Shqiptarët janë njerëz më të mirë se sllavët e jugut, gjë që edhe nuk është vështirë të jenë. Duhet të udhëtosh në Kosovë, dhe në Shqipëri, duhet ta njohësh kulturën e jashtëzakonshme, gjuhën, zakonet. Ndoshta Shqipëria është vendi i fundit i shekullit ‘20 në Evropë. Në kuptimin më të mirë. Vend utopik, sikur që edhe ne ishim dikur para luftërave të egra fisnore, dhe privatizimit nacional-socialist
AUTORI:
Se sa janë normale marrëdhëniet ndërmjet shteteve të krijuara me rënien e Jugosllavisë e dëshmon fakti që për të shkuar në Kosovë duhet të shkosh për vizë në Tiranë, e vetëm atëherë mund të nisesh për atje. Me kushtin që të kesh ndonjë të njohur të fortë, vizën do ta marrësh shpejt, ndërsa në mënyrë të rregullt kjo zgjat një deri në dy muaj. Këtë vizë ne e meritojmë, sepse partitë politike të Republikës Serbe bëhen më katolike se Papa, prandaj në këtë mënyrë Serbia ka raporte më të mira me Kosovën sesa Bosnja. Ngase duhet të jesh më serb se ata nga Serbia, gjë që Milorad Dodik ia arrin tanimë me vite të tëra. Për atë unë që sot do ta pranoja Kosovën dhe do të vendosja marrëdhënie normale diplomatike me të. Por, unë jam një askush dhe një asgjë. Prandaj, nëse doni të udhëtoni në Kosovë, përgatituni për një odise të gjatë.
Kur në fund ta marrësh vizën, gjithçka të kushton shumëfish. Vetë qëndrimi në Tiranë, edhe pse ishte i shkurtër, më bindi se ndodhem në një vend të çuditshëm dhe jo të zakonshëm. Sepse aty ku ka palma dhe ku nën dritare rritet limoni, sigurisht nuk mund të jetë keq. Mund të jesh i varfër, por së paku je i pasur me dritën e diellit, ajo për të cilën vuajnë europianët veriorë të pasur me para, por jo edhe me klimë.
Tirana është zgjua i ngrohtë i njerëzve, automobilave dhe natyrës së ndërtimeve transitore. Në qytet dominon bulevardi i ndërtuar në kohën e Musolinit, dhe të gjitha institucionet shqiptare janë ndërtuar kryesisht atëherë. E ato janë të rrethuara me atë që e ndërtoi tirani Enver Hoxha, për të cilin kolegu gazetar shqiptar më rrëfeu se i ka vrarë të gjithë miqtë e tij, madje edhe vëllain e vet. Kësisoj, pa e ditur fare ç’po bënte, Enver Hoxha realizoi planin nga libri «Historia dhe Europa», në të cilin Ciaron thotë që kur të arrish në pushtet, së pari duhet t’i likuidosh të gjithë miqtë. Në librin e Ciaronit kjo mund të na duket madje simpatike, por në të vërtetë nuk është aspak e tillë. Sepse kështu Enver Hoxha e torturoi një popull të tërë europian, duke e lënë në errësirë dhe nën tiraninë e pamëshirshme deri në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Sot Tirana është e hapur, qytet zemërgjerë, shquhet me mikpritjen e qytetarëve të vet. Sikur të më pyeste dikush se ku do të dëshiroja ta kaloja verën e ardhshme, sigurisht që ky vend do të ishte Tirana. Edhe pse nuk pashë shumëçka jashtë qytetit, shoqëruesi im më rrëfeu se gjithçka është e koncentruar rreth bulevardit kryesor, megjithatë që në kontaktin e parë e përjetova dridhjen dhe emocionin e këtij qyteti. Në kujtesën time i përjetova frazat e gjuhës shqipe, të mësuara në APJ (Armata Popullore e Jugosllavisë, vër. e përkth.). Dhe e kuptova se shqipja në vete ka mjaft italianizma, natyrisht edhe fjalë me origjinë orientale, gjë që e bën më pak të pakuptueshme për dikë që është për herë të parë në Shqipëri, e që ka njohuri elementare të gjuhës latine.
