Sokol Paja
Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, Shefe e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Sarajevës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën që po zhvillon Bosnje-Hercegovina ndaj pandemisë globale Covid-19 dhe kryesisht gjëndja në Sarajevë. Me Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
BOSNJE-HERCEGOVINA NË BETEJËN NDAJ COVID-19
Situata në Bosnje dhe Hercegovinë në këtë moment është relativisht stabile lidhur me COVID-19, në valën e parë të pandemisë, në muajin prill dhe maj, numri i të infektuareve me COVID-19 ka qenë jashtzakonisht i ulët, mendoj se faktori kryesor i cili ka ndikuar që situata në Bosnjë dhe Hercegovinë të jetë e tillë është organizimi i shpejtë me kohë si dhe adekuat i të gjitha institucioneve e posaçërisht e institucioneve shëndetësore të cilat qysh në fillim të pandemisë është organizuar në mënyrë të shkëlqyer. Në muajin qershor, ka ardhur deri te lehtësimi i të gjitha masa rigoroze, ku si pasojë në këtë moment është rritur numri i të sëmurëve me COVID-19. Fatkeqësisht, numri i të sëmureve nga Covid është gjithnjë në rritje. Në këtë moment, në Qendrën tonë Klinike Univerzitare kemi të shtrirë 20 pacient me COVID-19 të cilit kanë simptoma të lehta dhe nuk kanë nevojë ende për respirator. Në lidhje me gjetjen e vaksinës kundër Covid? mendoj se edhe në të ardhmen numri ose llojlloshëmria e viruseve do të jetë gjithnjënë rritje e sipër, për fat të keq. E faktorët të cilët ndikojnë në këtë rritje janë të shumtë. Ne duhet të adaptohemi dhe te jetojmë me këtë situatë të re të krijuar globale.
SHQIPTARËT NË BOSNJE-HERCEGOVINË
Në bazë të burimeve arkivore Shqiptarët për herë të parë u vendosën në Bosnje e Hercegovinë në kohën e Perandorise osmane. Si shkaqe kryesore të migrimit të Shqiptarëve nga trojet e tyre ishin kryesisht sociale, shoqërore dhe ato politike. Fillimisht Shqiptarët që vinin në Bosnje ishin nga Shqipëria veriore e në kohërat në mes të dy luftërave botërore, e në vecanti pas Luftës së Dytë Botërore shënohet migrimi më i madh i Shqiptarëve dhe atë nga Kosova, Maqedonia, Mali Zi dhe Serbia (Medvegjë, Bujanovcë e Preshevë). Popullata Shqiptare në Bosnjë e Hercegovinë kryesisht u vendosën nëpër vende urbane dhe qytete si: Sarajevë, Tuzëll, Zenicë, Banjallukë, Mostar, Travnik, Doboj, Brqko, por edhe nëpër vende rurale. Fillimisht ata ishin barinjë, mjeshtër artizanatesh, roje kufitare dhe një numër shumë i madhe gjatë kësaj kohës u asimilua dhe mori nacionalitete të popullit vendore. Shqiptarët në Bosnjë e Hercegovinë,nëvitet e 50-ta të shekullit tënjëzet në Sarajevë formojnë Shoqatën e studentëve “Lulëzimi”, ndërsa në fillim të viteve të 70 krijohet Klubi Shqiptarë “Bajram Curri” në kuadër të se cilit funkciononte Shoqëria Kulturo-artistike “Bajram Curri” si dhe shkolla e plotë tetëvjeqare në gjuhen shqipe. Në fillim të viteve 80 të shekullit të njëzet, për shkak ngjarjeve në Kosovë në Sarajevë strukturate politike te asaj kohe e mbyllin klubin “Bajram Curri” , si dhe shkollën tetëvjecare në gjuhën shqipe. Në vitet 90 të shekullit të kaluar Shqipëtarët në BeH organizohen dhe krijojnë partinë politike “Lidhja Demokratike e Shqipëtarëve në Bosnjë e Hercegovinë” , me seli në Sarajevë, rikthejnë institucionalisht emrin e Klubit Shqiptarë “Bajram Curri”. Shqiptarët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës nga agresioni Serb dhe me qindra veta flijuan jetën e tyre ndër të cilit është dhe dëshmori Bajram Zenuni, inxhinjer në televizionin e Sarajevës, e që sotë rruga përballë televizionit të Bosnjës e Hercegovinës mbanë emrin e këtij dëshmori “Rruga Bajram Zenuni”. Për dallim që në të kaluarën Shqiptarët që ndër vite identifikoheshin si sharanxhi, puntorë fizik, furrtarë e zanatli të ndryshëm , sot Shqipëtarët në Bosnje e Hercegovine kanë arritur një nivel tjetër shoqëror, me personalitete që kanë arritur famë botërore dhe grada më të larta shkencore si në disa degë të mjekësisë sic janë; Kardikirurgjia, Mikrobiologjia, Pediatria, Psikologjia e Psikiatri ashtu edhe në fushat tjera shoqërore siç janë: Jurispondenca, Ekonomia e Menaxhmenti e edhe diplomat në ministrinë e punëve të jashtme me tituj Ambasador etj. Shqiptarët në Bosnje e Hercegovinë, aktualisht janë pronar dhe menaxher të Univerziteteve më të njohur në BeH edhe më gjerë. Përndryshe, aktualisht sot në Bosnje e Hercegovinë jetojnë rreth 12 mijë Shqiptarë të organizuar në shoqata e klube Shqiptare të udhequr nga Bashkësia Shqiptare në Bosnjë e Hercegovinë.
MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA
Porosia ime për mergatën tonë në SHBA është që të edukohen sa më shumë që të munden, të punojnë sa më shumë që munden se vetëm në këtë menyrë mund të arrijme aspiratat tona shekullore dhe që si popull të prezentohem sa me dinjitozë ne shoqëritë e civilizuara botërore se vetëm ne këtë menyrë do të ndihet zëri i Shqiptareve në të gjitha instancat botërore qoftë në aspektin ekonomik apo shkencorë.
KUSH ËSHTË PROF. DR. ILIRIJANA HAXHIBEQIRI – KARABDIĆ
Mjekësia për Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić gjithmonë ka qenë profesion inspirues. Ajo rrjedh nga familja mjekësore, ku babai i saj, Prof.Dr. Sami Haxhibeqiri, ka qenë kirurgu i parë shqiptare në ish-Jugosllavi që nga viti 1965 i cili ka qenë edhe në ekipin e parë të kirurgëve, të cilet kanë bërë operimet e zemrës në fillimin e viteve te 70-ta në ish-Jugosllavi , njëkohësisht është njëri ndër themeluesit e fakultetit të mjekësisë në Prishtinë dhe person i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për mjekësinë Kosovare, jo vetëm si kirug torako-abdominal por duke krijuar plejadë të tërë profesionist mjekësor e në veçanti si kirug duke qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës qoftë në paqe ashtu edhe në luftë, duke qenë kirurg i parë që ka shkuar në zona të luftës në Kosovë që nga shkurti i vitit 1998 deri në ditën ku edhe u flijua. Pas luftës në Kosovë, për kontributin e dhënë gjatë jetës së tij, Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë e emërtojën me emrin e babait te saj “Dr.Sami Haxhibeqiri“. Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić, motra dhe vëllai saj kanë vazhduar rrugën e babait të tyre. Motra Dr. Shpresa është anesteziologe, e vëllau Dr. Shpendi është psikiatër forenzik. Dashuria ndaj kardiokirurgjisë daton qysh nga ditët e para të studimeve. Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić studimet e mjekësisë i ka filluar në Universitetin e Prishtinës dhe i ka mbaruar në Universitetin e Sarajevës. Specializimin nga lëmia e kardiokirurgjisë e ka filluar në Sarajevë dhe e ka mbaruar në Berlin Deutsche Herzzentrum në vitin 2004 ku edhe është bërë kardiokirurge e parë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjatë specializimit në Berlin, në vitin 2004 ka qenë anëtare i ekipit të parë për transplantimin e zemrës dhe Mechanical Circulatory Support në Deutsche Herzzentrum Berlin i cili në fillim të vitit 2000 ka qenë një nga qëndra kryesore në Evropë për operimet në zemër. Mbas specializimit, ka vazhduar krahas punës profesionale edhe atë shkencore duke magjistruar dhe doktoruar në lëminë e kardiokirurgjisë dhe ka fituar titullin e Profesorit të Kardiokirurgjisë, është mentore për specializime dhe subspecializime në Ministrinë Federale të Shëndetësisë të Bosnje dhe Hercegovinës për lëminë e kardiokirurgjisë. Me kardiokirurgji merret që 22 vite dhe është shefe e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Sarajevës. Njëkohësisht, është profesore e kardiokirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë – SSST dhe njëherësh e vetmja femër profesoresh në lëminë e kardiokirurgjisë në Ballkan. Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe seminare profesionale ndërkombëtare si ligjëruese, dhe mysafire e ftuar si në Zvicër, Spanjë, Suedi, Sloveni, Angli, Gjermani, Itali dhe SHBA (Houston, Texas). Është autore e punimeve shkencore të publikuara në Bosnjë dhe Hercegovinë edhe në revista shkencore me karakter ndërkombëtar. Është Anëtare e Shoqatës së Kardiokirurgëve Evropian dhe shoqatave të ndryshme ndërkombëtare për lëminë e kardiokirurgjisë. Është autore e librit “Praktikumi për Kirurgjinë Ambulantore” dhe bashkëautor në librin “Mjekësia Urgjente” të publikuar nga Universitetit i Sarajevës.
Gjatë punës profesionale ndër vite ka marrë mirënjohje dhe dekorata të shumta në Bosnje dhe Hercegovinë. Është nënë e dy fëmijeve, dhe me këtë rast fëmija i saj i parë, vajza e saj është po ashtu studente e fakultetit të mjekësisë andaj Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri – Karabdić është shumë e lumtur që tradita e tyre familjare në fushën e mjekësisë do të vazhdojë edhe për një brez. Duke qenë se ska shumë kohë të lirë për arsye të obligimeve të shumta profesionale dhe akademike ende ka pasion leximin e një libri dhe të luajë në piano e cila i jep shumë relaks. Motoja e jetës së saj është: “Jam e lumtur – puna ime e ditë përditshme nënkupton luftën per një jetë njerëzore“.