Parë nga një këndvështrim i huaj, eposi shqiptar është produkt i një kulture shumë pak të njohur
dhe një gjuhe të vështirë dhe të studiuar shumë rrallë. Si i tillë, ky epos ka mbetur nën hijen e
eposit serbokroat, apo më mirë të themi të atij mysliman boshnjak, me të cilin, pa diskutim, ka
afërsi.
Studiuesi homerik Milman Parry (1902-1935 (dhe ndihmësi i tij, Albert Lord (1912-1991), nga
Universiteti “Harvard” tërhoqën vëmendjen e një brezi të tërë dijetarësh, me zbulimin e tyre të
bardëve të pashkollë të Bosnjës dhe Sanxhakut, të cilët, me një zotësi të vërtetë homerike, mund
të recitonin vargje epike me orë të tëra. Pas një vizite të parë në Jugosllavi në vitin 1933, Parry u
kthye në Ballkan, për një qëndrim më të gjatë, nga muaji qershor 1934 gjer në shtator 1935, kësaj
here me ndihmësin e tij Albert Lord-in. Gjatë qëndrimit në Bosnjë, Hercegovinë, Mal të Zi dhe
Sanxhakun e Novi Pazarit, ata regjistruan 12500 tekste, shumë prej të cilëve i ruajtën në formën
e regjistrimeve zanore në disqe alumini. Ky material përbëri bazën e botimit të tyre shumë të
rëndësishëm me dy vëllime Serbocroatian Heroic Songs (Këngët heroike serbokroate –
Kejmbrixh, Masaçusets & Beograd 1954, 1953).
Është interesante të vihet re se katër, prej pesë këngëtarëve që përmenden në këtë vëllim, qenë
shqiptarë: Sali Uglani (Salih Ugljanin), Xhemal Zogiq (Djemal Zogić), Sulejman Makiq
(Sulejman Makić) dhe Ali Fulani (Alija Fjuljanin). Këta këngëtarë nga Sanxhaku i Novi Pazarit
qenë të gatshëm, dhe të aftë, të recitonin përmendësh të njëjtat këngë në gjuhën boshnjake
(serbokroate) dhe shqiptare. Në vitin 1937, pas vdekjes së parakohshme të Parry-t, Albert Lord-i
u kthye i vetëm në Ballkan, ku filloi të mësojë shqip dhe të udhëtoi nëpër malësinë e Shqipërisë,
ku mblodhi një pjesë të madhe të vargjeve heroike shqiptare, të cilat ruhen në Koleksionin
“Milman Parry” pranë Universitetit “Harvard”. Lidhur me këtë veprimtari, ai shkruante:
“Në Novi Pazar, Parry kishte regjistruar disa këngë shqiptare nga njëri prej këngëtarëve
që këndonte në të dyja gjuhët. Vegla muzikore e përdorur për t‟i shoqëruar këto këngë
është gusle (shqip, lahutë) por vargu është më i shkurtër se dhjetërrokëshi serb dhe nëpër
to vihet re një lloj rime primitive. Duket qartë se do të ishte me vlerë një studim i
shkëmbimit të formulave dhe pjesëve tradicionale midis këtyre dy grupeve poetike, duke
qenë se kjo do të tregonte se çfarë ndodh kur poezia gojore kalon nga një grup gjuhësor
në një tjetër, i cili ndodhet ngjitur me të parin. Mirëpo, në vitin 1935 nuk kishte kohë të
mjaftueshme për të mbledhur shumë material apo për ta mësuar shqipen. Kur ndodhesha
në Dubrovnik gjatë verës së vitit 1937, mu dha mundësia të mësoja shqip dhe, në shtator
dhe tetor të po atij viti, udhëtova nëpër malet e Shqipërisë së Veriut, nga Shkodra deri në
Kukës, nëpër Bogë, Theth, Abat dhe Tropojë, prej ku u mora për nga jugu. Mblodha rreth
njëqind këngë tregimtare, shumë prej të cilave të shkurtra, por disa qenë diku te pesëqind
deri njëmijë vargje të gjata. Zbuluam se ka disa këngë të përbashkëta të traditës
serbokroate me atë shqiptare dhe se një sërë heronjsh myslimanë të eposit jugosllav, si,
për shembull, Mujo dhe Halil Hërnjica dhe Gjergjelez Alija, gjenden edhe në këngët
shqip. Mbetet shumë për të bërë në këtë fushë, përpara se të mund të themi me saktësi se
cila është marrëdhënia midis të dyja traditave.
