komunet në Kosovë, Tetovë, Dibër dhe Ulqin etj. Përnjiherë qenë dhanë udhëzimet e nevojshme për zgjedhjen e përfaqësuesëve të krahinavet shqiptare të sipërshenueme që do ta merrshin pjesë në Kuvend. Mbar popullësija e këtyne Prefekturave caktoj për secilën Prefektur nga dy përfaqësues simbas sistemit demokratik me vota të dyta. Mbledhja e Kuvendit u ba me 16 Shtator 1943 nën entusiazmin e madh të popullësisë së Prizrenit dhe të krahinave të tjera të Kosovës Kuvendi që njizanit u pagëzue “LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT”, caktoj pikat e rendit të ditës, zgjodhi Kryesinë të përbame prej: Musa Shehu, Kryetar, Aqif Bluta, Nënkryetar, Rexhep Krasniqi, Nënkryetar dhe Bedri Gjinaj, Sekretar, dhe u muer me probleme të kohës siç vijon:
1) Bisedime mbi shpalljen e vullnetit të popullit për bashkimin e viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit dhe të Tuzit si pjesë integrale të shtetit shqiptar.
2) Mbi bashkimin me Shqipni gjithashtu të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe Pazarit të Ri që ndodheshin nën pushtimin gjerman administrativisht bajshin pjesë në shtetin serb.
3) Mbi organizimin politik e ushtarak të popullit dhe përgaditjen e mbrojtjes së kufijve etnik.
4) Mbi krijimin e nji komitetit qendror me seli në Prizren dhe të nënkomiteteve në të gjitha qendrat e tokave të lirueme për të drejtue veprimtarit e nevojshme të qeverisjes dhe mbrojtjes së vendit.
5) Mbi përpilimin dhe aprovimin e Kushtetutës së organizatës kombëtare LIDHJA E PRIZRENIT.
6) Mbi proceduren që do të ndiqet për zgjedhjen e përfaqësive së Krahinave të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit e të Tuzit për në Kuvendin Kombëtar që do të mbahej në Tiranë.
Kuvendi vazhdoj bisedimet e veta mbasi zgjodhi të gjitha pikat të shenueme ma sipër dhe u shpërnda me 23 Shtator 1943, tue ngarkue si autoritet suprem nji Komitet Qendror të përbamë prej Kryetarit Bedri Peja dhe 6 antarëve.
Kuvendi Kushtetues Kombëtar në Tiranë:
Përfaqësuesit e Kosovës të cilët do të merrshin pjesë në Kuvendin Kombëtar ishin zgjedh me frymë demokratike në mbështetje të udhëzimeve të LIDHJES dhe të nji qarkores së Komuitetit Ekzekutiv në Tiranë. Nji veprim i till për pjesën e Shqipnisë së 1913-tës ishte teknikisht e pamundëshme të realizohet nga rrethanat kaotike që ekzistojshin në atë kohë atje. Prandaj, nji komision i zgjedhun prej Komitetit Ekzekutiv të Tiranës i përbamë prej përsonaliteteve të shqueme shqiptare që ndodheshin në Tiranë, që u kryesue prej patriotit të njoftun Lef Nosi, kështu merr persipër me zgjedhë përfaqësuesit e të gjitha Perfekturave të Shqipnisë 1913-tës që do të merrshin pjesë në kërë Kuvend.
Në këtë ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv, tue u marrë me pikat e shenueme ma parë të veprimtarisë së vet, në radhë të parë pranoj dorëheqjen e kabinetit të maparëshmëm që u paraqitë në tanësi në godinën e kryeministrisë në Tiranë. Mandej me disa veprime të shpejtueme por efektive, iu vuni fre sa ishte e mundshme veprimeve kriminale, si atentateve, djegjeve dhe vjedhjeve së pasunisë shtetnore dhe private në Tiranë dhe qytete tjera të vendit. Në këtë mënyrë, mund të thuhet se autoriteti shtetnor filloj të forcohet sa me u ba e mundshme mbajtjen e Kuvendit. Siç ishte parapa, Kuvendi u hap me 13 Tetor 1943 në ish pallatin mbretnor në rrugën Tiranë-Elbasan. Simbas rregullave të zakonshme, Kuvendi Kushtetues Kombëtar në të cilin për të parën herë në historinë kombëtare, merrshin pjesë përfaqsuesit e zgjedhun të krahinave shqiptare të ish mbretnisë Jugosllave, të lanuna padrejtësishtë jashtë kufinit të Shqipnisë së 1913-tës, zgjodhi kryesinë e vet të përbame prej Lef Nosit, Elbasan, Kryetar, Mark Gjon Markaj, Kapidan i Mirditës, Nënkryetar, Dr. Rexhep Krasniqi, Kosovë, Nënkryetar.
Megjithë përpjekjen e komunistave me e ba të pamundshme mbajtjen e Kuvendit, mbledhja kombëtare vazhdoj punimet e veta në lidhje me programin e rendit të bisedimeve të caktueme nga Kryesija. Pikat kryesore të këtij programi ishin:
1) Anulimi i statusit që kishte kalue Shqipnija gjatë okupacionit italian dhe rishpallja e pamvarsisë shtetnore shqiptare.
