Elvis Hoxha
Këta janë shënime minimalë dhe kalimgtarë që një qytetar i Republikës së Shqipërisë ia adreson një tjetër qytetari të po kësaj Republike. Madje, edhe aty ku do të ndeshni termat humanist dhe intelektual, nuk do t’i gjeni të vendosur mes thonjëzash. Nuk janë aspak shterues, por vetëm thirrje për me dit’ se kush jemi, çfarë dimë, si edukohemi, e mbi të gjitha zbulimi i asaj se çfarë dinë serbët mbi ne që ne vetë nuk e dimë.
…
Historia e planifikimeve serbë në lidhje me shqiptarët ndoshta nis me Garashaninin. Ky ka kuptuar se Serbisë i duhet thelbësisht trashëgimia princore dhe jo respektimi i besimeve. Pra shtetit i duhet trashëgimia e sovranit për me mbijetu, ndërsa feja sa për me lujt me propagandat e aleancave dhe armiqësive.
Në aspektin e një pedagogjie mbi shtetimin, Gaashaninin duhet ta vendosim përballë mendësisë sonë të përgjithshme. Sepse është mendësi kundër mendësie në lidhje me shtetin. Dhe në planin e serbëve, nevoja për me përfytyru shtetin nis prej sigurimit të fshehtë. A jemi për shtetin si funksion grumbullues i një shoqërie, a jemi për shtetin si funksion i përkohshëm apo si synim i përhershëm, a jemi për shtetin si përqëndrim i aftësive të shoqërisë apo për shtetin si shprehje e përkatësive në komb, prapëseprapë shteti mbetet një njësi funksionale që në kushtet e kontekstit aktualisht dhe afatgjatësisht ndërkombëtar kthehet në gjalluesin ose mbytësin e madh të cilësdo bashkësi njerëzore.
Çubrilloviçi mund të vendoset përballë një intelektuali si Sami Frashëri (një krahasim që është bërë tashmë prej Gëzim Mekulit në Publikja Shqiptare 3). Këtu kemi kundërtitë që prodhohen në lidhje me relacionin shtet-humanizëm ose shtet-njeri, sipas të drejtës ndërkombëtare e tillë siç qëndron kjo e fundit në përkufizimin e saj më të parë, si e drejtë e njerëzve.
Pra, nëse Garashanini merret me përcaktimin e strategjive të shprehura të përdorimit të shtetit, Çubrilloviçi merret me zmadhimin e shtetit serb nëpërmjet eliminimit, qoftë edhe zhdukjes së popujve të cilët nuk e kanë as gjuhën e as fenë e njëjtë. Kështu, nëse i pari është funksionar i inteligjencës së fshehtë të shtetit, i dyti është përcaktuesi intelektual i një shteti të bazuar në ndjenja antinjerëzore.
Kështu që Çubrilloviçi përcakton linjat e mendimit, nëse ky mund të quhet mendim:
- me përcaktimin e lashtësisë autoktone të serbëve.
- me evidentimin e gabimit kryesor të kryer prej autoriteteve serbë: “deshën t’i zgjidhnin problemet sipas metodave perëndimore”. Kritika e tij ndaj politikës serbe është se në të gejndet ende diçka prej humanizmi.
- me vërejtjen bazë të tipit “dëbim më shumë se kolonizim”. Koloni është serbi i futur mes popullsisë së huaj për me e heterogjenizu dhe për me i marrë territor.
- me kufizimin e domosdoshëm terminologjik intelektual serb, ku njerëzit në shumës janë bagëti ndaj dhe numërohen si bagëti: për Çubrilloviçin, “në trekëndëshin shqiptar” shqiptarët janë rritur ndaj kolonëve serbë me 9315 vetë. Madje ai flet për shqiptarët si për një tip “kokëfortë” gjedhësh.
Me faktin se edhe në përvojën e mefshtë të kolonizimit, autoritetet serbë nuk po tregohen ashtu siç do të duhej, ai ngulmon se kolonizimi nuk duhet të varet nga ndryshimet e qeverive. Sjellja kolonizuese e territoreve të shqiptarëve duhet të jetë elementi i vetëm konstant i qeverisjeve serbe. Gjithçka mund t’i ndajë serbët mes tyre, por kurrsesi qëndrimi ndaj shqiptarëve. Nga mund të nxjerrim se njësia intelektuale dhe politike e shtetit serb është ekstrakombëtare ngaqë njehsohet me zëvendësimin apo zhdukjen e një populli tjetër. Ky është shovinizmi.
