Rethanat arsimore në prefekturën e Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe roli i Aqif Blytës në hapjen e shkollës shqipe në Pazar të Ri ( pjesa e III)
(Kumtesë në konferencën shkencore të 21.janarit 2017,kushtuar përvjetorit të 72 të vrasjës se Aqif Blytës e Ahmet Dacit,mbajtur në Prishtinë)
Autor: Fazli Hajrizi
Lokalet shkollore.– Afër 60 % e lokaleve shkollore janë të ndërtueme me plan modern. Kanë të gjitha kushtet higjenike dhe pedagogjike. Nuk mungojnë zyret dhe banimet e mësuesve. Në disa katunde, ku ish qeverija jugosllave nuk ka hapë shkolla shtetnore, ka ndërtue populli vetë lokalet e këtilla tue çelë vetëm shkolla besimi. Pranë këtyne gjinden edhe godina shkollore të marruna me qira. Po edhe këto të fundit, në krahasim me godinat shkollore të katundeve në Shqipni, qëndrojnë në çfarëdo pikëpamje ma naltë.
Në rasën e luftës po thuejse të gjitha lokalet kanë pësue dame në ndërtesa dhe orendi shkollore. Mbrenda nji kohe të shkurtë këto mungesa mund të plotësohen nga bashkitë dhe Komunat përkatëse.
Shkollat e mesme. – Në Prefekturën e Mitrovicës kanë ekzistue, përveç shkollave të vogla profesjonale, dy gjimnaze, natyrisht serbe: nji në Mitrovicë vetëm me kurs t’ulët, dhe nji gjimnaz i plotë në Novipazar. Të dy këto shkolla kanë qernë në proporcion me popullsinë vetëm në pakicë të frekuentueme prej shqiptarvet respektivisht prej boshnjakvet të Novipazarit. Për vitin e ardhshëm shkolluer njena prej këtyne, ajo e Mitrovicës, asht parapa të çelet si shkollë e mesme shqipe me kursin e ulët nga se për formimin e klasëve të sipërme mungon numri i nevojshëm i nxansvet. Numri i përgjithshëm i nxansvet të këtij gjimnazi parashifet se do të jetë gjithsejt 118 të ndamë në këtë mënyrë: klasa e parë 70 djem plus 20 vajza së bashku 98 vetë. Klasa e dytë 20 vetë. Sikurse shifet, klasa e parë duhet të ndahet së paku ndër dy paralele, klasa e dytë do të ketë nji klasë dhe këtyne mund t’ju shtohen eventualisht edhe klasa e tretë dhe e katërt. Personeli mësimor i këtij gjimnazi do të përbahet tash për tash prej gjashtë profesorësh dhe nji drejtori. Mësimi i gjimnastikës, i kangës duhet t’i ngarkohen ndonji prej mësuesit të shkollës fillore të këtushme ashtu edhe për mësimin e punës së dorës për vajza.
Bashkangjitun këtij raporti paraqesim nji pasqyrë të shkollave fillore dhe të mesme me të gjithë hollësinat e nevojshme.
Tiranë, më 2 tetuer 1941
Kryetar i Misjonit në Mitrovicë, Dr. Rexhep Krasniqi[1]
Në shkollat shqipe, përkatësisht në paralelet shqiptare, ishte paraparë që të emërohen mësuesit e kombësisë shqiptare, si shtetas serbë. Shkollat shqiptare parimisht i udhëheqin shqiptarët. Për nxënësit shqiptarë (neni 15), thuhej se do të hapet në Mitrovicë Gjimnazi real tetëklasësh. Në fillim të vitit shkollor 1941/42, do të hapet klasa e parë e këtij gjimnazi, ndërsa për çdo vit pasues hapet klasa vijuese. Në këtë gjimnaz është i obliguar mësimmbajtja në gjuhën serbishte. Personelin mësimor të grupit popullor shqiptar do ta emërojë Ministria e Arsimit me propozim të udhëheqësit të grupit popullor shqiptar. Ky personel duhet të posedojë kualifikimin përkatës sipas ligjeve të aprovuara në fuqi”[2].
Bedri Gjinaj[3], i cili ishte emëruar përgjegjës i arsimit në Prefekturën e Mitrovicës, bashkëpunoi jo vetëm me prijësit nga Vushtrria e Podujeva, por u njoh e u miqësua edhe me përfaqësuesin nga Pazari i Ri, si Aqif Blytën, me origjinë nga Gjakova, i shkolluar në Akademinë Ushtarake të Stambollit, dhe politikan i shquar, i cili, së bashku me Ahmet Dacin kishin organizuar administratën atje dhe kishin formuar Këshillin e Rrethit prej 13 anëtarësh. Në krye të Këshillit ishte emëruar Aqif Blyta. Sikurse në Mitrovicë, Vushtrri e Podujevë, edhe në Pazar të Ri e në vendet e ndryshme u vendosën mbishkrimet në gjuhën shqipe dhe fotografitë e Skënderbeut. Në ndërtesën e komunës valonte Atmosfera ngazëlluese e shqiptarizmit rrëmbeu në radhë të parë intelektualët me ndjenja të pastra dhe shpirtin e begatë. Në korrik të vitit 1941, u hapën shkolla fillore në gjuhën shqipe. Në fillim u hap vetëm në qytetin e Mitrovicës, ku u regjistruan menjëherë 75 nxënës (30 meshkuj e 46 femra). Arsimi në shkollat fillore edhe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri) u bë i detyrueshëm dhe përfshinte këto lëndë mësimore: Gjuhë shqipe, Mësim jete e njohuri vendlindjeje, Aritmetikë, Histori, Gjeografi e mësim shtetëror, Mësim natyre e sendesh, Vizatim e punëdore, Këngë, Gjimnastikë.
Në fund të qershorit 1942, kryeministri shqiptar Mustafa Kruja, i shoqëruar nga anëtarët e kabinetit të tij, viziton “Kosovën e Lirueme”. Kjo vizitë ishte tejet e rëndësishme për ngritjen e arsimit shqiptar, asaj të administratës shqiptare dhe krijimit të forcave vullnetarëve për Mbrojtjen Kombëtare Shqiptare. Shqiptarët që kishin dalë nga robëria serbe, pas disa deceniesh po provonin shijen e lirisë kombëtare. Kryeministri shqiptar Mustafa Kruja (Merlika) deklaron: “Na kena ende troje dhe vllazën dhe motrat tana shqyptare, që ngelën nen pushtimin serb, malaze, bullgar e grekë, të punojmë shpirërisht e kombëtarisht që edhe ata t’i përfshijmë në gjirin tanë, na do të punojmë që Shqypnis t’ia kthejmë çdo pëllambë toke shqyptare. Na nuk i njohëm kufijtë e Londrës, nuk i njohim dhe kurrë nuk do t’i njohim derisa të rrojë Nacionalizma Shqyptare!… Jepni randësi Arsimit, por mos harroni dhe armiqtë tanë, siç ju thash!”
Hapja e shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar të Ri)
Deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, siç theksuam më lart, Mitrovica, Vushtrria, Podujeva dhe Pazari i Ri nuk kanë qenë krejtësisht pa tradita përparimtare në fushën e kulturës e arsimit kombëtar. Pas kapitullimit të Jugosllavisë patriotët shqiptarë shfaqën tendenca të hapura kombëtare, ku arsimi u konceptua unik për krejt viset shqiptare. Ministri I Arsimit, Ernest Koliqi, në një qarkore që ua dërgoi shkollave, midis tjerash, thotë: “Vjeti shkollor që po hapet, tue u shtri tashti edhe jasht kufijve të vjetër të atdheut, mund të quhet me plot kuptimin e fjalës, nji vjet historik, sepse shkolla shqipe po nis me veprue edhe në viset e lirueme”. Kështu, në bazë të marrëveshjes së 21 prillit të vitit 1941, ishte vendosur që menjëherë të hapen shkolla në gjuhën shqipe. Një kontribut të çmuar fillestar në këtë drejtim kanë dhënë: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Aqif Blyta, Bedri Gjinaj, Ago Agaj dhe nxënësi i tij nga Nivicë Bubari, N. Duka, i cili kishte të kryer shkollën normale[4].
