Rethanat arsimore në prefekturën e Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe roli i Aqif Blytës në hapjen e shkollës shqipe në Pazar të Ri ( pjesa e IV)
(Kumtesë në konferencën shkencore të 21.janarit 2017,kushtuar përvjetorit të 72 të vrasjës se Aqif Blytës e Ahmet Dacit,mbajtur në Prishtinë)
Autor: Fazli Hajrizi
Brenda një kohe mjaft të shkurtër Misioni i Jashtëzakonshëm i shpërndau të gjithë mësuesit e ardhur nga Shqipëria nëpër vendet e përcaktuara. Puna nisi me organizimin e kurseve të gjuhës shqipe me mësuesit vendës, të cilëve u mungonin njohuritë dhe kualifikimi adekuat. Krahas qendrave të tjera, si: në Prizren, në Gjakovë, në Rahovec, në Pejë, në Istog, në Skënderaj, në Lipjan, në Prishtinë, në Janjevë, në Ferizaj, në Shtime, në Gjilan etj., edhe në Qarkun e Prefekturës së Mitrovicës, ku bënin pjesë Mitrovica, Vushtrria, Podujeva dhe Pazari i Ri e që i përkisnin zonës së pushtimit gjerman, u hapën kurse të ndryshme, të cilat i drejtonin personalitetet e shquara të arsimit kombëtar.
Më 25 maj 1941, u hap shkolla shqipe pesëklasëshe në Mitrovicë, e cila u pagëzua me emrin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti (“Skënderbeg”). Porosia proverbial e Gjergj Fishtës për shkollën dhe arsimin: “Të hapësh një shkollë do të thotë të çelësh një dritare më shumë nga ku një komb mund të shkojë më larg drejt qytetërimit e përparimit, drejt të ardhmes së tij!” – shërbeu si busull dhe frymëzim për mësuesit e kohës, që iu përvishën punës më me dashuri e përkushtim. Fill pas shkollës fillore pesëklasëshe në Mitrovicë, u hapën edhe disa shkolla të mbrëmjes (natës), kurse të ndryshme kundër analfabetizmit, shkolla në fshatra etj. Gazetari D. Shala në një artikull të tij të botuar në gazetën “Tomori”[1], më 20 shtator 1941, lajmëron për ardhjen e gjashtë mësuesve dhe dy mësueseve në Mitrovicë, të dërguar nga Misioni i Jashtëzakonshëm Arsimor me seli në Prizren, për të filluar misionin e shenjtë të mësimit të gjuhës shqipe edhe në Mitrovicë. Ky lajm u prit me bujari dhe entuziazëm nga populli dhe autoritetet e këtij mjedisi. Edhe pjesëtarët e shoqatës së vjetër “Merhamet” iu bashkëngjitën veprimtarive për mësimin e gjuhës shqipe dhe çeljen e shkollave në gjuhën amtare. Në punën e filluar ishin përfshirë 50 nxënës, 350 kursistë zejtarë dhe gjimnazistë, si dhe 20 vajza (nxënëse) të shkollave të mesme. Çdo të diel populli i gëzuar dilte në rrugët e qytetit për të ndjekur parakalimin dhe marshimin e hijshëm me hapa të harmonizuar të nxënësve dhe të kursistëve të veshur me uniforma të bukura shqiptare.
Në raportin e tij nr. 20 të datës 2 mars 1942, dërguar Ministrisë së Arsimit në Tiranë, Bedri Gjinaj njofton se ai kishte hapur kursin e natës me 80 kursistë: zejtarë tregtarë, shegërtë etj., kurse Kadri Borshi, sekretar i prefekturës, punonte në kursin që numëronte 60 kandidatë[2]. Në mungesë të mësuesve, në kursin për zhdukjen e analfabetizmit u angazhuan edhe kuadro të tjera, si për shembull, kursin me 60 kursistë e udhëhiqte juristi Nexhip Deva, gjykatës i shkallës së parë. Nga kursistët e parë që mësuan shkrim-lexim shqip dhe që treguan sukses të dalluar, u zgjodhën 20 veta, të cilët u angazhuan si ndihmësmësues nga komisioni i jashtëzakonshëm shkollor për të punuar me kurset për të rritur në fshatrat e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe të Podujevës.