2) Anulimi i kushtetutës dhe i të gjitha ligjeve të imponueme gjatë okupacionit të huej dhe kthimin e statusit ligjor të përiudhës së pamvarsisë.
3) Megjithë qenjen e ushtrisë gjermane në tokat shqiptare, shpallja e neutralitetit shqiptar në konfliktin e madh botnuer në vijim e sipër.
4) Mbështetje të kërkesës së njizanit të përfaqsisë legale të tokave shqiptare të ish Mbretnisë Jugosllave, nën nji atmosferë të entusiazmit të papërshkrueshëm, bahet Shpallja e bashkimit të tokave dhe e popullsisë shqiptare të shenueme ma sipër me shtetin shqiptar.
5) Zgjedhja e Këshillit të Naltë të Regjencës si autoritet suprem të përbamë prej patriotëve ndër ma të shquem të kohës: Mehdi Frashëri, Patër Anton Harapi, Lef Nosi dhe Fuad Dibra.
Mbas betimit të bamë të antarëve të Këshillit të Naltë të Regjencës, me përjashtim të Patër Anton Harapit, i cili ma vonë kreu betimin e vet para Parlamentit, Kuvendi Kombëtar Kushtetues u transformue në nji Parlament, në të cilin për arsye të gjendjes të luftës bajshin pjesë vetëm fraksione të krahinave që kishin marrë pjesë në Kuvend. Në vend të Lef Nosit, Kryetarit të Kuvendit, që u zgjodh antar i Këshillit të Naltë të Regjencës, u zgjodh nji kryetar i ri i Kuvendit dhe ma vonë të Parlamentit, patrioti veteran i mirënjoftun Idhomen Klosturi prej Korçës. Ky i fundit pak ditë ma vonë ra viktim e nji atentatit të përgaditun nga komunistët. Kryesia e Parlamneit u plotësue së shpejti me zgjedhjen Prof. Mihal Zallarit si Kryetar.
Formimi i Qeverisë:
Këshilli i Naltë i Regjencës, mbas konsultimeve të zakonshme, ngarkoj z. Rexhep Mitrovicën në formimin e qeverisë. Ky pa vones muer kontaktet e nevojshme me përsonalitete shqiptare dhe me grupe politike, të njoftuna nacinaliste shqiptare, megjithqë sa prej tyne formalishtë gjindeshin në luftën e rezistencës kundër okupatorit të ri. Mbrenda nji kohe të shkurtë Kabineti i kryesuem prej Rexhep Mitrovicës u paraqitë para Parlamentit në këtë formacion:
Kryetar i qeverisë…………………………….. Rexhep Mitrovica
Ministër i Drejtësisë…………………………. Rrok Kolaj
Ministër i punëve të mbrendshme…….. Xhafer Deva
Ministër i ekonomisë………………………… Ago Agaj
Ministër i financave………………………….. Sokrat Dodbiba
Ministër i botores……………………………… Musa Gjylbegaj
Ministër i Kulturës e propagandës…….. Kol Tromara
Ministër i arsimit…… ……………………….. Koço Muka
Ministër i punëve të jashtme …………….. Bahri Omari.
Nënsekretar i shtetit………………………….. Vehbi Frashëri, Qazim Bllaca dhe Ernest Çoba.
Kjo qeveri që merr pelqimin e plotë të Palamentit, siç mund të shifet, përbahej prej përsonaliteteve politikë të të gjitha krahinave shqiptare, disa prej të cilëve konsideroheshin si përfaqësuesë të grupeve politike nacionaliste që formalisht gjideshin në luftë të qendresës kundër okupatorit.
Si mbas programit të paraqitun para Parlamentit detyratë kryesore të kësaj qeverie ishin me sigurue qetsinë e mbrendshme në të gjitha fushatë e jetës shtetnore; me shque pozitën neutrale të Shqipnisë në botën e jashme, gja qe u njoftue zyrtarishtë me vijën diplomatike të shteteve neutrale siç ishin Vatikani, Zvicra, Turqia, etj. Mbi këto u banë edhe këto vepra; shpallja e lirisë së plotë të mbledhjeve, të fjalës dhe e shtypit për të gjitha grupet politike me përjashtim të partisë komuniste. Ndërmjetësimi pranë shtetit Gjerman për çlirimin e të gjithë atyne shqiptarëve që gjindeshin të internuem në Itali, ndërmjetësimi pranë shtetit gjerman për transferimin prej Romës në Tiranë e të gjitha banknotave shqiptare (120 milion franga) që ndodheshin në Banca D’Italia në Romë, dhe njikohësisht të veglave për shtypjen e banknotave në fjalë. Përpjekjeve për konsolidimin e jetës ekonomike-tregtare që kishte psue tronditje të thella si rrjedhje e kapitullimit të Italisë.
