NË VITET E MËPASTAJME, INFLUENCA E NEXHIP DRAGËS, KA FILLUAR TË RRITET JO VETËM NË KALOSHIN E ROZHAJËS, POR DERI NË PEJË. MANDEJ NË VITET E PARA TË SHEKULLIT TË NJËZETË, KËTË BIR TË DRAGAJVE E SHOHIM EDHE NË FUNSIONIN E KAJMEKANIT TË PEJËS. E RËNDËSISHME ËSHTË TË THUHET PËR NEXHIP DRAGËN, SE GJATË KËTYRE VITEVE SI KAJMEKAM, AI U PËRPOQ TË „ZBUSE“ SADOPAK MASAT E RREPTA TË PORTËS SË LARTË NDAJ EKONOMISË FSHATARE DHE ASAJ TË QYTETIT, POR KURDOHERË PA HEQUR DORË PREJ LIGJEVE. EDHE PSE MUND TË PARASHIHTE DOBINË E REVOLTAVE MASIVE, NEXHIP DRAGA BËNTE ÇMOS NË RRETHET E PATRIOTËVE SHQIPTARË, QË ATO TË MOS NDIZESHIN NGASE MUND TË FIKESHIN SI ATO METEORET. PËRNDRYSHE KËSAJ NË VETËDIJEN E BIRIT TË DRAGAJVE, RRINTE I ZGJUAR MENDIMI PËR DIMENSIONET E VËRTETA SHPIRTËRORE TË NJË KRYENGRITJEJE E CILA DO TË MUND TË PËRFSHINTE KREJT VILAJETET SHQIPTARE
Eugen SHEHU
Diku, i madhi i letrave franceze, Hygo, ka shkruar se kombin e bëjnë familjet e mëdha. Përndryshe ne shqiptarët, kemi artikuluar një tendencë që thuhet se „s’bëhet oxhaku, buxhak“. Familjet e mëdha, oxhaqet e mëdhenj shqiptare, i kanë trashëguar e përcjellë në gjenerata të tëra, frymën e ndershme të shqiptarizmës. Përmes të tillëve, oxhaçeve me famë të Shqipërisë, qëndron krenar edhe ai i Dragajve, atje në Kaloshin e Kosovës, në viset më veriore mes bjeshkëve të larta.
Ali Draga i jati i Nexhipit dhe djemve të tjerë trima, ai burrë me shtatin si lis, u shqua për më shumë se një gjysëm shekulli, jo vetëm në Kaloshin(Sanxhakun) por në mbarë Kosovën. Shqiptarizmën e rrallë të tij, e dëfteu jo vetëm me grykën e pushkës (të qendisur me argjent) por edhe me fjalën e shkruar e të mençur. Pjesmarrës në disa kuvende Bese, të Malësisë të Kaloshinit, Ali Draga do të çmohej ngase ishte në luftë të papajtueshme si me turqit, ashtu edhe me ata shqiptarë mjeranë që e kalonin jetën duke grabitur karavane nëpër pyje. Në mjaft prej protestave antitosmane qëndrimi i tij ishte i prerë, së pari duheshin ruajtur të paprekura trojet shqiptare e mandej të shihen të tjerat. Meqenëse qëndrimi i tij ndaj tërësisë territoriale shqiptare është thuajse i pandryshuar, edhe respekti në masa shfaqet dukshëm. Në Lidhjen Shqiptare të Pejës, në shkurt të vitit 1899, Ali Draga përfaqson popullin e Rozhajës dhe jep mendimet e ndihmesën e çmuar të tij për rezonimin në kohë dhe hapsirë të kësaj Lidhjeje. Nexhip Draga, i lindur në Kaloshin më 1858, do të ndiqte udhën e shqiptarizmës së çelur prej të jatit. E vërteta është se Ali Bej Draga zotëronte pasuri të mëdha dhe nuk kurseu aspak që fëmijët e tij të shkolloheshin në shkollat më të mira të Evropës. Nexhipi i paisur që në fëmijëri me edukatë për të studiuar, vazhdon të marrë mësimet e para në shkollat osmane të kohës. Më tej ai vazhdon studimet në Stamboll, por nuk nguron të studijoi për jurispondencë edhe në Austri e Gjermani. Megjithëse emri i Ali Dragës, ishte lartë i dëgjuar në perandorinë osmane, Nexhipi nuk synoi karierë aty por iu kthye vendlindjes. Intuitivisht ai pat kuptuar se zgjimit të vetëdijes nacionale shqiptare i duheshin pikërisht burra të tillë, të mësuar çka me shembullin e tyre mund të ndikonin në rrethet e gjëra të patriotëve shqiptarë. Për disa kohë Nexhipi merret edhe me punët e ekonomisë së madhe të shtëpisë, në ç’rast njihet edhe me disa personalitete të larta të huaja. Sidoqoftë, tek ai, rri gjithmonë i zgjuar mendimi se Shqipëria mund ta nxjerre autonominë e saj, dhe të bëje flakjen e njëherë e përgjithmonë të sundimit osman. Këtë e vërteton më së miri edhe një prej informacioneve që konsulli austriak i Shkupit i dërgon Kontit Goluhovski në Vjenë, pas bisedimit që ai ka bërë me bijtë e Ali Dragës ku shprehimisht thuhet ;