Nga dhe vërejtja e tij se dhe kolonët e dërguar prej Serbisë nuk janë të ndërgjegjshëm për sa i takon ekonomisë kombëtare serbe: sipas Çubrilloviçit, shifrat mbi nevojat e kolonëve të Serbisë janë të fryra dhe të shtrenjta. Kolonët serbë nuk janë pra të paskrupullt sepse po i zënë hapësirën dikujt tjetër, por sepse po i rëndojnë ekonomisë shtetërore serbe. Kolonizimi duhet të matet me vlera të rendimentit. Prej intelektualit dhe historianit serb, shteti serb shihet si ndërmarrje kolonizimi.
Duke i qëndruar këtij akademizmi, duke i përcaktuar popujt sipas aftësive të tyre kolonizuese, por edhe me përkufizimin e vetë kolonizimit si punë që ka në bazë të vet zellin dhe jo përtacinë, Çubrilloviçi na njofton se malazezët nuk vlejnë për kësi punësh, ata janë përtacë. Megjithatë, intelektuali serb e pranon se raca malazeze ka shpresë për përmirësim. Brezi i dytë është më i zellshëm për kolonizim.
Erudizmi i tij mbi mjerimin është tepër i veçantë. Ai rihedh fuqishëm temën se varfëria fiton kuptim kur të prekurit prej saj kthehen masë sulmuese për një kolonizim më të shpejtë. Këshilla e tij është se kolonët e varfër duhet të pajisen me teknologji dhe mbështetje financiare. Ata po kolonizojnë shkurret. Ndaj dhe malazezët më të varfër duhet të konvertohen në ushtarë kolonizimi. Mjerimi është instrument efikas pushtimi. Atë varfëri që e kemi mbi supet tanë, mund ta kthejmë kundër jetës së tjetërkujt. Ja një perspektivë humaniste tipike për intelektualin serb.
Direktiva e tij është e qartë: “t’ua marrim tokën shqiptarëve”. Sepse ndërsa shqiptarët ishin mësuar me qenë të lirë prej pronësisë, janë serbët, na thotë Çubrilloviçi që ua mësuan pronësinë mbi tokën. Dhe njerëz që nuk e kanë parë tokën si të privatizueshme, nuk kanë pse të kenë tokë. Ja një përcaktim tjetër etno-sociologjik humanist i profesorit dhe historianit serb: “i mësuam shqiptarët me idetë evropiano-perëndimore lidhur me pronësinë private”. Historiani serb mund ta përdorte krejt ndryshe të njëjtin modus argumentimi. Ai mund të thoshte për shembull, se pikërisht se nuk e kishin një koncept të tillë, shqiptarët e pranuan mes tyre vendosjen e gjindjes sllave para më shumë se katërmbëdhjetë shekujsh. Ose, mund të ndërtonte një argumentim tjetër: marrëdhënia e shkëlqyer mes sllavëve e shqiptarëve bazohej në shkëmbimin mes palëve: një palë ofronte tokë, tjetra koncepte pronësie. Por natyrisht që intelektuali serb e sheh historinë me një kahje të vetme: atë të një bote ku nuk ka më shqiptarë.
Historiani serb flet për diçka që do të njihet nëpër analet e historisë si një gjetje naziste. Por nuk dimë në fakt se cili ëshët autori meritor i ikësaj teze. Sido që të jetë, në vitin 1937, është Çubrilloviçi ai që flet për zgjidhje finale, term i përsëritur për gjatë tërë vitit 2019 prej Vuçiçit, presidentit të sotëm serb. Ai propozon se ekziston një kombësi në trevat ku banojnë edhe serbët. Është kombësia shqiptare. Dhe me shqiptarët duhen qëruar “hesapet njëherë e përgjithmonë”.