Meqenëse në fillim nuk kishte kuadro me kualifikime të parapara me ligj, Bedri Gjinaj, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Nexhip Deva etj. organizuan Kursin Pedagogjik në Mitrovicë. Atë e ndoqën shumë të rinj. Drejtues i kursit ishte caktuar Ahmet Ashikja, kurse mësues: Sali Morina, Abdi Kërçini, Rrok Zojzi, Bedri Gjinaj, Gjergj Martini, Dodë Shala, Zografa Martini dhe Margarita Shala[3]. Më 23 qershor 1941, në Mitrovicë u hapën dy kurse për të rritur me 80 kursistë. Shkolla fillore pesëklasëshe shqipe në Mitrovicë u pagëzua me emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti (“Skënderbeg”), ndërsa drejtor i saj u emërua Bedri Gjinaj, i cili u angazhua që disa të rinj e të reja nga rrethi i Mitrovicës, me qëllim të ngritjes së tyre nga pikëpamje profesionale pedagogjike, të dërgohen për të ndjekur Kursin Pedagogjik që organizohej në Shkollën Normale “Sami Frashëri” të Prishtinës. Në kursin Pedagogjik pranoheshin kandidatët e moshës 18-30 vjeçare. Në mbarim të kursit, i cili zgjaste tre muaj, kandidatët i shtroheshin provimit të posaçëm. Pas kryerjes së kursit, kandidati emërohej mësues. Kursin për mësues e kanë kryer disa kandidatë nga Prefektura e Mitrovicës, pra nga zona e okupuar gjermane edhe pse ishte e ndaluar pjesëmarrja e tyre në të. Gjatë muajve korrik, gusht, shtator dhe tetor, d.m.th. prej 8 korrikut e deri më 18 tetor 1942, në Kursin Pedagogjik të organizuar në Prishtinë, prej gjithsej 85 kandidatëve nga të gjitha qytetet e Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë, Mitrovica pati numrin më të vogël të kandidatëve. Në Kursin Pedagogjik ligjëronin: Ymer Berisha (gjuhë shqipe, histori dhe gjeografi), Reuf Zajmi (didaktikë, metodikë dhe administratë shkollore), Lirak Dodbiba (psikologji e edukatë), Kolë Kosmaçi (muzikë). Provimet përfundimtare të Kursit Pedagogjik që u mbajtën prej 5-9 tetor 1942 në Prishtinë, ku, siç thamë, ligjëronin Ymer Berisha, Reuf Zajmi, Lirak Dodbiba, Kolë Kosmaqi etj. i kryen këta kandidatë nga Mitrovica e rrethina: Abdulla Zajmi, Nazmi Mustafa, Lina Shkreli, Melihate Deva dhe Ali Gaxha.
