Prof. Ibrahim Kelmendi
Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë
VDGRAF Preshevë 2006
Fragmente
f.7
Më se gjysëm shekulli, historia kombëtare e periudhës 1941-1945 ka qenë kualifikuar si veprimtari antishtetërore e shkallës së parë dhe mbante shifrën e fshehtësisë shtetërore më të lartë- si tabu temë- nga të dy qendrat, Beogradi e Tirana, dmth nga pushteti komunist titist dhe nga pushteti komunist enverist.
- 11
Gjatë luftës shtator-nëntor 1944, shqiptarët nuk bënë kurrfarë hakmarrje ndaj askujt, nuk masakruan askënd, as nuk plaçkitën askënd, por iu përmbajtën rregullave të luftës dhe traditës shqiptare në përgjithësi. Kurse pushteti i ri komunist, porsa erdhi, menjëherë ndërmori aksione të hakmarrjes, masakrimeve të papërshkruara për botën e civilizuar: në Sopot, Isë Ukaj, Gosponicë e sidomos në Gjilan që qe bërë kasaphanë e gjallë për popullatën shqiptare të pafajshme, që vetëm donte të jetonte e lirë në truallin e vet. Nuk i respektuan rregullat elementare njerëzore, u vranë pa gjyq e gjykim,, por me pasione të ulta çnjerëzore.
Në emër të luftimit të kundërshtarëve të pushtetit të ri, të tradhëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të okupatorit fashist, ata çdo ditë, pa kurrëfarë procedure gjyqësore, ku mundnin dhe mbërrinin, vrisnin shqiptarë, burgosnin, sekuestronin pasuri të ndryshme etj.
f.17
(Ibrahim Kelmendi) me bindje ishte antifashist dhe si i tillë ishte zgjedhur kryetar i Rinisë së Ballit Kombëtar të Kosovës. Bashkë me drejtorin e shkollës normale “Sami Frashëri) prof. Ahmet Gashin ndihmoi të shpëtonin nga kthetrat e Gestapos dhjetëra të rinj shqiptarë simpatizantë të lëvizjes nacional-çlirimtare.
f.26
- Newman më 1939 shkruante:
Në shumë vende të Europës, njerëzia zihen në lidhje me kombësinë e ndokujt. Kashubianët dhe mezorianët merren si gjermanë ose si polakë. Në Kosovë kjo nuk ndodh, mbasi dihet se kush është serb dhe kush shqiptar. Tue u endë nëpër Kosovë, plisi i bardhë i shqiptarit më ra në sy në çdo vend, dhe kudo që shkova, gjuhë shqipe ndëgjova. Pak familje serbe që pashë ishin më të shumtat emigrantë të rinj…
Kosova është temë shumë e mirë për një bashkëbisedim.
Shqiptari: Kosova është e jona mbasi banohet prej nesh.
Serbi: Shqiptarët janë popullsi artificiale e sjellun prej turqëve, mbasi popullsia autoktone u përzue dhe asgjësue.
Shqiptari: Autokton! Se shqiptarët e banojshin krejt Gadishullin Ballkanik shumë më përpara se serbët që kishin dëgjue për të! Kur turqit na sollën në Kosovë, nuk banë gjë tjetër përveç se na kthyen atë që ka qenë e jona.
Serbi: Ju munmd të keni qenë mija vjet përpara por na e mbajtëm Kosovën për 500 vjet. Pastaj nëe u mundëm prej turqëve dhe jo prej shqiptarëve.
Prej fjalëve të z. Newman del identiteti etnik i Kosovës.
- 29
Kostandin Jireçek shkruan se :
“Në Vardarin e Epërm, në Drinin e Bardhë, në Fushë të Kosovës dhe në rrethin e Nishit banojshin dardanët, të cilët në vitin 284 para Krishtit, përmenden si armiq të rreptë të maqedonasve dhe ma vonë të romakëve”.
Antoni Mayes thotë se “emrin ilir e gjejmë përveç se në buzë të Adriatikut, në Bosnje, në Slloveni, në Kroaci, në Epir, ku banojshin 14 fise ilire që i përmend edhe Straboni. Në Akarni, në Etoli dhe në Greqinë e Mesme ata ishin gjithashtu”.
