Në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, dhe në emrin tim personal, edhe njëherë shpreh protestën tonë të fuqishme për shkak të definimeve fyerëse dhe shoviniste, në fjalët që kanë të bëjnë me shqiptarët në Fjalorin e ASHMZ.
Ne mendojmë që ky veprim do të thelloj më shumë hendeku ndërmjet këtij institucioni ASHMZ-së , i cili do duhej të ishte kuvend i diturisë dhe mirëkuptimit e jo gjenerator i përçarjes dhe shovinizmit me të gjithë popullin shqiptar. Shqiptarët janë popull autokton në këto treva, por fatkeqësisht ende ballafaqohen me të pavërteta, paragjykime dhe diskriminim.
Në fjalorin e botuar nga ASHMZ, “Fjalori i Gjuhës Popullore Malazeze dhe Letërsisë” në prezantimin e identitetit tonë kombëtar, historike, kulturore dhe gjuhësore jemi përballur me një situatë jo serioze, tendencioze dhe shoviniste.
Kjo është më e theksuar në fjalët “albanizirati”, “megjithë se malësorët janë “albanizirani”, e folmja e tyre dallon shumë nga e folmja standarte e shqipes… (NIK. V. II)…” me çka në mënyrë të qëllimshme synohet të vihet në pikëpyetje përkatësia e tyre etnike.
Po ashtu fjalën “ albanizacija” e keni përdorur të na paraqisni si të egër dhe agresor. Turp !
Vetëm kujtojuni sa përpjekje ka bërë ish-Jugosllavija gjatë historisë që të na i ndryshoj mbiemrat i t’i “plotësojë” dhe “përshtasë” me “Iq” dhe “Oviq”.
Gjithëashtu edhe fjala “Albanac” është definuar si “banor i Shqipërisë”, ose “ ai që ka prejardhje nga Shqipëria”.
Zotërinj të ASHMZ-së, Fjalori i Juaj, nuk do të na pengojë ne, të jemi ata që jemi, sipas juve ne nuk jemi Shqiptar. Me këtë veprim i keni bërë dëm vetës tuaj, por edhe të gjithë akademikëve tuaj, të cilët do duhet që publikisht të distancohen nga kjo punë.
Ne jemi autokton këtu dhe nuk do të pranojmë falsifikimin e historisë të cilën do të i’a impononi gjeneratave të ardhëshme. Sepse brezat që vijnë duhet të edukohen dhe mësojnë të vërteten, e jo në frymën Naçertanies, Pashiqit e Milosheviqit, me të cilën janë edukuar në shekullin e kaluar.
Edhe pse nuk po mundemi të gjejmë kopje të atij “Fjalori” i cili është i pa arritshëm për publikun e gjërë, e po ashtu edhe në Biblotekën e Kuvendit, ajo pjesë e fjalorit e cila është publikuar në media është tejet skandaloze dhe e papranueshme deri në masën e bojkotit.
Dua të shfrytëzoj rastin të falenderoj të gjithë ata të cilët kanë reaguar publikisht dhe e kanë dënuar këtë aktë. Në veçanti mediave „Pobjeda“ dhe „Portal Analitika“, të cilët kanë publikuar qëndrimet e zonjës Jelena Shushanj, pa shkrimin e të cilës, ky fjalor edhe për një kohë të gjatë do të shërbente për përçarje të mëtejshme ndëretnike.
Ftoj publikisht Anëtarët e Komisionin Redaktues të Akademisë së Shkencave që t’i kërkojnë falje publikut dhe shqiptarëve dhe ky fjalor të tërhiqet menjëherë nga përdorimi.
Ne jemi të gatshëm dhe i ftojmë publikisht Anëtarët e Komisionin Redaktues të Fjalorit të ASHMZ, të vijnë në vizitë në Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, në mënyrë që publikisht të sqaroni punën tuaj.
Në fund kam një mesazh për bashkëkombasit e mi në Mal të Zi
Të gjithë atyre të cilëve mbiemrat ende ju përfundojnë me prapashtesat sllave iq dhe oviq. Shpersoj që pas kësaj të mendoheni edhe njëherë, ndërsa procedura për kthimin e identitetit tuaj së paku tek mbiemrat është e thjeshtë dhe e shpejtë, dhe nuk varet nga asnjë fjalor apo burokrat. Tani varet vetem nga vullneti Juaj i mirë.
Genci Nimanbegu,
Deputet në Parlamentin e Malit të Zi
Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi