(Mbresa nga një udhëtim)
Vija nga një eksperiencë e gjatë, e mbushur me pritje e emocione të panumërta e të papërshkrueshme. Krijimtaria ime letrare më kish dhënë mundësi të prekja e shijoja toka e gjeografi, brenda e jashtëshqiptare. Sapo kisha marrë ftesën e radhës për prezantim të krijimtarisë sime në Rozhajë të Malit të Zi. Nuk e njihja si vend e ia kisha dëgjuar emrin vetëm nga akademiku Dervish Rozhaja. Veprimtari, mësuesi dhe organizatori Ali Daci, do të bëhej ura lidhëse imja me këtë vend, që më pas do të kthehej në dëshirë të vazhdueshme për mua. Aliu, ishte i vendosur të më conte në Rozhajë. Fillimisht ngurrova për shkak mosnjohjeje, por kur ai së bashku me miq e kolegë të tij, erdhën e më takuan në qytetin ku une punoj e jetoj, në Fier, nuk më kish mbetur gjë tjetër, vecëse të bindesha e t’i lija të bëheshin gati për aktivitetin e paracaktuar.
Nga MAJLINDA RAMA
Aliun e kisha njohur në distancë, por e takoja për herë të parë në Fier. Ishte i qeshur, një e qeshur që vazhdimisht i nxirrte në pah ndjenjat më njerëzore që e karakterizonin. Shpejt më mbushi mendjen se kisha të bëja me një njeri të dashur e serioz në sipërmarrjet e veta por, po ashtu, të mbushur me mirësi e bujari shqiptare. Fliste qartë shqipen dhe njihte mirë historinë e Shqipërisë. Qëndruam pak minuta bashkë, por arritëm të shkëmbejmë mendime e ide për autorë, rryma e sisteme të ndryshme që na mbanin lidhur gjithë trevat shqipfolëse. I përcolla mysafirët me dëshirën për të shkuar në Rozhajë, ku e dija se aty do më priste një mik tanimë, i mirë.
Ishte fundnëntori. Përgjatë një muaji me Aliun do të mbanim kontakte të vazhdueshme, pasi ai po punonte seriozisht me pjesën promocionale të aktivitetit, por në vecanti të personit tim. Kishte ideuar posterin kryesor dhe po merrej me fletëpalosjet për krijimtarinë time letrare. E shihja që cdo ditë, ai me stafin e vet, punonin papushim, por nuk e dija se sa serioze ishin aktivitetet e tyre. Duke qenë vetë organizatore aktivitetesh, e dija fare mirë se cfarë do të thoshte punë, angazhim e përkushim 24 orësh, në shërbim të vetëm një dite, asaj që, ose të nderonte me mysafirët ose mund të dështoje, qoftë edhe për një detaj…
Ishte data 25 nëntor kur u nisëm nga qyteti im së bashku me profesor Nasho Jorgaqin. Ky i fundit me dëshirë kishte pranuar të ishte pjesë e prezantimit të krijimtarisë sime. Ishte i armatosur me informacion mbi botimet e mia, pasi i kishte lexuar thuajse të gjithë librat. Sapo ia kisha thënë si ide, pa hezituar pranoi. E donte Rozhajën edhe për shkak të Dervishit. Kishte patur miqësi të hershme me të, gjë të cilën ma tregoi edhe gjatë udhtëimit tonë për të Rozhajën shqiptare.