Thuqiditi thotë se “gjuha e tyre është e pakuptueshme. Emri ilir gjindet edhe në Peloponez, ku banonte fisi i Druopëve”.
Sipas prof. Jokl dhe Krahe emra ilirë gjejmë edhe në Panoni, që Herodoti e quan Paeonia. Në qytetin Sardis, Dariusi takoi dy paeonias dhe motrën e tyre të bukur dhe të shëndoshë. Këtu mbretërit i thanë se paeoniasit ishin banorë teucianë nga Troja dhe se vendi i tyre i vërtetë gjindej në Strimon afër Hellespontit.
Kretschemer, emrin e Bizantit e nxjerr nga fjala “buzas” dhe se dardanët gjinden qysh prej Iliadës.. Të njëjtin brum si ilirët dhe thrakët kishin edhe maqedonasit.
Straboni thosh se kur Maqedonia quhej Emathi ajo banohej prej ilirëve, thrakasve dhe epirotëve.
Kretschemer thotë se maqedonasit asesi nuk ishin grekë, por e tillë mund të ketë qenë shtëpia mbretërore e tyre.
Stanley Casson thotë se ndryshimi ndërmjet ilirëve dhe maqedonasve ishte vetëm kulturor.
- 32
Në shek IV para Krishtit ilirët u bashkuan në një federatë të lirë fisesh dhe formuan një shtet, kufijtë e të cilit shtriheshin prej lumit Sava deri në jug të Epirit, tue pasë brenda edhe Korfuzin. Ca thonë se ky shtet përmblidhte edhe fiset ilire që gjendeshin në anën tjetër të Adriatikut.
f.33
- Churchill (The English speaking people, 1956):
Legjionarët ilirë ishin ushtria ma e mirë e Romës.
Burimet njerëzore dhe landore të Perandorisë (romake) do të mjaftojshin me mbrojtë tansinë e kufijve, sikur ato mos të përdoreshin në lufta ndërmjet perandorëve rivalë. Për këtë arsye, në mesin e shek III Perandoria ishte në gjendje kaotike dhe e shkatërrueme nga financat. Megjithë këtë, këtu duel një numër ushtarësh dhe administratotësh, të cilët mbrojtën tansinë e Perandorisë.
- 35
Diokleciani ilir e ndau Perandorinë në katër provinca dhe e sundoi prej një pallati në Split, pak kilometra larg Salonës ku kishte lindur. Sistemi qeverisës i tij e sundoi Perandorinë e Lindjes për 1000 vjet..Në dekretet perandorake Shqipninë ai e quante Epirus Nova.
Një ndër sunduesit më të mëdhenj të Romës ka qenë, pa dyshim, iliriani Kostandini i Madh, që lindi në Nish të Dardanisë. As ky nuk e deshti Romën për qendër prandaj bani kryeqytet Bizantin, në kryqëzimin e tre kontinenteve, që u quajt pas tij Kostandinopol. Fillimisht, ai donte ta bante Nishin kryeqytet. Por ndryshe nga Diocekliani ai shihte te krishtërimi një fuqi morale të madhe dhe jo vetëm që e pranoi por e bani edhe fe shteti.
f.36
M.E. Pittard dhe shumë të tjerë i quanin dalmatët, boshnjakët dhe kroatët ilirë të sllavizuem.
- Jireçek thotë se emri i familjes Burzanoviç vjen nga fjala Burrmadh. Të tilla emra ka me qindra në ato malësi.
f.40
Deri në shek XVIII, në Shumadi ishin vetëm duzina katundesh sllave dhe malësitë banoheshin me vllehë. Kështu etnikisht serbët e sotëm janë ma shumë vllehë të sllavizuem se sa sllavë të vërtetë.
- 41
Statistikat serbe përpara luftës, në krejt Jugosllavinë, përfshi Maqedoninë, shënojshin vetëm 50 000 bullgarë. Statistika bullgare më 1942 shënonte se në Maqedoni nuk ka asnjë serb. Vlen të përmendet që kjo statistikë u shfaq pasi serbët e ardhur pas 1920 u përzunë. Statistika e 1951 shënon vetëm 50 mijë serbë, nja 800 mijë maqedonas deh asnjë bullgar.