Midis masave të marruna nga qeveria në sheshin ekonomik dhe financjar, lypset shque marrëveshja monetare me shtetitn gjerman, gja që i siguronte monedhës shqiptare të drejtën e qarkullimit të vetëm në tokën shqiptare dhe, që detyronte shtetin gjerman për nevoja t’ushtrisë vet në Shqipni me ble frangat shqiptare me monedha ari.
Mbi të gjitha, qeveria gjermane kishte transferue prej Bankës D’Italia në Romë në Reichsbank-un e vet në Gjermani rezervat e Bankës Kombëtare të Shqipnisë, që përbajshin shumën prej 8 milion Franga në blloqe ari, shumë e cila paraqiste mbulesën shqiptare në qarkullim. Kjo shumë ishte gadi me iu dorzue qeverisë shqiptare e cila mendonte me e depozitue në Zvicër. Për arsye të ndryshme që kryesisht kishin të bajnë me transportimin e vështirsuem nga rrethanat e luftës. Rezerva e arit në fjalë mbeti në Reichsbank-un gjerman. Siç dihet, mbas mbarimit të luftës kjo depozit ari e Bankës Kombëtare Shqiptare u bllokue nga Anglia.
Faza e fundit e luftës kundër komunistave:
Siç asht shque ma sipër, detyra kryesore e qeverisë ishte me formue nji bashkim të të gjitha fuqijvet nacionaliste me qellim me ndalue marrjen e fuqisë nga ana e levizjes së quejtun nacional-çlirimtare. Për rrethana që kishin të bajshin me relatat e grupave nacionaliste shqiptare me misionin e aleatëve, qeveria e Rexhep Mitrovicës nuk qe në gjendje me plotsue këtë detyrë në të plotët. Për këtë arsye Grupi Kosovar mbrenda qeverisë qe për arsyena të njoftuna prej të gjithve ishte posaçerisht i interesuem me pengue marrjen e fuqisë në Shqipni nga komunizmi i lidhun ngushtë dhe e udhëhequn nga Serbo-Ruso-Malazezët, u detyrue me sjell nji regjiment të përbamë prej kosovarëve me qellim me asgjesue përpjekjetë komuniste me sundue Shqipninë. Në anën tjetër regjimenti dhe grupe të ndryshme të vendosuna antikomuniste të Shqipnisë, ashtu edhe në anën e nji propagandes së fortë, të shtypit dhe të radios, u ba e mundshme me prapsue hovin e përparimeve komuniste dhe me e vu atë në defensivë.
Mirëpo, me gjithë këto përpjekje pozitive, rrethana që kishin të bajnë me zhvillime në sheshin ndërkombëtar të luftës së madhe në vijim, pozita e forcave nacionaliste në Shqipni dita-ditës erdhi tue u dobësue. Ky fakt detyroi forcat kosovare të braktisnin vazhdimin e nji luftes në humbje e sipër në Shqipnin, dhe të koncentrohen me të gjitha energjitë e tyne në mbrotjen e kufijve etnik që së shpejti pritej të sulmoheshin nga partizantë komunist, ashtu dhe forcat shoveniste serbo-malazeze-maqedone. Si rrjedhoj, qeveria e Rexhep Mitrovicës dha dorëheqjen në Qershor të Vitit 1944. Të dy qeveritë e ardhshme të kryesueme nga Fiqiri Dine, respektivishtë prej Ibrahim Biçakut, u formuen pa pjesmarrjen e Gupit Kosovar.
Përiudha Shtator 1943 – Nandor 1944
Para shpalljes së kapitullimit të Italisë, gjendja në Shqipni, tue përfshi edhe vendet fqinje, shkurtazi paraqitej si vijon.
Ushtrija Italjane:
Afër 7 divizione të kambsorisë të vendosuna nëpër qytetet kryesor të Shqipnisë, gjatë kufijvet të Greqisë, në Mal të Zi, në Dalmaci dhe në Sanxhak të Pazarit të Ri. Pëveç këtyne, ishin edhe dy regjimente të thjeshtë shqiptare të karabinerisë të vendosuna në qytetet e Prishtinës dhe të Gilanit në Kosovë. Me përjashtimin e aeroporteve të Beranës dhe të Podgoricës (Mal i Zi) aeroportet në Shqipni gjindeshin në atë kohë nën kontrollin e plotë të ushtrisë gjermane.
Masat ushtarake gjermane:
Dy divizione të ushtrisë gjermane, në pritje të ngjarjes së shenueme ma sipër, ishin përqendrue rreth e përqark të lufijve të Shqipnisë, tue fillue prej Greqisë veriore deri në Mitrovicë, gadi me ndërhy me shpejtësi të madhe.
