Disa ditë para mbajtjes së Kongresit të Dytë të Manastirit, Bedri Pejani me disa atdhetarë tjerë zhvilluan një aktivitet të pandërprerë për të çuar më tej idealet e Kongresit të parë, prej kërkesës së njësimit të shkronjave deri te lufta me pendë e pushkë për të drejtat kombëtare dhe ngritjen më të lartë të vetëdijes së tij. Duke qenë mësimdhënës në Idadijen e Shkupit, ai ishte njëri ndër më interesuarit për problemin e njësimit (unifikimit) jo vetëm të alfabetit, e të gjuhës kombëtare, por edhe të popullit pa dallim feje.
Në nëntor 1909, në shtëpinë e valiut të Kosovës, Maz’har Beut, në Shkup, u mbajt një takim i përfaqësuesve të klubit të xhonturqve (Ittihadxhinj) të Vilajetit të Kosovës, të cilët ishin paraqitur në emër të Qeverisë Perandorake dhe të Sulltanit. Ky takim, sipas Bedri Pejanit, i cili ishte i pranishëm, shënonte një përpjekje të rëndësishmet në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për të lidhur një marrëveshje me qeverinë e Turqisë. Pra, ky takim vlerësohej me interes për Shqipërinë dhe Perandorinë Osmane. Palën shqiptare e përfaqësonin 11 anëtarë të Klubit Shqiptar “Bashkimi” të Shkupit, kurse palën turke 22 veta, xhonturq ittihadxhinj. Patriotët shqiptarë, si: Nexhib Draga, Bedri Pejani, Bajram Curri e të tjerë shënuan qartë fushën e bashkëpunimit shqiptaro-turk me interes të përbashkët për dy palët, shqiptare e turke, që do të lindin në rrjedhën e kohës. Lidhur me diskutimin e Bedri Pejanit në marrëveshjen e Shkupit, Bajram Curri, ndër të tjera, kishte thotë: “Çka tha Bedriu, thamë ne, çka mendoi Bedriu, menduem ne!”
Më 22 janar 1910, në hotelin “Liria” në Shkup u organizua një takim tjetër i radhës, ku merrnin pjesë aderues të alfabetit latin, intelektualët e atdhetarët e shquar, si: Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Nexhib Draga, Sali Gjuka e të tjerë. Bedri Pejani, një patriot largpamës iu kundërvu me mençuri rrymës së ithtarëve të alfabetit arab për shqipen, prandaj ai u shpreh se kishte vendosur të fusë gjuhën shqipe në Darul Maulim (Shkollë Normale), në “Idadinë” (Gjimnazin) dhe në Meçtebi Edeb (shkollë edukative) të Shkupit. Në këto shkolla Bedri Pejani dhe Salih Gjuka ligjëronin në gjuhën shqipe. Gazeta “Bashkimi” i Shkodrës më 6 shkurt 1910, lajmëronte se “në Shkup u vendos me msue gjuhën shqipe me shkronja t’veta”.