Rruga ishte e lodhshme, sidomos për profesorin. Mua, në fakt, më kish befasuar kur pranoi të vinte deri në Rozhajë. Duke patur parasysh moshën e tij, mendova se do e kursente veten nga lëvizjet e largëta. Megjithatë, rrugës, më shumë u ankova unë se isha lodhur, sesa profesori. Na kish porositur Aliu që të kalonim nga Peja dhe ashtu bëmë. Kaluam edhe Pejën dhe hymë në kufirin Kosovë – Mal i Zi. Shenja e parë jo e mirë ishte kontrolli në kufi. Nuk di nëse profesor Nashua u ngjalli dyshime për “aktivitet kriminal”, por policia në anën e Kosovës na “zbërtheu” automjetin me të cilin udhëtonim. I thashë profesorit: “Ka gjasa t’u jemi dukur të dyshimtë, sidomos ti.”. Ne qeshnim për hesapin tonë, ama ata bënin punën e tyre. Unë vazhdoja batutën me profesorin:”Më duket se do na kontrollojnë krejt cfarë kemi me vete!”. Profesori qeshte e herë pas here hidhte kokën nga makina të cilës, gati sa nuk i kishin hequr edhe dyert. Nxitova të pyes njërin: Mos ndoshta u kanë sinjalizuar se jemi kontigjent me rrezikshmëri, libra kemi me vete?! Përgjigja e tij erdhi miqësore këtë herë: Makina të tilla i konsiderojmë si mjete që duhen kontrolluar. Na vjen keq!..Sidoqoftë, kur shpëtuam prej tyre, iu drejtova profesorit: “Së paku, vetëm makinën na kontrolluan”… Ai qeshte me cdo batutë a ngacmim timin e asnjëherë s’ma merrte për të keq.
Pasi “raportuam”e dolëm të pastër nga kjo mesele e kontrolleve në kufi, u nisëm për në destinacion. S’po dinim tani, nëse Rozhaja mezi po na priste neve, apo ne mezi po prisnim t’i shkonim Rozhajës. Megjithatë në mbrëmje vonë, mbërritëm. Nuk dinim ku të shkonim, por dy djemë malazezë që takuam, erdhën me ne e na cuan deri te miku ynë, Aliu. M’u hapën sytë. Kisha udhëtuar anëembanë Europës, por kontrolli i kufirit, këtë herë, më kish vrarë shijen. Sidoqoftë Aliu, ashtu, i dashur e mikpritës, sic është, na e hoqi krejt ngarkesën e udhëtimit. Na coi të akomodohemi në hotel e pastaj na priti të darkonim. E dija që e kishim lodhur gjithë ditën tek na priste të mbërrinim. I kërkova të shkonte të clodhej, por ai asesi nuk pranoi, duke na mbajtur, madje, edhe bisedën përgjatë darkës. Kisha qenë në vendet pranë, si Kosovë e Maqedoni e më kishin pritur me të gjitha nderet, por sec kishte një gjë fisnike tek Aliu. Po më dukej se kisha takuar një të afërm, familjar, që më ngjante, herë si i tillë e herë si i mbrujtur me zakone Tepelene. Më krijoi idenë e familjes, e vatrës së ngrohtë dhe kjo për mua ishte shumë më shumë sesa një aktivitet për krijimtarinë time. U ngritëm nga darka e shkuam të flemë. Me vete mora përshtypjet më të mira që më la ky burrë shqiptar, i cili kish ditur t’i ruante cfarë kish më të shtrenjtë shqiptari, traditën dhe dashurinë e dlirtë njerëzore. Në darkë takuam edhe Ismet Azizin, një burrë, që po ashtu, më dëshmoi elemetët më të mirë të një miku që, më së pari, ruante me fanatizëm cështjen shqiptare. Kisha marrë me veten edhe djalin tim të vogël, Xhemialdon, i cili, po ashtu, u nda i impresionuar nga miqtë vendas.
Të nesërmen, u zgjuam dhe shkuam të hamë mëngjesin. Aliu na priste aty. Na shoqëroi për disa minuta e na informoi se do të na dërgonte dikë në hotel të na merrte rreth orës 11.30. U ndamë. Unë shkova të bëhem gati. Në orën e caktuar, trokiti dera e dhomës sime. Dola ta hap dhe në derë shoh një ndër djemtë bukurosh të asaj zonë, me tipare tipike mesdhetare. Me sytë e qeshur që e karakterizonin, më tha: “Erdha t’ju marrë. Aliu më dërgoi”. Ishim gati. Thirrëm edhe profesor Nashon dhe u nisëm për të qendra e qytetit.