Përkundër këtij materiali të begatë, i cili tani është botuar në shqip në Prishtinë, Tiranë dhe
gjetkë, pengesa gjuhësore e ka bërë të vështirë njohjen e eposit shqiptar mes publikut të huaj. Për
pasojë, vëmendja e të huajve është përqendruar thuajse tërësisht te eposi boshnjak.
Megjithatë, kanë dalë disa monografi prezantuese për eposin shqiptar, në gjuhën angleze. Libri
Albanian and South Slavic Oral Epic Poetry (Poezia epike gojore shqiptare dhe jugosllave –
Filadelfia 1954, Nju Jork 1969) me autor Stavro Skëndin (1905-1989) na jep një informacion të
përgjithshëm të mjaftueshëm, mirëpo duket qartë që është i vjetruar. Mendoj se kontakti i
Skëndit me eposin shqiptar ishte i kufizuar. Librat Albanian Folk Verse: Structure and Genre
(Vargu popullore shqiptare:, strukturë dhe zhanër – Mynih 1978) i të ndjerit Arshi Pipa (1920-
1997) dhe The Bilingual Singer: a Study of Albanian and Serbo-Croatian Oral Epic Traditions
(Këngëtori dygjuhësh: një studim i traditave epike gojore shqiptare dhe serbokroate – Nju Jork
1990) me autor John Kolsti-n (l. 1935) nga Universiteti i Teksasit në Ostin, përqendrohen
kryesisht në metrin dhe strukturën e eposeve dhe nuk shohin në ndonjë thellësi kuadrin kulturor
dhe historik të këngëve dhe këngëtarëve. Botimi im dygjuhësh me titull Songs of the Frontier
Warriors: Këngë Kreshnikesh, Albanian Epic Verse in a Bilingual English-Albanian Edition
(Këngë Kreshnikesh: Poezi epike shqiptare në një botim dygjuhësor anglisht-shqip – Wauconda,
Illinois 2004) është përkthimi i parë i madh në anglisht i këtij materiali. Me kënaqësi kam
mësuar se Gjekë Marinaj (l. 1965) dhe Frederick Turner (l. 1943) nga Universiteti i Teksasit në
Dallas kanë përgatitur tani një përmbledhje në anglisht të folklorit shqiptar e cila do të përfshijë
edhe një pjesë të materialit epik dhe kreshnik. Sigurisht, vazhdojnë të kenë vlerë libri në
gjermanisht “Die Volksepik der Albaner” (Epika popullore e shqiptarëve – Halle 1958) i autorit
Maximilian Lambertz (1882-1963), i cili ofron një përkthim në gjermanisht të këngëve, krahas
një shpjeguesi filologjik, dhe punimet në italisht të Ernest Koliqit (1903-1975) si “Poesia
popolare albanese” (Poezia popullore shqiptare – Firence 1957). Ka edhe përkthime në
frëngjisht të këngëve epike, të krijuara në Tiranë, në vëllimet Chansonnier des preux albanais
(Këngë kreshnikesh shqiptarë – Paris 1967) të botuara nga Zihni Sako dhe Trésor du chansonnier
populaire albanais (Visari i këngëve popullore shqiptare – Tiranë 1975), përkthyer nga Kolë
Luka.
Eposi boshnjak, si traditë e gjallë, duket se nuk ekziston më pas ditëve të Parry-t dhe Lord-it.
Nuk gjenden më këngëtarë të pashkollë në kafenetë e Novi Pazarit apo Bijelopojës dhe askush
nuk është më në gjendje ta vazhdojë traditën e rapsodisë së sllavëve të jugut. Por, për çudinë e
shumëkujt, eposi shqiptar është ende më se i gjallë. Edhe pas agut të shekullit XXI-të, mund të
gjesh ende jo pak lahutarë në Kosovë, sidomos në malësinë e Rugovës, në perëndim të Pejës, dhe
në Shqipërinë e Veriut, krahas atyre pak rapsodëve që jetojnë në Mal të Zi, të cilët janë në
gjendje të këndojnë dhe recitojnë bëmat e Mujit dhe Halilit dhe tridhjetë agëve të tyre. Këta janë
këngëtarë të cilët e kanë trashëguar repertorin e tyre si pjesë e traditës së pakëputur gojore, të
kaluar nga brezi në brez. Pa frikë, mund të arrish në përfundimin se këta pleq përbëjnë grupin e
fundit të këngëtarëve tradicionalë të eposit në Evropë!