Në fillim të shkurtit 1910, valiu i Kosovës lëshoi një urdhëresë për t’i mbyllur të gjitha shkollat shqipe në vilajet dhe për të hequr mësimin e gjuhës shqipe në shkollat turke. Në mbrojtje të shkollës shqipe dhe të alfabetit kombëtar u vunë në radhë të parë mësuesit atdhetarë. Kështu, Sali Nivica, mësues i shqipes, në kërkesën e qeverisë që ai t’ua mësonte nxënësve të tij vetëm alfabetin arabo-osman, ishte përgjigjur shkurt se nuk e kuptonte “shqipen e turkosur”, ndërsa mësuesi atdhetar i Idadijes së Shkupit, Bedri Pejani, kërcënimit të Valiut të Kosovës para anëtarëve të klubit “Bashkimi” të Shkupit se “nuk do të lejojë themelimin e shkollave fillore me shpenzimet e shtetit, me të cilat do të mësohej alfabeti latin”, ishte përgjigjur në mënyrë lakonike e proverbiale: “Fenë time unë mund ta ndryshoj, por kombësinë time jo” (Raport i konsullit austro-hungarez nga Shkupi, N. 8, dt. 4 shkurt 1910, dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme në Vjenë). Çështja e alfabetit të gjuhës shqipe u shndërrua në një problem të madh e serioz politik e kombëtar. Në këtë drejtim nuk mungoi as veprimtaria antikombëtare e disa deputetëve shqiptarë, të cilët nuk dinin të shkruanin e të lexonin shqip. Ata formuan në Stamboll, më 4 mars 1910, shoqërinë “Arnavud Mahfil maarif” (Rrethi arsimor shqiptar). Kleri mysliman konservator, i shtyrë nga elementë turkoshakë e reaksioni xhonturk organizuan disa mitingje kundër alfabetit të gjuhës shqipe, si: në Mitrovicë, Gjilan, Korçë, Elbasan, Gjakovë, Ohër, Shkup, Manastir etj. Vetë Veziri i madh, Ibrahim Haki Pasha, i kishte deklaruar hapur një deputeti shqiptar se “dëshirën e shqiptarëve për ta adaptuar alfabetin latin, qeveria e quan hapin e parë të shkëputjes nga Turqia”, prandaj, kishte shtuar ai, qeveria do të bëjë “çdo gjë që të ndalojë adaptimin e alfabetit latin”. Kështu, qeveria udhëzonte dhe ndihmonte drejtpërdrejt në propagandën kundër shkrimit shqip duke bërë përpjekje për përhapjen e arsimit me shkronja arabe. Punë të madhe antishqiptare kanë bërë shefi i policisë së Stambollit, Galip Beu, dhe anëtarët e shoqërisë “Mahfeli”, të cilët parashikonin të hapnin një shtëpi botuese për shumëfishimin e librave dhe të gazetave me alfabet arab. Konsulli austriak në Manastir shkruante: “Nuk ka asnjë dyshim se e gjithë kjo lëvizje pro-arabe u krijua dhe u ndez artificialisht nga xhonturqit”. (Grup autorësh, Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë, 2003, f. 209).
Fushata e organizuar nga xhonturqit kundër alfabetit dhe arsimit kombëtar kishte ngjallur pakënaqësi të madhe në mbarë vendin dhe kishte shkaktuar reagimin e menjëhershëm të shqiptarëve. Për mbrojtjen e alfabetit dhe të arsimit kombëtar u aktivizuan intelektualët përparimtarë, rinia shkollore e studentore, kleri patriot, klubet dhe shoqëritë atdhetare, mësuesit e deputetët largpamës, shtypi i mirëfilltë shqiptar etj. Klubi “Bashkimi” i Manastirit, edhe përkundër dhunës e terrorit që ushtronte qeveria xhonturke, kishte mbrojtur me guxim alfabetin kombëtar, duke kundërshtuar të gjithë ata që përpiqeshin të shpiknin alfabete të reja të gjuhës shqipe me shkronja arabe. (Gazeta “Bashkim’ i Kombit”, nr. 19, Manastir, 12 (27 janar) 1910, Lajmet e klubit central për gjithë klubet shqiptare, 2). Studentët shqiptarë të Universitetit të Stambollit kishin formuar “Shoqatën e intelektualëve shqiptarë”, të cilët dolën hapur në mbrojtje të alfabetit kombëtar. Për mbrojtjen e alfabetit shqiptar dhe të drejtat kombëtare, u organizuan mitingje të ndryshme nëpër qytete të Shqipërisë, si: në Elbasan, (më 18 shkurt 1910), në Korçë (më 27 shkurt 1910), në Berat (më 13 mars 1910), ku protestuesit kishin dalë me parullat: “Rroftë abc-ja shqipe!”, “Ne vdesim dhe shkronjat shqipe s’i lëmë!” etj., duke djegur pastaj publikisht abetaret me shkronja arabe përpara ndërtesave qeveritare. Përveç mitingjeve, kundër alfabetit arab, nga krahina e qytete të ndryshme, si: Mitrovica, Shkodra, Durrësi, Tirana, Prishtina, Shkupi, Struga, Ohri, Gramshi, Vlora, Gjirokastra etj., iu dërguan shumë telegrame e letra proteste Stambollit dhe autoriteteve qeveritare. Ndërhyrjet e xhonturqve kundër alfabetit e shkollës shqipe dhe mitingjet e protestat masive të shqiptarëve për mbrojtjen e tyre acaruan aq shumë marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit e rinj, sa kulmoi me kryengritjen e përgjithshme të armatosur të vitit 1910. Lidhur me gjendjen e krijuar në pranverë të vitit 1910, konsulli francez në Shkodër, ndër të tjera, shkruante: “Mund të thuhet se e tërë Shqipëria është ngritur kundër pretendimit të qeverisë (xhonturke) për t’i imponuar asaj një alfabet kundër dëshirës së saj”.
