Ago Agaj, prefekt i Mitrovicës gjatë LDB-së, në kujtimet e tij të shpalosura në Detroid të SHBA-së, midis tjerash, thotë: “Kjo provincë autonome” (Prefektura e Mitrovicës, v. j.) drejtohej nga burra të shquar si Ferhat bej Draga, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani dhe Xhafer Deva”. Në fund të vitit 1943, në cilësinë e deputetit të zgjedhur në Asamblenë Kombëtare, ai artikuloi me urtësi interesat e popullatës së Prefekturës së Mitrovicës (Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës e Pazarit të Ri), duke shprehur entuziazmin e tij për bashkimin e kësaj treve me Shqipërinë Etnike.
(Kumtesë në konferencën shkencore të 8 shtatorit 2017, kushtuar përvjetorit të Ferat Dragës, mbajtur në Mitrovicë , pjesa e II-të)
Fazli HAJRIZI
Studiuesi i shquar Akademik Marenglen Verli, duke iu referuar dokumenteve të ruajtura në AQSH, Ferhat Dragën e quan politikanin “më të njohur shqiptar në Kosovë”, njeri me kulturë të gjerë, i cili ka njohur pesë gjuhë të huaja: turqisht, boshnjake (serbisht), gjermanisht, frëngjisht dhe italisht), bashkëpunëtor të denjë ilegal të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, njëri ndër luftëtarët më të shquar të çështjes shqiptare, i cili u përpoq me tërë qenien për lirinë politike, kulturore e arsimore, një ndër denoncuesit e spikatur të politikës antishqiptare të qarqeve të Beogradit, kundërshtar të planeve serbe për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova dhe viset tjera shqiptare në trojet e pushtuara në Jugosllavi, njërin ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Tiranën zyrtare gjatë Luftës së Dytë Botërore etj.
Disa autorë, si: Branisllav Bozhoviq e Millorad Vaviq (“Surova vremena na Kosovu i Metohiji”), të Tafil Boletinit (“Kujtime”), të Ahmet Malokut (“Ata gabo – unë qorto”) etj. në shkrimet e tyre ofrojnë një pasqyrë krejt tjetër për Dragajt, veçmas për Ferhat bej Dragën. Autorët serbë B. Boxhoviq dhe M. Vaviq, pasi pohojnë se Ferhat Bej Draga ka qenë një politikan me përvojë të madhe, i cili ka luajtur një rol shumë të madh në jetën politike në Kosovë dhe në Sanxhak, ka bërë përpjekje të mëdha për t’ia bashkuar Sanxhakun (Sjenicën, Pazarin e Ri) dhe viset tjera shqiptare me Shqipërinë, tregojnë edhe anën “e errët” të personalitetit të tij, duke e quajtur njeri të pangopshëm me pasuri që punon e vepron gjithçka për interesin e vet, si njeri të italianëve, bashkëpunëtor të policisë ushtarake fashiste, pra agjent të fashizmit italian, vegël të pushtuesve që ka punuar sipas direktivave të Tiranës, si mik të ngushtë të Xhemajl Agë Prishtinës, Aqif Blutës, Ilijaz Agushit etj., me të cilët ka organizuar krime të ndryshme ndaj popullatës serbe e malazeze.
