No Result
View All Result
Ekspeditat hulumtuese shkencore dhe etno-kulturore janë në stad të pazhvilluar tek ne. Madje deri më tash, më bindshëm na kanë përshkruar të tjerët duke na studiuar e vizituar, sesa ne e njohim vetveten! Stipçeviq për këtë i kritikonte edhe ilirët dhe mungesën e traditës së shkrimit! Së fundi u hap diskutimi, i nisur keq dhe i përfunduar me mahi kolektive kombëtare rreth hunzakëve dhe kalashëve në Pakistan, si ilirët e dikurshëm, të mbetur atje nga aventurat ushtarake të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë antike.
Avni Rudaku
Kosova ka universitet publike në qytetet më të mëdha, me kolegje universitare private gjithandej, me Institut Albanologjik, Akademi të Shkencave dhe Arteve, Institut të Historisë, për gati gjysmë shekulli, dhe nuk investon thuajse fare në ekspedita hulumtuese dhe etno-kulturore.
Ekspeditat e vetme janë reduktuar në ca reportazhe të pjesërishme mediatike si në disa fshatra të Sanxhakut në territorin e sotëm të Serbisë nga Top Chanel (2013), për shqiptarët e Ukrainës, disa arkiva të viteve të ’70-ta TV Prishtinës mbi shqiptarët në Siri, e kështu me radhë.
Gjersa po bashkëbisedoja mbi aktivitetet e shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, me iniciatorin dhe kryetarin e saj Ismet Azizin, bindeshit se mbështetja institucionale kosovare mungon për hulumtime serioze shkencore, aq më pak për ekspedita hulumtuese etno-kulturore jashtë vendit. Sikur e shpjegonte Azizi, qëllimi i kësaj shoqate ka qenë “intensifikimi i lidhjeve mes sanxhaklinjve dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët i lidh historia e përbashkët”! Rrëfimet e tij janë shumë tërheqëse, kurioze dhe nxitëse për ekspedita hulumtuese etno-kulturore te “shqiptarët e harruar sanxhaklinj” e të “atyre të paharruar” në Sanxhakun e identifikuar sot vetëm me boshnjakë e myslimanë. Ai ka bërë shumë vizita, regjistrime rrëfimesh dhe është profilizuar që të merret ekskluzivisht me Sanxhakun, pasi që ka kohë të gjatë që shkruan edhe shkrime për të. Shpesh e përshkonte një emocion shpërthyes në sytë e tij, kur tregonte për gjeneratat e babgjyshëve të shumë sanxhaklinjve, se si ishin me plisa të bardhë, apo edhe për gjuhën e harruar shqipe të disa sanxhkalinjve të sotëm e të disa sanxhkalinjve të sotëm që e mbajnë mend shumë mirë akoma gjuhën shqipe. Azizi ishte mbushur pasion për t’u marrë me një personazh shqiptar të Sanxhakut, për të cilin po mblidhte sistematikisht të dhënat, i cili për sanxhkalinjët shumicë, të identifikuar si boshnjakë myslimanë, sot konsiderohet hero i Sanxhakut! Azizi duke qeshur më thoshte se i kishin thënë: “Ismet, ke hyrë në një mal krejtësisht të pashkelur!” Fjala ishte për mungesën e studimeve albanologjike të Sanxhakut, mungesën e ekspeditave me linguistë, albanologë, etnologë, historianë, psikologë, sociolinguistë a sociologë, e tjerë e tjerë. E teksa bisedoja me Azizin për katër orë rresht vetëm për Sanxhakun, më dukej po aq ironike që shqiptarët e hapën temën e hunzakëve dhe kalashëve në Pakistan! Nuk jemi në gjendje të studiojmë këta fqinjët tanë, vëllezërit e dikurshëm, apo të sotëm, bashkëkombësit e përzier, të asimiluar etj., e po shkojmë atje në Pakistan, t’i kërkojmë ilirët tanë!
Jemi shumë hajgarexhinj edhe si shtet, edhe si shoqëri, edhe institucione arsimore-edukative, edhe si institute! Si është e mundshme një komb të flet për hunzakët dhe kalashët, duke i përzier shpesh vendet jo në Afganistan, jo në Pakistan, jo në Kinë, etj., e duke mos dhënë një deklaratë, një intervistë, asnjë nga njerëzit e thirrur e të paguar për këtë punë, punonjësit e Institutit Albanologjik apo të ASHAK-ut, apo të Institutit të Historisë?!
