“Në vitin 1806 në bedemet e Beogradit janë dëgjuar britmat e vërsuljes në gjuhën shqipe. Në historinë e Shumadisë, dhe në revolucionin e saj, ne gjejmë njerëz që janë revolucionarë shumë të zgjuar dhe me origjinë shqiptare”.
Dragisha Lapçeviq, për çështjen shqiptare, të mbajtur më 6 shkurt të vitit 1914.
“Politika e qeverisë sonë ka krijuar kushte të tilla dhe këto kushte, për shumë vite, ndoshta, për shumë dekada do të përsëritet konflikti dhe fatkeqësitë në mes të dy popujve fatkeq. Konsideroj se politika e qeverisë serbe me marshimin e parë ndaj shqiptarëve ishte e gabuar, e dëmshme dhe për të ardhur keq, si për lirinë popullit shqiptar, si dhe për paqen dhe qetësinë e popullit serb. Me një gjë duhet të jemi të qartë dhe një duhet të pajtohemi: në Perëndim të Gadishullit Ballkanik është një komb i cili dëshiron të jetojë jetën e vet të lirë. Qeveria e Serbisë nuk duhet ta përulë Shqipërinë dhe të nënshtrojë popullin shqiptar. Shqiptarët shekuj me radhë me popullin serb kanë jetuar në fqinjësi të përbashkët.
Në proklamimet luftarake, këto marrëdhënie përmenden me theks të veçantë. Kemi shembuj në historinë e kohëve të fundit kemi shembuj se shqiptarët gjithmonë kanë dashur të jetojnë në marrëveshje me Serbinë, në partneritet me ta për të fituar lirinë nga turqit, populli serb dhe ai shqiptar.
Në vitin 1806 në bedemet e Beogradit janë dëgjuar britmat e vërsuljes në gjuhën shqipe. Në historinë e Shumadisë, dhe në revolucionin e saj, ne gjejmë njerëz që janë revolucionarë shumë të zgjuar dhe me origjinë shqiptare. Ne nuk duhet të harrojmë se në vitin 1829 shqiptarët kanë dashur dhe kërkuar lidhjet me Serbinë, këtë e kanë përsëritur edhe në vitin 1847 dhe Serbia mbeti e shurdhër ndaj kësaj thirrjeje.
Ne e dimë se shqiptarët në vitin 1875 dhe 1876 kanë dashur të jenë në një bashkësi me Serbinë, dhe se Serbia në vitin 1878 ka dëbuar dhe shpërngulë shqiptarët nga katër rrethet të cilat i kishte pushtuar. Në pranverën e vitit 1904 ata dërguan një delegacion në Beograd dhe kërkuan asgjë më shumë se vetëm një qasje miqësore të Serbisë për lëvizjen e tyre për autonomi. Dhe së fundi, në vitin 1912 prijësit shqiptarë kanë ardhur në Beograd kanë bërë takime me qeverinë serbe, mandej takime me z. Pashiq dhe janë vënë në dispozicion: për të lehtësuar depërtimin e ushtrisë serbe me kusht që Serbia t’ua mundësojë që ata të çlirohen nga Turqia dhe të fitojnë autonominë e tyre.
Në vend që Serbia, e cila aq shumë kohë ka luftuar për çlirimin e vet, dhe të bëjë gjithçka nga ana e sajë që shqiptarët të fitojnë lirinë e tyre – Serbia e ka dërguar ushtrinë e vet ta shkelë Shqipërinë, për të kaluar në detin Adriatik me dëshirën për ta nënshtruar dhe ta robëroj popullin shqiptar. Serbia ka mundur të veprojë që Shqipëria të arrijë deri te autonomia dhe shteti i vet nacional. Sikurse të ishte bërë një gjë e tillë, kjo kishte me krijuar një miqësi të mirëfilltë, kishte me krijuar kushte për lidhje të forta dhe krijimin e një bashkësie ekonomike në mes Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo kishte me qenë një pikënisje për marrëveshje politike. Në vend të kësaj atje u shkua me pushkë dhe top, dhe jo vetëm që u kryen krime të cilat nuk i shkojnë në nderë një shteti, i cili dikur ka pasur traditë revolucionare dhe çlirimtare, por u krijuan kushte për fërkime të përhershme ndërmjet Shqiptarëve dhe Serbëve.
Ne vazhdimisht do të kemi kobure dhe fatkeqësi nëse Serbia nuk vendos ta ndryshojë politikën në drejtim të kontaktit të plotë me popullin shqiptar dhe krijimin e një lidhje të fortë me të” (përfundim i citatit. Përshtati autori I. A).
Përderisa serbët e konsiderojnë vitin 1912 si vit të çlirimit të Kosovës dhe Sanxhakut nga Turqia, ndërsa shqiptarët, këtë vit të okupimit nga Ushtria serbe, është e natyrshme që nuk mund të imagjinohet në të ardhmen e afërt ndonjë lloj pajtimi.
/Ismet Azizi/