Ndryshe nga partizanët komunistë dhe disa grupimeve nga radhët e nacionalistëve, që qenë organizuar në luftë kundër pushtuesve gjermanë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin t’u kundërviheshin. Aqif Blyta dhe bashkëluftëtarët nuk pranuan as t’u bashkëngjiten forcave partizane pasi mendonin se një luftë që udhëhiqej nga komunistët, do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit Jugosllav në Kosovë.
Në lidhje me mosbesimin e shqiptarëve dhe boshnjakëve ndaj Partisë Komuniste, N. Malcolm shkruan: “Së paku, një gjë mbetet e qartë; faktori kryesor mbetet çështja shqiptaro-serbe, e jo filozofia politike apo ndjenjat për ose kundër fuqive pushtuese. Siç shkruante një raport dëshpërues komunist në gushtin e viti 1943; “Lëvizja në Kosovë është shumë e dobët, pothuaj e vdekur. Është e izoluar plotësisht nga masat shqiptare… Midis masave shqiptare, komunistët konsiderohen si njerëz që i janë shitur serbëve”. Përfaqësuesit në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin italianët e më pas gjermanët si të keqen më të vogël në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të vendosej pas tërheqjes së tyre. Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, i cili duhej të kishte bazat e krijimit të një organizate politike, që do të mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane.
Më 7 korrik 1943, duke përfituar nga dobësimi i pozitave të italianëve, në Kosovë u vendos diktatura ushtarake e shtetrrethimit, në të cilën, çetat çetnike serbo-malazeze kishin fituar liri të plotë veprimi. Si rezultat i kësaj ndodhi masakra e Bihorit, ku pësuan me mijëra njerëz: mbi 4000 shqiptarë e boshnjakë të vrarë e të masakruar, kryesisht fëmijë, gra e pleq, dhjetëra fshatra të djegura etj.
Për ngjarjet në këtë kohë dhe gatishmërinë për t’u vetorganizimin e shqiptarëve gjejmë edhe në dokumentet e publikuar nga Agjencia Qendrore e Inteligjencies Amerikne CIA, në të cilat thuhet: “Në dimrin e viti 1943, u kryen masakra të shkallës së gjerë ndaj kosovarëve në Rozhajë 500 burra u vranë me thika dhe mitraloza nga sulmet, fillimisht nga çetnikët e pastaj edhe nga partizanët. Përkundër katastrofës si kjo, kosovarët mbetën të pa tundur dhe besnik ndaj Aleancës së shtëpisë së Savojit. Ata u rekrutuan në armatën nacionale të qeverisë së Shqipërisë dhe organizuan beteja kundër partizanëve dhe çetnikëve. Ata zmbrapsën sulmet çetnike e partizane në Plavë, Guci, Rozhajë, Tutin, Mitrovicë, Rashkë e Kurshumli, në malet e rajonit të Gjilanit, për gjatë lumit Morava, e në vendet ku flitej gjuha shqipe. Ata riafirmuan të drejtën e pavarësisë duke ringjallur më 1942 Lidhjen e Dytë të Prizrenit të udhëhequr nga Bedri Pejani. Me këtë Lidhje ata ringjallën traditat e Lidhjes së Parë, të gjithë shqiptarët iu bashkuan thirrjes së Lidhjes gati për t’i mbrojtur kufijtë e shtetit amë. Ata mbrojtën këta kufij derisa ushtria sovjetike arriti në Serbi” .
Në takimin e mbajtur në Mitrovicë më 30 korrik 1943, disa patriotë shqiptarë, të prirë nga Xhafer Deva, iniciuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit, që do të ishte vazhdimësi i Lidhjes së Parë në luftën e popullit për liri e çlirim.
Më 7 shtator 1943, Deva shkoi në Prizren, ku u takua me disa personalitete. U vendos që të organizojnë një mbledhje, ku do të marrin pjesë të zgjedhurit e të gjitha krahinave shqiptare. Të nesërmen kapitullon Italia para aleatit të saj, Gjermanisë, e cila menjëherë i vendos trupat e veta në Shqipëri. Gjermanët nderuan Shqipërinë e çliruar, indipedente dhe të lirë, duka shpallur veten garantuese të pavarësisë së saj. Ndër të tjera, shteti gjerman siguronte: bashkimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare me shtetin shqiptar të 1913, ruajtjen e statusit ekzistues të Qarkut të Mitrovicës, Vushtrrisë e Pazarit të Ri, njohjen zyrtare dhe shkëputjen e shtetit shqiptar nga perandoria italiane, tërheqjen e plotë të ushtrisë gjermane nga Shqipëria pas përfundimit të luftës etj.