Si është e mundshme pashë atë babë, të flet një komb i tërë për kalashët e hunzakët, e të mos del një studiues të paktën i albanologjisë e të mos e thotë një fjalë a dy, qoftë edhe për të dekonstruktuar krejt pallavrat joshkencore kolektive e individuale, apo për mungesën e mbështetjes financiare për ekspedita nga Ministria e Arsimit, e tjerë e tjerë?! Për Sanxhakun, hajde-hajde mund të arsyetoheni për shkak të ndjeshmërisë së këtij territori dhe Serbisë, por ka edhe raste të tjera në glob, ku mund të bëhen ekspedita, sa rrijmë kot nëpër zyre të mbyllura institutesh!
Ekspedita për ilirët në Pakistan!
Në hapësirën shqiptare është nxitur një kureshtje antropologjike dhe mbarëkombëtare për supozimin e lidhjes së mundshme të popujve Kalash dhe Hunza, në veri të Pakistanit, me paraardhësit e shqiptarëve, ilirët. Deri më tash, asnjë ekip gazetarësh hulumtues, studiues dhe eksplorues nga hapësira shqiptare, nuk i kanë vizituar këta popuj. Në fakt, ka pasur shkrime me bazë leximin e autorëve të huaj, por jo edhe gjurmime direkte, ekspedita dhe vizita studiuese e shkencore në terrenet e Pakistanit dhe kufijve të afërt të Afganistanit, Taxhikistanit, Kinës dhe Indisë. Ne me një fotoreporter të njohur lufte, e bëmë një projekt për disa sponzorues të mundshëm rreth kësaj ekspedite, por sikur janë shumë të papërgjegjshëm njerëzit në këtë vend, as email nuk të kthejnë mbrapa, qoftë edhe për refuzik kategorik! Shkrimi më i qarkulluar dhe më i hershëm për hunzakët, e që ka qarkulluar në shumë faqe interneti, është shkrimi i studiuesit Ernesto Skura, të botuar në vitin 1983 në gazetën “Lidhja” të arbëreshit të njohur Antonio Bellushi, me titull »Ilirët në Afganistan«; më pas pjesa mbi hundëzakët e Aristidh P. Kolës, në studimin: »Arvanitasit dhe prejardhja e grekërve«, të botuar në Tiranë, në vitin 2002, por kryesisht pa materiale faktike dhe me supozime teorike ose me bazë leximin, nga të dhënat e mbledhura nga të tjerët. Po ashtu, as gazetarët dhe fotoreporterët shqiptarë nuk kanë shkelur këto lugina të rrethuara me maje himalajesh gjigante. Ka pasur kryesisht lajme portalesh me interpretime folklorike e patetike, pa verifikime shkencore dhe pa ndonjë material të rrjedhur në mënyrë direkte nga ekspeditat etno-kulturore e shkencore.
Deri më tash, në televizionet e Republikës së Shqipërisë, ka pasur emisione si në DIGITALALB, një produksion nga Nadir Mura, me titull: »Sekretet e popullit Hunza – Misteri i Meridianit Zero« i botuar në vitin 2016, që flet me gjuhë kryesisht të pambështetur në fakte, por vetëm duke u bazuar në disa intervista, bazuar në leximet e protagonistëve. Profesionalizmi i Murës shkëputet tejmase në këtë prodhim mediatik, sakaq përçohet mesazhi metafizik e ufologjik, se këta “popuj kanë mundur të vijnë edhe nga jashtëtokësorët”!
Një video-xhirim i hedhur në internet, gjatë vitit 2012, që mban emrin e autorit që ka publikuar »Filan Fisteku«, e që dokumentari mban emrin dhe mbiemrin e Endrit Kadriut, në vitin 2012, po ashtu flet në dy pjesë për rrënjët shqiptare të hunzakëve dhe kalashëve, por që mbështetet kryesisht në mediet e huaja dhe me fotografi të shkëputura nga dokumentarët e huaj, duke dhënë po ashtu interpretime amatore dhe të pabazuara me kritere shkencore dhe dokumentuese. Në vitin 2014, në emisionin televiziv »OXYGEN«, një mysafir me emrin Fahri Xharra, flet me romantizma nacionalë e gjuhësorë po ashtu për hunzakët, por pa ndonjë mbështetje faktografike – mbi doket e zakonet e këtyre popujve dhe lidhjen e supozuar me popujt e lashtë të Ballkanit, përkatësisht ilirët. Por është shumë më i hershëm sesa deputeti Salihaj!Në janar të vitit 2016, publikohet një intervistë me Taulant Ceka, me titullin: »Ilirët në Pakistan«, ku i ftuari Ceka po ashtu krejt interpretimet e tij mbi hunzakët i jep bazuar në shkrimet e studiuesve E. Skura dhe A. P. Kola, të hedhura në internet e që mund t’i lexoni secili prej jush, por jo aq të bazuara në ndonjë fakt hulumtues.