„Këta dëshmojnë se të gjitha të këqiat vijnë nga autoritetet turke, të cilët nuk dënojnë kundërvajtësit dhe se indiferenca dhe mos interesimi i tyre, i inkurajon shqiptarët të sillen keq. Beglerët janë shumë të pezmatuar kundër autoriteteve turke, të cilët i kanë të gjitha fajet dhe ata pretendojnë se çdo gjë do të shkoje mirë, ate ditë kur funksionarët turq do të largoheshin dhe kur Shqipëria, pasi ta fitoje autonominë e vet, do të qeveriset nga ata të cilëve u takon, domethënë nga vet shqiptarët“.
(Arkivi i Institutit të Historisë, sipas dokumentave të Vjenës, Dok nr 6 , fleta 1 – 2 ).
Në vitet e mëpastajme, influenca e Nexhip Dragës, ka filluar të rritet jo vetëm në Kaloshin e Rozhajës, por deri në Pejë. Mandej në vitet e para të shekullit të njëzetë, këtë bir të Dragajve e shohim edhe në funsionin e kajmekanit të Pejës. E rëndësishme është të thuhet për Nexhip Dragën, se gjatë këtyre viteve si kajmekam, ai u përpoq të „zbuse“ sadopak masat e rrepta të Portës së Lartë ndaj ekonomisë fshatare dhe asaj të qytetit, por kurdoherë pa hequr dorë prej ligjeve. Edhe pse mund të parashihte dobinë e revoltave masive, Nexhip Draga bënte çmos në rrethet e patriotëve shqiptarë, që ato të mos ndizeshin ngase mund të fikeshin si ato meteoret. Përndryshe kësaj në vetëdijen e birit të Dragajve, rrinte i zgjuar mendimi për dimensionet e vërteta shpirtërore të një kryengritjeje e cila do të mund të përfshinte krejt vilajetet shqiptare. Lëvizja e Turqve të Rinj, në vitin 1908, solli momente krejt të veçantë, jo vetëm në suazën e Portës së Lartë, por në krejt vendet ballkanike që ende ishin nën zgjedhen osmane. Këta momente tak e mbramja potencuan një dëshirë të madhe të krejt popujve ballkanik për të dalë njëherë e përgjithmonë nga sundimi osman. Njëherazi, tek këta popuj, u shfaqën në këtë periudhë shenjat e nacionalshovenizmit sllavoortodoks ekstrem, më së shumti kjo dukuri u vrejt tek sllavo-grekët. Ndërkaq, në lëvizjen kombëtare shqiptare, po përvijoheshin disa rryma që drejtoheshin prej atdhetarëve apo shtresave të caktuara të hierarkisë shqiptare të kohës. Padyshim, ashtu sikundër është provuar edhe nga historiografia jonë, rryma më demokratike dhe largpamëse, ishte ajo që përfaqsohej prej Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës. E vërteta është së këto rryma, kishin die të ndashme mbi lëvizjen kombëtare në Shqipëri por mbetet padyshim krejt fisnik, fakti që përfaqsuesit e këtyre rrymave i bashkonte në një fill të përbashkët ideja e unitetit të krejt shqiptarëve mesvedit. Nexhip Draga e Hasan Prishtina, pos të tjerave, në muajt e parë të vitit 1908 u rrekën të ndihmojnë sa ma shumë komitetet e fshehta, në rrafshin e çeljes së shkollave shqipe si edhe njehësimit të alfabetit shqiptar me shkronjat latine. Dihet tashmë prej të gjithëve se turqit e rinj, patën zhvilluar vetëm një demagogji spektakullare në Kongresin e tyre në Paris. Përmes kësaj demagogjie, ata mundën të shfrytëzonin lëvizjet kombëtare të disa popujve ballkanik të cilët shum shpejt mbetën të zhgënjyer. Në këtë risi, edhe shqiptarët nuk bënë përjashtim. Në synimet e