Në “Kujtimet” e tij Tafil Boletini i quan Dragajt, madje prej të parit e deri tek i fundit, lakmitarë për pasuri. Ata, sipas tij, “në saje të partisë së xhonturqve, donin me fitue pozita”[1]. Dy vëllezërit, Nexhibin e Ferhatin, i quan njerëz të rafinuar, “që kishin zanat me sajue shpifje simbas psikologjisë së popullit në atë kohë”[2], pra “kanë pasë talent me përfitue nga mentaliteti dhe psikologjia e popullit”[3]. T. Boletini e bën fajtor Nexhib bej Dragën për shkak se ai dhe Halili, i biri i Isa Boletinit, derisa studionin në Akademinë Ushtarake, mbaheshin peng në Stamboll, duke u përpjekur kështu që ta detyrojnë Isa Boletinin të dorëzohej[4]. Pyjet në Rozhajë, sipas tij, i përvetësonin Dragajt me dokumente të rreme (fallto). “Në kohën turke Nexhibi dhe Ferhati kanë fitue pozita si xhonturq dhe kanë luajt rol në shtypjen e popullit në kohën e lëvizjes për çlirim në Kosovë. Këta dy egoista të rafinuam e kanë pasë zanat propagandën[5]. Në periudhën e Revolucionit Xhonturk, kur Kosova digjej nga turqit e rinj, Ferhat Draga, të cilin Tafil Boletini e quan turkofil, është emëruar kryetar i Komitetit Xhonturk në Mitrovicë, ndërsa vëllai i tij më i madh, Nexhibi, ishte zgjedhur deputet dhe anëtar i Komitetit Qendror të Përgjithshëm Xhonturk[6]. Në vitin 1916, “për me i kënaqë austriakët dhe për me fitue simpatinë e tyne, Ferhati me nji bedel bani reklamë për me i mobilizue shqiptarët për në frontet e Galicisë”. Bashkëshortet e vëllezërve Draga, që ishin motra, bijat e Ago Pashës, domethënë hallat e Rexhep Mitrovicës, Rukijen (gruaja e Nexhibit) dhe Hajrija (gruaja e Ferhatit), sipas T. Boletinit, ishin turkofile. Madje Hajrija, thotë ai, ishte kryetare e grave turkofile. “Nexhibi dhe Ferhati ishin të martuam me gra turke që flisnin vetëm turqisht. Ndonëse nga katundi Dragë i Rozhajës, pra, ndonëse me origjinë shqiptare, familja Draga e ka humbur gjuhën dhe të gjithë flasin boshnjake. Fëmija e tyne nuk dinë shqip”[7].
Deputetët e Kosovës në Asamblenë Kombëtare (Parlamentin e Shqipërisë) në Tiranë(1943). Nga e majta në të djathtë: Mulla Iljaz Spahiu – Broja, deputet i Drenicës, Ilaz Agushi- deputet i Prishtinës dhe nënkryetar i Parlamentit, Ferhat Draga – deputet i Mitrovicës, Bedri Pejani – deputet i Pejës.
Njëri ndër autorët që përpiqet me të gjitha mënyrat për ta poshtëruar e përdhosur figurën e Ferhat bej Dragës, është edhe Prof. Mr. Ahmet Maloku. Pa hulumtuar dokumentet arkivor të dorës së parë, madje duke i komentuar sipas shijes së vet, duke u mbështetur shpesh vetëm në opinioninet e individëve, përzgjedhjen negative të të dhënave të shfrytëzuara etj., A. Maloku në librin “Ata gabo – unë qorto II”, Prishtinë 1996, nxjerr disa përfundime paradoksale për Dragajt në përgjithësi, sidomos për Ferhat bej Dragën. Duke pasur për kriter qëllimin për të denigruar e jo të vërtetën historike, duke qenë se ushqen një urrejtje patologjike ndaj familjes Draga, Ahmet Maloku falsifikon e shtrembëron, të thuash, gjithçka. Ai nuk vlerëson angazhimin patriotik të vëllezërve Draga për çlirimin e vendit, për hapjen e shkollave dhe zhvillimin e kulturës kombëtare. Politikën e urtë dhe të mençur të tyre ai e vlerëson si dobësi, qyqarllëk, prirje për të realizuar vetëm interesat personale, pra për të fituar në kurriz të popullit. Atë nuk e pengon ta quajë Ferhat Dragën jo vetëm kapuçkuq, por edhe bashkëpunëtor të xhonturqve e serbëve, manipulator, tradhtar të kombit, njeri që “tërë jetën kujdes i ka kushtuar fitimit dhe begatimit, përmirësimit të gjendjes sociale të zuzarëve që e rrethonin”. Sipas tij, Ferhat bej Draga nuk na paskësh qenë njeri i dëmshëm vetëm në kohën e Perandorisë Osmane, por edhe në periudhën e Austro-Hungarisë (1914-1918), pastaj në kohën e Mbretërisë SKS (përkatësisht Jugosllave) dhe gjatë LDB-së. Ferhat Draga, sipas tij, ka qenë një kapuçkuq, i cili ka ndikuar që “Xhemijeti” t’ia sigurojë votimin e Kushtetutës së Vidovdanit (1921), që lidhi koalicion me radikalët për të përfituar favore në pasurinë e tij, një mik e shërbëtor i Nikolla Pashiqit, Musolinit etj., një spekulant me artikuj ushqimorë jetikë, njeri ndër kundërshtarët më të mëdhenj për hapjen e shkollave shqipe dhe arsimimin e masave fshatare, një denoncues perfid i A. Zogut etj.[8]