- 45
Beteja e Maricës (1371) i shqetësoi të gjithë shtetet dhe principatat ballkanike. Spontanisht, për herë të parë në histori, u bashkuan serbët, shqiptarët, bullgarët dhe bile dhe kroatët e rumunët për t’I përballue turqit.
Lufta u ba me 15 qershor 1389 dhe në anën e turqëve luftuan edhe vasalët e krishterë të tyre, në mes të të cilëve ishte edhe Krajleviç Marko.
Një shkrimtar thotë se në mes të aleatëve ballkanikë kishte edhe tatarë, të cilët ishin armiq të betuar të turqëve.
Koalicioni u tradhëtue prej ca serbëve në mes të të cilëve gjithnjë përmendet Vuk Brankoviçi. Lufta zgjati vetëm një ditë, aleatët heterogjenë u mundën, knjaz Llazari dhe sulltan Murati u vranë.
- 51
Numri i shqiptarëve në Greqi, prej shekullit XI, gjithnjë shtohej. G. Stadtmueller na thotë se në shek XIV, gjysma e atdheut helen banohej nga shqiptarë.
J.G, Hahn çështjen e shtron pak më ndryshe dhe thotë:
“Qysh prej shek XIV, shqiptari penetroi në Greqi, ku zë mbarë krahina ose bahet bashkëvendas i grekëve nëpër qytete dhe nëpër katunde, si në Argos dhe në Atikë. Atika, Megara, Eubeja Jugore, Argolis dhe Korinthia tash banohen vetëm prej shqiptarëve… Në ishuj Hydra, Specja, Poros dhe Salamis shqiptarët janë aq të papërziem me grekë, sa që, përpara kryengritjes greke, nuk gjindej asnji grue që të kuptonte greqisht…Një ditë pasi të plotësohet greqizimi i Atikës, si vallë mund të shprehej një shkrimtar turist për origjinën e banorëve të saj? Na mendojmë se ai ka për të thanë vetëm: Atikasit e sotëm kanë qenë shqiptarë!”
f.62
Prej pjesëmarrjes së shqiptarëve në luftën e 1689 dhe 1736-1739, del në shesh se në atë kohë Kosova dhe Dukagjini jo vetëm që kishin shqiptarë, por që edhe shumica e popullatave të tyre përbëhej prej shqiptarëve. Që Kosova, Dukagjini dhe Maqedonia Perëndimore kishin shumë shqiptarë në shek XVII kuptohet edhe prej fjalëve të J.G. Hahn i cili shkruan:
Ne shënojmë këto fakte “qysh më 1689 Dardania kishte shumë shqiptarë dhe këta shqiptarë në asnjë mënyrë nuk kanë qenë të ardhur prej Shqipërie për shkak të luftrave austriake”. Sipas tij, popullata shqiptare e Kosovës është kryekëput autoktone.
- 64
Duket se fisit të Kelmendit i përket edhe familja princore Albani e cila migroi në Romë në shek XVI. Kjo shtëpi i dha Italisë shumë kardinalë dhe botës Papa Klementin XI. Botës së arteve i dha vilen e famshme Albani e cila u bë e pavdekshme prej Winelmannit: vepra antike të saj zbukurojnë sot muzetë e krejt Europës.
- 113
Një betejë në hekurudhë (nëntor 1944)
Kur tanët sulmuan në Zhunicë, në Stacion, në Ҫarkë e gjetkë, dhe kur brigadat partizane në panik filluan të tërhiqen në tërë frontin, këta të Smollnicës së zezë vendosën me u tërheqë drejt kodrave. Ide e mirë por e vonshme. Drita i zuri përmbi Rahovicë dhe plakat e katundit i shihnin, si të pakrye përplaseshin në Përrue të Kishës. Pas pak, lufta u bart në kodrat e Ҫavardarve, të Golemi Dollit, të Gjerajve, të Leranit, të Bratosellcës deri afër Bilaçit, ku ndodhej shtabi i tyre. Tue shique këtë tragjikomedi të brigadave të tjera, disa kokënxehtë të Përroit të Kishës i zbrazën dy-tre mortaja në kopshtet e Rahovicës,..dhe këto qenë thirrja e parë e vdekjes.