Gjendja e mbrenëshme në Shqipni:
Nji qeveri shqiptare nën kryesinë e Ekrem Libohovës, i cili me kohë ishte largue në Itali, gjindej e kryesueme prej Iliaz Haxhi Agushit prej Prishtinës. Kjo qeveri ishte sa për emen, mbasi kishte humb pothuej krejtë kontrollin e drejtimit shtetnor për arsye se vendi gjindej në kaosin e plotë të nji lufte të pamshirëshme vllavrasje midis nacionalizmit të vërtetë dhe komunistëve të mbuluem nën emnin e famëshëm “nacional-çlirimtar”. Në Shqipnin e jugut lufta në mes të këtyne dy grupeve gjindej në fazën decisive të dallimit të marrjes së fuqisë. Siç dihet, kjo luftë përfundoj muej ma vonë me fitimin e nacional-çlirimtares. Shqipnia e mesme dhe e veriut gjindej nën presionin e madh të agjitaconit dhe të propagandës së mbrendshme dhe të jashtme komuniste dhe të radiovet perendimore. Ndër këto rrethana, natyrishtë jeta normale e popullatës shqiptare kishte psue nji tronditje të thellë. Komunikacionet midis qytetevet të Shqipnisë ishin vazhdimishtë të rrethueme jo vetëm prej luftës civile, por edhe prej bandave kriminelësh që vritshin dhe plaçkitshin udhtarët. Ndër qytetet, organet e sigurimit të dobësueme dhe të frigsueme, nuk ishin në gjendje me mbrojtë jetën dhe pasunin e popullsisë që gjindej vazhdimisht nën terrorin e atentateve politike dhe të hakmarrjeve përsonale. Shkurtasi, gjendja në Shqipninë e 1913-tës kishte mbrri në nji shkallë që nuk mund të flitej ma për nji jetë të përbashkët të rregullit e të drejtsisë shtetnore.
Gjendja në Kosovë:
Në kontrast me sa ma sipër, gjendja në Kosovë paraqitej normale edhe e qetë. Megjithëse nuk ekzistojshin ma lidhje normale të drejta me Tiranën, administrata shtetnore tue përfshi edhe organet e sigutimit publik vazhdonte me funksionue në rregull të plotë. Koscient të rrezikut të përherëshëm nga ana e grupeve shoveniste Serbe (çetnikëve) formacionet vullnetare Kosovare që ishin ngarkue me mbrojtjen e kufivet, gjindeshin në krye të detyrës.
Në pragë të kapitullimit italiuan:
Në mbështetje të marrveshjes me Përfaqsuesin e Plotfuqishëm për Evropën Juglindore të Ministrisë Jashtme të Gjermanisë, Dr. H. Neubacher, shteti gjerman kishte dhanë sigurime për sa vijon:
A) Bashkimin e krahinave shqiptare të Kosovës, Tetovës, etj, që gjindeshin nën okupacionin ushtarak italjan me shtetin shqiptar të 1913-tës.
B) Vazhdimin përkohsisht me mbajtë statusin e deritanishëm të nënprefekturave të banueme me shumicë prej shqiptarëve, të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe të Pazarit të Ri, që gzojshin nji autonomi shqiptare mbrenda shtetit Serb.
C) Gjermania në nji çastë të volitshëm me ngjarjet në zhvillim e sipër të kapitullimit italian, të bante nji shpallje zyrtare, në të cilën të njihej shkputja e shtetit shqiptar nga perendoria italjane dhe pamvarsia shtetnore e tij.
D) Gjermania përgjatë luftës së madhe në vijim do të vendoste formacione ushtarake në disa pika strategjike të Shqipnisë tue premtue tërhjekjen e tyne të plotë në mbarim të luftës.
Në dijeni të plotë të gjendjes të shkrueme ma sipër, mbas nji udhtimi të shpejtë prej Beligradit në Mitrovicë, mbrrina me 7 Shtator 1943 në Prizren. Për nji herë mora kontaktet e nevojshme me parinë e Prizrenit dhe me disa përsonalitete shqiptare që gjindeshin aty, dhe së bashkut vendosem me ba nji mbledhje, në të cilën të bisedoheshin të gjitha problemet që mund të rrjedhshin nga kapitullimi italian. Për këtë qellim të gjithë ishim të nji mendimit se mbajtja e nji Kuvendi në Prizren, ku të merrshin pjes përfaqsues të zgjedhun të të gjitha krahinave shqiptare të ish mbretnisë jugosllave për me themelue nji organizatë që do të fliste dhe vepronte në emen të ksaj popullate shqiptare. Në bazë të propozimit të bamë prej Tahir Zajmit, mbledhja pranoi njizanitë që kuvendi i ardhshëm të ketë emnin Lidhja e Dytë e Prizrenit, si pasardhës i Kuvendit Historik të Lidhjes së Parë të Prizrenit. Me qellim me përgaditë sheshin e mbajtjes së atij kuvendi u caktue nji Komitet i përbamë prej shtatë përsonash që kryesohej prej patriotit të vjetër të Prizrenit, Musa Shehut.
