Viktima”, e as të parashtroj të gjitha faktet me këto pak faqe, apo tërë aspektualitetin logjik, por dua të shtroj disa nga rrugët e rëndësishme të kësaj tragjedie. Vepra e ndarë në larmi tektonikësh, pastaj vetë arkitektura poetike e saj, vetë tragjedia e ndërtuar me një gjuhë të tillë të thjeshtë, siç duket e përkthyer në gjuhën shqipe, na bën që ne të mbetemi midis shijeve të preferuara në shtrimin dhe mesazhin logjik, e cila në thelb ka përjetësuar bukurinë në një sfond krejt të veçantë artistik.
Ejup Ajdini
Shkrimtari boshnjak, që vjen nga familja e Hadrajve, të cilin edhe po e promovojmë sot në Universitetin e Tetovës, Safet Hadroviq Vërbiçki, është njëri nga krijuesit më të njohur dhe më të lexuar të kohës sonë, që për fat të mirë erdhi edhe në letrat shqipe, duke falënderuar përkthyesin e mirënjohur nga Kosova, z. Smajl Smaka dhe mikun e tij të ngushtë Ali Daci. Nuk është e lehtë të shkruash për këtë autor me një letërsi të begatë e të shumëllojshme, i cili, aq sa është poet i shquar, po aq edhe prozator, eseist, kritik letrar, publicist, përkthyes edhe studiues shkencorë. Në personalitetin e këtij krijuesi bashkëkohor boshnjak gërshetohen; lirizmi i poetit, mendimi i thellë dhe ndjenja kombëtare, i cili me këngulje tenton ta zbërthej mirë rrënjët e fisit të tij HADRI, që e shoqëron pandërprerë në rrugën e tij krijuese deri në pavdekësi. Ai është mishërim i butësisë dhe mençurisë njerëzore, i gjerë dhe i thellë sa deti për nga përkushtimi shpirtëror, plot parime dhe idealizma, në betejë të përhershme për liri, drejtësi e përparim, vizionar në aksionin politik dhe me një njerzillëk të spikatur, që e lartëson fisnikërinë e tij. Poeti dhe populli i tij ku jeton dhe vepron ai, janë të pandarë. Populli i jep modelet, kurse autori ato modele i ngre në shtatore dhe kështu ushqehen midis tyre. Hadrovbiçi edhe pse lindi në Vërbicë e Ulët me 1 tetor 1952, Mali i Zi, Ai arriti të shkruaj mbi 20 vepra letrare zhanresh të ndryshme dhe mbi 20 vepra të ndryshme duke ecur prej një antologjie në tjetrën, studim pas studimi etj. Por jo dhe kaq, ai u përkthye edhe në shumë gjuhë të botës. Ai përktheu shkrimtar eminent botëror në boshnjakisht, pastaj ka marrë një numër shpërblimesh letrare dhe këtë vit (2014), mori shpërblimin letrar “ Sabit Uzhiçnin” për tragjedinë ”Viktima”, që ne jemi duke promovuar në hapësirat tona. që edhe u shpall libër i vitit në Sanxhak. Kjo tregon se autori, Safet Hadroviq, është sa njeri tokësor, po aq edhe hyjnor, plot freski shpirtërore si vet jeta, i vrullshëm si lumenjtë e vendlindjes së tij, plot halle si bashkëkombësit e tij, por edhe plot shpresa jete, pasi njerëzit e vërtetë të Zotit nuk dorëzohen, duk ndenjur të kacafytur me padrejtësitë e kësaj bote deri në amshim, të cilën e shohim qartë edhe te tragjedia “ Viktima,“ se si i përgjigjet flakë për flakë padrejtësisë burokratike të Evropës së djallëzuar, dembelizmit osman dhe tragjizmit shekullor nga sllavët në këto troje.