Acarimi i marrëdhënieve të shqiptarëve me turqit e rinj, përpara klubeve, shoqërive, komiteteve të fshehta dhe të gjitha rretheve patriotike u shtrua detyra e ngutshme për thirrjen e një kongresi tjetër kombëtar. Në të do të diskutohej për çështjen e kulturës shqiptare, për masat që duhej marrë për përballimin e sulmeve të qeverisë xhonturke jo vetëm kundër shkrimit e shkollës shqipe, por kundër Lëvizjes Kombëtare në përgjithësi. Kongresi i Dytë i Manastirit (2-3 prill 1910) u thirr me nismën e Klubit “Bashkimi” të Manastirit. Në lajmërimin që u dha në shtyp, u tha se në kongres do të bëhej fjalë vetëm për çështje arsimore dhe kulturore, për “çështjen e abcecesë… për shkollat shqipe, (për nevojën e madhe për të shtypur vivlla shkollore, si dhe gjëra të nevojshme për përparimin e diturisë”.
Disa ditë para mbajtjes së Kongresit të Dytë të Manastirit, Bedri Pejani me disa atdhetarë tjerë zhvilluan një aktivitet të pandërprerë për të çuar më tej idealet e Kongresit të parë, prej kërkesës së njësimit të shkronjave deri te lufta me pendë e pushkë për të drejtat kombëtare dhe ngritjen më të lartë të vetëdijes së tij. Duke qenë mësimdhënës në Idadijen e Shkupit, ai ishte njëri ndër më interesuarit për problemin e njësimit (unifikimit) jo vetëm të alfabetit, e të gjuhës kombëtare, por edhe të popullit pa dallim feje.
Kongresi i Dytë i Manastirit, për shkak të ardhjes me vonesë të delegatëve, sidomos të atyre të Kosovës, i zhvilloi punimet tek më 2-3 prill 1910. Në këtë kongres morën pjesë 20 delegatë që përfaqësonin 34 klube e shoqëri të Vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, si dhe të klubeve shqiptare të Stambollit, të Selanikut dhe të qendrave të tjera. (HPSH II, Tiranë, 2002, f. 423); Fjalor enciklopedik shqiptar II, ASHSH, Tiranë, 2008, f. 1257). Numri më i madh i delegatëve që morën pjesë në këtë kongres, kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Vilajetit të Kosovës, të Manastirit etj., si: Mitrovica, Peja, Gjilani, Gjakova, Shkupi, Tetova, Dibra, Vushtrria, Ohri, Struga, Elbasani, Kurveleshi, Negovani, Permeti, Frashëri, Tepelena, Delvina, Gjirokastra, Korça, Tirana, Janina, Selaniku etj. Midis delegatëve ishin: Dervish Hima, Ibrahim Beu, Fehim Zavalani, Gani beu Elbasani, Tefik Panariti, Petro Nini Luarasi, Hysni Curri, Ferit Ypi, Bedri Pejani, Qamil Shkupi, Gjergj Qiriazi, Bejtullah Gjilani, Rexhep Mitrovica, Themistokli Gërmenji, Hajdar Blloshmi, Abdullah Efendiu (Shkupi), Qazim Iliaz Dibra, Xhafer Kolonja e të tjerë. Siç shihet, delegatë nga Kosova që morën pjesë në Kongresin e Dytë të Manastirit, janë: Bedri Pejani, Salih Gjuka, Rexhep Mitrovica, Hysni Curri, Bejtulla Gjilani, Qamil Shkupi, Shahin Efendiu e të tjerë. Ata kishin shkuar me koncept