Në Përroin e pashpresë vetëm dy mendime u torturonin mendjen: me e sulmue fushën apo me u ra kodrave për të dalë në malësi. Në rastin e parë do të ndesheshin me vullnetarët tanë që ktheheshin prej xhades dhe në të dytin do të hynin në detin e vogël shqiptar, që quhet Karadak.
E dinin mirë se në të dy rastet asgjësimi i tyre do ishte i pashmagëshëm. Nga kjo agoni mendimesh i nxorën pushkët e grupit të Rakip Kurbalisë dhe ato të grupeve të tjera që vinin prej vreshtave të Preshevës. Kundërshtimi i tyre qe i mprehtë, por duke mos u shoqnue me një lëvizje, i ngjante “marshit në vend numëro”. Në thellësi të shpirtit, mund të mallkonin rastin që i kishte çue mu në buzë të vorrit..
Për mijëra shqiptarë, pushkët e Përroit të Kishës qenë vetëm një kushtrim se armiku ndodhej mbi Rahovicë dhe vetëm dy kilometra e gjysmë prej Preshevës.
Partizanët e thyer në frontin e mëngjesit dhe të bamë “pikë e pesë” nuk meritonin kujdes të madh, prandaj shumica e vullnetarëve tanë e kapërcyen hekurudhën dhe iu veshën kodrave të Rahovicës, të Shoshajës, të Caraticës dhe të Raincës. Prej Bjeshkës arritën fuqi të reja të Karadakut. Partizanët panë se Përroi i Kishës do të bëhej varri i të gjithëve atyre. Të rrahur nga tri anët, ata vendosën me ecë drejt Përroit të Raincës, gryka e të cilit del në hekurudhë dhe pasi ta kalonin xhadenë praktikisht do të dilnin në kodrat e tyre, në afërsi të Bilaçit.
Tue shkue anëve dhe kurrizit të kodrave, prapa çdo ferre, çube dhe guri ata ndesheshin me shqiptarët, pushkët e të cilëve as gënjejshin, as shtinin bosh. Përpara se me mbërri në hyrjen e përroit, ma shumë se dy të tretat e tyre u asgjësuan.. Kusurin e mblodhi Përroi i Raincës, i cili, diku përmbi katund, qe zënë prej Ajet Raincës me shokë.
Pas një përleshjeje të re, në mes të dy brigjeve, ata nuk vonuan me pa se edhe kjo shpresë qenka e kotë, prandaj i flakën pushkët për tokë dhe ngritën duart për dorëzim.
Kështu përfundoi beteja e Bajramit që filloi në ora 1 pas mesnate në një front prej 35 kilometrash.
Thuhej se brigada fatzezë që u shua në Përroin e Raincës ka pasë rreth 500 ushtarë, prej të cilëve asnjë nuk mundi me shpëtue për të çue lajmin e shëmtuar në shtabin e tyre në Bilaç. Një asgjësim më të plotë se ky as ushtarët e Leonidhës nuk e paten pësue në Thermopile!
- 115
Në atë kohë Presheva nuk kishte doktor dhe, për t’u lidhë plagët të plagosurve, dërguan një doktor veterinar korçar me shërbim në Gjilan, i quajtur Spiro. Këtë më parë e çuan me u lidhë plagët robërve dhe mandej te tanët. Ky gjest pat ba shumë përshtypje ndër serbë e shqiptarë. Por doktori mundi me ndenjtë vetëm dy ditë dhe, kur u largua, la një material sanitar sa për të ndërrue plagët e dy palëve. Me këtë material, Sofia, një grua myslimane nga Bosnja, për më se 11 javë, u ka ndërrue plagët tanëve dhe robërve të luftës. Por, kur komunistat e morën Preshëvën, ndër të parët që i pushkatuan ishte edhe kjo grua fisnike!
