Mr. Ismet Azizi: Sanxhaku i Pazarit të Ri në fokusin e së kaluarës
Shtrirja e Sanxhakut, përkatësisht pozita gjeografike ka ndikuar që kjo krahinë të veçohet si hapsirë e jetës së përbashkët të disa popujve, por edhe e “konflikteve disa shekullore ndëretnike, e kacafytjeve dhe e përgjakjeve ilire-shqiptare me ardhësit sllav të jugut në Iliri (Ballkan). Nga ardhja e tyre e deri në shekullin XIV, sidomos në shekujt XIII-XIV, ky konflikt është acaruar dhe zgjeruar, siç thotë historiani A. Buda (1986), në kohën e forcimit të pushtetit feudal qendror serb të dinastisë së Nemanjiqëve. Edhe epikologu gjerman M. Lambertz (1958) pajtohet se këto këngë «rrjedhin nga koha e dyndjes së sllavëve nëpër Danubin e Poshtëm në Ballkan dhe ruajnë ende kujtimin e luftërave të vjetra të ilirëve ose shqiptarëve kundër sllavëve që u dyndën në kohën rreth vjetëve 700-800». Këto këngë janë ndër eposet e fundit aktive në Evropë në fillim të këtij mijëvjeçari dhe me të drejtë thuhet se e kanë vendin në arealin e epikës botërore”[1].
Rrafshnalta e Peshteri me rreth 200 vendbanime të banuara nga fiset shqiptare, prej kohësh ka qenë çerdhe dhe thesar i lahutarëve. Deri në fund të shekullit të XVII ky rajon është karakterizuar me homogjenitet etnik, të cilin më vonë do të ndërpresin vendosjet gjithnjë e më të shpeshta, trazirat dhe migrimit masive. Migrimet janë intensifikuar veçanërisht pas formimit të Sanxhakut të Pazarit të Ri (1877), gjegjësisht pas shkëputjes së tij nga Vilajeti i Bosnjës dhe bashkimit me Kosovën. Kështu, rezulton në Peshter përzierja e kulturës lokale dhe shpirtërore me atë të të ardhurve nga Hercegovina, bregdeti malazez dhe nga muhaxherët tjerë boshnjak që arritën nga vendet e okupuara nga Serbia në vitin 1878.
Kjo lëvizje e popullsisë ka shënuar ndikim të madh në fushën e kulturës gojore epike që gradualisht depërtoi në shtëpitë e popullsisë lokale shqiptaro-myslimane[2].
Nuk janë të panjohura këngët e kreshnikëve të cilat u kënduan jo vetëm te Shqiptarët por që u bartën edhe te boshnjakët. Në përhapjen e këngëve epike, te Boshnjakët ndikuan lahutarët e Sanxhakut për të cilët Robert Elsie thot: “Është interesante të vihet re se katër, prej pesë këngëtarëve që përmenden në dy vëllimet qenëshqiptarë: Sali Uglani (Salih Ugljanin), Xhemal Zogiq (Djemal Zogić), Sulejman Makiq (Sulejman Makić) dhe Ali Fulani (Alija Fjuljanin).[3] Në Amerikë, në Universitetin e Harvardit, Milman Parry, për disa vite rresht ka botuar libra (1933, 1934 dhe 1935), kryesisht të letërsisë gojore të traditës myslimane-boshnjake. Milman Parry-it i është bashkuar edhe Albert B. Lordi dhe së bashku kanë mbledhur, materiale jo vetëm në Sanxhak por edhe në B e H. Te ne në Kosovë dhe Shqipëri, përveç prof Zymer Neziri nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, i cili ka ngritë zërin për ndriçimin dhe përmirësimin e gabimeve që ka bërë Universiteti i Harvardit, përpjekje tjera nuk ka pasur[4].
Prof. Neziri në intervistën dhënë autorit të punimit[5], përshkruan edhe bisedën të cilën e ka zhvilluar Profesori nga Harvardi, me S. Ugllën, i cili dëshmon para tij përkatësinë e tij etnike shqiptare, duke ia përshkruar shkuarjen e tij të parë te familja e gruas së tij të dytë e cila nuk ishte shqiptare. Para këtij rrëfimi, i cili është i incizuar dhe ruhet në Harvard, profesori amerikan kupton se ka të bëjë me një popull i cili nuk është sllav, e që vetëm rastësia i ka bërë të ngjashëm dhe jetojnë së bashku në këto treva. Pas kësaj ngjarje profesori e porositë asistentin e tij që të vazhdojnë studimet për shqiptarët[6].