Kapitullimi i Italisë ishte edhe një frymëmarrje e re për shqiptarët, sidomos të atyre që i përkisnin zonave më të largëta kufitare, si: Rozhaja, Sjenica, Bihori, etj., ku serbo-malazezët nuk i pushonin provokimet armiqësore. Gjendja ishte e padurueshme sidomos në viset e banuara jashtë gjirit të atdheut, si: në Mitrovicë, në Vushtrri, në Podujevë, në Pazar të Ri etj.
Kuvendi u mblodh në Prizren, nga data 16 deri më 20 shtator 1943. Në ditën e dytë të Kuvendit, më 17 shtator 1943, u zgjodh kryesia në përbërje: Musa Shehu (kryetar), Aqif Blyta (nënkryetar), Rexhep Krasniqi (nënkryetar) dhe Bedri Gjinaj (sekretar). Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.
Pas zgjedhjes së kryesisë, u formuan komisionet dhe pastaju caktua që, në rendin i ditës të përgatitura nga komiteti iniciues, në mesin e gjashtë pikave, në pikën e dytë të shtohet: “Bashkimi me nanën Shqipni, të krahinavet të Mitrovicës, të Vuçiternit, të Podujevës dhe Pazarit të Ri, që ndodhen nën pushtimin e ushtrisë gjermane, por administrativisht të lidhuna me shtetin e Serbisë”[8]. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes të përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Në Kuvend, përveç Aqif Blytës, nga Sanxhaku morën pjesë edhe Hasan Agë Zvizdiqi, Adem Kurtagaj, Vehbi Hamzagaj dhe Shemsi Feri. Fazli Hajrizi, duke cituar gazetën “KOSOVA”, Organ i Komitetit Kosovar Tetuer 1943, Vitit i III, Nr. 51, 52, 53;shkruan:”Mbledhja e tretë e Kuvendit të Prizrenit e cila është mbajtur më 18 shtator 1943, në sallën e shkollës “Bajram Curri”, dhe të cilën e udhëhoqi nënkryetari Z. Rexhep Krasniqi, vë në rend dite pikën e dytë të Programit: Bashkimin e Mitrovicës me Shipni. “Rendi i Ditës, thekson ai, tregon vetvetiu rëndësinë e vet, Ai thotë: Bisedimi mbi çështjen e bashkimit të Mitrovicës, Podujevës, Vuçitërnës, Pazarit të Ri, Senicës e Zonës Neutrale me Shqipni”. Pas Jahja Fushës, i cili fton Kuvendin që të vendos të merr të gjitha masat për të sigurue lidhjen e bashkimin e viseve të përmendura me Shqipninë, merr fjalën Aqif Blyta, në cilësinë e delegatit të Pazarit dhe Senicës tue deklarue: “Jam shumë i gëzuem që kam fatin e bardhë, mbas tridhetë e sa vjetëve përpjekjesh të vazhdueshme, të ndodhemi për herë të parë, si Përfaqësues i Tregut të Ri dhe i Senicës, në gji të nji Kuvendi kombëtar si ai i tashmi. Të gjitha përpjekjet t’ona, ato të popullit t’onë që na ka frymëzue dhe nxitun ndër mundime t’ona, kanë pasë në të shkuemen dhe kanë, sidomos në kohën e tashme, nji qëllim të vetëm: atë të bashkimit të vendeve t’ona me Atdheun e përbashkët të të gjithë Shqiptarve: me Shqipninë Nanë. Asht e natyrshme, pra që sot, ndërsa ndodhemi të bashkuem këtu, për herë të parë, të ndihemi, na dhe, ma fort popullsinat që përfaqësojmë, jashtëzakonisht të lumtun: të lumtun pse bashkimi i jonë në këtë mbledhje, na ban me besue se, ma në fund, i jemi afrue shumë, në mos e kemi arrijtun cakun t’onë, po bashkohemi me Shqipninë, me Nanën t’onë të përbashkët, për të cilën jemi djegë e shkrumue, jemi vra e shkretue deri në ditë të sodit.