Mbas ktyne vendimeve vazhdova udhtimin për në Shkodër, ku me 8 Shtator msova kapitullimin e Italisë. Pa humb kohë vazhdova udhtimin për në Tiranë me nji qellim të paracaktuem, të çlirimit nga Kampi Porto Romanos afër Durrsit të disa parijve të njoftun të Kosovës të internuem prej italianve siç ishin: Rexhep Mitrovica, Bedri Peja, Xhelal Mitrovica, etj. Bashk me këto përsonalitete u formue nji përfaqësi që mund të fliste në emen të Kosovës me përfaqsuesit e dalluem të Shqipnisë së 1913-tës.
Kështu, përpjekjet e Aqimoviqit me shokë në Belgrad me mbajtë në kambë status-quon e para 6 Ptillit 1941 në Kosovë deshtuen.
Përfaqsuesit e krahinave të naltëpërmenduna u mblodhen prap në bashkinë e Mitrovicës dhe moren vendime të duhuna në lidhje me organizimin e administratës shqiptare, zgjodhen prefektin në përsonin e kryetarit të Bashkisë së Mitrovicës me prerogativen për dekretimin nënpunsave shqiptar dhe serb tue respektue përqindjen që serbët kishin në nëprefektura të ndryshme. Me gjithë veshtirsitë, për shkak të mungesës së shqiptarve të kualifikuem, organizimi i administratës u plotësue mbrenda nji kohe relativisht të shkurtë. Gilani dhe Ferizaji u përfshinë ma vonë.
Prijsatë dhe intelektualt shqiptar të Kosovës që kishin gjetë strehim në Shqipninë e 1913-tës filluen me u kthye në vendet e tyne pa u ndesh në ndonji pengim nga ana e ushtrisë gjermane. Shumë bashk-atdhetar shqiptar të Shqipnisë së 1913-tës nuk kishin mungue. Nji kufi artificial qe kishte nda shqiptarin prej shqiptarit, de facto ishte zhduk.
Në bazë të nji marrveshje në mes të Berlinit dhe të Romës, në fundin e Majit 1941, gjendja si u përshkrue ma sipër pësoi nji ndryshim me randësi. Për shkak të minjerave të plumbit, zinkut dhe argjendit në Mitrovicë, nji vij e demarkacionit në mes zonës të okupacionit ushtarak gjerman dhe italian u caktue. Në këtë mënyrë 4 nënpërfektura: Mitrovica, Vuçitërni, Podujeva dhe Pazari i Ri mbeten nën okupacionin ushtarak gjerman dhe si pasoj shqiptarve të ktyne krahinave iu imponue nji solucion që pajtohej ekskluzivisht me interesa gjermane, me çdo kusht me mbajt minjerat për nevojat e tyne dhe mos me i dorzue italianve. Megjithë autonominë e gjanë këto krahina administrativishtë duheshin të bajnë pjes në shtetin serb. Gjthashtu nji vij e demarkacionit u caktue në mes zonave ushtarake gjermane, italiane dhe bullgare. Shkupi, Kaçaniku, Presheva, Kumanova, Ohri dhe Prespa mbeten nën okupacionin ushtarak bullgar. Pjesa ma e madhe e Kosovës mbetiu nën okupacionoin ushtarak italian dhe administrativisht u bashkuen me shtetin shqiptar.
Megjith okupacionin italian të Shqipnisë së 1913-tës nji qeveri shqiptare me në krye Shefqet Verlacin kujdesohej me dhanë përshtypjen që Kosova ishte shkri me Shqipninë e 1913-tës. Dhe ishte gadi me plotsue mungesat e mdhaja sidomos në fushat e arsimit shqiptar, jo vetëm në krahinat e bashkueme por edhe në 4 nënprefekturat shqiptare nën okupacionin gjerman. E quej për datyrë me vu në dukje në këtë rast kontributin e paçmueshem të Prof. Ernest Koliqi, ministrit të Arsimit në kabinetin e Shefqet Verlacit dhe mirënjohjen ma të thellë të popullsisë shqiptare të Kosovës, arsimtarëve shqiptar të Shqipnisë së 1913-tës për kontributin dhe sakrificat e tyne me ba të mundun atë që djemtë dhe vajzatë shqiptare të Kosovës kanë gzue në atë kohë dhe vazhdojnë me gzue në vendet e tyne.
Gjatë Maj 1941 pjesa e madhe e ushtrisë gjermane ishte tërhjek prej Kosovës dhe Maqedonisë. Ndërsa gjendja në Kosovë ishte normalizue, në Maqedoni ushtrija bullgare kishte krijue nji administratë civile thjeshtë bullgare. Gjatë sundimit bullgar trajtimi i popullatës shqiptare në vendet që u shenuen ma sipër as nuk mund të barazohej me sundimin gjatë kohës së mbretnisë jugosllave.
Me qellim me lehtësie barren e rand të ushtrisë gjermane në Serbi, edhe për shkak të natyrës ekonomike të Gjermanisë, administrata ushtarake gjermane në Serbi (Militaerwaltung Serbien me në krye Staatsrat Turnerin) kishte ngarkue Gjeneral Nediqin me formue qeveri serbe. Elementa ultranacuonalist serb (organizata e çetnikëve mshefun nëpër male) inkurajuem prej këtij akti kishte fillue nji farë aktiviteti në kufijtë etnik shqiptar tue u shtri edhe në disa katunde serbe mbrenda kufijve të përfekturës së Mitrovicës, sa me provokue ndeshjet me gjindarmerinë shqiptare rishtazi të krijueme, pa korrë ndonji sukses.