tyre për të sanksionuar me çdo kusht absollutizmin e tyre të ri, Turqit e Rinj, hartuan një ligj tejet manipulues për zgjedhjet e reja dhe i zhvilluan ato pa pyetur aspak për protestat nga të katër anët. Kësisoj erdhi dominimi i atyre në parllamentin e ri. E vërteta është se deputetët shqiptar që hynë në parllamentin osman u sulmuan jo vetëm nga turqit por edhe nga shqiptarët të paguar prej tyre. Sidoqoftë ishin rreth 25 shqiptarë që përfaqsonin popullin e tyre në katër vilajetet ku bien sidomos në sy emrat e Ismail Qemalit, Nexhip Dragës, Hasan Prishtinës, Shahin Kolonjës dhe të tjerëve. Në shumë raste, deputetët shqiptarë të lartëpërmendur vepronin në parlament si grup nacional duke u përpjekur kurdoherë për t’i ndihmuar fatit të Shqipërisë. Një prej kërkesave të parashtruara hapur të këtij grupi, ishte pikërisht ajo për dhënie të autonomisë për Vilajetet nacionale me ç’rast u kundërshtua hapur prej forcave konservatore të parllamentarëve të tjerë që tundnin si të shenjtë flamurin e centarlizmit të hekurt të pushtetit. Periudha e zgjedhjeve në parllamentin osman u përcuall me një sërë intrigash dhe plaçkitjesh të Portës së Lartë. U aneksuan prej saj me forcë, Bosnja dhe Hercegovina me ç’rast u lëkund mjaft imazhi i rremë i turqve të rinj, për një epokë tjetër në fillim të shekullit të njëzetë. Edhe në këtë rast deputetët shqiptarë e thanë fuqishëm zërin e tyre. “Në kritikat që i drejtoheshin kabinetit xhonturk, prinin deputetët shqiptarë me në krye Nexhip Dragën, të cilët konsideronin se me aneksimin e dy provincave të përmendura, nuk ishte cenuar vetëm integriteti i Turqisë, se këtu lidhej edhe çështja e fatit të shqiptarëve, sepse kanosej rreziku që ato të binin nën rrobërinë e një pushtuesi tjetër“(Zekiria Cana , “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë 1908 – 1912“, fq 54).
Vera e vitit 1909, do të vinte në Shqipëri me një varg masash prej turve të rinj, në dëm të lëvizjes kombëtare shqiptare në tërësi edhe në veçanti, në dëm të lëvizjes arsimore. Përkundrazi këtyre masave shtërnguese, patriotët shqiptarë zhvillonin një aktivitet të dendur i cili synonte në ndërgjegjsimin e masave të gjëra se udha e dijes duhej të vazhdonte, edhe nëse kalon përmes gulsheve të gjakut. Nexhip Draga, kësaj kohe, në bashkëpunim me Hasan Prishtinën dhe Bajaram Currin, ndërmerr një udhëtim në viset shqiptare të Kosovës e Maqedonisë Shqiptare duke u bërë zëdhënës i të drejtës së bashkëkombasve të vet për arësimin e shkollës shqipe. Krejt e butë dhe e kulturuar, e folura e Nexhip Dragës, do të dëgjohej me kureshtje dhe do të mbushte me besim zemrat e shqiptarëve. Por edhe kjo veprimtari e gjërë në rrafsh të arësimit kombëtar, nuk do të kalonte pa trazira në jetën e Nexhip Dragës. Kështu, në një prej mitingjeve të organizuar prej përkrahësve të alfabetit arab, në Shkup, u lexua edhe një rezollutë ku shkurtimisht u tha se ata shqiptarë që luftojnë për abecenë latine, duan t’ja shesin vendin Austro-Hungarisë. Më tej u përmend emri i Nexhip Dragës si tradhëtar dhe shqiptar i shitur. Arif Hiqmeti, kërkoi që biri i Dragajve të mos ishte më deputet, ngase „Kishte humbur besimin e zgjedhësve“. Por megjithëse shumë vetë kishin ardhur në këtë tubim me forcën e armëve, ata e kuptuan farsën që luhej ndaj u shpërndanë të qetë brenda pak minutash, duke ndjerë sidoqoftë respekt më të madh për Nexhip Dragën, të cilit i kishin dhënë votën.
