Banorët e Lagjes së Boshnjakëve kundër ndarjes së Kosovës. Bahtiri fton kosovarët për protestë
Murat Rahova dhe familja e tij jetojnë prej më shumë se një shekulli në Veri të Mitrovicës.
Por, kjo rehati mund t’i prishet këtij të moshuari.
Krejt kjo për shkak se dikush po e përmend mundësinë e ndarjes së Kosovës ose shkëmbimit të territoreve ndërmjet kosovarëve dhe serbëve.
Por, nëse një gjë të tillë dikush tenton ta bëjë, atëherë, Murati paralajmëron pasojat.
“Minjerat bollë i ki, qato me ti marrë bollë. Nuk jam i sigurt në ta këta mund të bëjnë gjithcka, po na si popullë nuk pranojmë… “
Me idenë për ndarjen e Kosovës nuk po pajtohet as Faik Haziri. E cilëson vetëvrasje për shtetin e ri nëse futet në aventura të tilla.
“Për neve shkëmbimi i territoreve kishte me qenë si vetëvrasje tu e ditë randësin e kësaj pjese psh liqenit të Ujmanit…..Thaçi kur tha ka pas bisedime shumë të rënda e qitke diku, e ku i dek tymi sdi..”
Megjithëkëtë, një njohës i kësaj ane nuk beson se do të ndodh ndonjë skenar i keq për këtë pjesë të Kosovës.
“Kjo është një pjesë urbane e kanë shëndetësinë, arsimin dhe palët në asnjë rrethanë palët nuk do të pajtohen për këtë”
Tema e ndarjes ose shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është riaktualizuar pasi ambasadori amerikan në Kosovë nuk e përjashtoi që kjo temë të diskutohet me Serbinë.
Ndërkohë, shefi i qytetit të ndarë të Mitrovicës ka vendosur të merret pak me ruajtjen e territorit të Kosovës.
Ka paralajmëruar një takim me partitë e shoqërinë civile për të shkuar pastaj në protesta gjithpopullore.
“Meqë situata është tepër serioze, ajo kërkon mobilizimin e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit për të kundërshtuar fuqishëm tendencat e këtilla, që janë aspirata të kamotshme të Serbisë”,
Idenë e shkëmbimit të territoreve e kishte lenë të hapur edhe Presidenca. Në janar të këtij viti nuk e kishin mohuar një mundësi të tillë, por kishin thënë se atëherë ishte herët të flitet për një temë të tillë.
Ramush Haradinaj ka përmendur luftën si mundësi nëse dikush tenton të ndajë apo shkëmbejë territorin e Kosovës.m.gazetaexpress