Është shkruar shumë për lashtësinë dhe origjinën e eposit shqiptar dhe për marrëdhënien e tij me
eposin boshnjak. Nga ana tregimtare, dhe për arsye të tjera, ekziston tashmë një konsensus i
përgjithshëm se “Këngët e kreshnikëve” janë kristalizuar në shekujt XVII-të dhe XVIII-të, në
zonën kufitare të Ballkanit ku ndaheshin krishterimi dhe bota islame, edhe pse në këngë ka të
pranishme edhe shtresa shumë më të vjetra. Kemi të bëjmë, pra, kryesisht me një pasqyrim letrar
të Luftërave kundër Turqve (Türkenkriege) midis Perandorisë Osmane dhe derës të
Habsburgëve. Heronjtë tani janë rebelë myslimanë që jetojnë në krahinë, dhe të cilët për zemër
kanë të kalojnë malin për të bërë plaçkë në krajli, në Mbretërinë e të Krishterëve, dhe t‟ua hedhin
mbretit dhe luftëtarëve sllavë.
Toponimet e përmendura në këngë janë identifikuar se ndodhen në luginat e Likës dhe Kërbavës
dhe rreth tyre, në lindje të Zarës (Zadar) në Kroaci, jo larg prej kufirit të Bosnjës së sotme.
Jutbina, vendi i Mujit dhe Halilit, është qyteti i vogël i Udbinës në rrugën që të çon nga liqenet e
Plitvicës në drejtim të Zarës. Jutbina ndodhet në skajin jugor të Luginës së Kërbavës. Klladusha,
vendlindja e Gjeto Basho Mujit, është Velika Kladuša, një qytet 35 kilometra në juglindje të
Karlovacit dhe vendi i udhëheqësit të dikurshëm Fikret Abdiq (l. 1939). Ky vend ndodhet në
zonën e Bihaçit, në skajin veriperëndimor të Bosnjë-Hercegovinës. Sinja është porti i vogël i
Senjit në detin Adriatik, midis Rekës (Rijeka) dhe Zarës. Ky port ka qenë bastioni i kaçakëve dhe
piratëve të njohur me emrin uskoci të cilët u kanë bërë rezistencë të ashpër forcave osmane.
Zahara mund të jetë shumë mirë Zadari, që në shqipen dhe italishten e sotme njihet me emrin
Zarë/Zara.
Është sidomos interesant toponimi Kotorri i Ri. Në pamje të parë duket se ka të bëjë me Gjirin e
Kotorrit në Mal të Zi, duke qenë kështu shumë më pranë me territorin shqiptar, mirëpo shumë
më larg se toponimet e tjera në Dalmaci. Mirëpo, studiuesi shqiptaro-amerikan Stavro Skëndi me
shumë zotësi e ka identifikuar Kotorrin e Ri me Ravni Kotari apo Kotarin e Rrafshët, një varg
kodrash 15 kilometra në lindje të Zarës, ku prodhohet një verë shumë e mire dalmate. Fjala
serbokroate “ravni” (i rrafshët) me sa duket këngëtarëve shqiptarë u shkonte me fjalën i ri, sh. të
rinj, duke arritur kështu në fjalën Kotorri i Ri.
Mes toponimeve të tjera në këngët shqipe që kanë toponime përkatëse në versionet boshnjake
janë:
Lugje të Verdha (Zeleni Lugovi)
Gurrët e Bardha (Beli izvori, Beli kamenje)
Podrume të Jutbinës (Udbinski podrumi)
Bjeshkët e shkreta (Jadne planine)
Edhe protagonistët e këngëve tona në shqip kanë paralelet e tyre në lëndën boshnjake. Gjeto
Basho Muji apo Muji dhe Sokol Halili, të përmendur më lart janë Çetobasha Mujo (= Mustafa,
udhëheqës i çetës) dhe Halil Hërnjica në versionet sllave. Muji dhe Halili duket se janë
mbështetur në figura historike. Një dokument në gjermanisht i shkruar në Karlovac më 20 nëntor
1641, me një listë toponimesh dhe rebelësh myslimanë, duket qartë se i përmend edhe ata.