Tregu i Ri ose Jeni Pazari, si quhej deri dje, si edhe Senica me krahinat e tyne, janë vise thjeshtë shqiptare, pse popullsija që i banon, asht krejt shqiptare: çdo njeri ndër ato ana, din të thotë se prej ç’far fisi shqiptar rrjedh, e, të tanë së bashku, dijnë se kanë ardhun ndër ato ana, prej gjyshave e stërgjyshave të tyna, nga malet krenare të Shqipnisë Verjore, por, karakteri shqiptar i këtyne vendeve, nuk mbështetet vetëm mbi kët fakt, mbi atë të gjuhës amtare shqipe dhe mbi ndiesinat shprehimisht shqiptare të banorëve t’atyne anave. Dishka tjetër, jo ma me pak randësi, dëshmon vullnetin e atij populli: përpjekjet e vazhdueshme, me armë dhe pa armë, ndër male dhe nder mbledhje, për t’u këthye, në kundërshtim me padrejtësinë e Europës, në gji të Dheut të bekuem Arbënuer, si pjesë tanësore e tij. Gjatë këtyne dy vjetve e gjysë këto krahina, që kam nderin të përfaqësoj në gji të kësaj mbledhjeje, kanë provue, me gjakun e derdhun bujarisht, se sa e duen dhe se si e mprojnë individualitetin e tyne kombëtarë, bashkimin e tyne me Shqipni dhe lirinë e mëvehtësinë kombëtare; qindra dhe mija të flinuem në fushë të nderës, në ndeshje me fuqina shumë herë ma të shumta, shumë herë ma të mëdhaja dhe shumë herë ma të pajosuna me armë e mjete modern, janë zmbrapun kreshnikisht nga popullsinat t’ona trime po të papajueme mirë sa me i ba ballë të mësyemeve aq serioze të valëve imperjaliste. Këta të ramë, edhe tue dhanun shpirtë, kanë lëshue vetëm nji britmë: atë që qe vullneti i gjithë jetës së tyne: që truelli i tyne, të jetë pjesë e pandarëshme e Shqipnisë.
Kjo asht porosija e tyne. Ne na përket ta përmbushim”. Fjala e zjarrtë e Mpruesit të Tregut të Ri, që u ndërpre shpesh prej duertrokitjesh të nxehta, u përshëndet, në fund, me nji za, nga brohorina enthusjastike: “Rroftë Tregu i Ri Shqiptar!”, “Rroftë Senica Shqiptare!”, Rroftë Shqipnija Ethnike!”
Në mbledhjen e tretë të Kongresit në Prizren vazhdojnë punimet më 18 shtator 1943 dhe atydiskutohej për gjendjen e krijuar në Sanxhak. Pas Aqif Blytës si nënkryetar, i cili me diskutimin e tij përsërit kërkesat e delegatëve të Mitrovicës dhe të Llapit, duke ua përkujtuar pjesëmarrësve se Pazari i Ri u takon trojeve shqiptare dhe për mbrojtjen e tyre ishin krijuar edhe 200 varreza të reja shqiptare, fjalën e merr merr edhe Tahir Zajmi.
Tahir Zajmi shtroi nevojën e formimit të ushtrisë së Lidhjes, dhe tha: “Tue u marr me problemin e pikës së tretë të programit, thekson se Qeveria e Re, që do të dale nga gjinit të popullit duhet të ketë për detyrë me u kujdesue për këtë pikë me kaq rëndësi për avenirin e mbarë kombit tone,…. Nëse anmiqt kanë me pas rasën me na sulmue kësaj here jemi të humbun, të humun kombtarisht e fizikisht, shembull ky që na jipet prej çetave serbo-malazez, të cilat me dëshirën e Italis, masakruan ma se 4700 vetë tue grabitë edhe 200 vajza të cilat u-mueren në djegjen e Bihorit, prandaj duhet të armatosemi, duhet të kemi ushtrinë t’onë të forte; pra organizimi politik e ushtarak duhet të mbështetet në fuqitë t’ona, për këtë qëllim pasunija e qytetarit dhe e katundarit duhet t’i falet këtij organizimi politik dhe ushtarak”. Me krijimin e trupave ushtarake të Lidhjes së Dytë Shqiptare, përderisa ekzistuan, u evitua rreziku që i kanosej krahinës së Peshterit, Rozhajës dhe viseve të tjera nga përsëritja e gjenocidit, çfarë ishte ai që ndodhi në krahinën e Bihori.