Mbas plasjes së luftës midis Gjermanisë dhe Rusisë (22 Qershor 1941) levizja nacionale serbe nën komenden e Drazha Mihajloviqit kishte fillue aktivitetin nëpër malet e Uzhicës, Kopaonikut dhe Golinës. Konvojt e ushtrisë gjermane sulmoheshin prej çetnikve dhe reprezaljet gjermane ishin në rendin e ditës. Në Bosnje dhe Hercegovinë ndeshjet në mes të çetnikçve dhe të ustashëve kroat kishin marrë formen e nji lufte civile. Në dimnin 1941-1942 aktiviteti i së njajtes levizje ishte shtri edhe në kufijtë etnik shqiptar. Konscient të rrezikut dhe të organizuem me kushtrim iu bante ball këtyne sulmeve.
Me sjelljet barbare të tyne, sidomos kundër muslimanve të Bosnjes së jugut dhe në Sanxhakun e Pazarit të Ri, çetnikët e Drazha Mihajloviqit kishin përgadit sheshin për intervencionin e komunistëve të Titos. Të organizuem me nji diciplinë të hekurtë dhe zotësi në fushën e propahgandës, levizja e Titos kishte sigurue përkrahjen e rinisë, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në këtë mënyrë shpallë luftë jo vetëm kundër okupatorit por edhe kundër Drazha Mihajloviqit dhe qeverisë serbe në Beligrad.
Ndalimi i ofensivës gjermane para Moskës në dimin e vitit 1941/ 42, ma vonë qendrimi i armatës ruse në Stalingrad, ndërhymja e Shteteve të Bashkume të Amerikës në luftë dhe deshtimi i ofensivës gjermane në Afrikën e veriut, ishin ngjarje me randësi në zhvillimin e luftës. Levizjet me rezistue okupatorin gjerman në shtetet e Evropës vijshin gjithnji tue u shtue. Sado në dukje paradoks, dy shtete të mbëdha me sistemin tradicional demokratik ishin bashkue me sistemin totalitar shumë i urrejtun prej popujve të tyne para dhe gjatë Luftës II Botnore për shkak të coptimit të Polonisë midis Rusisë dhe Gjermanisë, me qellim me zhduk agresionin dhe ekspansionizmin gjerman. Sidomos në Evropën jug-lindore kto levizje paraqiteshin me krakter dhe qellime kryekput në kundërshtim me njana-tjetrin. Ndërsa okupacioni gjerman si për pjesen nacionaliste po ashtu edhe për pjesën komuniste ishte shkaku kryesor me luftue me slloganin “LIRI”, secili në kuptimin e vet, gjithë përpjekjet e misioneve anglezë dhe amerikanë pranë ktyne levizjeve, për shkaqe ideologjike dhe tendenca politike që secili prej tyne ndiqte, nuk kishte asnji mundësi me harmonizue kto dy rryma.
Gjatë vitit 1942 misionet angleze kishin udhëzimet e tyne prej qendres me përkrah vetëm atë levizje qe vret ma shumë gjerman ose shkakton ma shumë dame anmikut të përbashkët gjerman, me të vetmin qellim me angazhue sa ma tepër divizione gjermane në luftë kundëra tyne. Ndërsa, levizjetë me karakter nacionalist, impresionuem prej raprezaljevet nga ana gjermane (për vrasjen e nji ushtari gjerman 100 burra që nuk kishin të bajnë me këto levizje pushkatoheshin) ishin të shtërnguem me peshue konsekuencat e çdo ndërmarrje kundër gjermanve, levizja komuniste e Titos kishte si parim me provokue sa ma tepër raprezalje nga ana gjermane me qellim me shtue radhat dhe fuqinë e tyne me rininë e frigueme me u ba viktim e raprezaljeve.
Aktiviteti i levizjes komuniste me luftue okupatorin gjerman kudo që i paraqitej rasti, dhe pa veshtrim të raprezaljeve, gja që përputhej me interesatë angleze, Tito kishte sigurue përkrahjen materiale angleze. Megjithë kundërshtimin nga ana e misionit amerikan pranë misionit anglez. Ndihmat levizjes së Drazha Mihajloviqit ishin paksue aq sa me dobësue moralin e ndjeksve të tij. Për shkak të këtij qenrimit anglez, njisitë e Drazha Mihajloviqit në zonat e okupueme italiane – Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe në Mal të Zi – nën komenden e Pavle Gjurishiqit, kishte pranue bashkëpunimin me okupatorin italian me të gjitha mjetet, nën pretekstin me luftue lëvizjen komuniste. Me legalizimin e kësaj levizje, shtabi i Pavle Gjurishiqit ishte transferue prej maleve të Vasoviqit në Beran pranë nji divizionit italjan garnizouem në Beran dhe Andrevicë.