Duke e paraparë lëvizjen arsimore shqiptare, si të padëshirueshme, në rrethinat prej nga vinte kombi i vet, Nexhip Draga, pa u takuar aspak me revoltat e manipuluara të elementëve proturke, ndërmerr në vitin 1910, hapa të tjerë për përdorimin e abecesë me germa latine, ashtu siç e pat vendosur edhe Kongresi i Manastirit i vitit 1908. Kështu në raportin e Konsullit të Serbisë në Shkup, dërguar Beogradit më 9-11-1910 thuhet se „grupi i përbërë nga II deputetë mes të cilëve edhe Nexhip Draga e Hasan Prishtina, kërkuan që në shkollat shqipe të përdorej alfabeti latin“. (Arkivi i shtetit i Maqedonisë, Fondi P. P. mikrofilm 403, cituar sipas Sh. Rahimit në Gjurmime Historike të Rilindjes Kombëtare ).
Ndërkaq në vjeshtën dhe dimërin 1909-1910, kryengritja me armë e Shqiptarëve ishte zgjeruar së tepërmi. Nën udhëheqjen e trimave Idriz Seferi, Hasan Hysen Budakova, Ded Gjo Luli, Isa Boletini e Bajarm Curri, mijëra shqiptarë të armatosur, ndonëse të veçuar prisnin vetëm një sinjal bashkimi për të luftuar në emër të lirisë së shenjtë të trojeve të tyre. Në muajin mars të vitit 1910, në Sanxhakun e Prishtinës, pakënaqsitë e popullit nxitën revolta të mëdha. Luftëtarë të Mitrovicës, Vuçitërnës dhe Llapit, të armatosur u nisën drejt Prishtinës në kërkim të të drejtave të tyre. Kështu revoltave, Porta e Lartë iu përgjigj me forcën e armëve. Por gjithsesi, kjo dhunë e ushtruar prej tyre, nuk mund të kalonte lehtë në parllament. Deputetët shqiptarë aty, ngritën lartë fuqishën zërin ndaj përdorimit të dhunës, ndërsa në ligjeratën e tij Nexhip Draga u shpreh pos të tjerave : “Në Prishtinë prap mblidhet gjindje dhe ushtri dhe këto gjëra ngjasin nga qeverimi i keq dhe nga fryma despotike e krejt nënpunësve të qeverisë. Prej pak kohe qeverimi në Shqypni të Sipërme asht bamë shum keq. Valinjtë nuk venë në punë ligjet po e merzitin dhe mundojnë popullin. . . Vjet ushtria u derdh kundër Lumës duke gjykuar tërë lumasit për kusare dhe njerëz të ligj. Po në mes tyre, a s’kish njerëz të ndershëm që i muar zvarrë të gjithë, siç bënë në Gjilan ?”. (Gazeta “Bashkimi i Kombit” 8 prill 1910, nga fjala e Nexhip Dragës në parllamentin turk ).