të vendimeve të përgatitura nga Hasan Prishtina dhe të miratuara nga Nexhib Draga dhe Bajram Curri. Këta burra me vlerë të madhe, “trima të shënuarë e atdhetarë të mëdhenj e të nxehtë”,( Mbledhj’ e përgjithshme e shqiptarëve në Manastir, “Bashkim’ i Kombit” nr. 28, 18 (31). III. 1910, 1). të cilët nuk kursyen as mundin e as bazën materiale për të realizuar detyrën e madhe që e kërkonte momenti historik, arritën të bëjnë përgatitjen e Kongresit të Dytë të Manastirit, ku u vendos përfundimisht për fatin e alfabetit të sotëm kombëtar të gjuhës shqipe. (Muhamet Pirraku, Kongresi i Dytë i Manastirit, “Fjala”, nr. 9, 1968, 6-7, Rruga e alfabetit kombëtar shqip, “Fjala”, nr. 19/1978, f. 8-9).
Duke qenë një këshilltar i vyer jo vetëm për përfaqësuesit e Kosovës (Salih Gjukën, Rexhep Mitrovicën, Hysni Currin, Bejtulla Gjilanin, Qamil Shkupin, Shahin Efendiun, Dervish Hima etj.), por edhe për përfaqësuesit të njohur të viseve të tjera, si Fehim Zavalani, Gjergj Qirisazi etj. (Fjalor enciklopedik shqiptar, ASHSH, Tiranë 2008, f. 1257), Bedri Pejani u zgjodh unanimisht kryetar i Kongresit të Dytë të Elbasanit. Sekretarë u zgjodhën Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi. Valiu i Manastirit, duke mos mundur të pengojë mbajtjen e kongresit, kishte dërguar për të marrë pjesë komisarin e policisë si përfaqësues të qeverisë. (HPSH, II, Tiranë, 2002, f. 423; Grup autorësh, Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë, 2003, f. 212).
Sikurse dëshmon “Zëdhënia” e klubit “Bashkimi” të Manastirit shpërndarë në këtë rast, qëllimi i këtij kongresi ishte të diskutonte çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen e shkollës, të shkrimit e të kulturës kombëtare kundër reaksionit xhonturk dhe kundër politikës asimiluese të xhonturqve.
Kongresin e Dytë të Manastirit e hapi atdhetari Ferit bej Ypi. Qysh në fillim u kuptua se Kongresi ishte një manifestim politik kombëtar shqiptar. Pjesëmarrësit në Kongres shprehën protestën e tyre kundër përndjekjeve që po i bëheshin shkollës e alfabetit shqip nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” dhe nga qeveria turke. Pra, të gjitha diskutimet e pjesëmarrësve kishin përmbajtje patriotike, ku dominonte ideja e bashkimit të shqiptarëve pa dallim feje e krahine. U shqua sidomos fjala e Dervish Himës, i cili, si përfaqësues i Klubit të Stambollit, midis tjerash, thekson: “Na pra që sot e tutje, nuk do përmendim as pak fjalën Gegë, Toskë, Çamër, Labër e të tjera, por vetëm Shqiptar, se të gjithë Shqiptarë jemi, të gjithë një gjak e një gjuhë kemi, të gjithë një atdhe e një qëllim kemi, i cili është: Përparimi i kombit Shqiptar”. (Gazeta “Bashkim’ i kombit”, Nr. 29, Manastir, e enjte, 25 mars 1910-1326, (7 prill 1910), f. 1).