- 126
Masakra e bullgarëve në Sopot (pas luftës në Zhunicë)
Të mundur e të turpëruar deri në palcë, bullgarët, duke kaluar kodër pas bregu, shkuan në katundin Sopot të Kumanovës. Shqiptarët e katundit i nxoren në një shesh. Gratë dhe fëmijtë i futën në shkollë dhe burrat -71- vetë në xhami. Këta të fundit, pasi i torturuan, i pushkatuan 68 vetë, sepse dy pleq i falën ndërsa një i ri, i larë në gjak, u iku nga duart.
- 138
Luftime të tjera janë zhvilluar në Prapashticë e Keçekoll të Prishtinës, në Llap të Podujevës, në Rugovë të Pejës, në Jeni Pazar, në Pllavë, në Grudë, në Malësi të Gjakovës, në Dibër të Madhe, në Kërçovë, Gostivar, Tetovë dhe në krah të djathtë të Vardarit, në afërsi të Shkupit. Shkurt: rreth e përqark kufirit etnik.
Në këtë kohë Kosova kishte shumë armiq: partizanët serbë, maqedonasit dhe malazeztë e partizanët e Shqipnisë dhe ushtritë bullgare. Duhet shtuar edhe Fadil Hoxha që komandonte nja 300 serbë dhe nja 20 ose 30 shqiptarë të mashtruar.
Partizanët e Shqipnisë ishin argatë të shokut Tito, dy emisarët e të cilit- Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha- i patën mësue si duhet me qenë komunistë, me vra e torturue shqiptarë dhe me përbuzë Kosovën.
Partizanët e Shqipnisë zbritën në dy krahë:
Prej Peshkopisë dhe Malësisë së Gjakovës.
Të parët, që komandoheshin prej Aqif Lleshit, pushtuan Dibrën e Madhe, Kërçovën, Gostivarin dhe Tetovën. Me rrena, fatkeqësisht në gjuhën shqipe, në të gjitha këto krahina ata i çarmatosën shqiptarët dhe pastaj ua dorëzuan shokëve të tyre maqedonas. Këta mandej i grumbulluan nëpër burgje dhe u lëshuan në genocid.
Hysen Ajet Bresti, një nga të burgosurit në Tetovë, më ka thënë se vetëm në këtë qendër shqiptare mund të jenë pushkatuar rreth 4000 vetë. Vetëm një javë përpara se të kryhej ky krim, Aqif Lleshi me krejt kopenë e tij qe tërheqë në Shkup. Thuhet se shtabin e qelbët të tij e pat kurdisë në hotel Maqedonija që është ekuivalent i hotel Dajtit në Tiranë. Këshilltari i Aqif Lleshit, Nexhat Agolli, nuk vonoi me u ba ministër i punëve sociale dhe nënkryeministër në qeverinë e Llazar Kolishevskit. Salltanati i tij në Shkup mbaroi menjëherë pasi u shua rezistenca e armatosur e kosovarëve. Një ditë, shoku Llazar e akuzoi atë për shqiptaromadhi, sigurisht padrejtësisht, pasi Nexhati i shkretë nuk ishte as shqiptar i vogël. Dhe sot, i shkarkuem nga brengat e Maqedonisë, me qetësi pushon në burg. Spiunët nuk meritojnë pushim më të mirë!
Grupi i dytë, i komanduar prej një cezari tjetër, Shefqet Peçt, me një thes kërcënimesh e gënjeshtrash, madhnisht hyri në Gjakovë, në Prizren dhe në Pejë. Bisht mbas, rrjepacakë të tij erdhën serbët e Fadil Hoxhës dhe shkijet e Mali të Zi.
Partizanët e Shqipnisë qendruan në Kosovë dy vjet e gjysmë. Gjatë kësaj kohe ata u muarën me këto punë:
Shumë kosovarëve u mbushën mendjen se lufta kundër Jugosllavisë është në dëmin e Kosovës. Me plot mendje, gërvalleshin se Tirana asht Beograd dhe Beogradi Tiranë. Në rastin e parë nuk mund të them se gënjejnin, pasi Tirana sundohet prej përfaqësuesve të Titos.