Ragip Sijariqi, nga fshati Shipovicë, në të cilin fshat me lahutë është kënduar nëpër ndenja dhe janë treguar tregime sipas traditës në kontuinintet nëpër gjenerata dhe në kohën e Avdo Mexhedoviqit janë mbajt edhe gara për lahutarë. Duke folur për lahutarin Xhyl Bahon (Bahović), thotë: “Lahutë në Sanxhak mos kërko, sepse pothuajse çdo shtëpi ka dhe i ruan si hajmalitë. Ato ruhen në vende të veçanta, në ballë të oxhakut në rafte me libra të vjetra dhe me ato të shenjta”.
Në Peshter, të gjithë banorët i punojnë me mjeshtri dhe dashuri lahutat me të cilat ekzekutojnë shkëlqyeshëm këngët e “reja dhe të vjetra”. Në kontekst të këtij referimi potencoj se në shkurt të viti 2005 në Velepole të Tutinit kam prezantuar në një këndim epik boshnjak, në një shfaqje lokale në të cilën, me programin e tyre morën pjesë lahutarët popullor dhe këngëtarët e këngëve heroike, duke ekzekutuar me kavall dhe duke kënduar këngë “Dy nga dy”, edhe at vetëm meshkujt- sipas melosit të vjetër peshteras ( shqiptar v I. A).[7]
Salih Ugljanini tregon se shumë lahutar kanë ushtruar dhe kanë arritur të bëhen të mirë falë “shortimit” dhe duke dëgjuar të famshmin dhe të verbrin në njërin sy, Qorr Hysën nga Kollashini, i cili ishte musafir i përhershëm në fshatrat e Peshterit.[8] Në vitin 1953, prof. Beliq nga Beogradi ka bërë marrëveshje me Kembrixhin për botim të këngëve. Lordi, siç ka shkruar parathënien e librit, e ka dërguar dorëshkrimin në Beograd por Beliq ka hequr 10 rreshta, pjesën ku bëhet fjalë për lahutarët dygjuhësor- bingual[9].
Qëndresa e shqiptarëve
Me gjithë pasuritë e mëdha natyrore dhe vitalitetit të popullsisë, në trojet e banuara me shqiptarë mbretëronte një prapambeturi e theksuar ekonomike dhe kulturore. Ndryshe nga popujt tjerë të mbretërisë Jugosllave, shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë kulturore, demokratike dhe njerëzore.
Në Sanxhak situata ishte edhe më e rëndë sidomos për shqiptarët të cilët luftonin në mënyra të ndryshme kundër asimilimit. Deri në vitet ‘90 shekullit të kaluar, nuk kishim analiza, shkrime apo të dhëna të sakta për gjendjen dhe pozitën e popullsisë së Sanxhakut. Ndër të parët dhe të rrallët është autori Avdia Avdiq, i cili u mor me këtë problematikë. Për pozitën arsimore kulturore të Sanxhakut shkruan: “Për arsimin, kulturën dhe shëndetësinë në periudhën në me të dy luftërave botërore, është vështirë të flitet, posaçërisht nga viti 1930, kur popullata, pothuajse tërësisht ishte analfabete. Në fshatra të tëra nuk ka pasur kush të lexojë ndonjë shkresë, gjë që është dashur të udhëtohet me orë të tëra. Sipas regjistrimit të popullsisë së viti 1931, 60% meshkujve të moshës mbi 10 vjeçare ishte e paarsimuar, ndërsa ajo e femrave ishte 92 %. Dallimet e mëdha ishin edhe sipas qyteteve, p. sh., qarku i Tutinit, që ishte i banuar vetëm me shqiptarë dhe boshnjakë, shkalla e analfabetizmit ishte 89%, ndërsa ai i Novi Pazarit 63%. Faktorët për një gjendje të tillë, sipas autorit Avdiq ishin të shumëfishtë, nga ai, popullsia myslimane (shqiptarët e boshnjakët I. A.) nuk ka dashur ta pranojë shkrim leximin serb, ndërsa të vetin nuk e kishin, deri te ajo se myslimanëve nuk u duhet, posaçërisht femrave myslimane”[10].
Shkollat ishin me numër të vogël të nxënësve. Prindërit nuk ishin të interesuar t’i shkollojnë fëmijët e tyre. Ata rezistonin t’i dërgonin fëmijët në shkolla. Kjo gjë u shkonte për shtat pushtetarëve të atëhershëm. Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter, edhe pas viti 1935 kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla. Si është e mundur një gjë e tillë, do të mundohem ta shtjelloj më tutje. Sa më larg shkollave dhe kulturës së pushtuesit, sipas bindjes së popullatës myslimane ishte më mirë. Por edhe ata që shprehnin dëshirën për t’i shkolluar fëmijët e tyre, nuk kishin mundësi materiale. Prandaj, një pjesë e fëmijëve shqiptarë ndiqnin mësimet në shkollat fetare (mejtepe dhe medrese) që organizoheshin kryesisht nëpër xhami. Në këto shkolla, me lokale të papërshtatshme, e zhvillonin mësimin kryesisht hoxhallarë të pakualifikuar, në gjuhë të huaj dhe me metoda mesjetare. Por, kishte raste kur hoxhallarët përparimtarë, me vetëdije të lartë kombëtare, ua mësonin nxënësve të tyre shkrimin e leximin në gjuhën amtare.