Të gjitha lajmet e tjera shqiptare, janë krejtësisht plagjiate të dokumentarëve dhe autorëve të huaj, apo ndonjë mish-mash amatoresk, të cilat po ashtu i shtrembërojnë me mite, përralla dhe supozime të paverifikuara as nga teoritë e ndryshme që qarkullojnë rreth origjinës dhe mënyrës së jetesës së hunzakëve dhe kalashëve. Fqinjët tanë, maqedonët, të cilët gjithashtu besuakan se Kalashët dhe Hunzët janë paraardhësit e tyre maqedonë. Ata kanë bërë një ekspeditë gazetareske të tillë që në vitin 2005 dhe e kanë publikuar edhe në internet një dokumentar në vitin 2011, të titulluar: »HUNZA are MACEDONIANS« (“Hunzat janë maqedonë”), të edituar nga Vladimir Petrovski dhe regjisorja Marina Dajchinovska, nga Digital Film Studio dhe produksioni PORTI.
Në Maqedoni po ashtu një pari e hunzakëve nga Pakistani, kanë vizituar për herë të parë shtetin e besuar të paraardhësve të tyre, ku u pritën edhe nga udhëheqësit më të lartë të shtetit fqinj! — Dhe së fundi, e nxiti kureshtjen mbarëshqiptare për Kalashët dhe Hunzakët, më 14 tetor 2016, në sheshin “Ibrahim Rugova”, Adem Salihaj, deputeti i LDK-së, gjersa bëri një paraqitje të pazakontë, ku përfundoi edhe me shumë tallje publike në rrjetet sociale dhe mori vëmendjen e pabesueshme nga mediet. Bëhej sikur ishte i pari që kishte bërë këtë ‘zbulim’, duke thënë se në Pakistan e Afganistan, jetojnë “500 mijë pasardhës ilirë, që ende flasin shqip.” As deputeti Salihaj nuk kishte thënë diçka origjinale, por diçka të përfolur shumë vjet më herët në mediet shqiptare dhe pa ndonjë material të verifikuar.
Në vend të deputetit Salihaj
Salihaj ka bërë gabim trashanik që ka bërë konferencë në shesh, e ka marrë rolin e protagonistit kur dekada më parë sesa ai, është folur për këtë temë dhe doli qesharak kur besoi se ka bërë zbulim epokal, atë që është njohur deri më tash dhe është thënë edhe nga të tjerët. Shumica e njerëzve kanë krijuar përshtypjen se ai nuk ka pasur të flas fare për hunzakët në atë konferencë bombastike e shndërruar në skeç mbarëkombëtar, por për vrasjet e pasluftës pasi presidenti bëri një gjest të pakuptueshëm kur po hapte konkursin për prokurorë Gjykatë Speciale, e po i kërkonte paradoksalisht gjykatave vendore të merreshin me vrasjet e luftës e të pasluftës! Shkurt e shqip, çka do të bëja në vend të Salihajt?!
Do ta merrja në pyetje apo interpelancë ministrin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë rreth investimeve në shkencë, pse nuk ndahet një kod i veçantë buxhetor vetëm për ekspeditat hulumtuese shkencore; çfarë bëjnë ASHAK; apo Instituti Albalonogjik e i Historisë me buxhetin që u ndahet dhe ato që janë në varshmëri të Departamentit për Shkencë dhe Teknologji të MASHT-it; pse nuk bashkëpunon MASHT-i me Ministrinë e Diasporës, që kudo ku janë shqiptarët, e harruar apo të asimiluar, të bëhen vizita ekspeditive me hulumtues të rinj e të vjetër, që studiojnë doket e zakonet, gjuhën, kujtesën kolektive, etj. Pra, Salihaj me paraqitjen e tij jo rastësisht u shndërrua në palaço, ndërsa për si temë sikur të parashtrohej në mënyrë dhe vend të duhur, do ta adhuroja! A ka bre më interesante, qoftë edhe krejt hipotezë e gabuar, se janë atje në Pakistan, paraardhësit tanë dhe të udhëtonim në kohë me mijëra vjet?! Por ja që ne jemi shumë komb krenar e hajgarexhinj (kujto: izolim, varfëri, papunësi, arsimim të dobët, etj.), që bëjmë shaka me gjëra aq sublime, qoftë edhe kur skandalizon një deputet në shesh!
5 nëntor 2016, Kosova Sot
No Result
View All Result