Kompleksi i kullave të Boletinëve në fshatin Boletin të komunës së Zveçanit, i ngritur në fund të shekullit XIX nga dora e njeriut dhe në proces kronologjik i përshtatur me mjedisin, tani shërben si vendbanim i fortifikuar familjar i Boletinëve, që vizitohet nga mijëra qytetarë gjithandej trojeve shqiptare.
Aty ku prehen eshtrat e atij që sakrifikoi shumë për vendin, kullat qëndrojnë ende mbi themelet e tyre, të forta, të larta, duke ngërthyer brenda vetes shumë histori, dokumente, fotografi e objekte, të cilat flasin për një epokë në vete dhe të lavdishme të këtij heroi shqiptar.
“Ma i mirë asht për mua Boletini im me ata gurë, se sa sarajet e Stambollit”.
Kështu na mëson historia se iu pati thënë dikur heroi i kombit, Isë Boletini, krerëve të Portës së Lartë.
Ky kompleks gjatë luftërave që u zhvilluan u shkatërrua tre herë përgjatë viteve 1830 – 1832, 1892, 1895, si dhe dy herë gjatë dekadës së parë të shek. XX, përkatësisht në vitin 1908 dhe 1912.
Ana perëndimore e këtij kompleksi është e rrethuar me mure mbrojtëse, me një terren të pjerrët, ndërsa pjesa lindore pa murë mbrojtës ishte e përshtatshme për vrojtim. Oborri i kullave është i rrethuar me mur i punuar nga gurët e gdhendur, me frënxhi, si dhe me një oxhak.
Isë Boletini, i biri i Ademit dhe Ajshes, u lind gjatë sundimit të perandorisë osmane, përkatësisht më 15 janar të vitit 1864, në këto kulla pranë qytetit të Mitrovicës, të cilat u bënë simbol i traditës patriotike dhe qëndresës shekullore.
Familja e tij e përmendur atë kohë, e cila edukoi heroin për burrëri, drejtësi e trimëri, i takonte vëllazërisë Maksutaj të fisit të Shalës, që shin zhvendosur nga Isniqi i Deçanit në Boletin.
Stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili me krenari flet për origjinën e tij, gjatë një bashkëbisedimi për Telegrafin, ka rrëfyer për historinë e familjes së tij, si dhe origjinën e të parëve të Boletinëve.
“Si fshat përherë ka qenë i famshëm dhe i njohur për gurët e saj, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin. Ne vijmë nga fshati Isniq. Si familje kemi ardhur në vitin 1750 në Boletin. Vendi ka qenë i pabanuar, por i pasur. Në anën tjetër të Boletinit gjendet maja e Majdanit, ku aty stërgjyshi i Isait, Hajdari i Parë ka ardhur me dy vëllezërit Halilin dhe Ahmetin. Fshati është zhvilluar shumë duke punuar në gurë punishte”, tregoi ai për Telegrafin.
Sipas tij, Isa Boletini ka lindur në dy epoka të rëndësishme të historisë kombëtare, atë të Lidhjes së Prizrenit dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Isa Boletini ka lindur në dy epoka shumë të rëndësishme të historisë tonë kombëtare. Në epokën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në epokën e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë vend, në këtë oborr, afër kësaj shtëpie ka lindur Isa Boletini në vitin 1864 nga baba Adem dhe nëna Ajshe, e cila vjen nga fshati Zhabar i Mitrovicës. Jeta dhe vepra luftarake e tij ka filluar nga këtu. Si 17 vjeçar, me vëllun e tij Ahmetin marrin pjesë në betejën e Slivovës afër Ferizajit, më 14 prill 1881. Dhe kështu nga ajo kohë, ai 35 vjet ka bërë luftë për çlirim dhe bashkim kombëtare. Kontributi i Isës në caqet e historisë tonë kombëtare apo fillimi i kontributit të tij, i cili bëhet më i njohur fillon në vitin 1902, ku Serbia kërkon zyrtarisht që ta sjellin ambasadorin e Rusisë, që të hapet konsullata ruse dhe që serbët ta ndjejnë veten më komod në trojet e Kosovës. Isa ishte ai që me zërin e tij të fuqishëm dha lajmin në çdo cep të Mitrovicës, që ai që do ta pranoj konsullin rus ta strehoj në Mitrovicë do të ketë punë me Isa Boletinin. Qytetarët e Mitrovicës me rrethinë me plot krenari e kanë pranuar këtë lajm dhe kanë kundërshtuar ardhjen e tij në Mitrovicë”, theksoi ai, një copëz nga të bëmat e stërgjyshit të tij, Isë Boletini.