As prof. Ahmet Maloku dhe asnjëri nga këta autorë nuk duan t’i shohin gjërat ndryshe, por, siç thamë, vetëm si duan ata, duke pasur gjithnjë si kriter qëllimin e jo të vërtetën historike. Cili nga deputetët tjerë e ngriti zërin më lart e më fuqishëm në Parlamentin e Mbretërisë Jugosllave për të dënuar dhunën e terrorin serb mbi shqiptarët, kundër marrëveshjes së fshehtë jugosllave-turke për shpërnguljen e popullatës autoktone në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në Jugosllavi, kundër kolonizimit e politikës gjenocidale? Cili nga deputetët kërkoi hapjen e shkollave në gjuhën amtare, cili u akuzua pa asnjë provë për gjoja krimet që ka bërë mbi popullatën serbe gjatë LPB-së dhe u dënua me gjyq të montuar me njëqind e një vjet burg të rëndë? Pasuria e familjes Draga nuk i ka cenuar interesat e popullit. I ka cenuar vetëm interesat e shtetit serb, prandaj i është marrë shumë tokë e pasuri jo vetëm gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, por edhe më vonë. Kështu, më 12 janar 1946, me aktvendim nr. 4165/45 të Gjykatës Popullore të Rrethit të Shkupit, është konfiskuar tërë pasuria e Ferhat Dragës.
Dokumentet arkivore që tashmë do të publikohen, do të hedhin dritë të mjaftueshme mbi figurën e Ferhat Dragës. Ai, ndoshta ka pasur mundësi të bëjë më shumë, por rrethanat e kohës kanë qenë të tilla që nuk i kanë lejuar. Shkrimet denigruese nuk u bëjnë nder autorëve të tyre. Nga ato lexuesi fiton përshtypjen se shqiptarët s’kanë bërë gjë tjetër vetëm kanë tradhtuar njëri-tjetrin, kanë mashtruar, kanë plaçkitur dhe, duke mos pasur aftësi për t’u organizuar, për të formuar shtetin e tyre, i kanë sjellë të këqija të mëdha këtij vendi dhe populli.
Megjithatë, edhe përkundër përpjekjeve për ta eklipsuar, përbaltur apo për ta lënë në heshtje veprimtarinë e Ferhat bej Dragës, personaliteti i tij nuk cenohet dot. Ai mbetet një atdhetar i kulluar, i cili gjatë jetës së tij u përpoq me tërë qenien për të mirën e vendit dhe të popullit të tij. Në vitin 1993, me dekret presidencial nr. 435, dt. 26 janar 1943, u dekorua me “Urdhër për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë”.
LITERATURA
Verli, Marenglen, Nga Kosova për Kosovën, profile biografike, Vëllimi i parë, (Ferhat Ali Draga – atdhetari dhe politikani potencial), Botimpex, Tiranë, 2006, f. 213-234.
Verli, Marenglen, Kosova, sfida shqiptare në historinë e një shekulli, Tiranë, 2007.
Tafil Boletini, Kujtime, Tiranë, 2011.
Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Tiranë, 2006.
Osmani, Prof. dr. Jusuf, Ferhat Draga (dokumente arkivore) – dorëshkrim
Sadiku, Dr. Riza, Hasan Kaleshi, jeta dhe vepra, Renesansa, 1996.
ASHSH, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2008.
SHEHU, Eugen, Nexhip bej Draga, kalorës i kryengritjes së madhe, www.shqiptari.eu/nexhip-bej-draga-kalores-i-kryengritjes-se-madhe
Crnovršanin, Harun & Sadikovič, Nuro, “Sandjak, porobljena zemlja, Zagreb, 2001.
Maloku, Prof. Mr. Ahmet, Ata gabo – unë qorto, Prishtinë, 1996
Buxhovi, Jusuf, KOSOVA nga Konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar, Prishtinë, 2012
Bozhovič, Branisllav & Vavič, Millorad, Surova vremena na Kosovu i Metohiji, Beograd, 1996.
Grup autorësh, Mitrovica dhe rrethina (Monografi), Mitrovicë, 1979.
[1] Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 64.
[2] Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 64.
[3] Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 252.
[4] Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 65.
[5] Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 251.
[6] Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 297.
[7] Tafil Boletini, Kujtime, Botimpex, Tiranë, 2009, f. 251.
[8] A. Maloku në librin “Ata gabo – unë qorto II”, Prishtinë 1996, f. 65-96.