Trevat shqiptare në Serbinë Jugore përfshijnë; tri komuna: Preshevë, Bujanoc, dhe Medvegjë, të cilat shtrihen në lindje të Kosovës. Ato janë vazhdim i natyrshëm i Kosovës dhe trevave shqiptare në Maqedoni, si në aspektin natyror, ashtu edhe sa i përket historisë së popullit, strukturës etnike dhe demografike të popullsisë, veçorive të zhvillimit social-ekonomik, kulturor etj.
Shkruan: Ismet Azizi
Në kohën e pushtimit otoman ato ishin pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës, (në periudhën 1878-1912 Presheva ishte kaza e Sanxhakut të Prishtinës) pas vitit 1918 bënin pjesë në Banovinën e Vardarit, ndërsa pas Luftës së dytë Botërore u përfshinë në përbërje të Serbisë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, dhuna serbe mbi popullsinë e këtyre trevave u rrit dhe, për rrjedhojë, shpërtheu një konflikt i armatosur midis shqiptarëve dhe forcave serbe, i cili zgjati gjatë gjithë vitit 2000. Ky konflikt përfundoi me një marrëveshje të brishtë, e cila u arrit me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtar, sidomos të SHBA-së. Mijëra shqiptarë u detyruan të largohen për në Kosovë e gjetkë, ndërsa lufta politike e shqiptarëve për realizimin e të drejtave njerëzore , kombëtare e shtet formuese vazhdon pa ndërprerë.
Gjatë vitit 2000, kur filloi lëvizja e armatosur e popullsisë shqiptare në kërkim të të drejtave kombëtare e njerëzore, kjo trevë është njohur nga të huajt me emrin “Lugina e Preshevës”.në fillim nga qarqet politiko-diplomatike amerikane dhe evropiane e pastaj edhe ato shqiptare. Ky nocion është kontestuar nga qarqet shkencore serbe dhe në studimet e pakta të tyre për këtë trevë të bëra nga ta, askund nuk përmendet nocioni Luginë e Preshevës, por vetëm si “Lugina e Moravicës dhe fusha e Bujanocit”, madje edhe si “Fusha e Preshevës”.
Kohët e fundit, përveç termit “Lugina e Preshevës”, gjithnjë e më shumë po përdoret termi “Kosova lindore”. Ky term pengon qeveritarët serb, në lidhje me këtë, “Politika “ duke iu referuar Zoran Stankoviqit, kryetar i Qendrës Koordinuese për Serbinë Jugore, shkruan: “Për fat të keq, gjithnjë e më shumë po përdoret nga disa në Beograd, të cilët nuk e njohin gjeografinë. Çfarë mund të them kur 40 për qind e qytetarëve serbë mendojnë se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë në territorin e AP Kosovës. Kështu që edhe sot e kësaj dite marrim letra nga disa individë dhe institucione, të cilët po na drejtohen sikur këto komuna janë në Kosovë dhe Metohi”.
Lugina e Preshevës ka të gjitha veçoritë e “territorit të korridorit“ meqenëse nëpër këtë trevë kalon korridori më i rëndësishëm natyror i Gadishullit Ballkanik përmes luginës së Moravës dhe Vardarit. Ndryshe njihet edhe si “Boshti primar meridional ballkanik”, andaj veçohet me pozitë të volitshme gjeografike. Nëpër të kalojnë magjistralja automobilistike Beogrd-Nish-Shkup -Selanik, e cila paraqet arterie kryesore komunikatave të Ballkanit e cila lidhë Evropën e Mesme me atë Jugore e më gjerë. Për gjatë kësaj rruge automobilistike shtrihet edhe rruga hekurudhore (në popull udha e frenit), me rëndësi ndërkombëtare. Ndërsa korridori i rëndësishëm natyror Gryka e Konçulit në Moravën e Binçës përmes së cilës ky regjion komunikon me Anamoravën dhe nëpër mjet saj me tërë Kosovën, dhe tërë Kosova nëpërmjet sajë ka qasje të drejtpërdrejtë në korridorin e 10. Po ashtu nëpër këtë rajon ekziston ideja e kahershme e ndërtimit të kanalit lundrues, që do ta lidhte lumin Morava me Vardarin dhe daljen në detin Egje. Por, ekspertët konstatojnë që ideja është e tejkaluar dhe projekti është i parealizueshëm.