Digjeshin shtëpi, vriteshin njerëz “të këqinj” dhe si langoj ngjiteshin maleve për t’I ndjeklë çetat kosovare që luftonin për një qëllim, Kosovën me bashkue më Shqipninë! Megjithatë edhe sot ka kosovarë të cilët në mirëbesim thonë se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, që 15 vitet e fundit tri herë kanë ndërrue kombësi, me të vërtetë janë tue u inatosë me Jugosllavinë për shkak të Kosovës. Unë ndjej një keqardhje të madhe për këta të rinj kosovarë, që lejohet të gënjehen prej komunistave të Tiranës., njerëz të këqinj në kuptimin e plotë të fjalës.
- 144
Serbët shumë ma tepër se në Preshevë e Kumanovë kanë pushkatuar në Gjilan. Një ish i burgosur më ka thënë se çdo mbrëmje nxirreshin për t’u vrarë 40-50 vetë. Vetëm një mbrëmje muarën 140 vetë, në mes të tyre dy universitarë, Esat Berishën dhe Isak Sherifin. Të gjitha këto krime u bënë në një kohë kur partizanët e Shqipnisë i kishin shtabet e tyre në Shkup dhe në Prizren.
- 147
Rexhep Mazhovina në Mazhovinë të Pejës me burrat e shtëpisë luftoi me një batalion partizanësh dhe e çau rrethimin e dual në mal. Në mëngjes parizanët ia pushkatuan 13 pjesëtarë të familjes, përfshi një vajzë 6-7 vjeç. i muarën gjënë e gjallë dhe ia dogjën shtëpinë.
- 151
Në Gollak të Gjilanit një çetë shqiptarësh prej 19 vetësh për 40 orë përballoi një ushtri prej 1800 vetësh, të cilën pothuaj e asgjësoi, falë edhe ndihmave që u erdhën, të ftohtit, mjegullës, shkëmbinjëve dhe përronjëve të Gollakut. Me 4 janar 1945 në Gjilan mbërritën vetëm 240 ushtarë të mbetur..
- 153
Kur mendojmë masakrimet në Gjilan na mbushet mendja se në Auschwitz, Bikernau, në Belsen e në Dahau nuk mund të ketë ra ma ulët humaniteti se sa në këtë qytet të pafajshëm e përgjithësisht në Kosovë, për arsye se shqiptarët donin vendin e tyre me e pa të lirë e pjesë të Shqipërisë.
f.171
Një sekretare e Milladin Popoviçit, e cila u ndodh në vrasjen e tij nga Haki Taha, poeti dhe patrioti i flakët përparimtar, tregonte kështu: Para dite, aty nga ora 11 hyri një burrë i gjatë për derë të zyrës, i cili dukej i zbehtë si gëlqerja. Dialogu i bisedimit të tij me Milladinin nuk zgjati shumë. Vetëm mbaj mend fjalët e atentatorit “Jo! Zot i Kosovës nuk je, as nuk mundesh me qenë kurrë! Zot i Kosovës asht kjo- nxori revolverin dhe ia zhgrehi Miladinit në krye. Mbi tavolinën e përgjakur i hodhi një flamur të Shqipnisë dhe doli me një shpejtësi rrufeje përjashta. Pak minuta më vonë, në oborr u dëgjuan të shtime revoleje. Siç u pa më vonë, ai vrau veten për të mos iu dorëzue milicisë”.
Kur u vra Shaban Palluzha, ai la pas 44 katunde të Drenicës të bamë shkrumb e hi, 5000 dëshmorë në fushën e nderit. Kjo kryengritje është padyshim më e madhja pas vendosjes së komunizmit në Ballkan.
- 173
Gjendjen e tmerrshme në Kosovë mund ta shohim qartë në romanin e Adem Demaçit “Gjarpijtë e gjakut” (Prishtinë 1958). Ky shkrimtar i talentuar e parashikoi rrezikun e gjendjes më mirë se askush tjetër dhe pati guximin prej burri me i qitë në shesh mendimet që e brenin përbrenda. Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyre që janë trima me shtri dorën e pajtimit!
Adem Demaçi për këtë vepër dhe ndjenjat e tij kombëtare u dënua dy herë me burgim të rëndë. Herën e tretë (shkurt 1976) u dënua me 15 vjet burg të rëndë.
- 181
Përpara Zotit dhe historisë serbët janë përgjegjës për më se 65 mijë krime të pandëshkueme.