Në mesin e diskutuesve ishte edhe intelektuali 25- vjeç, Bedri Pejani, i cili foli për çështjen e mbrojtjes së shkollës, alfabetit shqip, të shkrimit e të kulturës kombëtare shqiptare. Ai, duke i përshëndetur dhe falënderuar delegatët për besimin që i kishin dhënë, në vazhdim tregoi qëllimin e mbajtjes së këtij Kongresi. Kështu, midis tjerash, thekson: “Vllezën të dashtun! Neve sot përfaqësojmë tanë Shqipninë dhe jemi mbledhun këtu të bisedojmë përmbi nevojat t’ona kombëtare, përmi diturinë, përmi lulëzimin dhe përparimin e gjuhës s’onë dhe përmi mbrothësinë e kombit shqiptar”. (Mbledhj’ e shqiptarëve në Manastir, “Bashkim’ i Kombit” nr. 29, 25 .III. 1910 (7 prill 1910), 1; cituar sipas Hakif Bajramit “Bedri Pejani (1885-1946), Prishtinë, 1994, f. 158). Në vijim të diskutimit të tij të qartë, plot patos e zjarr atdhetarie kryetari Bedri Pejani përmendi rolin e madh të Kongresit të Parë të Manastirit (14-22 nëntor 1908), i cili, sipas tij, bashkoi njësitë e para të gjuhës së folur e të shkruar. I vetëdijshëm se pa një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe nuk ka përparim në asnjë fushë, nuk ka ardhmëri të popullit shqiptar, sugjeroi të pranishmit që Kongresi i Dytë, sikurse ai i pari, të vihet në mbrojtje të një alfabeti të njësuar, për ruajtjen e përcjelljen e pasurisë gjuhësore brez pas brezi, të mishërojë dashurinë për kombin dhe për gjuhën shqipe, të shkrijë në një ndjenjë të vetme atdhedashurinë me etjen për zhvillim, mos të kufizoheshin vetëm në çështje arsimore e kulturore, po të orientoheshin edhe në drejtim të problemeve që lidheshin me zhvillimet e ardhshme politike, duke u shprehur hapur edhe kundër Komitetit “Bashkim e Përparim”, kundër reaksionit dhe politikës asimiluese të xhonturqve, në njërën anë, ndërsa, në anën tjetër, duke përkrahur me tërë qenien kërkesën për çeljen e një “mësonjëtoreje të madhe” për përgatitjen e mësuesve në qendrën e vilajetit, në Shkup, zgjerimin e rrjetit të shkollave, për botimin e një gazete në gjuhën shqipe dhe për zhvillimin e kulturës shqiptare në tërësi. Në fjalimin e tij, sikurse delegatët e tjerë, ai kritikoi Komitetin “Bashkim e Përparim”, i cili, siç theksuam më lart, në kundërshtim me premtimet që u kishte dhënë shqiptarëve, po ua mohonte të drejtat e arsimimit kombëtar dhe të përdorimit të lirë të gjuhës shqipe. Ai kërkoi që të bëheshin edhe hapa të tjerë të rëndësishëm, duke shtruar si parësore nevojën e zhvillimit të arsimit si kusht i parë për përhapjen e diturisë dhe të përparimit të popullit shqiptar. Arsimimi kombëtar, përdorimi i lirë i gjuhës dhe i alfabetit të shqipes, sipas tij, është një e drejtë e ligjshme dhe e patjetërsueshme, prandaj qëndrimi i xhonturqve u cilësua si përpjekje për përçarjen e shqiptarëve sipas dasive fetare, për të penguar përparimin kulturor dhe emancipimin politik të popullit shqiptar. Kryetari Bedri Pejani në prani të delegatëve thekson: “Nuk ka asgja ma të naltë në këtë