Kur zbrita te sheshi qendror, pashë posterat e mi që kishin pushtuar atë hapësirë shqiptare dhe, të them të drejtën, u emocionova për dy arsye: së pari, sepse këtë pritje madhështore nuk e kisha gjetur në vend tjetër, dhe së dyti, sepse fotografitë e emri im po valviteshin në një tokë që për vite me radhë po luftonte kundër asimilimit të gjuhës e traditave shqiptare. Dhe ishin, pikërisht ky grup njerëzish që kishin ditur si të mbanin të shenjtë shqipen tonë.
Para na doli Aliu me një grup intelektualësh të vendit dhe më pas, na u bashkuan edhe miq të ardhur nga Shkodra e qytete të tjera të Kosovës e Shqipërisë.
Për organizatorët dhe vendasit, kjo ditë kishte shumë kuptime. Në manifestimin “Ora e Maleve”, të cilin prisnim të fillonte, ata përkujtonin të rënët e Rozhajës, nderonin ata emra, që atë tokë e patën të shtrenjtë, duke e shenjtëruar me gjakun e tyre, por edhe shpalosnin vlerat më të mira shqiptare, si për t’u treguar martirëve se amaneti tyre mbahet, se Rozhaja është tokë shqiptare, se brezat e rinj kanë mundësi ta lexojnë historinë e gjakut të tyre, nëpërmjet urave të tilla. Dhe, ura e tillë, në rastin, konkret ishte Ali Daci. Aliu, së bashku me një grup miqsh dhe intelektualësh, edhe pse të paktë në numër, ishin era e ndryshimit në atë vend.
Pasi pimë nga një caj si për të sfiduar edhe të ftohtin, u ngjitëm në godinën ku po hapej ekspozita personale e një grafisteje të re nga Prishtina, Dafina, në mos gaboj, e quanin. Ndërsa ceremonia nisi dhe vazhdonte, unë dhe profesor Nashoja u vendosëm, diku nga fundi i sallës. Si zhurmëtarë që ishim, disa herë e shkëputëm fillin nga aktiviteti për të shkëmbyer ndonjë bisedë nga tonat. Në komunikimin tonë, edhe pse me një distancë të madhe moshe, ka patur përherë një natyrshmëri, që, thuajse cdo kohë shoqërohet me batuta e sens humori. Në fakt, këtë herë s’di, tamam, për cfarë po qeshnim, por mua më ishte kujtuar një shprehje e Faik Konicës, të cilën, po e komentonim, sic bëjmë shpesh bisedat tona në kafe.
Në axhendën e aktiviteteve ishte menduar, si fillim të bëheshin përshendetjet e rastit. Zbritëm në sallën e madhe të kulturës. Sapo hyra brenda pashë një poster super të madh me fotografinë time. Njerëz në sallë nisën të më shihnin sa mua, sa posterin. Tani, një gjë nuk po kuptoja, kush nga ne të dyja ishte me tërheqëse, por me siguri Majlinda e posterit, sepse Aliu ishte kujdesur të përzgjidhte më të mirën.
Zumë vendet dhe ndoqëm për disa minuta përshendetjet e autoriteteve lokale të Rozhajës, por edhe miq e të ftuar të tjerë. Isa Qose, njëri nga regjisorët e mirë të Kosovës, do të prezantohej aty me disa filma me metrazh të shkurtër, të cilët shquheshin për profesionalizëm të lartë realizimi, si ideor, ashtu edhe përmbajtësor e vizual.