Sigurisht se për kontributin dhe jetën e Isa Boletinit ka shumë për të folur dhe treguar, por Telegrafi u fokusua që stërnipi i Isë Boletinit, si ciceron në këtë kompleks të tregonte më shumë për vendin historik të fshatit Boletin, konkretisht për kullat.
“Kompleksi i kullave të Isait, Kulla e Boletinit është restauruar në vitin 2005 me iniciativë të ministrit të Kulturës, Behxhet Brajshori. Gjatë restaurimit është ruajtur komplet origjinaliteti i kullës. Brenda kompleksit ju mund të shihni gurin e madh me vrimat e topave gjatë luftërave që janë bërë këtu në Boletin, pastaj është kulla e burrave dhe e grave. Kulla e burrave është djegur gjashtë herë dhe nga gërmadhat e saj mund të shihet se çfarë lufte është bërë këtu në Boletin. Për fat të mirë ka mbet gjallë kulla e grave e cila është ndërtuar para vitit 1912 me gurët e punishtes tonë. Brenda saj arkitektët kanë bërë disa ndryshime që patjetër janë dashur të bëhen, pasi ka qenë në gjendje shumë të rëndë para fillimit të punimeve. Kjo kullë ka shërbyer si shkollë fillore nga viti 1946 deri në vitin 1970, për arsye se familjet tonë e ka larguar regjimi komunist nga fshati. Në këtë shkollë kanë dhënë mësim Bedri Gjina, Sali Hyka nga Kavaja, Feriz Peci, Musa Deva, Veli Prokshi etj. Isa ka qenë vizionar… Në vitin 1899 ai hap një ndër shkollat e para shqipe në territorin e Mitrovicës. Më vonë i shkollon edhe fëmijët e tij, 9 djemë dhe pesë vajzat”.
Ai tha se familja e tyre i kanë ruajtur fotografitë dhe dokumentet të cilat sot shërbejnë për të treguar për jetën dhe veprën e Isë Boletinit.
“Brenda objektit për fat të mirë i kanë ruajtur disa gjëra me vlerë, si fotografit dhe shkrime. Tafil Boletini kur del në Shqipëri të jetoj në Tiranë, me 8 tetor 1963 disa nga dokumentacionet ia kishte lënë babit tim, si dhe flamurin e Isa Boletinit. Fotot tjera i kanë ruajtur gratë e shtëpisë dhe xhamadanin e Isës, të cilën e ka punuar nëna Ajshe. Familja jonë në mënyrën më të mirë i ka ruajtur fotografitë dhe dokumentet. Disa nga pasardhësit e Boletinit nga viti 1953 janë në çdo vend të botës, si në Brazil, Gjermani, Bosnje, Slloveni, etj. Misioni im është që të zbardhim sa më shumë dokumentacion dhe fotografi”, u shpreh Boletini.
Gjatë 15 viteve rrugëtim, vazhdoi rrëfimin ai, në kullat e Isë Boletinit shkuan shumë vizitorë nga të gjitha trojet shqiptare e më gjerë, për të shuar kureshtjen, si dhe për t’u njohur nga afër me historinë dhe kontributin e heroit ndër vite.
“Ky vend ofron historinë e madhe, të gjitha këto të dhëna janë të shënuara. Çdo njeri që vjen, dhe ka ardh në Boletin janë ndarë të kënaqur. Përveç historisë Boletini ka dhe bukurinë, duke se dit me çfarë fshatrash kufizohet Boletini. Jam i gatshëm për çdo kënd 24 orë, sidomos për diasporën që kur vijnë këtu ndjehen jashtëzakonisht mirë. Këtu jam që 15 vite, pjesa më e bukur është që pronari i këtij kompleksi është këtu në Boletin, e ka kompletuar këtë vend. Është tërheqje magnetike shpirtërore. Kur të vijnë këtu kanë çka me pa. Guri i shenjtë simbolizon të gjitha luftërat para Isa Boletinit, dhe këto dy vrimat e mëdha janë shenjat luftës që është zhvilluar”, sqaroi mes tjerash stërnipi i heroit kombëtar, Isë Boletini, Gazmend Boletini. /Telegrafi/