botë se kombi dhe gjuha”. (Ali Llunji, Beqir Kastrati, legjendë e arsimit kosovar, Libri Shkollor, Prishtinë, 2001, f. 12). Ai e kishte mbyllur fjalën e tij me: “Rroftë Kombi Shqiptar! Rroftë Përparimi! Rroftë Gjuha Shqipe! Rroftë ABC-ja Kombëtare!” Fryma luftarake e këtij forumi kryesisht i dedikohet krahut përparimtar, ku bënte pjesë edhe kryetari Bedri Pejani. Për ndihmesën e tij në Kongresin e Dytë të Manastirit që ai të dilte sa më i shkëlqyer, si dhe për rolin e madh në lëvizjen kombëtare në përgjithësie shkruan gazeta “Bashkim’ i Kombit” (1910). Për këtë arsye gjyqi ushtarak i Prizrenit e dënoi Bedri Pejanin me vdekje në mungesë, nën akuzën se lufton kundër Portës së Lartë, për rrënimin e shtetit osman dhe për pavarësinë e Shqipërisë. Ky dënim me vdekje do ta vinte në mendime djaloshin trim pejan, prandaj disa vite më vonë, në bisedë me bashkëmendimtarët e tij, midis tjerash, do të thotë: “E vejsha veten në dyshim, a po punoj për kombin tem apo jo. Por, kur më thanë se isha dënue me vdekje, prej Gjykatës së Prizrenit, u binda se tamam ajo ishte rruga që duhej ta vazhdoja”. (Eugen Shehu, Piedestale që thërrasin, Botues “Lumo Skendo”, Tiranë, 2000, f. 140).
Në Kongresin e Dytë të Manastirit delegatët miratuan Programin prej dhjetë pikash, ku ishin parashikuar masa të rëndësishme, të thuash, të domosdoshme për forcimin e lidhjeve organizative ndërmjet klubeve shqiptare dhe për bashkëpunimin e veprimtarisë së tyre, për hartimin e një rregulloreje të njëjtë dhe të detyrueshme, e cila do të njihej zyrtarisht edhe prej qeverisë turke, për zhvendosjen e qendrës udhëheqëse të klubeve nga Manastiri në Stamboll dhe formimi i një udhëheqje të vetme të Lëvizjes kombëtare Shqiptare, ku do të bashkoheshin drejtuesit e klubeve dhe deputetët atdhetarë shqiptarë të parlamentit, si: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj.; për zhvillimin e arsimit kombëtar, mbrojtjen e alfabetit të shqipes, botimin e librave dhe të teksteve shkollore; të veprave letrare dhe të një fjalori shqip-turqisht dhe anasjelltas, për formimin (ngritjen) e një komisioni arsimor-kulturor, që në program quhej Akademi pranë klubit qendror, me çështjen e hapjes së një shkolle normale me konvikt në Shkup, e ngjashme me atë të Elbasanit, për themelimin e një gazete të re në shqip e në turqisht, me anën e së cilës do të informoheshin shqiptarët dhe opinioni i gjerë evropian për ngjarjet e rëndësishme që po zhvilloheshin në këtë vilajet. Thirrja drejtuar të gjithë atdhetarëve shqiptarë që të punonin për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit të shkollave shqipe, për sigurimin e lokaleve shkollore, të mësuesve dhe të mjeteve të nevojshme financiare, pati jehonë të madhe në të gjitha ato vende ku jetonin shqiptarët. (HPSH II, Tiranë, 2002, f. 424). Nga rrethet e gjera atdhetare të vendit nuk u pëlqye vendimi i Kongresit të Dytë të Elbasanit për të caktuar si klub qendror atë të Stambollit.