Gjatësia e kësaj lugine midis pellgut të Kumanovës në jug dhe Vrajës në verilindje është rreth 48 km, gjerësia 12-14 km dhe lartësi 390 -500 m.
Treva e Luginës së Preshevës, pra komunat: Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, përfshijnë një territor prej 1250 km2, në të cilën jetojnë rreth 100 000 shqiptarë, të përqendruar në rreth 65 fshatra dhe në tri qendra urbane.
Në tri komunat e Luginës së Preshevës nga zvogëlimi i mortalitetit të përgjithshëm pas viti 1971 dhe nga niveli ende i lartë i natalitetit rezulton norma e lartë e shtimit natyror. Nga 22.1‰ në vitin 1961 në Luginë, pa komunën e Medvegjës, norma e shtimit natyror zvogëlohet në 14.4‰ në vitin 1981 dhe, pas stabilizimit në nivel të lartë deri në vitin 1997, pason një rënie. Rritje e numrit absolut të shtimit natyror shënohet pas gjysmës së viteve të 80-ta dhe kjo tendencë zgjatë deri nga gjysma e viteve të 90-ta. Pas vitit 1995 një rënie e shtimit natyror. Ndryshime të mëdha , në drejtim të reduktimit të shtimit natyror vërehet pas viteve 2002-2003 në Komunën e Preshevës dhe të Bujanocit, për t’u zvogëluar në mënyrë dramatike nga viti 2006 dhe për të arritur nivelin prej rreth 2 ‰ në vitin 2012 në Komunën e Preshevës, zero ‰ nivelim në komunën e Bujanocit, ndërsa në minus shtim në komunën e Medvegjës. Në komunën e Medvegjës nga viti 1999 vërehet shtim negativ natyror (-4‰). Nga kjo ecuri e dinamikës së shtimit natyror rezulton që edhe Lugina si tërësi të ketë shtim negativ natyror.
Serbia është vendi i gjashtë me moshë më të vjetër në Evropë, dhe mosha mesatare e popullsisë është 42.9 vjet! Numri i njerëzve mbi 65 vjeç është 33 për qind, gjegjësisht është më i lartë se numri i popullsisë nën moshën 15 vjeçe. Në Serbi çdo vit mesatarisht vdesin 102.455 njerëz, ndërsa lindin vetëm 67.459 foshnje. Kjo do të thotë që çdo vit Serbia humb 35 000 banorë, gjegjësisht një qytet të madhësisë së Prijepoles, Beçejit ose të komunës së Savskivenacit, shkruan e përditshmja Novosti.
Nga viti 2006 deri në vitin 2016, numri i banorëve në Serbi, vetëm në bazë të rritjes natyrore, është zvogëluar për rreth 385,000 banorë. Prandaj nuk është e çuditshme që para disa dite agjencia e inteligjencës amerikane CIA, në publikimin e saj të cilat i publikon për të gjitha vendet e botës,ka potencuar se në Serbi plakja e popullsisë është një sfidë e madhe.
Sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë, situata demografike në Serbi karakterizohet nga një rritje natyrore dukshëm negative dhe zgjerim i zonave të depopullimit. Komunat e vetme në Serbi që kanë shtim natyror pozitiv janë Sjenica (1,1), Novi Sadi (1,3), Presheva (3,1), Novi Pazari(6) dhe Tutini (7.9).
Popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës, nuk dallohet nga popullsia shqiptare në Kosovë dhe viseve tjera. Ajo karakterizohet me popullsi të re me moshë mesatare rreth 28 vjet, përderisa ajo e Serbisë 46 vjet.
Struktura nacionale e popullsisë sipas komunave dhe në përgjithësi për Luginën e Preshevës viti 2003
Lugina e Preshevës në pikëpamje ekonomike, sociale, arsimore, kulturore e shëndetësore është ndër rajonet më të pa zhvilluara në Serbi; për nga të ardhurat kombëtare është pesë herë nën mesataren e Serbisë.