Në Kursin e dytë Pedagogjik që u organizua gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 1943 në Prishtinë, në grupin B, ku gjendeshin 38 kursistë nga Qarku i Mitrovicës, u desh të mbahen tri orë në javë aritmetikë. Ato i mbante vullnetarisht Eqrem Çano. Ndër kandidatët nga Prefektura e Mitrovicës, që mbaruan Kursin e Dytë, janë: Haki Ahmeti nga Vaganica (1921) që kishte gjashtë klasë të medresesë, Hajredin Saraqini (1920) nga Gjakova me vendbanim në Mitrovicë që kishte tri vjet shkollë nate zejtare, Sejdi Sulejmani (1922) nga Cërrnusha që kishte tetë vjet të medresesë, Zehra Zhubi (1917) nga Mitrovica me pesë klasë të shkollës zejtare për femra, Nezir Halimi-Miftari (1923) nga Kodra (Zasella) me shkollë fillore serbe, Nazim Dedolli nga Mitrovica me semimaturë të Mitrovicës, Reshid Damati (1925) nga Mitrovica me tri klasë shkollë nate zejtare, Qemal Mujku (1917) nga Mitrovica me katër klasë të gjimnazit serb, Qamil Demjaha (1925) me Dekretmësues, Qazim Zhubi (1918) me Dekretmësues, Musa Kalaja (1923) dy klasë shkollë nate tregtare, Sejdi Rexhepi, Behram Imeri (1922) nga Kçiçi me shkollë fillore serbe, Rifat Mehmeti-Tahiri (1917) nga Vllahija me tetë vjet të medresesë së Mitrovicës, Bedrije Mujku (1919) me pesë klasë pune, Bediha Korenica (1925) nga Vushtrria me shkollë fillore serbe të Vushtrrisë, Hateme Shala (1925) nga Vushtrria me katër klasë të shkollës fillore të kryera në Tiranë, Halil Gërbova (1925) nga Novi Pazari me katër klasë tregtare, Nasibe Hoxha (1924) nga Vushtrria me shkollë fillore të Tropojës, Lejla Presheva (1924) nga Novi Pazari me katër klasë të gjimnazit serb, Hasan Shabani (1917) nga Oshlani i Vushtrrisë, Dekretmësues, Niman Rexhepi nga Breznica, Is’hak Sulejmani (1904) nga Vushtrria me 3 klasë ruzhdije dhe tetë klasë të medresesë, Bajram Ahmeti (1904) nga Studimja me tri klasë të gjimnazit turk të Vushtrrisë, Hajrullah (Hajrë) Haxhija nga Vaganica, Taip Perjuci nga Mitrovica me shkollë tregtare, Arif Hajro (1922) nga Zherovnica e Mitrovicës, Dekret-mësues, Mustafë Ismajli (1923) nga Vushtrria, Dekretmësues, Nazif Jonuzi (1925) nga fshati Resnik të Vushtrrisë, me shkollë fillore serbe dhe katër vjet të medresesë së Vushtrrisë, Kajtaz Ferizi (1918) nga fshati Ashlan i Vushtrrisë, me katër vjet të medresesë, Shefqet Rexhepi (1911) nga Vushtrria, me shkollë fillore serbe, Dekretmësues, Osman Sylejmani nga Vushtrria, me 12 vjet të medresesë së Vushtrrisë, Beqir Zeqiri (1923) nga Stanovci, Dekretmësues, Beqir Ademi (1913) nga fshati Breznicë, me 8 vjet të medresesë së Prishtinës, Jonuz Halili (1920) nga Vushtrria, Dekretmësues, Murat Hamiti (1925, i lindur në Fier në një familje nga Novosella e Vushtrrisë, me shkollë fillore të kryer në Fier, Behë Ramë Imeri (1922) nga fshati Kçiq, me 8 vjet të medresesë së Vushtrrisë, Ibrahim Hajrullahu (1919) nga fshati Zakut, me 8 vjet të medresesë dhe 4 vjet të Gjimnazit të Prishtinës, Sulejman Ibrahimi nga Llapashtica e Podujevës, me 8 vjet të mederesesë së Prishtinës, Rashid Hasani (1909) nga fshati Letanc i Podujevës, me ixhazetname të Prishtinës, Qazim Asllani (1914) nga fshati Lluzhan i Podujevës me ixhazetname të Prishtinës, Hashim Hasani (1913) nga fshati Tërnavë të Podujevës me ixhazetname të Prishtinës, Shaban Ajeti (1920) nga fshati Sibovc i Podujevës, me shkollën fillore serbe dhe 7 vjet të medresesë së Prishtinës, Ismail Ibrahimi (1923) nga fshati Dyz i Podujevës, ndihmësmësues me 6 vjet të medresesë së Prishtinës[4].