Në Kuvendin e Dytë, që u mbajt më 17-21 janar 1944, u bënë ndryshime në kreun e Lidhjes. Kryetar i komitetit Qendror u zgjodh Bedri Pejani, pasi Rexhep Mitrovica ishte emëruar kryeministër i Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, Kuvendi miratoi dhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 mars 1944. Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbomëdhenjtë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Bedri Pejani kërkonte që komandat gjermane të angazhoheshin në organizimin e një armate me 120 deri 150 000 luftëtarë, e cila do të vepronte si kundër çetnikëve, ashtu dhe kundër partizanëve serbo-malazezë. Bedri Pejani shpresonte që këto forca do të mund t’i përdorte për të ruajtur gjendjen dhe kufijtë ekzistues deri në mbarim të luftës, me qëllim që Konferenca e Paqes, që do të mblidhej pas lufte, të vihej para aktit të kryer[13].
Më 19 qershor 1944, u mblodh në Prizren Kuvendi i tretë i Lidhjes. Bedri Pejani u shkarkua nga detyra e kryetarit të Lidhjes dhe në vend të tij u zgjodh Xhafer Deva.
Në mbledhjen në vazhdim të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, gjithnjë sipas këtij dokumenti, pra më 20 janar të vitit 1944, kryetar u zgjodh profesori Bedri Pejani fjalimin e të cilit po e sjellim në vazhdim, me vërejtjen se fjalim është përkthyer nga gjuha angleze dhe se në aspektin dialektikor nuk përkon me të folurën e B. Pejanit në Kuvend: “Unë do t’u flas për nji çështje shumë të rëndësishme dhe delikate për vendin tonë, çështjen e Sanxhakut. Sanxhaku është një korridor në mes të Serbisë dhe të Malit të Zi. Para luftës së vitit 1876-1877, ky korridor administrohej nga Vilajeti i Kosovës. Ky territor është i pasur me bagëti, dru dhe prodhime qumështi, ndërsa Kosova prodhon grurë dhe gjëra të ndryshme ushqimore, kështu që këto territore kompletonin ose plotësonin nevojat e njëra-tjetrës, pra ishin të lidhura komercialisht për një kohë të gjatë. Gjatë pushtimit otoman, Sanxhaku ishte i banuar nga shqiptarët (që përbënin shumicën), kështu që ekziston një afërsi sentimentale me Kosovën. Popullata e këtij territori përbëhet gjithashtu nga shqiptarët e sllavizuar dhe nga disa sllav të fesë islame (myslimane). Duke qenë të një feje si edhe shqiptarët, ata janë bashkuar dhe kanë bashkëpunuar gjatë luftës kundër serbëve dhe malazezëve deri më tash. Prandaj, arsye etnike, ekonomike dhe fetare kjo popullatë, e përbërë nga shqiptarët dhe boshnjakët, kërkon që t’i bashkohet Shqipërisë. Për këtë arsye ne, shqiptarët, e kemi për detyrë që t’i ndihmojmë që të na bashkohen. Arsye tjetër për qëndrimin tonë ndaj tyre është se ky territor shtrihet në mes të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, ku jeton një popull mik i cili kufizohet me kroatët të cilët kanë gjithashtu nju simpati përne. Ndaj dhe, territori i Sanxhakut është i rëndësishëm për ne si një lidhje me popujt miq të Bosnjës, Hercegovinës dhe të Kroacisë. Ne e kërkojmë Sanxhakun, jo nga ambiciet imperialiste, por për shkak të shumë arsyeve të lartpërmendura dhe, mbi të gjitha, për shkak të të drejtës së vetë popullit për të zgjedhur. Serbët dhe malazezët janë vetëm një minoritet në këtë territor dhe ne do t’ua japim atyre të gjitha të drejtat që u takojnë. Populli shqiptar i këtyre ditëve është më i fuqishëm se gjatë luftërave ballkanike sepse ka përfituar përvojë dhe njohuri të mjaftueshme për të mbrojtur të drejtat e tija. Unë tash po propozoj që të kërkojmë nga qeveria shqiptare aneksimin e këtij territori të pastër shqiptar, duke përshirë edhe tërë anën e Limit. Është detyrë e qeverisë që të marr masa të duhura për një aneksim të tillë”, përfundon këtë pjesë të fjalimit të tij një prej figurave më të shquara dhe më emblematike shqiptare të shekullit 20 Bedri Pejani. Përfaqësuesi i Sanxhakut: Ky vend gjithmonë i ka takuar Kosovës Më pas, në vazhdim të kësaj dosjeje, raportuesi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, pjesëmarrës në këtë kuvend, si të një natyre të veçantë, e shquan edhe fjalimin e Hasan Agë Zvezdës i cili pikërisht në kuvend vinte nga zona e Sanxhakut, të cilin fjalim po e sjellim në vazhdim të këtij artikulli.