Në realitet objektivi i Pavle Gjurishiqit nuk ishte me luftue komunistët. Qellimi kryesor i tij ishte me shpërthye koridorin e Sanxhakut të Pazarit të Ri tue pushtue edhe do krahina pjellore të Kosovës për t’u bashkue me pjesen e madhe të levizjes të Drazha Mihajloviqit në Serbi. Sulmet e kësaj levizje kanë vazhdue tue fillue prej Frorit deri në Qershorin e Vitit 1942. Të vetëdijshëm nga ky rrezik, populli shqiptar i Kosovës, vetëm me kushtrime, ka plotësue detyren e vet tue mbrojtë kufijtë etnik shqiptar pa dorëzue nji pllamb toke të tyne.
Qendrimi indiferent i ushtrisë italjane ndaj këtyne sulmeve të çetnikëve nuk ka pas efektin e vet vetëm në popullin shqiptar. Qarqet ushtarake gjermane nuk i shifeshin me sy të mirë këto manovra italiane, plotsishtë konscient të randësisë që koridori kishte. Kështu në veren e vitit 1942 nji divizion alpin gjerman (Erste Gebirgsjaeger Divsion) ishte transferue në Prefekturen e Mitrovicës, në dukje për rehabilitim. Si u pa ma vonë, misioni i këtij divizioni gjerman ishte me iu dhanë fund këtyne manovrave italjane, njikohësisht edhe aktivitetit të çetnikëve të Pavle Gjurishiqit. Pa pritmbas dhe pa vu në dijeni shtatmadhjorinë italjane, me 21 Korrik divizioni në fjalë kaloi vijën e demarkacionit që ndante zonën italjane prej asaj gjermane dhe mbrenda nji jave operacionesh në Vasojeviq (Andrievic dhe Berane) çetnikt në krye me komandantin e tyne – afër 1.200 iu dorëzuen gjermanëve për me u transportue si rob lufte në Gjermani. Mbas kryemjes së misionit ky divizion u tërhoq në drejtim të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Me këtë ngjerje, për të parën herë antagonizmi në mes të Romës dhe Berlinit duel në shesh.
Në përgjithësi gjendja në Kosovë prap u normalizue. Me dallim prej popujve të tjerë të Evropës nën okupacionin gjermano – italjan (Greqi) që vuejshin për mungesë të gjanave ushqimore për me mbet gjallë, në realitet populli shqiptar as që ndiente këtë mungesë esenciale, mbasi Kosova kujdesohej me sigurue jo vetëm buken por edhe bylmetin.
Sa me turbullue gjendjen dhe të shtymë prej të mirave, në fillimin e 1943 nji rrezik tjetër kishte fillue me tregue shenjat e veta në Kosovë. Prezenca e agjentëve të nacional-çlirimtares të Shqipnisë në Gjakovë dhe Pejë, me mision me organizue rininë shqiptare të Kosovës në celula komuniste për me luftue për liri… me luftue okupatorin që kujdesohej me sigurue tekstilet, sheqerin dhe kafen po këtyne shërbtorëve të Miladin Popuoviqit dhe Dushan Mugoshës , si të ngrakuemit e Titos…
Me qellim me hetue burimin e këtij aktiviteti me dukej e nevojshme me ba nji udhtim rreth e përqark Kosovës dhe në Tiranë, përfundimi i këtij usdhtimi ishte:
1) Në Kosovë:
Me përjashtimin e disa të rijve që kishin krye mësimet në universitetet e Jugosllavisë, por ishin indoktrinue në Marksin dhe Leninin qysh në kohën e mbretnisë, kishen gjetë nji rini të zellshme me vazhdue shkollat shqipe dhe gadi me dhanë kontributin e tyne për mbrojtjen e status-kuos në Kosovë mbas shkatrrimit të mbretnisë jugosllave. Të rijtë që kishin krye studimet në universitete, dhe të ngarkuem me detyra në degët e tyne denojshin rrebsishtë aktivitetin e agjentëve shqiptar. Prijsatë e katundarëve në të gjitha krahinat e Kosovës kishin ndigjue diçka dhe marrë të gjitha masat me zhdukë këta agjenta kudo që të paraqitën.
2) Në Shqipninë e 1913-tës:
Mbas bisedimeve të shumta me parinë, përsonalite të jashtë qeverisë “fashiste”, nënpunësa të naltë, etj., përshtypja ime: Gjermania kishte humb luftën, dhe për këtë shkak diçka duhej ba. Asnji prej atyne përsonaliteteve nuk ishte në gjendje me dhanë nji definicion ma kjartë se çfarë masash duheshin të mirren. Fakti që nji levizje, thjeshtë komuniste, së pakti ishte në organizim e sipër nëpër qytetet e Shqipnisë dhe në qendër në Tiranë, jo që nuk pranohej prej parisë, por në mënyrë kategorike demantohej tue i dhanë nji karakter thjeshtë kombëtar levizjes të “rinjëve”. Në qarqet e qeverisë (në krye me Mustafa Krujen), mendimi ishte që “nacional-çlirimtarja” jo vetëm që ishte e organizueme por ishte edhe në veprim.