Gjatë vitit shkollor 1941/42 nga Mitrovica në Shkollën Normale “Sami Frashëri” i kanë vijuar mësimet në klasën e tretë dhe të katërt këta nxënës: Xhabir Xhabiri (1926), Basri Arapi (1927), Murat Morina (1926), Musa Gashi (1927), Shinasi Shefqeti-Korenica (1928) nga Vushtrria, Musa Deva; Nexhat Çuni, Feti Zhubi, Ibrahim Spahiu dhe Abedin Imeri-Krasniqi. Një vit më vonë, pra në vitin shkollor 1942/43 në
Në Shkollën Normale “Sami Frashëri” i kanë ndjekur mësimet edhe këta nxënës nga Mitrovica: Nexhmedin Baruti (kl. I), Reshat Deva (kl. II), Veton Gjinaj (kl. II), Sali Nushi (kl. III) dhe Milan Perkaj (kl. IV).
Në fillim, siç thamë, u hap shkolla e parë “Skënderbeg” në shtëpinë e Osman Zymit e pastaj në ndërtesën e Shoqatës Bëmirëse “Merhamet” (aty ku deri para disa vitesh ka qenë Shkolla për edukimin fillor muzikor “Tefta Tashko”). Objekti i shkollës fillore “Skënderbeg” që e drejtonte Bedri Gjinaj, është ngritur më 1931 dhe më përpara kishte qenë pronë e Shoqatës Bëmirëse “Merhamet”.
Udhëheqësit e arsimit në rrethin e Mitrovicës, si Bedri Gjinaj, koordinator e drejtues, Ferit Bajrami, inspektor i shkollave, dhe Ahmet Mustafa, referent, bashkë me mësuesit, shumica prej të cilëve edhe pse nuk kishin përgatitje të mjaftueshme profesionale, shkruan faqe të lavdishme në historinë e arsimit, kulturës dhe të lëvizjes patriotike shqiptare. Ata, edhe pse punonin në kushte e rrethana shumë të vështira, arrinin të kryenin me mjaft sukses misionin e shenjtë arsimor e kombëtar. Duke qenë gjithnjë në nivel të detyrës, pra synimi i tyre ishte shkollimi, arsimimi dhe edukimi i fëmijëve shqiptarë në gjuhën e tyre amtare, ata asnjëherë nuk ranë nën ndikimin e ideologjisë dhe të kalkulimeve të okupatorit fashist gjerman, pra nuk pranuan të përzihen në çështje politike. Ata u angazhuan me tërë qenien, tërë forcat i përqëndruan në edukimin dhe arsimimin e nxënësve të tyre në mënyrë sa më të drejtë. Në vend të kulturës e të filozofisë së huaj që, dihet, çdo pushtues i përdor për të thyer konstitucionin shpirtëror, mënyrën e jetesës dhe të menduarit e një populli, këta mësues të devotshëm u ofruan nxënësve të tyre njohuri të nevojshme për gjuhën, kulturën e historinë kombëtare. Pra në themelet e arsimit popullor ata vunë edukatën kombëtare, traditën patriotike e demokratike, të arriturat nga fushat e ndryshme të shkencës etj. Ata i konceptonin detyrat e edukatës në tri komponente: në edukimin moral, në edukimin mendor dhe në edukimin fizik. Edukimi moral, sipas tyre, nënkuptonte edukimin patriotik, respektin për dinjitetin njerëzor dhe dashurinë për punën, shkollën, shkencën… Arsimi jepej pa të holla dhe ishte i obligueshëm në ato vende ku kishte shkolla, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, duke nisur prej moshës 7-vjeçare.
