Në botë shitblerja e territoreve ndodhë edhe sot. Së voni, Kina ka blerë qindra mijëra hektarë tokë në Argjentinë, por këtu nuk bëhet fjalë për transferim të sovranitetit. Disa zëra, mjaft seriozë, kanë sugjeruar se Greqia duhet të shesë tokë (ujdhesa) për të dalë nga kriza ekonomike. Shitblerja e territoreve, që sjell ndërrim të kufijve në Ballkan, duket se ka përfunduar me Pargën
Shkruan: Daut DAUTI, Londër
Në fillim të shek. XIX Napoleonit i duheshin para për t’i financuar luftërat e tij, që dukeshin të pafundme. Prandaj, në vitin 1803 Franca ia shiti Amerikës territorin i cili quhej Louisiana. Më vonë, transferimi i këtij territori pati pasoja jo vetëm në zgjerimin e SHBA-ve, por edhe në caktimin e kufirit të këtij shteti me Kanadanë. Por, në atë kohë, nga ky pazar Napoleoni mori një shumë të rëndësishme të parave, që hynë në shpenzimet e tij për ushtrinë franceze, e cila mendonte se do ta zgjeronte territorin e saj në Evropë, Azi dhe Afrikë.
Shitblerja e Louisianas në historinë e re shënoi një rast po ashtu të ri të ndryshimit të kufijve ose territoreve. Disa vite më vonë (1817) Ali Pashë Tepelena e bleu Pargën nga britanikët dhe e zgjeroi domenin e sundimit të tij me një qytet shumë të rëndësishëm bregdetar. Ky pazar u bë për shkak se Napoleoni i humbi luftërat.
Por, 50 vite pas Pargës ndodhi një shitblerje tjetër që do ta ndryshonte botën. Ky rast ka të bëjë me një blerje tjetër të territorit. Në vitin 1867 amerikanët e blenë Alaskën nga rusët. Shitblerjet e territoreve shtetërore janë të panumërta.
Natyrisht, kur bëhet shitblerja me rëndësi është çmimi i cili e tregon vlerën e tokës. Francezët për Louisianën morën 68 milionë franga, kurse rusët për Alaskën 7.2 milionë dollarë. Ali Pasha, vetëm për një qytet, pagoi 150.000 funta. Shuma e parave për Pargën ka qenë tejet e lartë në krahasim me dy pazaret e tjera që u përmendën këtu nëse i kemi parasysh madhësitë e territoreve. Alaska dhe Louisiana janë territore masive, që përfshijnë qindra mijëra kilometra katrorë, kurse Parga kishte më pak se një kilometër. Ky fakt tregon se në Ballkan toka kushton shumë shtrenjtë. Nga viti 1817 e deri më sot, tokës në Ballkan ka vazhduar t’i rritet vlera. Çmimi është rritur për shkak të konkurrencës së “blerësve”, por më shumë për shkak se kufijtë nuk e mbulojnë aspektin etnik. Si shtesë, që nga fillimi i shekullit XIX e deri më sot luftërat për toka kanë qenë shumë të shpeshta. Prandaj, problemi i kufijve është aktual edhe sot.
Në botë shitblerja e territoreve ndodhë edhe sot. Së voni, Kina ka blerë qindra mijëra hektarë tokë në Argjentinë, por këtu nuk bëhet fjalë për transferim të sovranitetit. Disa zëra, mjaft seriozë, kanë sugjeruar se Greqia duhet të shesë tokë (ujdhesa) për të dalë nga kriza ekonomike. Shitblerja e territoreve, që sjell ndërrim të kufijve në Ballkan, duket se ka përfunduar me Pargën. Tashti kanë mbetur vetëm dy mënyra të ndryshimit të kufijve: mënyra e parë është marrëveshja (bilaterale), kurse e dyta është lufta. Por, lufta është mënyra me të cilën kufijtë ndërrojnë më së shumti. Megjithatë, edhe marrëveshjet për shkëmbin nuk janë të panjohura në Ballkan dhe Evropë. Ta zëmë një formë e tillë ka ndodhur sërish me shqiptarët, gjegjësisht kur Shqipëria ia dha Jugosllavisë Shën Naumin dhe në shkëmbim mori Vermoshin. Ky shkëmbim, si edhe tjerët, është përfolur shumë. Sidoqoftë, mënyra e shkëmbimit të territoreve në Ballkan është aktualizuar sërish me rastin e Kosovës dhe Serbisë.
Sidoqoftë, ndryshimi i kufijve nuk është punë e lehtë, sidomos nëse kjo gjë bëhet në Ballkan. Kjo është arsyeja që Evropa i shmanget diskutimit që shpie në involvim të saj në këtë çështje dhe bën me dije se kufijtë në Evropë nuk ndryshohen. Por, një histori jo e gjatë e Evropës na tregon se askund në botë kufijtë nuk kanë ndryshuar më shpesh e më shumë se në Evropë. Për fat të keq, lufta ka qenë faktori më i shpeshtë i ndryshimeve, por kjo gjë është bërë shpesh edhe me marrëveshje.