Pastaj udhëtova për në Kosovë nëpër rrafshinën e pafund me vegjetacion mediteran. Nëpër fushën e gjatë, e cila në anën e djathtë është e rrethuar me male të larta epike, ndërsa në anën e majtë është një mur i vogël kodrash, e pas tyre deti. Ai rresht i maleve gjigante shihet me rastin e aterrimit të avionit, i cili bën një xhiro sipër detit, dhe aty sheh gjatësinë e rërës së bregdetit dhe qytetin me pallate të bardha. Duket sikur ajo kurorë malesh është mbrojtësi i fundit që e ruan Tiranën nga armiqtë të cilët do ta pushtonin nga toka.
Pasi përfundon ajo ultësirë e gjatë, e rrethuar me kurora malesh, hyjmë në kanionin e lumit i cili sjell sasi të mëdha të rërës, ndërsa lumi ngjan në zhavorrin dredha-dredha, të cilin e ka grumbulluar nga lartësitë e nivelit të ujit. Gjithkund janë ekskavatorët dhe makineritë për përpunimin e zhavorrit, duke e shndërruar në rërë të imët. Lumi është i gjelbër dhe thjesht ju fton të zhyteni në të, ndoshta është ashtu për arsye se temperatura ishte mbi 30 shkallë, ndërsa në automobil pak më pak.
Në Kosovë kam qenë dy herë, kështu që përshtypjet e mia nuk mund të ishin ashtu të forta sikur në Shqipëri. Të duket sikur sapo të kalosh kufirin e kupton se po vjen në një vend tjetër, së paku sa i përket klimës. Gjithçka është e gjelbër, e freskët, sepse Kosova po këndellet nga letargjia prej disa dekadave dhe po përpiqet ta marrë veten nga traumat e regjimit represiv, në veçanti të atij të viteve të nëntëdhjeta të Milloshoviqit. Madje e krijova përshtypjen se zhvillimi ekonomik në Kosovë është më i madh se ai në Shqipëri, por këto mund të jenë impresione të cilat një udhëtar i krijon gjatë shikimit nga dritarja e automobilit.
Në Tiranë në veçanti është atraktiv komunikacioni, sepse atje marrëveshja bëhet me duar, ngasësit gjestikulojnë, dhe ashtu zhvillohet komunikacioni, sikur në Stamboll. Dhe kjo funksionon mirë, askush nuk bëhet nervoz, të gjithë përpiqen ta mundësojnë kyçjen në shiritin e dëshiruar. Ngasësit nuk janë qelbësira si këta në Sarajevë. Edhe pse shenjat e komunikacionit janë të shpeshta në rrugën e hapur, shoferët dinë të tejkalojnë, madje edhe nga ana e djathtë.
Përndryshe, duket sikur njerëzit këtu janë shumë më të mirë se ata në hapësirat tona. Ata janë të çliruar nga dashakeqësia e ndyrë e sllavëve të jugut. Përshtypja ime është se shqiptarët janë njerëz më të mirë se sllavët e jugut, gjë që edhe nuk është vështirë të jenë. Duhet të udhëtosh në Kosovë, dhe në Shqipëri, duhet ta njohësh kulturën e jashtëzakonshme, gjuhën, zakonet. Ndoshta Shqipëria është vendi i fundit i shekullit ‘20 në Evropë. Në kuptimin më të mirë. Vend utopik, sikur që edhe ne ishim dikur para luftërave të egra fisnore, dhe privatizimit nacional-socialist.
/Botuar në revistën «BH Dani»
(Faruk Shehic është shkrimtar boshnjak. Ai u lind më 1970 në Bihaq dhe u rrit në Bosanska Krupa. Deri në shpërthimin e luftës në Bosnjës më 1992 ai studio veterinari në Zagreb, pastaj si 22-vjeçar iu bashkua Armatës së Bosnjë-Hercegovinës. Pas përfundimit të luftës studio letërsinë dhe që nga viti 1998 boton vepra letrare. Kritika letrare në ish-Jugosllavi e konsideron si njërin prej autorëve më të zgjuar të asaj që quhet «gjenerata e shkelur». Në poezitë dhe prozën e tij dominojnë temat e luftës, përjetimet në luftë, me ç’rast Shehiq shquhet për autenticitetin e tij).