Edhe pse Komiteti “Mbrojtja e Kombëtare e Kosovës” pushoi veprimtarinë e vet, edhe pse u likuiduan zonat e lira dhe u ndërpre veprimtaria e Xhemijetit, lëvizja për çlirim e bashkim kombëtar vazhdoi kryesisht përmes luftës së armatosur të çetave kaçake dhe formave tjera të qëndresës. Çetat kaçake zhvilluan aksione të armatosura kundër ushtrisë e xhandarmërisë gati në të gjitha trojet shqiptare.
Pas viti 1928, intensiteti i luftës së armatosur ra. Megjithatë, edhe gjatë etapës së dytë të lëvizjes, lufta vazhdoi në forma specifike, si p. sh. qëndresa e herëpashershme e çetave të vogla kaçake, të cilat gjenin strehim edhe në Shqipëri. Në këtë etapë u zhvillua një veprimtari edhe për të organizuar e bashkërenduar lëvizjen ndërmjet ish-anëtarëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, të Xhemijetit dhe atyre të emigracionit politik. Të parët zhvilluan propagandë dhe veprimtari ilegale dhe legale kryesisht nëpërmjet memorandumeve e protestave të deputetëve shqiptarë kundër arbitraritetit të organeve agrare dhe kundër shpërnguljes, kurse, të dytët, në krye me Hasan Prishtinën, u angazhuan për t’i dërguar memorandume, ku kërkohej ndërprerja e dhunës, terrorit dhe gjenocidit mbi shqiptarët e boshnjakët.
Një nga format e veprimtarisë ilegale ishte edhe shpërndarja e afisheve në gjuhën shqipe, me anë të të cilave rinia dhe studentët shqiptarë, në njërën anë dënonin zbatimin e reformës agrare dhe kolonizimin, kurse, në anën tjetër i bënin thirrje popullit shqiptar që të mos i braktisin trojet e veta. Fshatarët shqiptarë kundërshtuan me forcë gati të gjitha aksionet për mbledhjen e armëve që ndërmori regjimi i Beogradit në trojet shqiptare[11].
Përveç kësaj, Sanxhaku ishte një mjedis multietnik, multifetar dhe multikulturor, mjedis i ngarkuar me konflikte të trashëguara nga e kaluara
[1] Prof. Dr. Zymer Neziri, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Eposi i Kreshnikëve: Monument i Trashëgimisë Kulturore Shqiptare. Përpjekje për Përhatitjen e Dosjes për UNESCO. Ligjëratë në Këshillin e Evropës, më 8 dhjetor 2010, Prishtinë.
[2] Azizi I. “Eposi i Sanxhakut”,
[3] Robert Elsie, Disa mendime për traditat epike shqiptare dhe boshnjake, http://www.elsie.de/pdf/articles/A2010TraditaEpikeJetaeRe.pdf
[4] Azizi. I. “Eposi i Sanxhakut”, Gazeta “Koha Ditore”, Prishtinë, e shtunë, 25 .04. 2015.
[5] Azizi. I. “Eposi i Sanxhakut”, po aty
[6] http://pds.lib.harvard.edu/pds/view/2588062?n=1&printThumbnails=no
[7] Alija Xhogoviq,http://www.almanah.co.me/Ostale/PDF/casopis/Almanah%2031-32.pdf faqe 132
[8] Rexhep Shkrijel http://www.almanah.co.me/Ostale/PDF/casopis/Almanah%2031-32.pdf
[9] Azizi. I. “Eposi i Sanxhakut”, po aty.
[10]Avdić, H. (1991), Položaj Muslimana u Sandžaku, Sarajevo, fq. 15, 16.
[11] Historia e popullit shqiptar IV, Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pasojat e saj 1939-1990, Botimet “Toena”, Tiranë 2008. f. 295
/Sanxhaku i Pazarit të Ri në fokusin e së kaluarës Mr. Ismet Azizi/
Libr: Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, është libër i përmbledhjes së kumtesave të simpoziumit shkencor, mbajtur më 8.9.2018, në Institutin Albanologjik, Prishtinë. Përgatitja për shtyp Prof Dr. Zymet Ujkan Neziri.-Prishtinë Instituti Albanologjik; Shoqata “Kosova për Sanxhakun”, 2020. – 348 f. ISBN 987-9951-24-115-1