Zëri i birit të Dragajve, i deputetit të Shkupit, do të dëgjohej kurdoherë i fortë, buçitës, i pafriguar , gjithmonë kur ishte fjala për hallet e mëdha të bashkëkombasve të tij. Për më tej, ky zë, do të dëgjohej për interesat e shqiptarëve në të katër vilajetet. Nexhip Draga do të shpalloste në parllamentin osman jo vetëm frymën demokrate të tij, jo vetëm idetë e fuqishme që binin ndesh me despotizmin e turve të rinj, por sidomos vetitë dhe virtytet më të bukura të karakterit shqiptar. Gjithmonë në krah të Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës, biri i Dragajve do të rrëfente edhe shqiptarizmën e madhe të tij. Në vorbullën e ngjarjeve me rëndësi, në vitet 1910-1911, spikati pos të tjerave edhe veprimtaria e gjërë antiosmane e komiteteve të fshehta shqiptare. E vërteta është se këto komitete e patën zanafillën e tyre qysh në Manastirin e vitit 1905. Prej tyre dualën edhe çetat e para të kaçakëve të cilët ndërmaurrën veprime luftarake ndaj ushtrisë së Portës së Lartë. Me kohë këto komitete u shtrinë në pothuaj krejt Maqedoninë shqiptare si edhe në Kosovë e Shqipëri. Roli i këtyre komiteteve, në sfond të ngjarjeve të vitit 1911, nuk ishte më ai i mbledhjeve apo betejave fragmentare të kaçakëve. Ata u kthyen në faktorë të domosdoshëm për kërkimin e të drejtave nga ana e shqiptarëve. Sipas burimeve serbe të asaj kohe, veprimtaria e komiteteve të fshehta shqiptare, zhvillohej sipas orientimeve dhe ideve që jepte komiteti i Shkupit që luante rolin udhëheqës në krejt trojet shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare. Ky Komitet, përndryshe edhe koha udhëheqëse e lëvizjeve antiosmane, drejtohej prej atdhetarëve shqipatrë si ; Hasan Prishtina, Danish Efendia, Nexhip Draga dhe Bajram Curri. Ky komitet, ndërkohë që përfshinte në gjirin e vet, qindra njerëz nga shtresa të ndryshme, pat mbajtur asaj kohe, lidhje të ngushta edhe në degët e tij në Stamboll, Sofje, Bukuresht etj, me ç’rast përpjekjet antiturke shqiptare, përfitonin një dimension të ri. Shpërthimi i luftës Italo-Turke, do të sillte një sërë të papriturash për lëvizjen kombëtare shqiptare. Mosmarrveshjet ballkanike, tashmë do të dilnin sërish në sipërfaqe, ngase Perandoria Osmane shkonte drejt shpërbërjes së saj. Lavdia e madhe, me ç’shihej kish nisur të merrte fund. Lëvizjet e para prej ballkanasve i bënë bullgarët, të cilët nisën traktativat e tyre me serbët. Por serbia e kish lidhur qerren e saj pas qejfeve të carrëve të Rusisë ndaj ajo jo vetëm që nuk shpejtonte, por edhe priste momentin që ti vërsulej trojeve shqiptare. Kjo ka treguar më së miri me provimin e kohrave se serbët i kanë drejtuar sytë nga vëllezërit e tyre prej gjaku dhe religjioni fetar ruso ortodoks, me shpresë se edhe këta një ditë do të zgjohen nga ëndra si sundimtar të ballaknit.
Por anarkitë ballkanike dukej se po rrezikonin vetë ëndrën e shqiptarëve për autonomi. Në këto momente, në gushtin e vitit 1911, atdhetarët shqiptarë menduan se duhet të hedhin hapa të tërë përpara, lidhur me çështjen kombëtare. Kështu në shtatorin e vitit 1911, me nismën e Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës, u tubuan në qytetin e Shkupit përfaqsuesit më në zë të lëvizjes nacionale. Tubimi në fjalë, pasi u ndal në rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë, u ndal më së shumti në dy drejtime. Në fjalën e tij, Nexhip Draga tha se ka ardhur koha më e përshtatshme për të kërkuar autonominë e vendit, ngase Porta e Lartë ka humbur shumë jo vetëm nga autoriteti i saj, por ditë për dite po lëshon edhe territore të reja. Biri i Dragajve, duke u kujtuar pjesmarrësve në këtë tubim, se qëllimet e fqinjëve tanë janë tepër të egra, shtroi si adekuate çështjen e armatimit të krejt vilajeteve shqiptare. Kjo armatosje do të realizohej nëpërmjet komiteteve të