- 215
Pasi u pushtua Kosova, rreth 120 vetë apo më shumë, në mirëbesim, ikën në Shqipni për t’I shpëtue rrezikut, i cili në atë kohë i qendronte në krye. Qeveria e Enver Hoxhës, pa ngurim i dorëzoi këta burra për pushkatim. Sikur kjo qeveri mos ta dinte faktin se mijëra shqiptarë qenë pushkatue dhe pushkatoheshin në Gjilan, në Karadak, në Preshevë, në Shkup, në Kumanovë, në Tetovë e Prishtinë, në Pejë, në Vuçternë e gjetkë, do përpiqesh që këtë sharlatanllëk ta quanim gabim i bamë në mirëbesim naiv. Fakti është se Enver Hoxha me shokë e dinin punën, pasi mijëra ushtarë të tyre bridhnin rrugëve, katundeve dhe maleve të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore atëkohë.
Kjo nuk ka ndodhur pas Luftës së Parë Botërore me qeverinë shqiptare. Tirana e atëhershme jo vetëm që nuk i dorëzoi, kur ja kërkonte me ngulm Beogradi, por u dha ndihmë e ngrohtësi vëllazërore me aq sa mundi. Mbajti në këmbë një Komitet Kosovar dhe shtypin e tij, i cili e gjallëronte shpresën se një ditë kufijtë e Shqipërisë do të jenë diku gjetkë, pikërisht në ato vende që i kërkojmë ne sot.
…Kur serbomalazezët i kaluan disa mijëra të rinj kosovarë nëpër Shqipëri për në Mal të Zi, mars prill 1945, kur një kolonë prej 1500 shqiptarësh kalonte nëpër Shkodër, qeveria e Tiranës në shenjë solidaritetei me sllavët, organizoi një demonstratë kundër këtyre kosovarëve të shkretë. Ndër parrullat që hidheshin kundër tyre ishin edhe:
reaksionarë, të shitur, fashistë, disa bërtisnin Në litar!, disa Në Plumb!…
Ligësia dhe turpi i demonstratës së Shkodrës nuk rëndon mbi shkodranët por mbi disa krimba të kuq të vendit e të tjerë që ndodheshin atje. Në kohën e regjimeve të mëparëshme kosovarët në Shkodër janë pritë e përkrahë mirë sdhe kanë qenë quajtur si vendas.
- 216
Gazetat dhe radio Tirana mburret me sukseset që Shqipnia ka “korrë” gjatë sundimit komunist. Ndër të tjera ato venë në dukje numrin e madh të librave të botuar në Shqipni. A thue se prej këtyne librave të shumtë merren me problemin e Kosovës, me trajtue etnografinë, historinë dhe gjeografinë e saj? Ata kanë botue libra për Stalinin, Leninin dhe lavdinë e Bashkimit Sovjetik, për Mongolinë, Kinën e shokut Mao të saj, për Korenë, Kongon dhe broshura për Patris Lumumbën. Këto tema mund të kenë lidhje me djallin dhe çdjallin dhe jo me Kosovën dhe përgjithsisht me popullin shqiptar.
..Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu kanë organizuar demonstrate për paqen sovjetike, për Korenë, Kongon e Patris Lumumbën në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Na ende nuk kemi ndëgjue për një demonstratë në favor të Kosovës dhe të kosovarëve që regjimi “fashist” i Titos asht duke i persekutue dita ditës.
Në OKB ata gjithnjë kanë votue në favor të popujve të Azisë, Afrikës dhe Ishujve të Pacifikut, të cilët mund edhe të mos i dinë sa ku ndodhen. Pse këta “burra shteti”, gjatë këtyre dhjetë vjetëve, nuk e ngritën zërin për Kosovën tue kërkue vetëvendosje për kosovarët? Përgjigjen e ka dhënë vetë Mehmet Shehu në Tropojë: Ne nuk jemi imperialista me kërkue Kosovën. Mehmeti zakonisht rren, por kësaj radhë ka fol drejt, sepse Kosova në sytë e tyre nuk është një problem.
Konspektoi Bardhyl Selimi, 6 qershor 2019