Thuhet se u vra nё korrik të 1946-ës në burg, por ka edhe zëra që thonë se është helmuar.
Xhonturqit ose Turqit e rinj ishte lëvizje nacionale-borgjeze që lindi në vitet 80 të shek. XIX në Perandorinë Osmane dhe drejtohej kundër absolutizmit të sulltan Abdyl Hamitit II.
Në anën tjetër, Lëvizja Kombëtare Shqiptare qëndronte në luftën kundër absolutizmit të sulltanit.
Prandaj një pjesë e atdhetarëve u përfshinë në lëvizjen e turqve të rinj qysh në fillimet e saj dhe luajtën atje një rol të rëndësishëm.
Xhonturqit i konsideruan si kërkesa të ngutshme “njohjen e kombësisë shqiptare dhe çeljen e shkollave shqipe”.
“Derisa xhonturqit ishin në opozitë, ata u munduan t’i joshin të gjitha kombësitë tjera, përfshirë këtu edhe shqiptarët. Por, më të kapur pushtetin ata jo që nuk i plotësuar kërkesat e popujve tjerë, madje në disa raste u treguan edhe më të ashpër se pushteti i sulltan Abdyl Hamitit II”, deklaroi historiani Fehmi Rexhepi.
Në këtë gjendje të acaruar të marrëdhënieve shqiptaro-turke, kur konflikti me xhonturqit për çështjet e kulturës shqiptare kishte arritur kulmin e tij, atdhetarët shqiptarë mblodhën një kuvend tjetër kombëtar, Kongresin e Dytë të Manastirit.
Ai u mbajt dy vite pas kongresit të parë që ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Ky tubim u thirr me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe i zhvilloi punimet nga 2-3 prill të vitit 1910.
Ndryshe nga kongreset e mëparshme kombëtare, në këtë kuvend pati një numër mjaft të madh delegatësh nga qytetet e 4 vilajeteve.
Kryetar i saj u zgjodh Bedri Pejani, një publicist, diplomat dhe atdhetar shqiptar i lindur në vitin 1885 në Pejë.
Kjo i bie që ai u zgjodh kryetar i kongresit kur ishte vetëm 25 vjeç.
Qëllimi i këtij kongresi, sipas fjalëve të Bedri Pejanit ishte “diskutimi përmi nevojat t’ona kombëtare, përmi diturinë, përmi lulëzimin dhe përparimin e gjuhës s’onë dhe përmi mbrotësinë të kombit shqiptar”.
Mirëpo kjo nuk është koha Pejani filloi të spikatej si një ndër emrat që ushtronin veprimtarinë e tyre për çështjen e kombit shqiptar.
“Bedri Pejani fillon të spikatet si veprimtarë që nga mosha 20 vjeçare. Aktivitetin më të madh kombëtar ai e zhvilloi në kohën e revolucionit Xhonturk. Ai përkrahi këtë revolucion pasi shpresoi se ky revolucion do të përkrahte edhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Aktiviteti i tij shpesh e rrezikoi atë deri me burgosje, por ai asnjëherë nuk u ndalë deri në fund”, tregon më tej historiani Fehmi Rexhepi.
Por edhe para kësaj, Pejani del të jetë njëri prej organizatorëve për fillimin e kryengritjeve të shqiptarëve për pavarësinë e Shqipërisë.
Pra ishte ndër përkrahësit më të afërt të emra të njohur të kohës si Bajram Currit, Isa Boletinit, Hasan Prishtines e shumë patriot tjerë.
“Në vitin 1909 Bedri Pejani del në skenën historike së bashku me Ismail Qemajlin, Hasan Prishtinën, Mit’hat Frashërin e shumë të tjerë në Stamboll. Aty në mbahet një tubim i këtyre patriotëve ku vendoset që Kosova të shkojë në kryengritje. Aty Bedri Pejani thotë se duhet bërë revolucion sipas atij Borgjez-Francez. Kryengritja filloi nga Llapi”, tregon historiani Hakif Bajrami.
Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga osmanet.
Lufta e Parë Ballkanike, përderisa drejtohej kundër Turqisë dhe kishte për qëllim bashkimin kombëtar të popujve ballkanikë, objektivisht kryente një funksion përparimtar. Por ajo u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë e Maqedonisë.
“Shtetet Ballkanike luftën kundër Perandorisë Osmane e shndërruan në luftë për pushtimin e trojeve shqiptare që shqiptarët i kishin çliruar në vitin 1912. Bedri Pejani mori pjesë në takimin e Shkupit së bashku me Hasan Prishtinën në marrëveshjen që bënë shqiptarët me Perandorinë Osmane për të penguar depërtimin e serbëve në tokat shqiptare”, tregon Fehmi Rexhepi
Ajo që shqiptarët donin ishte ruajtja e integritetit territorial të Shqipërisë.
Në këto rrethana, delegatët nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Kuvendin e Vlorës. Ismail Qemali u kthye në Shqipëri dhe në krye të një asambleje kombëtare, shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912.
Pra Bedri Pejani në nëntor të vitit 1912, u zgjodh përfaqësues Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës, dhe u bë nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor 1912, dhe, si shumë të tjerë, hyri përjetësisht në historinë e Shqipërisë.
“Me shpalljen e Pavarësisë, Bedri pejani është njëri nga firmëtarët e kësaj deklarate. Ai më pas bën përpjekje të mëdha që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë”, thotë hulumtuesi Bejtullah Destani.