Më 28 Nëntor 1941, në Mitrovicë, nën drejtimin e Bedri Gjinajt, për herë të parë u festua në mënyrë madhështore Dita e Flamurit. Kjo kremtë ngjalli flakën e ndjenjave kombëtare. Sheshi dhe rruga që nga Ura e Ibrit, Çarshia e vjetër e deri te Stacioni i trenit ishin mbushur plot me njerëz të moshave të ndryshme. Pleqve u shkonin lot gëzimi kur shihnin të rinjtë e të rejat, vajzat e gratë të stolisura bukur, kur dëgjonin recitimet e vargjeve të poetëve tanë të traditës ku himnizohej flamuri, atdheu, gjuha, tradita…
Gjatë javës, nxënësit, të prirë nga mësuesit e tyre, dy herë në javë parakalonin nëpër rrugët e qytetit. Çdo parakalim ishte një festë e vërtetë. Veshja kuqezi dhe këngët e bukura me përmbajtje patriotike të shoqëruara me instrumente të ndryshme, bënin përshtypje të jashtëzakonshme në popull. Këto lëvizje nëpër rrugët kryesore të qytetit që shoqëroheshin me këngë, nuk bëheshin me qëllim që t’i nderojnë gjermanët, siç propagandonin komunistët, por për të afirmuar vitalitetin kombëtar, kulturën, për të nxitur edhe të rinj të tjerë, sidomos të rejave, femrave, që t’i afrohen shkollës, që t’u bashkëngjiten në aktivitete sportive, kulturore etj. Duke kënduar këngë patriotike për atdheun e heronjtë, për gjuhën e flamurin, për shkollën e mësuesin, për çdo gjë të lartë, të zdritshme e njerëzore, Qëllimi kryesor i Bedriut ishte zgjimi i ndjenjës së dashurisë së popullatës shqiptare për viset kombëtare, për heronjtë, për shkollën, dituritë… Banorët shqiptarë më të vjetër të këtij mjedisi asnjëherë nuk e kishin përjetuar këtë ndjenjë sepse pushtuesit serbë i kishin privuar nga të gjitha të drejtat: nga e drejta e shkollimit, përdorimit të simboleve kombëtare, manifestimeve kulturore që kishin karakter kombëtar etj.
“Lidhja Popullore”, Bedri Gjinaj dhe organet e pushtetit në Prefekturën e Mitrovicës kanë përsëritur disa herë kërkesat për dërgimin e mësuesve tjerë në këtë mjedis, të cilët do të hapnin shkolla edhe në fshatra tjera më të thella. Kështu, më 13 dhjetor 1941, Ministria e Kulturës Popullore në Tiranë kishte përpiluar listën e 22 mësuesve që t’i dërgonte në Mitrovicë[5]. Më 31 tetor 1942, Lidhja Popullore Shqiptare e Mitrovicës reagon me këtë vendim të Ministrisë, duke kërkuar numër më të madh të mësuesve për shkollat shqipe në këtë Qark, pra jo 22, por 150 sish[6]. Më 1 qershor 1943, dyzet e tetë mësues të Prefekturës së Mitrovicës, duke qenë se pjesa dërrmuese e tyre nuk i plotësonin kushtet paraprake për kursin e dytë pedagogjik të verës së vitit 1943, i drejtohen Ministrisë së Arsimit në Tiranë me një shkresë, ku kërkojnë që të hapet sa më shpejt një kurs pedagogjik pranë Shkollës Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë, i cili do të bënte aftësimin e mësuesve, posaçërisht të atyre të Qarkut të Prefekturës së Mitrovicës. Këta mësues të Prefekturës së Mitrovicës kërkonin nga MA që ky Kurs Pedagogjik të hapet posaçërisht për ta në mënyrë që të stërvitin mjeshtërinë e mësuesisë për të arritur një aftësim pedagogjik sa më të mirë për punën e mësuesisë. “Duke qenë se kemi punuar qe nga qershori i vitit 