fshehta, nëpërmjet ndihmave financiare, por edhe duke u bërë presion autoriteteve turke në Shqipëri, për t’i shpërndarë armë popullit. Tubimi i Shkupit, i dha një shtytje lëvizjes kombëtare shqiptare duke vendosur piketa të sakta, nga duhej të ecte kjo lëvizje. Lidhur me këtë, konsulli austriak në Shkup lajmëronte Vjenën se ; “Deputetët Nexhip Draga dhe Hasan Prishtina, kanë marrë iniciativën që të thërrasin një kongres të shqiptarëve i cili u mblodh në Shkup dhe ku çdo qytet shqiptar i Kosovës, dërgoi nga dy deputetë. Në këtë kongres, deputetët kanë kërkuar të vendoset autonomia e Shqipërisë”. (Arkivi i Institutit të Historisë, sipas dokumentave të Vjenës, dok numër 307 ). Menjëherë pas tubimit të Shkupit, Nexhip Draga u angazhua me sigurimin e armëve për kryengritjen që po trokiste. Në këtë kuadër ai bashkëpunoi jo vetëm me komitetet shqiptare të fshehta por edhe me trimin Isa Boletinin. Mandej të dy këta, patën disa traktativa edhe me Serbinë për t’u blerë armë atyre, por serbët u munduan të mashtrojnë deri në fund, ngase ata i trembeshin armatosjes së shqiptarëve. Dhe kjo dihet. Të inkuadruar në politikën ballkanike të Rusisë, serbët ç’prej kohe kishin bërë planet e tyre për coptimin e trojeve verilindore shqiptare.
Viti 1912, do të fillonte me përpjekjet e turqve të rinj, për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Parllamenti i shpërndarë turk, duhej ringritur sërish, për t’i shërbyer politikave të ditës të Perandorisë e cila çdo ditë e më tepër parashihte rrënimin e saj të plotë. E vërteta është se turqit e rinj u përpoqën me të gjitha mjetet, që në parllamentin e ri, të vinin sa ma shumë deputet që t’u bënin agjitacion politikës së dështuar të tyre. Për këtë, ata u përpoqën të hedhin baltë sa më shumë ndaj atyre deputetëve që i patën kundërshtarë të hapur të regjimit. Natyrisht, në këtë situatë, dilte një detyrë e madhe për krejt patriotët shqiptarë të cilët duhej të vepronin energjikisht si në rrafsh të lëvizjeve konkrete ashtu edhe në propagandë. Mendoj se prej historiografisë shqiptare, vlen të rishihet kjo periudhë e fillimit të vitit 1912, ngase rolin e madh të komiteteve të fshehta shqiptare, nuk kemi parë të shpalosen ende sipas dokumentave e burimeve arkivore. Por ne çdo moment të parazgjedhjeve për parlamentin turk, është ndjerë i fuqishëm veprimi energjik e atdhetar i këtyre komiteteve. Anekënd vilajeteve shqiptare, por sidomos në ate të Kosovës, komitetet morrën përsipër të demaskonin ato figura kandidatësh proturke që donin të uleshin në karrigen e parllamentit për interesa të tyre dhe aspak për ato të Shqipërisë. Në të njejtën kohë, prej këtyre komiteteve, nuk munguan edhe thirrjet drejtuar shqiptarëve “votën t’ua japin Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës”. (Arkivi Qendror i shtetit, fondi 70, dosja nr. 3, fleta 2 ).
Natyrisht turqit e rinj, fituan shumicën në Parllamentin e Ri, por fitorja e tyre ishte si ajo e Pirros. Kjo fitore e tyre, la shumë shije të keqe në popull ngase votimet u bënë nën forcën e armëve të ushtrisë të ardhur enkas në viset shqiptare. Fushata zgjedhore u dhunua plotësisht dhe vetë Porta e Lartë e kuptoi se me këto zgjedhje të fituara, e kishte ndezur së sipërmi revoltën në Shqipëri e krejt Ballaknin, duke paraparë kështu trokitjen e kryengritjes së përgjithshme. Në muaj mars-prill 1912, Nexhip Draga, duke ndejkur me vëmendje situatat, udhëton nëpër shumë vise shqiptare. Kudo birin e Dragajve e presin me respekt të madh, mandej nuk mungojnë që shpesh, familje të mëdha të harrojnë hasmëritë e të lidhin besën, për fjalën dhe nderin e Nexhipit. Tashmë çdo shqiptar i asaj kohe, shprehej ;”Lajme të mira thonë se Hasan Beu. . . Nexhip Draga, dhanë një thirrje ku këshillojnë shqiptarët për kryngritje”. ( Gazeta “Koha” Korçë më 17 maj 1912 ).