Për shkak të varfërisë ekonomike, dhunës policore-komuniste, mos perspektivës, një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve ka braktisur rajonin dhe është ngulitur në Kosovë, veçanërisht në Prishtinë me rrethinë, në Gjilan e gjetiu dhe në Evropë së pari për punë të përkohshme, e pastaj edhe me familje. Për shkak të ngecjeve të vazhdueshme ekonomike e arsimore, si dhe për arsye të presionit të pushtetit serb, shqiptarët i braktisën pothuajse të gjitha vendbanimet e komunës së Medvegjës, duke i lënë pronat e paluajtshme.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, në kohën e okupimit të Kosovës dhe të terrorit ndaj shqiptarëve dolën krah shqiptarëve të Kosovës, duke ndihmuar në të gjitha format e mundshme, bile edhe ushtarakisht. Shqiptarët e luginës kurrë nuk u pajtuan të jenë nën administrimin e Serbisë, gjatë luftës së Dytë Botërore, me ndihmën nga viset tjera bënë përpjekje për të rezistuar okupimit serbo-komunist. Ata në vazhdimësi bënë përpjekje për çlirimin e tyre, për demokratizimin e jetës dhe zhvillimin e gjithmbarshëm, ndërsa përmes formave demokratike të veprimit edhe për bashkimin me Kosovën. Qysh në vitin 1992, pas shpartallimit të Jugosllavisë komuniste, ata me referendum vendosën që t’i bashkohen Kosovës. Pas përfundimit të Luftës në Kosovë, dhe pas largimit të forcave ushtarake policore serbe nga Kosova në vitin 1999, nga fundi i këtij viti shpërtheu një konflikt i armatosur midis shqiptarëve dhe forcave serbe, i cili zgjati gjatë gjithë vitit 2000. Me ndërmjëtësimin e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht amerikanëve konflikti përfundoi me një marrëveshje të brishtë, ndërsa lufta politike e shqiptarëve për realizimin e të drejtave njerëzore e kombëtare dhe shtet formuese sikurse në trojet e tjera po vazhdon. Sidomos, pas krijimit të rrethanave të reja në mes të dialogut Kosovë-Serbi i cili po zhvillohet në Bruksel, Këshilli nacional Shqiptar, dhe partitë politike shqiptare të luginës miratuan një deklaratë të përbashkët për bashkimin e Luginës me Kosovën.
Krerët politik të Luginës së Preshevës, pas takimit ditë më parë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi kanë thënë se ky është një takim i radhës me institucionin e presidentit të Kosovës për të shpjeguar nevojën dhe domosdoshmërinë për zgjidhjen e çështjes së problemit të Luginës së Preshevës.
“Duam të konfirmojmë se shqiptarët e luginës së Preshevës kanë një kapital politik të cilin tani duhet të jetësohet në vigjilje të përmbylljes së bisedimeve Prishtinë-Beograd,dhe pse të mos zgjidhet edhe problemi i Luginës së Preshevës”.
“Dhe në këtë fushë ne jemi të zotuar që të respektojmë vullnetin politik të shqiptarëve në Luginë, të shprehur në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 ku shumë qartë janë shprehur se janë për një autonomi politike-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën”.
“Tani është momenti i zgjidhjes së problemeve të grumbulluara, dhe madje ndoshta do të ishte një moment historik i zgjidhjes së problemeve në mënyrë paqësore”, thanë ndër tjerash, krerët politik të Luginës.
Ndërsa presidenti Thaçi, pas takimit me liderët politikë dhe bartësit e institucioneve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe bashkëpunëtorët e tyre, ka thënë se si president dhe të gjitha institucionet në Kosovë e kanë obligim që jo vetëm të dëgjojnë për problemet por gjithashtu të ndërmarrim veprime konkrete për adresimin e këtyre problemeve në mënyrë demokratike dhe paqësore dhe në përputhje me standardet evropiane.
“Kosova duhet të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë edhe për shqiptarët e Luginës. Kosova respekton tërësinë territoriale të fqinjëve, në këtë rast edhe të Serbisë, por nuk mund t’i mbyllim sytë para padrejtësive që Serbia mund t’u bëjë atyre”, ka thënë ndër tjerash Thaçi, transmetuan mediat .
Gjendja e krijuar, paksa edhe e papritur, është e domosdoshme që të rritet ndjenja e përgjegjësisë së klasës politike kosovare. Çështja e Luginës së Preshevës, të futet në agjendën e bisedimeve me Serbinë duke i kërkuar Beogradit që të njëjtat të drejta që gëzojnë serbët në Kosovë t’i gëzojnë edhe shqiptarët në Serbi.