Pas kësaj na erdhi radha neve. Organizatori, Ali Daci, u ngjit në skenë dhe na ftoi, mua dhe profesorin të ngjiteshim në tryezën e vendosur për ne. U rehatuam. Pasi u interpretuan dy poezi të miat, Aliu ia dha fjalën profesor Nashos. Ky i fundit, të cilit vërtet po i linte mbresa Rozhaja, nuk harroi të përshëndeste gjithë pjesëmarrësit, duke u përmendur atyre emrin e Dervish Rozhajës, për të cilin, u tha se duhet të ishin krenarë. Pastaj u ndal tek krijimtaria ime, dhe të them të drejtën, u ndjeva mirë nga fjalët vlerësuese të tij. M’u duk sikur më plotësoi kornizën e ngjyrave të asaj dite që, në fakt, ata njerëz ma kishin bërë të ishte e bukur.
Mua nuk më mbetej gjë tjetër, vecse, me përulje, t’u falenderohesha shqiptarëve të Rozhajës që më bënë të ndihem si në shtëpinë time.
Por festa e madhe duket se do të fillonte pas këtyre aktiviteteve. Në ambientet e hotelit ku ishim vendosur për akomodim, ishte shtruar një drekë-darkë që zgjati deri në mëngjes. Edhe aty, Aliu, arriti të realizonte një minispektakël. Cmime e vlerësime e certifikata mirënjohjeje ishin pjesë e kësaj feste, ndërsa profesorin e vlerësuan me Cmim Nderi dhe mua me Cmimin e Lartë “Ora e Maleve”.
Festa, ndërkohë vijonte. Aliu, si i zoti i shtëpisë, shkonte tryezë më tryezë për t’i respektuar nga pak të gjithë, duke trokitur me ta gotat e verës. Edhe kjo më dukej se ishte pjesë e zakoneve të Tepelenës, por s’e thosha se më dukej një egoizëm i kot. Kur ishin larguar një pjesë e mysafirëve që ishin larg, i thashë profesor Nashos të shkonte të pushonte. e dija që ishte lodhur. Profesori u largua. Unë me Xhemialdon u bashkuam në tavolinën e Aliut me miq të tjerë. Gati isha e tulatur, kur në sfod dëgjova muzikë jugu. Ishte një valle pogonishte me të cilën më përshendetën të zotët e shtëpisë, por me të vertetë që më dhanë emocione. U cuam të vallëzonim. Për fatin tim të mirë, në sallë ishin edhe disa vajza e gra nga Shqipëria, me të cilat bëmë një gup të mirë. Tani po më dukej se do “konkurronim” Ansamblin e Shtetit.
Ishte një festë e mrekullueshme. Të nesërmen, Aliu na përcolli. Ika më dashurinë e atij vendi. Nuk isha ndier kaq mirë askund. Njerëz që më donin e më afronin por edhe të rinj e të reja që u shkëlqenin sytë. Gjithcka dukej të ishte në perfeksion. Aty nuk kishte acar. Aty nuk dukej acar. Aty dukej cdo stinë, e pranvertë, sepse zemrat e tyre bujare, ishin të bleruara nga dashuria e madhe dhe e pastër për gjakun e tyre, për dheun e tyre, për fjalën shqipe, për ngjyrat e flamurit. Ata, më mirë se kushdo, ia dinin kuptimin fjalës liri e komb.
Rozhaja, nga një nocion gjeografik, kish marrë tanimë tjetër kuptim për mua. Ajo ishte kthyer në pelegrinazhin e mendimeve e dëshirave për ta takuar sërish, për ta rigjetur atë sofër, ashtu, të ngrohtë. U largova nga Rozhaja, por me vete mora shumë. Mora buzeqeshjet e të rinjve, mora vështrimet e qindra dashamirësve, mora bujarinë e vendit, mora mikëpritjen, respektin e fisnikërine e Aliut, mora bisedat e ngrohta të Safet Hadrovic, shkrimtarit boshnjak, mora trimërinë dhe kurajën e z.Kenan Kurtaga, mora ëmbëlsinë e Xhimit, por, mora edhe sytë e bukur të Agnesa Dacit, me të cilët do shoh përherë drejt Rozhajës…