Me shkas vizitën në Pazarin e Ri dhe koncertin edhe me valle tradicionale shqiptare
Shkruan: Avni Rudaku
Para pak ditësh, më 11 maj, ishim të ftuar nga kryetari i shoqatës “Kosova për Sanxhakun” për të marrë pjesë në aktivitetin kulturor të organizuar në Pazarin e Ri (Novi Pazar), me rastin e përvjetorit festiv të themelimit të Këshillit Kombëtar Boshnjak, i cili ishte ngjizur më 11 maj 1991. Ky Këshill në fillim kishte emërtimin “Këshilli Kombëtar Mysliman i Sanxhakut”, për të ndryshuar më pas në “Këshill Kombëtar Boshnjak të Sanxhakut” dhe pas vitit 2003, si Këshill Kombëtar Boshnjak. Sikur e jep edhe faqja zyrtare e këtij Këshilli, themelimi i tij ishte si “një përgjigje ndaj spastrimit etnik dhe terrorit nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit ndaj popullit boshnjak në rajonin e Sanxhakut e më gjerë.” Këshilli Kombëtar u bë përfaqësuesi më i rëndësishëm i pakicës boshnjake të rajonit të Sanxhakut në Serbi e gjetiu, qoftë për të organizuar referendumin për autonominë e këtij rajoni, në tetor të vitit 1991, me votën shumicë pro-autonomisë së Sanxhakut, qoftë në rolin për edukimin dhe arsimimin e gjeneratës së re të boshnjakëve, e tjerë e tjerë. Lideri i Këshillit Kombëtar Boshnjak, Sulejman Ugljanin, me profesion stomatolog, ishte edhe kryetar qyteti, edhe ish ministër në Republikën e Serbisë, e që me origjinë dhe vendlindje, vjen nga Mitrovica. Për neve ishte vizita e parë në Pazarin e Ri, ndonëse ishim të njohur me këtë qytet shumë më herët, me shfletim librash, memorie kolektive për shpërnguljet masive të shqiptarëve nga Sanxhaku, Nishi, Toplica, etj. etj., me rrëfime për historinë e vjetër e të re të këtij rajoni dhe i populluar me aq shumë shqiptarë; rrëfimet mbi asimilimin e shumë shqiptarëve në boshnjakë, sidomos pas dekadave të pasLuftës së Dytë Botërore, e kështu me radhë. Për të dhjetën herë, e kishim shikuar video-xhirimin mbresëlënës britanik, ndër më të vjetrin, të vitit 1904, ku shihen në video, shumë shqiptarë në Pazarin e Ri, me veshje kombëtare. E kishim ndjekur edhe një emision të para pak kohësh, të gazetarit nga Shqipëria, Marin Mema, mbi shqiptarët në Sanxhak, por edhe një emision të Radio Televizionit të Kosovës, me emërtimin “Arkiv”, ku do të transmetoheshin dokumentarë të shumtë të ish RTP-së, edhe për Peshterin, dhe vetëm para pak javësh, sërish kreu i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi, do t’ia lehtësonte në bashkudhëtim këtij ekipi të RTK-së, për ta vizituar sërish Peshterin dhe shqiptarët në Sanxhak, për t’u pasqyruar edhe më tej prania e vazhdueshme e komunitetit shqiptar atje. Pazari i Ri është i rëndësishëm edhe për mitologjinë e historinë e serbëve, të cilët e ndërlidhin me kryeqendrën e Principatës mesjetare të Rashkës, në shek. XIII. Ky qytet bashkëdyzon historinë e dy civilizimeve e perandorive të dikurshme të Lindjes: Bizantit dhe Perandorisë Osmane. Nëse dikush e ngatërron konceptin e Lindjes vetëm për Lindjen e Mesme dhe vendet islame, apo vetëm për ish Bizantin, apo Evropën Lindore e civilizimin ortodoks, atëherë Pazari i Ri, shërben për të ngërthyer brenda mureve të saj, dy anët apo dy kuptimet e Lindjes: edhe Bizantin e dikurshëm dhe me kishat aq të hershme ortodokse të shek. IX, si Kisha e Apostujve të Shenjtë, Pjetrit dhe Palit (i pranuar në UNESCO në vitin 1979), edhe Perandorinë Osmane dhe islamin, me xhaminë Altun-alem, të shek. XVI. Pazari i ri është Lindja në secilin kuptim të saj, aty ku bashkohet Bizanti me osmanët dhe bashkëjetojnë dy emrat e Stambollit!