Sot duket se shqiptarët e kanë trashëguar vetëm një veti të Ali Pashë Tepelenës. Fjala është për kujdesin ndaj aleatëve të Perëndimit. Në atë kohë Ali Pasha e konsideronte vetëm Britaninë e Madhe për aleat, e cila asokohe ishte superfuqi botërore. Pashai kishte treguar një këmbëngulësi të madhe për futjen e Pargës nën pushtetin e tij. Por, ai nuk dëshironte të hynte në konflikt të armatosur me britanikët dhe kjo ishte arsyeja që ai e bleu Pargën nga ata. Pra, pashai e zbatoi alternativën e blerjes dhe e mënjanoi atë të dhunës – luftën. Në kushtet e sotme, në rastin e Kosovës dhe Serbisë, nuk ka vend për zbatimin e shitblerjes së territoreve, por ekziston mënyra e shkëmbimit. Në qarqet politike dhe në opinionin shqiptar kjo mënyrë ka shkaktuar një antagonizëm të çuditshëm.
Shqiptarët, gjatë shekullit të fundit, vazhdimisht janë ankuar, duke i qarë hallet para Evropës, ku kanë kërkuar ndryshimin e kufijve në favor të tyre. Sot duket se rasti për ndryshimin e kufijve është para tyre, por ata nuk dëshirojnë ta zbatojnë këtë mundësi. Ky hezitim duket se vjen si rezultat i kujdesit (lexo: frikës) që shqiptarët e kanë ndaj Perëndimit. Duket që në këtë rast shqiptarët janë duke e tepruar me parimin e kujdesit të Ali Pashës ndaj aleatëve. Me siguri kjo është për arsye se shqiptarët sot nuk janë në pozita të fuqishme faktike dhe negociuese, siç ka qenë Ali Pasha.
Megjithatë, situata në të cilën sot gjendet Kosova nuk është e volitshme dhe kërkon një zgjidhje të problemit me Serbinë. Tanimë është vërtetuar se Kosova nuk mund të krijojë kohezion të nevojshëm shoqëror për ekzistimin dhe zhvillimin e saj politik dhe ekonomik. Kjo është për shkak se serbët në Kosovë nuk janë të interesuar për ardhmërinë e suksesshme të Kosovës, por më shumë për shkak se Serbisë i është lënë dera e hapur që ajo të përzihet në Kosovë. Kjo përzierje është duke shkaktuar probleme serioze dhe kjo gjë do të vazhdojë në këtë mënyrë edhe në të ardhmen. Prandaj, për këtë problem kërkohet zgjidhje. Mundësia e shkëmbimit të territoreve nuk duhet të shikohet si diçka që nuk mund dhe nuk duhet të zbatohet.
Në një situatë të ngjashme duket se është edhe Bosnjë e Hercegovina së bashku me Maqedoninë. Edhe këto dy shtete janë treguar të paafta në drejtim të krijimit të kohezionit si kusht i domosdoshëm të ekzistimit të shtetit. Komplikimet e shumëllojshme të shoqërisë së Bosnjë e Hercegovinës janë të njohura. Në Maqedoni problemi kryesor vazhdon të jetë ai i karakterit ndërnacional. Shqiptarët injorohen dhe, madje, edhe diskriminohen nga shteti maqedonas dhe popullsia shumicë maqedonase.
Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova janë shtete të reja. Por, fakti më i rëndësishëm është se që tri këto shtete janë krijesa që kanë lindur si rezultat i kompromiseve të fuqive të kohës. Që të tri këto krijesa janë në krizë, pasi që nuk iu është zënë filli siç duhet. Në të tri këto shtete i është lënë mundësi Serbisë që të përzihet. E Serbia këtë përzierje e shfrytëzon për t’i penguar zhvillimet pozitive të këtyre shteteve.
Në aspektin e ekzistimit dhe zhvillimit, që të tria shtetet janë të lidhura ngushtë mes vete. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare, e cila ndjen një lloj detyrimi, i frikohet efektit të dominos. Nuk është me rëndësi se cila rrëzohet e para. Me rëndësi është se që të tria rrëzohen njëra pas tjetrës. Në pozitë rrëzimi momentalisht qëndron Kosova, por nesër e pasnesër mund të jenë edhe Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Në mënyrë që të mos ndodhë rrëzimi, bashkësia ndërkombëtare duhet të tregojë interesim më të madh, që shpie në involvim më serioz në zhvillimin e këtyre shteteve. Nëse ndërkombëtarët nuk lejojnë “korrigjimin” e kufijve, atëherë duhet t’i përkrahin më shumë elementet ose faktorët pozitivë të këtyre shteteve. Nëse Kosovës, por edhe Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, nuk i lejohet ndryshimi i kufijve, atëherë përfundimisht duhet t’i mbyllen rrugët Serbisë në përzierjen e saj në këto shtete. Në Maqedoni duket se ka më shumë punë, Në mënyrë që ky shtet të vazhdojë ekzistimin dhe zhvillimin e tij, duhet bërë barazimin e plotë të shqiptarëve me maqedonasit. Ky barazim, në mënyrë të ndërsjellë, sjellë prosperitet ekonomik, i cili njëkohësisht i mbyllë rrugët e përzierjes serbe ose ruse.
/tv shenja/