Kjo poemë mjaftë intensive dhe tejet prekëse, është një përgjigje rebelimi, është mesazh për krijuesit e tjerë, edhe model vjershërimi, edhe sfidë për pseudokritikët dhe dallkaukët e kohës. Ai s’dinte ndryshe si t’i përgjigjej kësaj ndërdyje të pluhurosur, veçse përmes penës dhe vetëm përmes sajë të vazhdoje betejën, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon të ballafaqohet me këtë betejë, me këtë sfidë, duke qëndisur qilimin për të mbuluar plagët e atdheut të tij dhe tenton që përmes këtij katarsisi të shëroj plagët e shpirtrave të vrarë e të plagosur. Katarsisi është edhe idealizmi i tij, duke kërkuar zërin e arsyes dhe ndërgjegjes së pastër, fjalën e lirë, barazinë dhe dashurinë midis njerëzve. Gjithashtu kërkon një rilindje të bashkëkombësve të vet, pasi çdo herë ka pak vend për një rilindje të re, duke e sjellë atë përmes angazhimeve të përbashkëta, duke e kuptuar pjesa përparimtare e opinionit botëror si nevojë e patjetërsueshme për shpëtimin e një popullate të lënë anash…në grykë të ferrit dhe para gojës së ujkut:
“Zjarri i mallkuar krejt i përbiu
Me dorën e mallkuar zjarri i kallur
Mbi hirin e zi është ngritur
Flaka e timit ende mëmë e zezë se nata
……………………………………………………..
Zot , mos e lejo dushmanin e zi
Që nga nata nuk mund të ndahet
Natës së zezë shpirti iu nxiftë “[1]
Pena e këtij autori vizaton mjeshtërisht jetën në lëvizje, njerëzit, botën shpirtërore të tyre, dridhmat psikologjike të personazheve dhe të duket sikur je mes atij ambienti për të cilin edhe lexuesi ndjehet i zhgënjyer sepse i takojnë kësaj fare njerëzore, të del para idioti i Dostojevskit, mizantropi, dhe mbreti Kreon, që fare nuk mërzitet se viktimizohet populli pa edhe familja e tij, pasi për kriminelët çdo gjë është normale. Nga ana tjetër të del fytyra e Tartufit me kokën e Europës, se si lejon që njerëzit të vriten në pafajësinë e tyre, të masakrohen dhe të largohen nga shtëpitë e veta. E gjithë kjo të lë përshtypjen se njeriu i vërtetë ende s’ka lindur, ose ky njeri i këtij shekulli ka ngelur sorogat i njeriut të dikurshëm që, me siguri ka pasur ndonjë vlerë të caktuar.
E veçanta e kësaj vepre flet për fokusimin e gjendjes faktike dhe dëshpërimin autorial të asaj gjendjeje aq të dhimbshme dhe traumatologjike, përmes së cilës vepër mundohet që të gjej një alternativë të shpejtë për realitetin e hidhur, për të cilin shkruan dhe e përjeton poeti Hadroviq. Ai mundohet të ndërtoj një projekt kombëtar, pasi rreziku dhe tragjikja jetësore i kësaj popullate ndërthuret në vazhdimësi, për të cilën autori është shumë i vetëdijshëm, që edhe ai vet shprehet: “…botës t’ia paraqes rrënjët e së keqes dhe vetë të keqen që na përcjellë e na ndjekë, si vërejtje, si rrezik për fëmijët tanë të pa lindur”.[2]
Këto vargje bashkëkohore, me poetikën e mirëfilltë letrare, flasin për një tragjedi shekullore e që na shkakton përjetime të thela emocionale dhe estetike, sepse ka një tërësi vlerash. Një poezi e shkruar me qëllimin e qartë që të ndikojë fort në ndërgjegjen e bashkëkombësve të poetit, ngjarje e ruajtur dhe përhapur në formën fjalë pas fjale, e transmetuar edhe gojë më gojë dhe është tejshkuar nga miqtë dhe adhuruesit e artit dhe të historisë, dhe që ka mjaft forcë poetike që e bëjnë më të depërtueshëm mesazhin e saj.