Fjalimi Hasan agë Zvizdiqi nga Senica: “Zotëri kryetar dhe delegatë, Gjatë këtyre katër ditëve të Kongresit unë nuk kisha guxim ta ngisja zërin sepse, duke ardhur nga zona neutrale, e ndieja veten si i huaj, por, pasi dëgjova fjalimin e kryetarit dhe të shumë anëtareve të tjerë, mora guximin që të flas dhe të shpreh aspiratat e vendit të cilin e përfaqësoj: Sanxhaku nuk ka qenë asnjë herë territor serb apo malazias. (Duartrokitje). Siç e vutë në pah Ju dhe si e dëshmon edhe historia, Sanxhaku gjithmonë ka qenë pjesë e pandashme e Kosovës. Ne, banorët e Sanxhakut, kemi luftuar gjithmonë kundër serbëve dhe malazezëve dhe, kështu, kemi treguar ku janë kufijtë tanë. Ne asnjë herë nuk e kemi toleruar Titon e as Mihajlloviqin, bile edhe tash, kur ne po diskutojmë këtu, bijtë tanë e luftojnë armikun i cili na sulmoi para disa kohësh. Ne, gjithashtu jemi ankuar edhe në Ju, meqenëse, deri më tash, nuk keni bërë aq sa duhej bërë për ne, mirëpo ne do ta harrojmë këtë dhe do të kërkojmë nga qeveria dhe nga Ju që të ndërmerrni masat e duhura për t’u bashkuar në një shtet të vetëm dhe që të zhduken të gjitha dyshimet që ekzistojnë mes nesh. Ne e kemi luftuar armikun po aq sa edhe Ju, në mos më shumë se Ju, e, në anën tjetër, ne e kemi vënë re se nuk lejohet që ushqimi të kalojë lirisht nga Kosova në zonat tona. Edhe prodhimet tjera po na ndalohen kështu që ne po vuajmë nga çmimet e larta më shumë se Ju. Këto janë tri pikat të cilat, në emër të popullit tim, unë po kërkoj që të rregullohen nga qeveria si dhe nga Ju të këtij Kongresi”, përfundoi fjalimin e tij Hasan Agë Zvezda, përfaqësuesi i Sanxhakut në Kuvendin e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit.
Për veprimtarinë e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë popullore, e krijuar në kushte e rrethana të vështira të luftës, Tahir Zajmi, në veprën e tij, Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, Bruksel 1964. shkruan: “natyrisht nuk mund të kishte njëstrukturë të plotë e të përsosur nga pikëpamja juridike, teknike e ushtarake, por me gjithë këtë, veprimtaria e sajë ka qenë e shkëlqyeshme. Pas shpërndarjes së mbledhjes së parë të Kuvendit fillon faza e vështirë e veprimtarisë s’Organizatës për të përgatitë e siguruar mbrojtjen e kufijve të cilët kërcënoheshin e cenoheshin vazhdimisht nga çetat nacionaliste-terroriste serbe të Drazho Mihajloviqit dhe Brigadat komuniste të përbërë prej Serbësh, Bullgarësh, Malazezësh dhe pak Shqiptarësh të Kosovës”.
Kah fundi i nëntorit të viti 1943, çetnikët serbë sulmojnë katundet e Pejës, duke djegur e plaçkitur, por populli i përgjigjet kushtrimit të Lidhjes së Prizrenit, reagoi me të shpejtë dhe, pas njëzet e dy ditëve lufte, edhe pse i vendosur në pikat strategjike në malet e Kolashinit, shpartallohet.
Pak më vonë çetnikët, siç shkruan Zajmi, “shpërthën n’anen e Tutinit dhe të Pazarit të Ri, por mbrojtësi i pathyeshëm Aqif Bluta, i ndihmuem edhe nga fuqit vullnetare të Uk Sadikut qi kishin mbërrijtë atje nga rrafshi i Kosovës, i nep grushtin e shkatrrimit fuqive sulmuese. Në këtë qendresë t’ashpër qi vazhdoj bukur shumë kohë, dallohet roli i luftarit të Prekorupës, Uk Sadik Gjurgjevikut, i cili, me zotsin e tij luftarake siguron mbrojtjen e anës ma nevralgjike të qytetit, tue i prapsue çetnikët serbomalezez qi shtrengohen të tërhiqen prap, tue lanë në shesh të luftës disa të vdekun dhe materjal luftet. Ashtu edhe i vllai, Shaban Sadik Gjurgjeviku, me shokët e tij shquhet për guxim e zotsi në mjeshtrin e luftës, në ndëshjet me çetat Drazhiste n’anen e Koloshinit, ku ata kishin shtabin dhe përqendrue forcat e tyne sulmuese. Mbas shkatrrimit të fuqivet serbo-malezeze në Pazarin e Ri, në Tutin, në Petnicë, në Koloshin dhe në Çakorr e Rozhajë, fillojnë me sulmue Brigadat komuniste në të gjitha anët e Kosovës”.