Më 10 maj 1912, pas disa traktativave të çetave kryngritëse me kajmekamin e Gjakovës, shqiptarët fillojnë kryengritjen duke sulmuar qytetin. Me ndihmën e kajmekamit të Gjakovës vijnë forca turke të garnizonit të Prizërenit. Pas dy ditë luftimesh, kryengritësit tërhiqen. Por kryengritja shpërtheu edhe në Pejë, në Rugovë, Llap e vende të tjera. Nexhip Draga, gjatë kësaj kohe gjendej në Shkup, duke dhënë kontribut të veçantë në organizimin e kryengritjes, në trevat e Maqedonisë shqiptare. Sidoqoftë, kalorësi i kësaj kryengritjeje, luftëtar i orëve të para për liri e kuptonte se ku mund të ishte vendi i tij. Së bashku me Isa Boletinin, Hasan Prishtinën dhe burra të tjerë shqiptarë, Nexhip Draga, në fundmajin e vitit 1912, ndodhet në Drenicë, në fole të krejt kryengritjes madhore të shqiptarëve. Ky shtab luftarak pati kurdoherë nevojë, jo vetëm për urtësinë dhe mençurinë e Nexhip Dragës, por edhe për ato energji të mëdha në dobi të lëvizjes sonë kombëtare. Mendoj se nuk mund të ndalem gjatë në ecurinë dhe dinamikën e kryengritjes shqiptare në pranverën e vitit 1912, ngase do të kërkoheshin hulumtime të thella dhe arsyetime po të tilla. Sidoqoftë, mendoj se forca me të cilën Perandoria Osmane kundërveproi makina ushtarake e saj, ishte mjaft e fuqishme. Për këtë arsye, kjo kryengritje, në muajt qershor – korrik, sikur u zbeh pak. Sigurisht që nuk do të zbehej në asnjë rast lufta politike dhe diplomatike e atdhetarëve tanë. Ishin këta që deklaruan hapur, në mes të Stambollit, duke iu drejtuar opinjonit të gjërë se : “Të jeni të sigurtë se politika e xhonturqve, do ta çoje vendin në katastrofë, herët ose vonë. Në Perandori nuk sundon arsyeja e shëndoshë dhe as që egzistojnë kurrfarë konsideratash karshi parimeve të së drejtës. Për këtë arsye shqiptarët janë të shtërnguar të përdorin armët e tyre”. ( Arkivi i Institutit Historik, raport i Kralit nga Selaniku, dt. 30 qershor 1912, sipas dokumentave të Vjenës ). Gjithmonë sipas dokumentave jugosllave në muajin korrik 1912, Nexhip Draga shkon në Beograd ilegalisht dhe ka biseduar gjatë me Pashiqin lidhur me kordinimin e veprimeve ndaj politikës shtypëse të Portës së Lartë. Ende nuk dijmë saktësisht bisedimet konkrete, por mendoj se ato nuk kanë dhënë frute të dukshme, pos disa armëve të pakta të siguruara. E sigurtë është se përfundimisht, biri i Dragajve u bind në Beograd lidhur me “miqsinë serbo-shqiptare” dhe këtë e rrëfeu me veprimet konkrete të tij, antiserbe, menjëherë pas kthimit nga Beogradi.