Më poshtë, citoj:
“Von Gross Kladuscha, da am maisten tschettiert würdet: der Haram-Bassa Mustaffa, dess
Hernizo Brueder, sonsten Khasslitschitsch Musstaffa genandt.”
(“Nga Kladusha e Madhe, ku çetohej më së shumti: Mustafa Harambasha dhe i vëllai Hërnjico, i
njohur ndryshe me emrin Mustafa Hasliçić”)
Gjergj Elez Alia ynë ka për paralel emrin sllavo-boshnjak Alia Gjerzelez (Alija Djerzelez) dhe
emrin turk Gürz Ilyas. Kjo figurë del për herë të parë në kadastrat turke si pronar toke në vitin
1455. Sipas studiuesit boshnjak Rashid Gjuriq (Rašid Djurić), kronikani dhe historiani turk Ibn
Kemal (1468-1534) e përmend heroizmin e Gürz Ilyas-it në vitin 1479-1480 dhe popullaritetin e
tij në folklorin e Bosnjes. Sidoqoftë, Gjergj Elez Alia është shumë i njohur te boshnjakët dhe
shqiptarët si një hero legjendar dhe si simbol i besnikërisë vëllazërore.
Shumë protagonistë të tjerë të këngëve shqiptare i gjejnë paralelet e tyre në lëndën boshnjake:
Dizdar Osman Aga (Disdar Osman Aga)
Zuku Bajraktari (Zuk Barjaktar)
tridhjetë agët (trideset aga)
Tanusha e Krajlit (Kraljeva Tanuša)
agët e Jutbinës (Udbinske age)
Vuku Harambashi (Vuk Harambaša)
Ajkuna (Hajkuna)
Bud Aline Tale (Budinalina Tale)
Llabutani i Krajlit (Kraljev Labutane)
Krajli i Talirit (Talirski kralj)
Maxhar Jabanxhija (Madžar Jabandžija)
Osman Qehaja (Osman ćehaja)
Ymeri i Mujit (Mujov Imer)
Halil aga i ri (Mladi Halil aga)
Ganiqe Galani (Ganiće Galjani)
Plaku Mehmet aga (Stari Mehmet aga)
Deli Mehmet aga (Deli Mehmet aga)
Plaku Qefan aga (Stari Ćefan aga)
Rushja e Kralit (Kraljeva Ruža)
Krajli i Mehorjes (Krajl iz Merohje)
Arnaut Osmani (Arnaut Osmani)
Në këngët shqiptare përmenden edhe Lumi i Danubit dhe rojat e kostumet hungareze, të cilat
janë shumë të largëta nga trojet ku kanë jetuar historikisht shqiptarët. Nga këto paralele dhe nga
terma të tjerë të dukshëm sllavë në këngët shqiptare, duket qartë se kemi të bëjmë me një lëndë
gojore e cila, mbase pas një periudhe të gjatë zhvillimi, u kristalizua në një hapësirë sllave jugore
në trojet kufitare midis Perandorisë Osmane dhe trojeve të Habsburgëve të Austrohungarisë, pa
dyshim në zonën e luginës së Likës dhe Kërbavës, dhe e cila pastaj u transmetua nga këngëtarë
dygjuhësh në një hapësirë shqiptare.
Nga fillimi i shekullit XVII-të, Bosnja, Kosova dhe Shqipëria qenë të përfshira dhe të bashkuara
nën Perandorinë Osmane dhe një pjesë e mirë e popullsisë vendase shqiptare dhe sllave qenë
kthyer në myslimanë. Lindi një kulturë e përbashkët në trojet osmane të Evropës Juglindore, ku
ndarjet kombëtare dhe gjuhësore kishin me më pak rëndësi nga sa kanë sot. Territori mysliman
shtrihej nga zona e lartpërmendur e Bihaçit drejt juglindjes nëpër Bosnjë e deri në Sanxhkun e
Novi Pazarit. Si Sanxhaku ashtu edhe Kosova fqinje po përjetonin një rritje të ndjeshme të
popullsive shqipfolëse e cila ishte në kontakt të afërt me folësit sllavë myslimanë të kësaj zone.
