Ky është një përshkrim i situatës së pas luftërave ballkanike në vitin 1913 ku shihet qëndrimi malazez dhe serb për shqiptarët. Duket se qëndrimi malazez ka ndryshuar kurse ai serb është i njëjti dhe, si gjithmonë, edhe sot kërkon territore shqiptare.
Daut Dauti
Kur përfundoi lufta ballkanike (gusht 1913), mbreti Nikolla i Malit të Zi, me të cilin Durhami e kishte përfunduar miqësinë pa asnjë keqardhje dhe hezitim, e mbajti një fjalim para ushtarëve të tij që ishin kthyer nga lufta:
‘Të përgjakura janë duart e juaja, ushtarë të mij të bekuar, sepse ju i keni këputur zinxhirët e skllavërisë së vëllezërve tuaj të dashur. Shpresat e miliona serbëve, të gjallë e të vdekur, janë realizuar […] ju jeni hakmarrë për dështimin në Kosovë dhe e keni kthyer dhe ngritur lart nderin e armëve serbe […] Të mos harrojmë se Evropa na e mori Shkodrën nga duart tona dhe pas 20 ditëve që e kishim okupuar, flamuri ynë u ul aty. Ne nuk kemi hequr dorë nga Shkodra sepse ne nuk heqim dorë nga të drejtat tona historike’.[1]
Malazezët ishin hidhëruar me Britaninë pasi që forca ndërkombëtare që i detyroi të largoheshin nga Shkodra ishte e përbërë kryesisht nga britanikët dhe nën komandën e nën admiralit Cecil Burney (1858-1929). Me kërkesë të Konferencës së Londrës, Burney e kishte bllokuar bregdetin malazez dhe e kishte kërcënuar ushtrinë malazeze me sulm. Kërcënimi krijoi efekt dhe malazezët u larguan nga Shkodra.[2] Por, urrejtja e malazezëve ndaj Austro-Hungarisë dhe Shqipërisë u ngrit lart. Në Cetinje diplomatët rusë, francezë dhe italianë shprehën ndejenja të ngjashme. Duke i përshkruar ndjenjat e zyrtarëve dhe popullit malazezë, Edith Durham shkroi:
‘Të hidhëruar pa masë për humbjen e Shkodrës, ata u betuan se do ta merrnin sërish [Shkodrën] dhe Bosnjën. Ju thashë të mos flitnin marrina. Ata bërtitnin: ‘Ne – populli serb – e kemi mundur turkun. Tashti ne jemi rrezik për Evropën. Do të marrim gjithçka që dëshirojmë. Serbët do të shkojnë deri në Vjenë. Ne do të shkojmë në Sarajevë. E kemi tërë ushtrinë ruse pas veti. Nëse nuk na besoni – do ta shihni. Do t’ia fillojmë në Bosnjë!’ Kjo ka qenë në maj të vitit 1913’.[3]
Kështu dëshironte Durham që bota ta shihte atmosferën në mesin e serbëve dhe malazezëve pas luftërave ballkanike. Durham vazhdoi të theksonte se serbët dhe malazezët ishin të pakënaqur dhe të hidhëruar me rezultatin e luftërave ballkanike për shkak se nuk morën mjaft territor nga Shqipëria kurse për këtë e akuzonin Austro-Hungarinë. Sipas Durhamit, Shqipëria, e cila u pavarësua gjatë luftërave ballkanike, u bë parahyrje e një lufte tjetër të madhe e cila do të fillonte brenda një viti.
[1] Govor Kralja Nikole: Harbri moji vojnici, XXIV/K.1-1-1913 – Archives of Kosovo, Prishtina.
[2] Elsie, A Biographical Dictionary of Albanian History, p. 59.
[3] Durham, Twenty Years, p. 205.