Në verën e vitit 1912, pasuan një varg betejash të mëdha të kryengritësve shqiptarë. Të udhëhequr prej Isa Boletinit, Sulejman Batushës, Idriz Seferit, Bajram Currit e dhjetra patriotëve të tjerë, u çliruan njëri pas tjetrit qytetet kryesore të Kosovës me ç’rast kryengritja përfshiu edhe vilajetet e tjera të Shqipërisë. I përkrahur fuqimisht prej Nexhip Dragës, në korrik, Hasan Prishtina i dërgoi qeverisë turke një peticion me ç’rast kërkonte : njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, formimin e administratës shqiptare, marrjen nën kontroll të ushtrisë në territoret e katër vilajeteve si edhe njohjen e Shqipes si gjuhë zyrtare. Dihet që këto kërkesa nuk u pranuan prej Portës së Lartë, dhe kjo e shtoi së tepërmi zemërimin e kryengritësve të armatosur të cilët vazhduan me vendosmëri më të madhe betejën ngadhnjimtare të nisur. Në muajt gusht e shtator 1912, birin e Dragajve, do ta gjejmë kurdoherë mes kryngritësve shqiptarë. Tashmë fjala e tij peshon shumë në vise të Kosovës e maqedonisë shqiptare. Për asnjë çast ai nuk ndahet nga ai shtab luftarak që udhëhoqi deri në fund kryengritjen e armatosur. ”Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi dhe Nexhip Draga, filluan mobilizimin e masave për luftë. Janë marrë masa që të vihen ndanë armë, malësorët e krahinave të ndryshme”. ( Arkivi i Instituit të Historisë, sipas dokumentave të Vjenës, letër e konsullit austro-hungarez në Shkup , datë 8 tetor 1912 ). Historike do të mbetet gjithashtu, tubimi i atdhetarëve shqiptarë në Shkup më 14 tetor 1912. Nexhip Draga, Bedri Pejani, Sali Gjuka etj, pasi patën marrë miratimin edhe të Hasan Prishtinës e Bajram Currit, njoftuan me anë të një deklarate Fuqitë e Mëdha, për qëllimin e madh të kryengritjes shqiptare. Populli ynë rrëmbeu armët, thuhej pos të tjerave aty, jo për turqinë por që t’i dale zot tërësisë territoriale.
Dihet tanimë se biri i Dragajve, megjithë ate mund e djersë të derdhur për kryengritjen madhore shqiptare, nuk mundi të marre pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë. Së bashku me Hasan Prishtinën, këta dy viganë të kësaj kryengritjeje, u ndaluan në mënyrë arbitrare nga qeveria e Beogradit, në një prej burgjeve të saj, me ç’rast u dëshmua edhe një herë marëdhëniet e fshehta turko-serbe. Të detyruar nga reputacioni që gëzonin në popull dhe në rrethet diplomatike, prijësit shqiptarë u larguan nga burgu në pranverën e vitit 1913. Përpjekjet e qeverisë së Ismail Qemalit, me këtë rast ishin shumë të mëdha. Për më tej, nuk heshtën as atdhetarë të tjerë madje edhe shtypi shqiptar i kohës. ”Hasan Beu bashkë me Nexhip Dragën e shokë të tjerë, ishin mbajtur pesë muaj në kështjellë të beogradit. Po çudia është se Hasan Beu me Nexhip Benë ishin nisur prej Shkupit që të lihen të lirë, të dalin jashtë Serbisë, po në Beograd, i ndaluan dhe i mbajtën si të dyshimtë”.
( Gazeta “ Liri e Shqipërisë “ Sofje më 22 korrik 1913 ).
Në vitet që rrodhën më pas, ne do ta shohim Nexhip Dragën të jetë sërish në vendet e para të atdhetarëve që bëjnë ç’është e mundur për forcimin e shtetit të parë shqiptar. Lidhjet e tij me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe Mid’hat Frashërin, janë jo vetëm të ngushta por edhe krejt shpirtërore. Ai shkon në Vlorë në vitin 1913 prej ku kryen edhe funksionin shtetëror. Por gjithsesi, sytë dhe mendja e tij, do të ishin kurdoherë, trojet arbërore në Kosovë e Maqedoninë shqipatre. Krijon në Shkup, më 1919 organizatën e “Xhemijetit”. Ideja e bashkimit të shqiptarëve, ka bashkëjetruar me te, në çdo rast të jetës fizike. Mandej shkon në Kosovë, dhe mbledh rreth “Xhemijetit” dhjetra patriotë të tejrë, ç’ka do t’i shërbenin më pas kauzës së madhe të lirisë. Ngarend kudo, në çdo vend shqiptar deri sa zemra e lodhur, rënkon pas udhëve të gjata. Shkon në Vienë më 1920 për t’u shlodhur pak nga sëmundja që e kishte kapluar, por fiket përgjithmonë aty më 18. maj 1921, jeta e këtij kalorësi të madh të lirisë.
Bern-Zvicër