Të paktën, në gjysmën e dytë të shekullit të XIX-të, shumica e popullsisë në Kosovë ishte
shqiptare dhe shqiptarët përbënin një numër të konsiderueshëm edhe në Sanxhak, duke përbërë,
mbase, shumicën edhe atje. Për shembull, studiuesi rus Aleksandër Fedoroviç Giferding
raportonte në vitin 1856 se shqipja ishte e vetmja gjuhë e folur në Sjenicë.
Pra, nuk është rastësi që pikërisht në Sanxhak Albert Lord-i takoi këngëtarët dygjuhësh. Sidomos
interesante është historia e përmendur në librin e Albert Lord-it The Singer of Tales (Këngëtari i
tregimeve – Kejmbrixh, Masaçusets, 1960) lidhur me bashkëbisedimin që kishte bërë me Sali
Ugljanin ku ky i dyti i shpjegonte për aftësinë që kishte për t‟i kënduar këngët si në gjuhën e vet
shqipe ashtu edhe në gjuhën boshnjake.
Rrjedhimisht, duket qartë se ka shumë paralele midis eposit shqiptar dhe atij boshnjak. Ato kanë
një origjinë të përbashkët dhe, në thelb, pasqyrojnë një kulturë të përbashkët.
Mirëpo, pas procesit të transmetimit, eposi shqiptar u zhvillua vetëm në hapësirën shqiptare dhe
mori shumë karakteristika, vlera dhe forma gjuhësore të shprehjes që janë tërësisht shqiptare, dhe
është pikërisht kjo ajo që e bën sidomos mbresëlënës. Edhe pse nuk u hoqën toponimet, konflikti
bazë i rrëfimit u zhvendos nga lufta midis myslimanëve dhe të krishterëve te lufta midis
shqiptarëve dhe shkijve, domethënë sllavëve.
Studiuesit shqiptarë, me dëshirën e përhershme për të konfirmuar paraardhjen e kulturës së tyre
përpara asaj të sllavëve, evidentojnë elemente të vjetra të kulturës heroike shqiptare të cilat mund
të kenë ndikuar në zhvillimin e këtyre vargjeve shumë kohë përpara periudhës së kristalizimit të
tyre. Ata theksojë se vargu epik i këtij lloji u zhvillua vetëm mes fiseve sllave që jetonin në zona
gjeografike shumë pranë popullsisë vendase parasllave të Ballkanit, domethënë pranë
paraardhësve të shqiptarëve, dhe ka disa vëzhgues të cilët kanë menduar për një shtresë
parasllave. Mirëpo, fatkeqësisht, diskutimi për fillesat e vargjeve epike ballkanike kanë marrë një
drejtim tipik ballkanik, sipas avazit “Isha unë i pari!” Pas kaq shumë shekujsh zhvillimesh
paralele dhe kontaktesh, nuk ka të ngjarë që do të kemi ndonjëherë një pamje të qartë dhe të
prerë të shtresëzimit të eposit.
Përkundër transmetimit nga një hapësirë sllavoboshnjake, Këngët e Kreshnikëve nuk janë aspak
përkthim i eposit boshnjak. Ato i janë nënshtruar një zhvillimi të vazhdueshëm dhe të pavarur që
pas periudhës së kristalizimit dhe nuk janë, pra, as boshnjake, as kroate, as malazeze, as serbe,
dhe as gjithë-shqiptare, por janë produkt i gjeniut krijues të malësisë së Shqipërisë së Veriut.
Mbetet shumë për të bërë që kjo trashëgimi e jashtëzakonshme kulturore të njihet dhe vlerësohet
si një traditë alternative ndaj këngëve boshnjake, të cilat njihen më shumë. Tubimi ynë këtu, sot,
nuk përbën gjë tjetër përveç se një hap të bërë në drejtimin e duhur.
[Published in: Jeta e re, revistë letrare, Prishtina, 3, 2010, p. 431-438.]
http://www.elsie.de/pdf/articles/A2010TraditaEpikeJetaeRe.pdf