Intelektuali serb duhet vlerësuar sepse e njeh mirë gjeografinë fizike të botës, e sidomos të shteteve të rajonit. Ai e di se shteti shqiptar ka këneta të pathara. Ai di gjithashtu të shpërndajë virtytin e kolonizimit nëpër vende të tjerë: ai e di për shembull se Turqia ka mundësi për kolonizim të brendshëm. Ai i njeh dhe i rentabilizon zhvendosjet masive të popullsive, kështu që ai e di se shumë grekë e shumë kurdë janë shpërngulur nga Turqia. Me njohjen e tij universale, ai nuk mund ta lërë hartën turke me boshëllëqe, as kënetat e shtetit shqiptar të pathara. Ky është një përdorim i rrallë i inteligjencës dhe akademizmit. Në territoret e botës ku ka serbë, njerëzit me të tjera kombësi janë të tepërt. Në shtete të tjerë të botës e ku banojnë kombe të tjerë, kombësitë e tjera janë të mangëta.
Le ta quajmë këtë aftësi të tij më mirë inteligësi se inteligjencë. Humanizmi i tij demografik mund të vlerësohet edhe si një e mirë pothuaj planetare. Ai nuk do të mund ta duronte dot një botë që nuk e ka njerëzimin e vet të shpërndarë në mënyrë të njëjtrajtshme. Po të kishte qenë pjesëtar i kolonistëve të kontinentit amerikan, me siguri do të kishte kërkuar të zhvendoseshin indianët në tokat e pinguinëve meqë aty ka akull për me shkri dhe tokë boshe. Historiani serb na kërkon një botë maksimale në tokë dhe një popullsi të njëtrajtshme në shpërndarje. Vetëm ku ka serbë toka është e keqe, vetëm ku ka serbë popullsia është e dendur. Diç si klaustrofobi gjendet në rrënjën e mendimit të tij.
…
Çubrilloviçi di diçka mbi natyrën tonë që ne nuk e dimë. Ai e di për shembull se nuk do të jetë problem të bindet qeveria e Tiranës për me pranu shqiptarë të dëbuar. Ai di po ashtu se problem do të jetë Italia. Për sa i takon Tiranës, ai di frikën e saj prej zgjidhjes finale. Por dhe joshjen prej ofertës financiare. E për qeverinë e Tiranës, zgjidhja financiare mund ta anashkalojë zgjidhjen finale. Intelektuali serb di pra dhe diçka që ne nuk mund ta dimë. E tashmë Çubrilloviçi mund është mjaft i frymëzuar e me ritëm të lëvdueshëm në retorikën e strategjive ndëshkimore. Toka do t’u blehet me dhunë shqiptarëve dhe shqiptarët do i shiten shtrenjtë qeverisë së Tiranës, ndërsa Turqia ka nevojë për punëtorë (ndoshta sezonalë, por ndoshta dhe të përjetshëm). Intelektuali serb ka mësuar se njeriu mund të kthehet nga një qenie e plotë, me atdhe, me strehë, me kulturë, me traditë, në një punëtor apo skllav që nuk ka nevojë për këta atribute. Ky lloj njeriu është natyrisht shqiptari për inteligun serb. Kjo zhvendosje masive i ngjan pak tezës që u hodh nga ndonjë mendimtar evropian i kohëve të fundit për zhvendosje paqësore të popullsive (kjo me rastin e “zgjidhjes përfundimtare” të problemit mes serbëve e shqiptarëve, tezë e mbrojtur nga Thaçi e Vuçiçi – natyrisht i deklaruar si kompromis i dhimbshëm, ose kompromis me dhimbjen e tjetrit). Është krejt normale të jetonim pa një zgjidhje të tillë përfundimtare në botën e njerëzve, dhe jo në botën e serbëve dhe shërbëtorëve të tyre shqiptarë.
Ajo çka di Çubrilloviçi për qeverisjen e shqiptarëve ofron tri mundësi. Ose qeveria e shqiptarëve do të bindet falë financimeve, ose ajo do të bëjë një rezistencë të përkohshme, ose të paktën do t’i kërkohet të heshtë dëbimin masiv të shqiptarëve drejt Turqisë. E tërë inteligjenca e historianit serb bazohet në faktin se bota është mësuar me krime kundër njerëzimit. Nëse serbët do t’i shtojnë edhe një tjetër, pasojat nuk do të përbëjnë problem. Le të kuptojmë se zgjidhja finale e propaganduar nga Gjermania naziste nuk kishte ndodhur ende. “Në kohën kur Gjermania mund të dëbojë dhjetëra mijëra hebrenj dhe Rusia mund të shpërngulë miliona njerëz nga një pejsë e kontinentit në tjetrën, shpërngulja e disa qindra mijëra shqiptarëve nuk do të shpjerë në shpërthimin e luftës botërore”.