Vizita në muzeun e Pazarit të Ri
Gjersa po vizitonim muzeun e qytetit të Pazarit të Ri, na bien në sy edhe disa fotografi të viteve ndërmjet dy luftërave botërore, prania e shqiptarëve me plisa të bardhë, ose veshjet rugovase. Ky qytet ka pasur rëndësinë e vet të rëndësishme pasi ka ndërlidhur kryeqendrat më të rëndësishme të rajonit dhe po ashtu, në pikëpamjen historike, shënon qytetin e rëndësishëm arkeologjik nga koha e gurit, me gjetjet e ndryshme, disa prej të cilave janë ekspozuar në këtë muze. Muzeu përmban lloje të ndryshme armësh të përdorura në periudhën osmane dhe më të re. Aty kishte edhe dhurata e dekorata austro-hungareze, osmane, serbe, etj. Kishte të ekspozura veshje të boshnjakëve nga Sanxhaku, ndonëse shumica e shqiptarëve do të donin të shihnin brenda muzeut edhe plisa dhe veshjet rugovase sikur janë të pranishme në Peshter ose Pazarin e Ri, pa përjashtuar prezencën e tyre bile në disa fotografi të vjetra e të vëna në muret e brendshme të muzeut. Në muze kishte edhe libra të shenjtë për myslimanët, si Kur’ani i vogël, i cili ishte në dispozicion për ushtarët e ushtrisë osmane, apo edhe në formate më të mëdha. Islami ka ndikim të madh edhe sot në arkitekturën e vendit, qoftë edhe në hotelin e njohur në qendër të qytetit, ku nga brenda e nga jashtë, vërehen kupolat sikur të xhamive, shkallët e myezinit sikur për t’u ngjitur në minare, etj. Pazari i ri ka dhjetra xhami, hamamin e vjetër për disa shekuj të Isa Begut, fortesa, etj.
Gjurmët shqiptare në Pazarin e Ri
Takojmë një grua shqiptare nga Mitrovica, bashkë me vajzën e saj, të martuar në Pazarin e Ri. Takojmë një vajzë tjetër studente nga ky qytet, e cila nuk flet gjuhën shqipe, por që veten e identifikon si shqiptare dhe është ndër vajzat më aktive në mediet sociale, e cila u bën thirrje sanxhaklinjve t’iu kthehen rrënjëve shqiptare! Gjurmët shqiptare i gjeni pak, mund të dëgjoni shqip, por rrallë. Një banor nga Sanxhaku na tha se në një fshat të Pazarit të Ri ka më shumë shqiptarë, por jo edhe gjithkund. Shumica e boshnjakëve me të cilët biseduam, ndanin bindjen dhe mitin e përbashkësisë së shqiptarëve dhe boshnjakëve prej ilirëve. Madje në një katalog të historisë së qytetit, ishte shkruar edhe për mbreterëshën Teuta, e cila besohet se ka themelet në Tutinë të Sanxhakut. Po ashtu, Shaban Polluzha, një prej figurave më popullore shqiptare nga rajoni i Drenicës, vlerësohet lart për kontributin e tij në mbrojtjen e Sanxhakut nga çetnikët, e cila e dhënë historike mund të gjindet po ashtu në këtë katalog të qytetit të Pazarit të Ri. Bashkë me ekipin e pjesëmarrësve prej 30 vetash nga Kosova, ishin edhe dy mbesat e Polluzhës, ku u mirëpritën jashtëzakonshëm