Në vitin 1918, Serbia përsëri e okupoi Kosovën, okupim që zgjati rreth 20 vjet. Gjatë kësaj kohe Serbia mori masa të ndryshme drastike për t’i shpërngulur shqiptarët nga trojet e tyre etnike dhe për t’i kolonizuar në to kolonët serbë e malazezë.
Krimet jugosllave që ishin bërë në Kosovë, Bedri Pejani i publikoi, që është një element tjetër për të cilën njihet.
“Bedri Pejani i boton të gjitha krimet që pushteti serb i kishte bërë nga Plava, Gucia, Peja, Gjakova e Prizreni në mediat franceze”, thotë Hakif Bajrami.
Në këtë situate jo të mirë, erdhi një ide që shqiptarët duhet të formojnë një institucion politik për t’i dal zot atdheut. Kjo ide erdhi në jetë, duke u formuar kështu komiteti Mbrojtja kombëtare e Kosovës.
Bedri Pejani ishte pjese njërit prej disa delegacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku kërkohej që të evitoheshin padrejtësitë që ishin bërë Shqipërisë që nga periudha e Kongresit të Berlinit në vitin 1878, dhe e Konferencës së Londrës në vitin 1913.
“Bedri Pejani ishte ai që propozonte që në Versajë duhet të shkonte një delegacion i bashkuar Shqiptarë. Shqiptarët duhet të paraqiten atje me flamur kombëtar, të flasin me alfabetin shqiptarë i dalë nga Kongresi i Manastirit”, deklaron Hakif Bajrami.
Më vonë, thuhet se Bedri Pejani kishte krijuar raporte të mira me gjermanët, ku në atë kohë instaloj administratën shqipe.
“Gjatë viteve 1921 u kthye në Kosovë dhe pati raporte të mira vetëm me gjermanët. Ai në Mitrovicë instaloi administratën shqipe edhe pse ishte zonë e okupuar nga Gjermania”, tregon historiani Fehmi Rexhepi.
Bedri Pejani punonte, siç sintetizojnë historianët, për një arsim kombëtar, i bazuar në doket, zakonet, traditën dhe psikologjinë e kombit shqiptar.
“Deri në vitin 1939 Bedri Pejani ka pësuar metamorfoza të ndryshme. Fillimisht në 1932 qëndroi në Tiranë. 1941 e gjen atë me 120 mësues dhe ai vendoset në Mitrovicë. Ai shpërndanë mësuesit në Kosovë. Duhet ta pranojmë se ai ishte edhe anëtarë i kominternit të Berlinit. Por, ai e mendonte se çfarë u kishte ndodhur shqiptarëve mes dy luftërave. Ai e shihte se në fillim okupatori italian dhe gjerman nuk silleshin keq me shqiptarët, dhe më mirë të na sundonte një okupator si ata se sa Serbia apo Mali i Zi që kishin bërë masakra të mëdha, dhe ai nuk iu bashkua luftës antifashiste”.
Një organizim tjetër i krerëve nacionalistë kosovarë u formua në krye Bedri Pejanin në vitin 1943, Lidhja e dytë e Prizrenit e cila ishte e angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë. Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare.
Mirëpo disa thonë se kjo nuk ishte koha më e artë e tij, e ndoshta këtu i jepet kuptimi thënies së tij të famshme.“edhe me djallin do të bashkëpunojsha për me bashkue Kosovën me nanën Shqipní”
“Bashkëpunimi me italianët apo gjermanët ia zbeh pak atë lavdinë që ai kishte. Nuk mund të nderohet një patriot që i shkruante letra Hitlerit”, thotë hulumtuesi Bejtullah Destani.
Megjithatë ndihma që kërkoi nga Hitleri nuk i erdhi Bedri Pejanit, për arsye se kishte plane tjera.
“Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte organizatë patriotike, por në praktikë kjo nuk delte të jetë kështu. Bedri Pejani në Rogovë të Prizrenit e themeloi divizionin SS Skenderbeg me 1 prill të vitit 1944. Ai mendonte se Vilajeti i Kosovës dhe Manastirit duhet t’i japin rreth 150 mijë ushtarë. Ekziston letra që ai i ka shkruar Hitlerit, por Hitleri nuk i ndihmoi sepse ai kishte plane tjera pasi e kishte humbur luftën”, tha Hakif Bajrami
Më pas Bedri Pejani arrestohet në Prizren, megjithëse kjo nuk ishte hera e parë që arrestohet.
“Në vitin 1945 organet e pushtetit komunist te Shqipërisë e arrestuan atë, edhe pse ai ishte me botëkuptim të majtë, por bindjet e tij patriotike bënë që pushteti komunist shqiptar i dorëzoi Jugosllavisë, të cilët e burgosën në Prizren. Ata e gjykuan dhe e dënuan me pushkatim”, thotë historiani Fehmi Rexhepi.
Thuhet se u vra nё korrik të 1946-ës në burg, por ka edhe zëra që thonë se është helmuar.
“Thuhet në dokumente se është vra, por unë nuk mendoj ashtu. Unë mendoj se Bedri Pejani është helmuar. Bile prokuror është një xhelat i popullit shqiptar Ali Shukria dhe gjykatës një gjakovar që sot ai ka familje dhe unë nuk dua t’i përmend emrin”, tregon më tej Hakif Bajrami.
Më 26.06. 2012 dekorohet me urdhrin e “Nderi i Kombit”, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me motivacionin “Për meritat e tyre historike si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar”.
RTV Dukagjini/Telegrafi/