Tragjikja e dramës Viktima shquhet për larminë dhe gërshetimin tematik e motivues.
Një pjesë e mirë e frymëzimeve të poetit buron nga kujtesa e historisë kombëtare, si historia e shtrirjes së trojeve, historia e fatit kombëtar, veçmas fatit tragjik të vendit të quajtur Kollashin- Vilajeti i Sanxhakut, fat ky që është i lidhur ngushtë edhe me fatin e Kosovës, Malësisë së Madhe në Mal të Zi, gjenocidi ndaj çamëve në Greqi, Srebrenica, Reçaku e gjetiu, tragjikë kjo të cilën s’do kishte forcë që ta përfshinte as penda e mprehtë e Eskilit. Nga ana tjetër, tragjedinë e karakterizon edhe historia e vendlindjes dhe e martirizimit të vendësve, robëria dhe pritjet e gjata të zgjidhjes së fatit kombëtar të vilajetit ku jeton dhe vepron autori. Poeti me dhembje të thellë kujton tragjiken e popullit, robërinë, vuajtjet, duke goditur me ironinë e tij të fuqishme gjenocidin, dhunën, shtypjen dhe e sheh të udhës që ta xigloje ndërgjegjen kombëtare, e veçmas të asaj ndërkombëtare, për të rikthyer harresën e tragjedive që u bënë gjatë shekullit të kaluar mbi popullatën e sanxhakut, se aty vritet edhe qielli, rrufeja gjithmonë rri mbi kokë dhe për botën e “dreqit”, se vritet një popull i tërë dhe i pafajshëm “ gjithçka është e natyrshme”.
Marrë në tërësi, mjaft vargje të të kësaj vepre janë të frymëzuara nga historia e shtypjes së rëndë sociale të popullatës së sanxhakut, e keq trajtimit nga barbarët sllav, e që, siç dihet, ishte një formë e shtypjes njerëzore dhe kombëtare të sanxhaklinjëve, jo vetëm si realitet i hidhur, por edhe tejet tragjik jetësore e historike, nga i cili, siç thotë edhe vetë poeti, “terr i murrëm (satanik)… Për fatin tonë të keq, e tërë kjo ka ndodhur, e tërë kjo është shprehje e realitetit lakuriq, e tërë kjo është e vërtetë.”[3], vend ku notojnë plagët në male, në zjarr, në tokë e det dhe me ironinë e tij të fuqishme dhe me plotë arsye, poeti ngrihet kundër harrimit të së kaluarës tragjike, lumit të tragjedive që u shndërrua në dete, jo vetëm që nuk duhet harruar, por bota e civilizuar patjetër duhet ta gjej dhe ta kuptoj njëherë e përgjithmonë “strofullin e djallit”, që nëpër shekuj kafshon dhe terrorizon njeriun e zotit. E gjithë kjo vjen si përpjekje e autorit për të lartësuar artin poetik, për të shtrirë mbretërinë e artit si kundërvënie ndaj të këqijave e absurdeve të jetës. Pastaj janë vargje të refleksioneve të thella dhe të ideve të rëndësishme për jetën, historinë, aktualitetin, filozofinë, religjionin, dashurinë, moralin etj., që i drejtohen jo vetëm individit dhe qenies kombëtare, por edhe mbarë njerëzimit.