Më 1941, pas krijimit të rrethanave të favorshme për shqiptarët e Kosovës për t’u arsimuar në gjuhën e tyre amtare, nga Shqipëria u nis një potencial i mirë intelektualësh e një kontigjent mësuesish. Shumë prej tyre ishin kosovarë të shkolluar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si: në Tiranë, në Shkodër, në Elbasan etj. Merita më e madhe për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, pra edhe në Mitrovicë e në fshatrat përreth, i dedikohet Ministrit të Arsimit të asaj kohe, prof. Ernest Koliqit, i cili, me përpjekje madhështore, me vullnetin dhe shpirtin e një idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe mjetet shtetërore që kishte në dispozicion për t’iu ardhur në ndihmë viseve të ndryshme të liruara nga robëria serbe. Me mobilizimin e mësuesve për të ardhur në Kosovë e për të përhapur arsimin, për të ngjallur nacionalizmin etj., një kontribut shumë të madh kanë dhënë: Midhat Frashëri, Zef Pali, Vasil Andoni, Rexhep Krasniqi, Ahmet Gashi, Ymer Berisha, Rexhep Mitrovica, Aqif Blyta, Ahmet Daci, Bedri Gjinaj e shumë atdhetarë të tjerë. Shumë mësues iu përgjigjën me kënaqësi apelit për të shkuar në Kosovë dhe në viset e tjera për të hapur shkolla në gjuhën shqipe. Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, personalisht organizoi dhe drejtoi shkollat shqipe në të gjitha krahinat e Kosovës, të Tetovës, të Dibrës së Madhe, të krahinave bregdetare me qytetin e Ulqinit etj. Mbi 300 mësues të nisur prej tij, erdhën si zogjtë së largu me qiejt e pranverës dhe lajmëruan ardhjen e shpejtë të stinës së beharit pas natës së acartë të robërisë serbe. Ata erdhën për të vazhduar misionin e shenjtë, veprën e nisur në fushën e arsimit kombëtar. Me ta erdhën edhe inspektorë e drejtorë, të cilët, në bashkëveprim me autoritetet shqiptare të vendit, hapën shkolla fillore në qytete dhe në fshatra. Edhe arsimtarët e lindur dhe të shkolluar në Shqipëri, si: Adem Bazhdari, Ali Agushi, Ali Harshova, Andon Xhungo, Aqif Selfo, Apostol Tanefi, Beqir Spahiu, Besim Qorri, Dervish Bejleri, Dhimitër Fullani, Dhimitër Markaj, Efthimi Deri, Emil Miloti, Emin Abazi, Feti Dizdari, Farudin Beli, Gani Jahja, Gjergj Martini, Hasan Dylgjeri, Haxhi Bedo, Hilmi Dula, Idriz Fishta, Jani Gjino, Kasëm Gera, Koço Flloko, Kolë Margjini, Kolë Parubi, Kristaq Fundo, Kristo Kasapi, Liko Todhe, Lirak Dodbiba, Lirije Tanefi, Luan Gashi, Luigj Filaj, Maliq Bala, Mehmet Gjevori, Mehmet Sokoli, Miftar Spahiu, Mufid Shehu, Muhamet Uruçi, Musa Dizdari, Nazmi Bekteshi, Ndue Paluca, Nebil Dino, Niko Qafëzezi, Nysret Xeka, Petër Elezi, Petër Kavaja, Pina Kola, Pian Ndocaj, Qamil Graceni, Qazim Sulejmani, Qemal Haxhihasani, Reuf Zajmi, Rexhep Shpendi, Rifat Spahiu, Rrok Zojzi, Sadi Pejani, Sali Kolgesi,, Sulejman Lleshi, Stathi Kostari, Shyqyri Hafizi, Tajar Hatipi, Thanas Xhufka, Thimo Dede, Vasil Andoni, Vasil Toli, Xhevat Saraçi, Xhemil Ethimi. Xhevdet Harbuli, Zef Agimi, Zef Kakarriqi, Zef Nekaj, Zef Shpani, Zejnel Hekali, Zeqir Spahiu etj., edhe arsimtarët e lindur në Kosovë, po të shkolluar në Shqipëri, si: Abdurrahim Buza, Abdulla Zajmi, Anton Çetta, Ahmet Gashi, Ali Rexha, Bajram Zeka,, Bedri Gjinaj, Beqir Kastrati, Çeçile Gashi, Elhami Nimani, Fadil Hoxha, Faredin Shkjezi, Filip Gashi, Filip Ndocaj, Filip Pernishi, Halil Agusholli, Hajdar Jakupi, Hajdar Shehdula, Haki Bardhi, Haki Taha, Hasan Shala, Hasan Vokshi, Hysni Zajmi, Ibrahim Fehmiu, Ibrahim Kolçi, Ibrahim Riza, Ismet Shaqiri, Jonuz Blakçori, Latif Jaka, Minush Lipoveci, Muhamet Uruçi, Muharrem Gazia, Murteza Shehdula, Muzafere Gjinali, Nevruz Nura, Nexhat Begolli, Nexhmije Begolli, Nuredin Basha, Nuri Sherifi, Rexhep Krasniqi, Sahit Bakalli, Sami Lamçe, Sami Raça, Sulejman Aliu-Drini, Shahin Kryeziu, Shefqet Veliu, Shirine Shehdula, Talat Paçarizi, Xhafer Xërxa, Xhavit Nimani, Xheladin Hana, Xhevat Shkreli, Xhevdet Doda, Ymer Berisha, Zekeria Rexha, Zeki Shehu, Zija Basha e të tjerë, hapën shkollat e para në gjuhën amtare në Kosovë dhe punuan me përkushtim e dashuri për të vënë themelet e arsimit të përgjithshëm profesional dhe të edukimit patriotik në Kosovë e më gjerë[5]. Menjëherë pas kapitullimit të Jugosllavisë më 1941, dhe hyrjes së ushtrisë gjermane në Mitrovicë, siç theksuam më lart, filluan përgatitjet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Në këto rrethana Ministria e Arsimit në Tiranë, e udhëhequr nga ministri Ernest Koliqi, kishte marrë masa përgatitore për fillimin e punës së shkollave shqipe në Kosovë, pra edhe në Prefekturën e Mitrovicës, ku bënin pjesë Vushtrria, Podujeva e Pazari i Ri. Një kontribut të madh për fillimin e punës së arsimit dhe të shkollës shqipe në Prefekturën e Mitrovicës dha, pa dyshim, edhe “Komiteti i Kosovës”. Këtë punë të lavdërueshme të “Komitetit të Kosovës” e pasqyron edhe Emme Esse, i cili në artikullin e tij të botuar në gazetën “Kosova”, midis tjerash, thotë: “Mësuesit, këta apostuj të palodhshëm të idealit kombëtar, kanë organizuar në të gjitha qendrat e mëdhaja e të vogla, kurset e para, nate dhe dite, të gjuhës amtare. Populli, pa dallim moshe dhe seksi, ndjek rregullisht kurset, në masat gjithnji e ma të shumta e kompakte, si në fillim ashtu edhe në mbarim të mësimeve, shpërthen vala e hymneve kombëtare”. Rregullimi dhe organizimi i arsimit fillor në Kosovë u bë me Dekretin Mëkambësuer nr. 340, dt. 20 nëntor 1941. Mësuesit shqiptarë të ardhur nga Shqipëria, të cilët ishin emëruar me Dekretin Mëkëmbësit, kanë ditur të shfrytëzojnë situatën e përkohshme dhe mjaft të favorshme për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Në bazë të këtij Dekreti Mëkambësuer (nr. 340, dt. 20 nëntor 1941), Ministria e Arsimit autorizohej që për vitin shkollor 1941/42, të themelonte aq shkolla fillore që nevojiteshin për t’ia siguruar arsimin fillor djalërisë kosovare, të siguronte kurse të ditës dhe të mbrëmjes (natës) për analfabetët e të dy gjinive, të shtonte numrin e mësuesve që do të merren në shërbim të mësuesisë etj. Kështu, gjatë visitës që i bënë tërë Kosovës, pjesës që ishte e bashkuar me Shqipërinë, si dhe pjesës tjetër të Kosovës që ishte e pushtuar nga gjermanët nazifashistë, kryetari i Misionit Shkollor, Ali Hashorva, dhe misionarët e jashtëzakonshëm kontaktuan me autoritetet lokale dhe me popullatën vendëse, e cila i priti me gëzim dhe entuziazëm, duke pyetur: “Kur po na vjen Shqipnija?”, “Kur do të na vijnë mësuesit e Shqipnisë?”
(vijon)
[1] Raport i Misionit Arsimor në Mitrovicë mbi gjendjen arsimore në Qarkun e Prefekturës së Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë dhe Pazar i Ri) – AQSH, F-295, viti 1941, dosja 10, fletat 38-52.
[2] Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare, përgatitur nga Dr. Hakif Bajrami, botoi “Vatra” 1998, f. 290-294; Prof. Dr. Abdylaziz Veseli, Shkolla dhe arsimi shqip në Prefekturën e Mitrovicës gjatë periudhës 1941-1944 (V), Gjilan 2003, f. 35.
[3] Në bazë të listës së shënimeve për arsimtarët (AQSH, F-295, viti 1943, dosja 100, fleta 240) dhe kërkesës nr. 28, dt. 24.III.1944, të Djalërisë shqiptare në Mitrovicë dërguar MA në Tiranë (AQSH, F-295, viti 1944, dosja 62, fleta 2), Bedri Gjinaj kishte kryer Shkollën Teknike të Tiranës (specializimin në maturë) më 1 gusht 1931. Ishte mësues i grupit B, grada X. Më 25 maj 1941, ia filloi punës së mësuesisë në Mitrovicë, duke i hapur 49 shkolla shqipe në Qarkun e Mitrovicës. Bedri Gjinaj ishte zgjedhur edhe kryetar i “Djalërisë shqiptare” në Mitrovicë.
[4] Ago Agaj, Xhafer Deva-jeta dhe vepra, Nju Jork 1979, f. 109
[5] Mehmet Gjevori, Kujtime e shënime, Libri shkollor, Prishtinë 1998, f.16-17; Prof. Dr. Abdylazia Veseli, Shkolla dhe arsimi shqip në Prefekturën e Mitrovicës gjatë periudhës 1941-1944 (V), Gjilan, 2003, f. 121-125.