Një akt tjetër i Kongresit të Dytë të Manastirit i nënshkruar nga kryetari Bedri Pejani, ishte edhe Promemorja prej katër pikash, që iu dërgua Portës së Lartë. Në të parashtroheshin këto kërkesa: 1. Të jepej liri e plotë për mësimin e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat kushtetuese; 2. Të mënjanoheshin të gjitha pengesat që nxirrnin autoritetet shtetërore për zhvillimin e lirë të kombit shqiptar dhe veçanërisht të mos lejohej asnjë lloj ndërhyrjeje në mënyrën e mësimit të gjuhës kombëtare (shqipe), duke ua lënë të drejtën e zgjedhjes së alfabetit të shqipes, siç qe vendosur në Kongresin e Dibrës, mësuesve (shqiptarë); 3. Të caktohej nga qeveria një subvencion për shkollat e të krishterëve shqiptarë, për t’i shkëputur ato nga ndikimi i Greqisë dhe t’i kërkohej Patrikanës nga qeveria që të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe gjatë predikimit në kisha. (HPSH II, Tiranë, 2002, f. 424).
Gjatë punimeve të Kongresit u mbajtën edhe katër biseda: 1. “Mbi shkrimin shqip”, 2. “Mbi rëndësinë e shkollës dhe të shtypit për ngritjen kulturore të një populli”, 3. Mbi pengesat që është e detyruar të kapërcejë çështja rilindëse shqiptare” dhe 4. Mbi nevojat kulturore të popullsisë shqiptare të Mitrovicës dhe vendeve rreth saj”. (Grup autorësh, Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë, 2003, f. 212). Sigurisht bisedën që lidhej me çështjen e Mitrovicës dhe vendeve rreth saj e inicioi Rexhep Mitrovica. Kongresi i Dytë i Manastirit vendosi që të gjitha klubet shqiptare të drejtoheshin nga klubi qendror shqiptar me seli në kryeqytet (Stamboll), që të krijohej një udhëheqje e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku do të bashkoheshin udhëheqësit e klubeve dhe deputetët atdhetarë shqiptarë të Parlamentit, si: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Shahin Kolonja, Nexhib Draga etj., të hartohej një rregullore e përbashkët, e njëjtë dhe e detyrueshme për të gjithë. Megjithatë, vendimi i Kongresit për të caktuar si klub qendror atë të Stambollit, nuk u pëlqye nga rrethet e gjera atdhetare të vendit. Megjithatë, edhe pas vitit 1910, kur rolin e klubit qendror e mori klubi “Bashkimi” i Stambollit”, klubi i Manastirit mbeti gjithnjë një qendër e rëndësishme politike dhe kulturore shqiptare.
Delegatët e Kongresit të Dytë të Manastirit u pajtuan që kongresi i ardhshëm, i cili do të mbahet më 3 korrik në Janinë, krahas problemeve të tjera, të zgjidhë përfundimisht edhe atë të alfabetit, duke zgjedhur njërin prej dy abeceve latine, të miratuara në Kongresin e Parë të Manastirit. Edhe në këtë kongres, ashtu si në ato të mëparshmet, delegatët mbajtën edhe mbledhje të fshehta. Programi politik, të cilin ata e hartuan, e miratuan dhe e quajtën platformë “të autonomisë së Shqipërisë”, ku, përveç të tjerave, parashikohej njohja zyrtare e kombit shqiptar, mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe njohja e saj si gjuhë zyrtare, nuk u përfshi në asnjërin nga dy aktet e shpallura botërisht në Kongres. Pra diskutimet për çështje politike, ku shtrohej nevoja për forcimin e komiteteve të fshehta, për masat që duheshin të merreshin për përgatitjen e një kryengritje të përgjithshme etj., nuk u bënë të njohura për opinionin e gjerë. Pra, Kongresi i Dytë i Manastirit, kryetar i të cilit ishte zgjedhur Bedri Pejani, ritheksoi edhe njëherë në mënyrë të prerë vullnetin dhe vendosmërinë e shqiptarëve për mbrojtjen e shkrimit shqip, të shkollës dhe të kulturës kombëtare në tërësi, të cilat ishin shprehur më parë në protestat, manifestimet dhe në mitingjet e organizuara në Shqipëri në pragun e këtij kuvendi.