Ky model i arkitekturës letrare, i realizuar me mjeshtri estetike nga gjëmimet, dhimbjet, vuajtjet dhe shkreptimat e penës së poetit, Safet Hadroviç Vërbiçki, flet për ngjarje reale me situata të rënda psikologjike, me një rrëfim poetik plot përshkrime me vuajtje të brendshme shpirtërore, plotë dhimbje plot tmerr i krijuar nga vringëllima e sëpatave dhe zjarri.. Heminguej thoshte se përgatitja më e mirë për një shkrimtar është “ fëmijëria e keqe,” prandaj edhe vuajtjet e madha të popullit boshnjak i dhanë një përgatitje të mirë krijuese këtij autori. Nga djalli i këtij Gadishulli Ilirik, i shndërruar në Gadishull Ballkanik, damka e zezë u ishte ngjitur në shpinë popullit ilir- Boshnjak dhe atij shqiptar në përgjithësi si “pjellë e së keqes”, vetëm e vetëm pse i takonin konfesionit islam, pa fajin e tyre, pastaj edhe pse ata bënin punët e tyre, jetën me ritet dhe zakonet e bukura drejt udhës së Zotit të madhërishëm dhe si engjëj pa krah, qenë të detyruar të ndiqen e të persekutohen nga “djalli i zi” dhe më vonë nga “djalli i kuq” dhe kësisoj u kalitë për mbijetesë në farkën e vuajtjes.
Autori është pasionuar me ndjenja të fuqishme dhe mendimet e thella, plot elemente epike, të cilat, përgjithësisht, kanë kushtëzuar gjatësinë e vargjeve të kësaj tragjedie. Gjuha e kësaj drame është e pasur dhe substanciale. Fjalët e shprehjes poetike janë të ngarkuara me ndjenja e mendime të thella të botës më më të ndjeshme, që përmes harmonizimit të idesë dhe thurjes së ngjarjes thithën dhe shpërndahen në ligjëratën letrare, veçmas përmes emocinalitetit poetik, të ndjenjës së thellë lirike dhe fuqisë së diskursit epik.
Për në fund:
Tekstin letrar të Hadroviqit e përshkon dimensioni semantik dhe ai estetik, ku, së pari, vepra e tij lidhet me idetë, ngjarjet dhe sipas kuptimet në rrjetin naratologjik, kurse sipas aksit të dytë, ndërlidhet me elementet konstutituive estetike, elemente këto të natyrës gjuhësore e stilistike. Ky kategorizim, në vështrimin e një analize tekstuale, prekën logjikën e funksionimit të teksteve letrare të autorit, si në planin qëllimor që ka para objektit të letërsisë, po ashtu edhe në trandjen e vetëdijes së kësaj bote që rri e heshtur para djallit të mallkuar. Në fakt, niveli semantik dhe niveli estetik i kësaj vepre, janë pjesë e strategjisë autoriale, që me çdo kusht teksti të ketë ide, mesazh letrar, dhe konfigurim të estetikës letrare. Duke dashur t’i realizoj të gjitha këto, autori arrin të realizoj konceptin estetik të katarsisit. Në të vërtetë, shikuar më thellësisht, ky katarsis lidhet me misionin e autorit në shkrimin e tij, me trandjen e pluhurit të harresës shekullore ndaj tragjedisë dhe gjenocidit në Kollashin, që për pandehmë ka mision Kuranor, që, sipas akademik Alija gjokoviq-it, “boshnjakët nuk e hedhin porosinë e zotit: Respektoje të afërmin tënd”( Ruso). Të tjerët këtë nuk e kanë kuptuar, prandaj kanë vrapuar me shpata, me sëpata, me thika që t’i vrasin të gjithë ata që nuk janë… ithtarë të zotërave të gdhendur, të vizatuar, të imagjinuar nëpër pyje e shpella… Boshnjakët e kanë ditur se Zoti nuk mundet të krijohet nga guri apo nga ngjyrosja…”[4] Prandaj edhe pjesa tjetër e Ilirikumit-Ballkanit, që nuk u besoj zotërove të tillë, përjetuan holokaustin shekullor.
[1] Viktima, Safet Hadroviq Vërbiçki, Prishtinë 2014, f. 91
[2] Viktima, Safet Hadroviq Vërbiçki, Prishtinë 2014,f. 14
[3] Viktima, Safet Hadroviq Vërbiçki, Prishtinë 2014,f.13
[4] Viktima, Safet Hadroviq Vërbiçki, Prishtinë 2014,f.99