Intelektuali serb e di mirë se mendimi i tij po aktivizohet në artikulimin e një krimi, por më shumë po lodhet të parashikojë heshtjen e krimit. Pra, sa për inteligjencën e tij, ajo nuk shquhet prej inteligjencës së ndonjë krimineli mizor, ndërsa mendimi i tij përqëndrohet që askush të mos flasë në lidhje me krimin. Në këtë mënyrë ai po deklaron se i përket një race që nuk e ka përmasën e turpit dhe as të mirësisë, se mendimi i tij punon për një botë që do të ngarkohet gjithnjë e më shumë me krim kundër njerëzve, se bota e serbëve të tij është një botë gjithnjë e krimit në rritje, se qetësia e serbëve mund të garantohet në një botë të dërmuar nën peshën e vdekjes, se bota që ai ëndërron është një botë e krimit dhe e heshtjes. Ky është një intelektual antipodik i Zolas që akuzon, i intelektualit që nxjerr në pah, sipas kuptimit të mirëfilltë të fjalës akuzoj. Nuk kemi nevojë të themi se në të njëjtin vit, në një shtet të varfër shqiptarësh jetonte Migjeni.
Karaxhixhi ishte psikiatër, por po aq psikopat. Ndërsa Çubrilloviçi na flet për “gjendje psikoze të përshtatshme”. Pra, e tërë gama terminologjike e profesorit të Universitetit të Beogradit lëviz mes koncepteve “zgjidhje finale” dhe për “gjendje psikoze të përshtatshme”.
Strategjitë e zhvendosjes janë po prapë të qarta në mendjen e intelektualit antihumanist: kleri të bëjë propagandë për t’i shtyrë të shkojnë vetë drejt Turqisë, ligji t’ua nxijë jetën me taksa, heqje tapish, vrasje bagëtish, me shkatërrim varrezash, me prekje të besimit, armatosje e kolonëve serbë, me “format e vjetra të veprimit çetnik”, me hedhje në luftë të malazezëve kundër shqiptarëve, me nxitje trazirash lokale. Dhe më në fund “ato do të shtypen me gjak”. Ja një intelektual që e përdor më lehtë idenë e gjakut se bojën e penës. Duke dhënë një program të përdorur shtetërisht nga ana e Milosheviçit: me “kolonët nga klanet malazeze dhe çetnikët, më parë sesa me ushtri”. “Mbetet një metodë të cilën Serbia e ka zbatuar me efekt të madh praktik pas 1878-s, dhe kjo është shkrumbimi i fshatrave dhe i lagjeve shqiptare nëpër qytete, në fshehtësi”. Ky është një intelektual i vërtetë, por i vërtetë sipas llojit të inteligjencës serbe. Inteligjencë për të mos u patur absolutisht zili, por vetëm për t’u dërguar në azil.
…
Po flasim për shekullin XX. Një intelektual serb ka jetuar përgjatë tij. Historian.
Unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë të fabrikohet te ne shqiptarët, në universitetet tanë apo akademitë tona ndonjë tezë sipas së cilës duhen hequr qafe fqinjët. As nuk kam dëgjuar që dikush me një tezë të tillë të mbajë ndonjë post, titull, apo të nderohet. Teksti i Çubrilloviçit është i thjeshtë. Një njeri që shkruan dhe mendon në mënyrë të tillë nuk ka nevojë të kryejë studime. Kur e mbajti këtë ligjëratë ishte docent në universitet prej tre vitesh. Kjo punë në Universitetin e Beogradit e shpie drejt hartimit të një programi të tillë antinjerëzor, ai emërohet profesor i historisë dhe vdes si i tillë. E po si ai vdes mundësia që Serbia të jetë ndonjëherë vendi ku ngjizen ndjenja humaniste në kuadër shtetëror dhe intelektual. Këtë duhet të dimë ne mbi serbët, e që serbët vetë nuk e dinë.
/mekulipress/