Delegatët e Kongresit të Dytë të Manastirit të qendrave të ndryshme shqiptare, në njërën anë, dhe deputetët shqiptarë në parlamentin turk të Stambollit, si: Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Shahin Kolonja, Nexhip Draga e të tjerë, në anën tjetër, zhvillonin një aktivitet të dendur për t’i dhënë një shtysë më të madhe arsimimit kombëtar dhe lëvizjes së përgjithshme për çlirim nga zgjedha turke. Bedri Pejani ishte i njohur jo vetëm me veprimtarinë e mësuesve atdhetarë dhe të deputetëve shqiptarë në parlamentin turk, po edhe me veprimet e hapura reaksionare të turqve të rinj, të cilët goditnin pa mëshirë e në mënyrë tinëzare klubet, shkollat kombëtare, patriotët dhe lëvizjen kombëtare që u masivizua në të gjitha krahinat shqiptare. Ai vuri kontakte me rrethet patriotike dhe komitetet e fshehta për organizimin e kryengritjeve të armatosura kundër regjimit osman. Thelloi bashkëpunimin me Nexhip Dragën, Salih Gjukën, Fehim Zavalanin, Rexhep Mitrovicën e të tjerë, vazhdoi të shkruajë artikuj të ndryshëm, të cilët i botonte në gazetat e kohës: “Bashkimi i Kombit” që dilte në Manastir. Gazeta botohej në shqip e turqisht dhe ishte organ i Klubit “Bashkimi” të Manastirit.
Kongresi i Dytë i Manastirit, siç theksuam më lart, ishte një manifestim i denjë politik e atdhetar. Delegatët e tij që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare rikonfirmuan edhe njëherë orientimin e qartë të popullit shqiptar drejt civilizimit evropian. Qysh në vitin 1879, Sami Frashëri kishte shfaqur pikëpamjet e tij mbi nevojën e orientimit perëndimor të politikës kulturore e gjuhësore kombëtare, duke thënë se “Shqipëria është një copë vënt nga Europa dhe shqiptarët janë një nga kombet e Europës, prandaj edhe gjuha shqipe duhet të shkruhet”. Një qëndrim properëndimor e kishte shfaqur edhe poeti ynë i madh i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri përmes vargjeve të tij në vjershën “Shpreh”: “Jak, o dit’ e uruar/ që lind nga perëndon/ atë anë e ke ndrituar/ e ne pse na harron?” Kështu, duke u mbështetur në mësimet e vyera të rilindësve tanë, delegatët e Kongresit të Dytë të Manastirit, e kishin kuptuar me kohë se atdheu i tyre së brendshmi ndjente sigurinë dhe prosperitetin vetëm kah perëndimi. Të udhëhequr nga kryetari, Bedri Pejani, dhe të mbështetur nga masa e gjerë popullore, delegatët edhe njëherë u përcaktuan qartë për shkronjat latine, të cilat, sipas tyre, u shkonin më mirë natyrës së shqipes, sepse ishin më të përshtatshme për të shkruar libra, vepra letrare e shkencore, me një fjalë, ishin të bindur se ky alfabet do ta çojë popullin shqiptar përpara në kapërcimin e mënjanimin e ndasive krahinore e fetare, duke dëshmuar se Shqipëria është pjesë e pandashme e Evropës dhe se populli shqiptar i takon bashkësisë së popujve evropianë.
Rexhep Mitrovica, delegat nga Mitrovica dhe njëri nga miqtë e afërt të Bedri Pejanit, duke njohur shumë mirë manovrat e shteteve evropiane, me fjalimin e tij që e përshkoi një patriotizëm i flaktë, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve për rrezikun e shkombëtarizimit dhe të aneksimit të territoreve të Shqipërisë nga shtetet fqinje, sidomos nga Serbia, e cila, duke e pagëzuar Kosovën me emrin “Stara Serbija”, kishte për qëllim ta pushtonte dhe ta bënte pjesë të territorit të vet.
Mitrovicë, 2 prill 2024
Fazli Hajrizi