Mbas përfundimit të udhtimitë, ishte tepër vështirë me përpunue pasqyren e gjendjes kaotike të Shqipnisë. Nji gja e kuptova mirë; standardi i jetesës ishte naltësue dhe përmirsue aq sa dukej e pabesueshme.
Transferimi i divizioneve gjermane prej frontit të Rusisë në Serbi, levizjet e njisive speciale të ushtrisë gjermane në Dalmaci, Sanxhak e Pazarit të Ri por sidomos në Greqi ishin signifikativ dhe tregojshin kjartazi që diçka ishte tue vlue. Kjo “diçka” interpretohej në shumë mënyra, por afër logjikës ishte: nji tentative të aleatëve me zbarkue në bredgetin e Adriatikut.
Në muejin Qershor – 43 Fuad Dibra kishte ardh në vizitë, ngarkue prej nji rrethi të ngushtë të liderve të Shqipnisë me qellim me rrah problemet që mund të rrjedhshin në rast të nji shkëputje së Italisë prej aleancës me Gjermaninë. Mbas bisedimeve tre ditsh vendosëm me ba nji udhtim në Beligrad për me hetue se çfarë do të ishte qendrimi gjerman ndaj Shqipnisë në rast të kapitullimit të Italisë. Rezultati i hetimeve ishte: Ushtria gjermane ishte përgaditë me intervenue në Shqipni në rast të nji zbarkimit të aleatëve qoftë në Greqi, qoftë në Shqipni. Me insistimin e Fuad Dibrës me duhej me e shoqnue atë në Tiranë me qellim të pleqnimit se çfarë masa dushen të miren nga ana shqiptare. Mbas bisedimeve të gjata me prijsatë që kishin ngarkue Fuad Dibrën me ba udhtimin në Mitrovicë dhe në Beligrad dhe pa konkludue asgja, ishem kthye në Mitrovicë.
Me 5 Shtator 1943 ishem thirr me urgjencë nga ana e Dr. H. Neubacher, fqiplot i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë me qendër në Beligrad.
Përmbledhja e bisedës me Dr. Neubacherin:
Në prezencën e kolonel V. Kohotekin, Dr. Neubacheri më tha që shpallja e kapitullimit ishte për t’u pritë mbrenda orëve ose ditës, tue shpjegue me hollësina se çfarë masash ushtarake ishin marrë, me qellim me evitue nji zbarkim të aleatëve në Shqipni. Tue u mbështet në miqësinë tradicionale që Perendoria Austro-Hungareze ka ushqye për Shqiptarët në të kaluemen, dhe qe ai si austriak kishte trashigue, çfaqi nevojen e krijimit të nji qeverie shqiptare tue përfshi edhe Kosovën, gadi me shpall shkëputjen e Shqipnisë prej mbretnisë italjane dhe pamvarësinë e saj, tue akseptue prezencën ushtarake gjermane deri në momentin e rrezikut e nji zbarkimi aleat të zhduket.
Mbas trajtimit të landës paraqitun prej tij tue prek edhe kandidatet që mund të vijshin parasysh me kryesue qeverinë, shfaqa mendimin se asnji shqiptar serioz nuk mundej të flasin në emen të popullit shqiptar. Tue marrë parasysh urgjencën dhe kohën tepër të shkurtë i sygjerova që nji përfaqësi nji këshilli të naltë, ose president republike, dhe aprovimin e nji konstitucioni, etj. etj. Tue hy në detale për sa i përket nji kryetarit të shtetit ose të nji qeverie eventuale vuna në dukje sidomos Mehdi Bej Frashërin, kryeministri i fundit i mbretnisë shqiptare, njoftun prej fjalimeve të tij para okupacionit të Shqipnisë prej Italisë, tue shtue se Mehdi Beu jeton si i internuem i shtetit italjan. I interesuem me ditë nëse Mehdi Beu kishte me pranue bashkëpunimin me shtetin gjerman, i thash që i biri i tij ndodhet në Beligrad dhe sugjerova që vetëm ai kishte me qenë në gjendje me skjarue këtë pikë. Pa humbë kohë shkova në qytet dhe u pashë me z. Vehbi Frashërin tue spjegue bisedën që kishim pas me Dr. Neubacherin, z. Vehbi Frashëri pranoj që të shkojmë së bashku në Dedinje të Belgradit. Iu dha rasti me bisedue me Dr. Neubacherin dhe iu përgjegj që vetëm i ati i tij Mehdi Bej Frashëri mund të përgjegjet pyetjeve të tij, por që në rendin e par çlirimi i Mehdi Bej Frashërit duhet të plotsohej prej shtetit gjerman Dr. Neubacheri pranoj sygjerimin e z. Vehbi Frashërit dhe muer sipër me sigurue transportimin e Mehdi Bej Frashërit në Tiranë./shenja/