edhe nga kreu i Këshillit Kombëtar Boshnjak, Ugljanin, i cili në prani të dhjetra të mbledhurve para objektit të këtij Këshilli, përmendi me respekt praninë e mbesave të Polluzhës dhe të gjithë duartrokitën fuqishëm në sheshin e Pazarit të Ri, sapo u përmend emri i këtij heroi të shqiptarëve. Por emri më i njohur i cili edhe ka pllakën përkujtimore në muret e një objekti në fillim të sheshit të qytetit të Pazarit të Ri, është Aqif Blyta, i shkruajtur në pllakë me emrin Aqif Haxhiahmetoviq, i vrarë në fund të Luftës së Dytë Botërore nga partizanët jugosllavë. Gjurmë tjetër shqiptare në këtë qytet, teksa po ecnim afër mureve të fortesës, ishte një foto e përurimit të hidrocentralit, gjatë vitit 1931, ku shihej një punëtor me plis të bardhë mbi kokë. Pazari i Ri vazhdon të jetë qoftë edhe vendndodhja e paraardhësve të besuar nga shqiptarët, qoftë edhe emër për dhembjet e shqiptarëve të shpërngulur nga aty nëpër histori, qoftë edhe emër për asimilimet e shumta që kanë ndodhur atje nga proceset e kuptueshme historike në kohën më të re. Pra, ky qytet, konsiderohet ndër qytetet me peshën më të madhe historike për tre popujt e Ballkanit, në radhë të parë për boshnjakët e sotëm shumicë, për shqiptarët dhe për serbët.
Prania e ansambleve shqiptare në festën e Pazarit të Ri
Në qendrën kulturore të Pazarit të Ri, me shkas 11-majin, marshin festiv kulturor nëpër shesh dhe pjesëmarrjen mbi dyorëshe të koncertit me valle tradicionale, morën pjesë disa ansamble të valleve nga Sanxhaku, Shkupi, Bujanoci, Prishtina, etj. Djemtë e vajzat shqiptare nga Kishnica, nga ansambli i valleve “Minatori i ri” dhe një tjetër ansambël nga Bujanoci, ishin paksa më të rritur sesa vallëtarët/et nga ansamblet e tjera. Sidoqoftë, duke qenë edhe ne mysafirë në mesin e audiencës së gjerë të sanxhaklinjve, ishte emocion i jashtëzakonshëm për publikun kur duartrokiti me aq shumë jehonë për vallet kombëtare shqiptare, duke ndezur atmosferën në sallë, duke nxitur regjistrime audio-vizuele dhe individuale nga celularët e të pranishmëve, etj. Ishte drithëruese të përjetonim vallen shqiptare në skenën e Pazarit të Ri, qoftë për ne si mysafirë në sallë, qoftë edhe për publikun boshnjak, qoftë edhe për vetë valltarët dhe valltaret shqiptare të këtyre ansambleve. Bile e dëgjuam një koment interesant nga sanxhaklinjët: te vallja shqiptare, djemtë e vajzat shfaqnin tipare, veprime e hapa të krenarisë, të sigurisë, të vetërespektit e vetëvlerësimit nacional, ndërsa, sipas tyre, valltarët/et nga Sanxhaku, disi dukeshin më të druajtur, më pak kryelartë, duke e ndërlidhur edhe metaforikisht me statusin aktual politik më të avancuar të Kosovës në raport me Sanxhakun!