1941 nëpër shkolla të ndryshme të Qarkut të Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri), pra qe dy vjet, dhe duke qenë se vetëm një pakicë prej nesh kanë pasur mundësi të ndjekin Kursin Pedagogjik në Mitrovicë, të cilin e patën hapur disa mësues atdhetarë nga Shqipëria (1941), duke qenë se shumica jemi me 4-5 klasë të medresesë, me shkollë fillore ose me shkollë nate të ish Jugosllavisë, kërkojmë hapjen e kursit vetëm për ne në mënyrë që aftësohemi profesionalisht në këtë punë. Jemi të vetëdijshëm për mangësitë profesionale dhe pedagogjike, mirëpo do të vazhdojmë edhe më tej t’i mbajmë shkollat dhe të luftojmë analfabetizmin”[7]. Ministria e Arsimit e kishte pranuar kërkesën e këtyre mësuesve, të cilët i quante provizorë, duke hapur menjëherë Kursin Pedagogjik në Prishtinë. Kursin e verës së vitit 1943 e ndiqnin 38 kandidatë, në mesin e tyre edhe tri femra nga Vushtrria: Bediha Korenica, Nasibe Hoxha dhe Hateme Shala. Shumë të tjerë abstenuan për arsye të ndryshme[8].
Duke qenë në Qarkun e Prefekturës së Mitrovicës mungonin shkolla të Mesme shqiptare, drejtori i shkollës fillore “Skënderbeg”, Bedri Gjinaj, më 31 gusht 1943, me një shkresë iu drejtua Ministrisë së Arsimit në Tiranë që të sigurohen bursa për shkollimin e rinisë shqiptare të rrethit të Mitrovicës. Ai kërkon 20 bursa për vajza dhe bursa për djem për t’i dërguar në shkollim të mëtutjeshëm në institucionet e Tiranës dhe të Shkodrës, si dhe 30 bursa për shkollimin e rinisë shqiptare në Shkollën Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë. Kështu, disa të rinj e të reja të Prefekturës së Mitrovicës vazhduan shkollimin e mëtutjeshëm në Tiranë, Shkodër, Prishtinë etj., si: Abedin Imeri – Krasniqi, Halit e Shaqir Zymi, Xhabir Xhabiri, Halim Dauti, Nexhat Agolli, Mysherefe Mustafa, Sadije Metarapi, Medine Kadriu, Vilma Shkreli, Bediha Korenica, Shukrije Zymi, Veton Gjinaj, Reshat Deva etj. (në Gjimnazin e Shkollën Normale “Sami Frashëri” të Prishtinës), Albina Shkreli, Sazan Deva, Myrvete Patuci, Xhevahire Metarapi (në Kamëz të Shqipërisë), Naxhije Deva (në Tiranë).
Interesimi i prindërve për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollë ishte rritur shumë. Kështu, edhe kërkesat për sigurimin e kuadrit arsimor (mësuesve) ishin gjithashtu të domosdoshme. Siç theksonte Bedri Gjinaj në një kërkesë të tij, nevojat për mësues ishin të mëdha, sepse numri i nxënësve, sidomos i vajzave në shkollat fillore të këtyre anëve (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Novi Pazar), ishte gjithnjë e më i madh[9].
Për ngritjen e kuadrit arsimor, përveç shkollimit të rregullt, kishte nevojë edhe për hapjen e kurseve pedagogjike. Kurse pedagogjike janë organizuar edhe në Podujevë, drejtues kursi ishte Ahmet Caku, kurse mësues Frano Jakova; në Vushtrri drejtues kursi ishte Idriz Fishta, kurse mësues Shaqir Hoti; në Pazar të Ri – Xhevdet Doda, drejtues, kurse Xhafer Xërxa, mësues; në Plavë drejtues i kursit ishte Rifat Spahiu, kurse mësues Beqir Kastrati; në Guci drejtues ishtre Shaban Ferri, kurse mësues Haki Taha, dhe në Brod mësues Mehmet Gjyli.