Ndërkohë fitoret e Aleatëve në frontet kryesore të luftës e, krahas tyre, dhe sukseset e ushtrive partizane jugosllave, shqiptare dhe greke i detyruan trupat gjermane të fillojnë për t’u tërhequr nga Ballkani. Në rrethanat e pavolitshme për të, Lidhja e Prizrenit zhvilloi veprimtarinë patriotike për mbrojtjen e popullatës shqiptare deri më 17 nëntor 1944. Ndër prijësit e shquar të kësaj organizate politike-ushtarake, vlen të përmendim Bedri Pejanin, Aqif Blytën, Tahir Zajmin etj.), të cilët Fadil Hoxhai quante badihavxhinj, ryshfetxhinj, shovinistë e karrieristë, ndërsa pjesëmarrësit e Kuvendit i deklaronte si pleh, gjakpirës dhe tradhtarë të popullit shqiptar.
Raporti i CIA-a paraqet plotësisht pozitiv rolin e shqiptarëve në këtë kohë, pavarësisht bashkëpunimit me fashistët. Sigurisht, për shkak se agjencitë amerikane e shihnin këtë rol për asnjë moment ideologjik, por thjeshtë si një mundësi, të cilën shqiptarët e shfrytëzonin për mbijetesë kombëtare. Por, jo krejt shqiptarët ishin në këtë anë. Fadil Hoxha dhe vëllezërit Nimani, sipas raportit, kishin qenë ngushtë të lidhur me komunistët serbë dhe malazezë.
Ata kishin fillua të fitojnë terren me ndryshimin e kahjes së luftës, por edhe kur në skenë doli Sala Boshnjaku, që në fakt ishte Dushan Mugosha, i cili urdhëroi që Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani dhe të tjerë të atij soji të shpalleshin çlirimtarët e kombit.
“Patriotët shqiptarë e kuptuan fare mirë se forcat e boshtit po shpërbëhen. Hapja e një fronti të dytë nga aleatet i bindi ata se komunistët do të marrin hise më të madhe të ndihmës nga aleatët e pastaj e pastaj antifashistët. Komunistët arritën t’i mashtrojnë nacionalistët shqiptarë, duke kërkuar që diskutimin e çështjes së Kosovës të shtyhej në një datë tjetër, deri në zgjidhje e cila të arrihet me një plebishit tjetër. Kosovarët le të themi kishin rënë në rrjetin e intrigave të përgatitura nga dy mjeshtrit, Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviq. Ishte e pamundur të luftohej kundër komunistëve të udhëhequr nga E. Hoxha dhe, në të njëjtën kohë, t’u bëjë ballë serbëve, malazezëve, çetnikëve dhe bullgarëve. Përkundër fatit të pafavorshëm, kosovarët bënë ç’është e mundur të ruajnë pavarësinë e tyre. Nga viti 1941-44, ata rezistuan si muri i kalasë, duke mbrojtur kufijtë. Ata mbajtën rregullin publik në trojet e tyre dhe ishin një faktor i rëndësishëm në shuarjes e problemeve të provokuara nga komunistët në tokën shqiptare”.
Para se të largohej nga Prizreni, kreu i Lidhjes ftoi parinë e vendit dhe autoritete politike e ushtarake të organizatës në një mbledhje të gjerë. Xhafer Deva trajtoi gjendjen, sipas tij, të pashpresë, të krijuar në Kosovë dhe pamundësinë e ndryshimit të saj. Në këto kushte u mor vendimi që anëtarët e Komitetit Qendror të lidhjes të largoheshin nga vendi,….ndërkohë Xh. Deva, pas takimeve me prijësit e forcave të rezistencës, që do të mbeteshin në Kosovë, u largua në Vjenë përmes Prishtinës, Mitrovicës dhe Zagrebit.