Qyteti i zemrave
Moti kohë nuk na ka ndodhur të shohim më shumë zemra, apo mbishkrimin dashuri dhe inicialet apo emrat e të dashuruarve, sesa në qytetin e Pazarit të Ri. E mbajmë në mend se si para luftës dhe fill pak pas luftës në Kosovë, gjenim simbolin e zemrës, të vizatuar nëpër banka shkollore, shtëpi të braktisura, mure, trotuare e rrugë; e bënin të rinjët e nxënësit, të cilët shprehnin në një mënyrë apo tjetër dashurinë e tyre plot afsh, skuqje, hezitim, turp e fshehje. Por kjo u avullua pas çlirimit. Pazari i Ri na ktheu nëpër kohë, pasi ishte qytet i mbushur me shprehje grafitesh, mbishkrimesh, vizatimesh, të zemrave, dy shigjetave të Amorit dhe inicialet në pjesën e sipërme të njërës barkushe dhe pjesës së poshtme të tjetrës barkushe. Ishte plot me shprehje dashurie dhe vendosa ta quaja ‘qytet i zemrave’, apo edhe qytet i përzemërt. Ndoshta prania e këtyre zemrave flet edhe për një liri më të kufizuar të shprehjes së dashurisë nga normat morale e religjioze, traditat e kahershme të këtij qyteti, i cili duke qenë jo krejt i zhveshur nga konservatorizmi, e mban gjallë edhe më shumë nocionin e dashurisë tradicionale e romantike, për të mos e shndërruar tërësisht vetëm në seks. Mirëpo, përkundër paragjykimit të krijuar nga mediet, propaganda e disa grupacioneve serbe, Pazari i Ri, ishte qytet me pjesën dërmuese të rinj, të papunë, duke pirë kafe e duke u argëtuar sikur në Prishtinë e qytetet e tjera të Kosovës. Ishte qytet me pak vajza të mbuluara, sikur mund ta përfytyrojmë gabueshëm! Pavarësisht identitetit islam si pjesë karakteristike të boshnjakëve të Sanxhakut dhe boshnjakëve në përgjithësi, shumica e rinisë ishte tërësisht moderne në veshje, ngjashëm si në vendet tona e kudo në Perëndim. Vajzat ishin të lira të argëtoheshin bashkë me meshkujt. Ndoshta sikur e thanë disa banorë të qytetit, për muajin e Ramazanit, shumë lokale mbyllen paradite e hapen më vonë; disa vazhdojnë të pinë qaj e të luajnë me ‘letra’ deri në syfyr, pak a shumë si në Vuçitërnë, duke bërë qytetin të duket edhe më fetar. Po ashtu, që në qendër të qytetit mund të duket objekti i Fakultetit të Shkencave Islame, disa xhami të vjetra edhe nga shek. XVI, edhe vajza me hixhab në numër më të madh se në Kosovë, apo edhe ndonjë me nikab (duke mbuluar edhe fytyrën), por shumica dërmuese e vajzave e grave nuk ishin të mbuluara. Pamë disa djem me mjekra të identifikuara edhe me devotshmëri islame, qoftë të vetëm, apo edhe duke bashkëbiseduar me njëri-tjetrin, por krejt këto ishin edhe rezultat i qytetit të vogël, ku mund të vëreheshin të gjitha detajet dhe fytyrat e krejt banorëve. Përndryshe, marrë në tërësi, Pazari i Ri, ishte qytet me pamje moderne të banorëve të saj, dhe jo islamist sikur është ravijëzuar gabimisht nga propagandat e ndryshme politike dhe mediatike. Madje, edhe nëse e shihni emërtimin e evoluar të Këshillit Kombëtar Boshnjak, në fillet e saj ishte brenda saj edhe me emrin ‘mysliman’, ndërsa me trajtën e fundit, iu ka hequr edhe ‘mysliman’, edhe i ‘Sanxhakut’. Definitivisht, ky qytet është shumë i ngrohtë në secilën pikëpamje, aty ku puqet e vjetra dhe e reja, lumi, xhamitë, hamamet, kishat e fortesat. Është qytet-kujtesë i shumë popujve, i novipazarasve mikpritës e të urtë dhe aty ku dukshëm tradicionalizmi e ka humbur betejën me të renë, por edhe e para, vazhdon akoma ta ketë madhështinë e vet pa dyshim! Historia e këtij qyteti e bën Pazarin apo Tregun e Ri, të ngrohtë në verë, e të ngrohtë në dimër! Qytet i më së shumti zemrave në hapësirën publike e përreth lumit dhe qytet i përzemërt!
Botuar në gazetën e përditshme kosovare “Kosova Sot”, 20 maj 2017