Radikalizmi në Sanxhak – cilat janë burimet, shkaqet dhe pasojat? Shumëkush në Sanxhak mendon se Beogradi është fajtori kryesor.
“Po çfarë islmisti radikal? Unë çdo ditë blej tek ai vehabisti senduiç, paguaj dhe shkoj. Dhe kurrë nuk kam ndonjë problem. Më besoni, vetëm mediat e Beogradit shohin këtu ekstremistë. Ndërsa ne kemi brenga të tjera”, thotë një banor i moshuar i Novi Pazarit.
Dhe vërtet, në këtë qytet me popullatën më të re në Evropë, nuk shihet diçka e tillë. Këtu shihen femra me veshje të ndryshme dhe të rinj të ndryshëm. Ata thonë se lëvizjet militante nuk u interesojnë fare. Për organizatën radikale „Furkan” ata kanë dëgjuar pas botimit të lajmeve bombastike në media për arrestimin e tyre. Ata më shumë janë të shqetësuar për mungesën e punës sesa për numrin e madh të vehabistëve.
Por studimet i demantojnë. Në studimin e Komitetit të Helsinkut thuhet madje se një e pesta e të rinjve në Sanxhak mendon se feja e tyre duhet të mbrohet edhe me dhunë. Ndërsa çdo i dhjeti mendon se është e justifikueshme që të shkohet edhe në vendet tjera për të mbrojtur fenë islame. „Kjo sjellje është pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike, mungesës së lirisë dhe pavarësisë së njerëzve. Ndaj edhe mund të manipulohen lehtë”, thotë për DW anëtari i fondacionit „Front”, nga Novi Pazari, Semih Duroviq. Ai mendon se edhe shkuarja në shkollat radikale është pasojë e nevojës për përkatësi në ndonjë organizatë dhe kërkesë për identitet.
Në pyetjen: sa njerëz nga Sanxhaku kanë shkuar në vendet tjera për të luftuar, policia serbe nuk ka ndonjë përgjigje. Në informacionet e fundit të Ministrisë së Brendshme thuhet se nga Sanxhaku në luftë ka shkuar vërtet një numër i madh personash – në katër vitet e fundit mbi 50 persona. Mendohet se tetë prej tyre janë vrarë, ndërsa shtatë janë kthyer në Serbi. Autoritetet mendojnë se numri është zvogluar pas miratimit vitin e kaluar të ligjit të ri me të cilin ndalohet organizimi, rekrutimi dhe shkuarja në luftërat jashtë vendit.
Por të gjitha që dihen në opinion, dihen nga mediat, të cilat kanë njoftuar edhe për arrestimet e anëtarëve të organizatës joqeveritare „Furkan”, që akuzohen për përgatitjen e të tjerëve për akte terroriste. Arrestime të ngjashme ka pasur edhe në vitin 2007, por rasti është shpallur sekret i shtetit. Ndaj opinioni kurrë nuk e ka kuptuar nëse është denuar dikush nga vehabistët e këtij grupi.
Nuk ka lidhje me fenë por kriminalitetin
Vehabistët në hapsirën e Sanxhakut janë paraqitur për herë të parë në vitin 1997. Pas vitit 2000 janë krijuar edhe institucione të cilat propagojnë vehabizmin. Grupi për Kriza Ndërkombëtare pohon se në Sanxhak ka rreth 300 simpatizantë të vehabizmit, ndërsa vetëm 50 janë aktivë. Ata njihen për pantallona të shkurta dhe mjekrra të gjata.
Por vet përkatësia në lëvizjen vehabiste nuk do të thotë se kemi të bëjmë me një militant, thonë banorët. “Radikalizmi i tyre ka të bëjë vetëm me fenë dhe dallimet fetare”, thotë Sead Biberoviq, nga organizata „Urban in”. “Të gjithë ata thonë se nuk janë të gatshëm të bëhen terroristë në qytetin tonë”, pohon ai.
Por vet fakti që disa prej tyre kanë shkuar të luftojnë në Siri apo Irak, dëshmon se ata janë të gatshëm edhe për këso gjërat. Imami Bekir Makiq thotë se islamistët nuk ekziston në Kuran dhe se myslimanët po përjetojnë atë që nuk kanë përjetuar kurrë – terrorin. “Kur thuhet terrorizëm islamik, a thua mund të flitet për terrorizëm të krishterë, pas asaj që ndodhi në Norvegji. Jo. Ndaj një gjë e tillë nuk mund t’i mvishet as fesë që si mesazh ka paqën – selam”, thotë Makiq.
Bashkëbiseduesit janë dakord se kjo dukuri ka më shumë të bëj me kriminalitetin. Aktivetetet e tyre varen nga gjendja në vendet ku luftohet. Ata përpiqen që për këto qëllime të mbledhin persona me dosje kriminale, që merren me drogë, tregti të armëve apo vepra të tjera”. Por të parët në shënjestër janë personat e cenuar nga gjendja e rëndë sociale, sepse ata kanë probleme ekzistenciale. Ata më lehtë pranojnë të shkojnë edhe në luftë, për shkak të parave.
Problemet politike
Banorët e Novi Pazarit thonë se një pjesë të fajit kanë edhe liderët politikë, të cilët janë përçarë në vitin 2007. Në këtë mënyrë janë ndarë edhe imamët, xhamitë, hoxhallarët, profesorët e madje edhe familjet dhe farefisi. Atmosfera përçarëse ka shkaktuar krijimin e dhjetëra bashkësive islame dhe organizatave joqeveritare, pohon Bekir Makiq. Ato nuk e kanë denuar kurrë në mënyrë të prerë terrorizmin. Ndaj në kokat e të rinjve është krijuar bindja se rruga më e drejtë është shkuarja në luftë dhe rënia shehit, thotë për DW, Sead Biberoviq.
Imami i dikurshëm, e tani lider politik Muamer Zukorliq është akuzuar shpesh për propagandë terroriste islamike. “Kjo është bërë me qëllim të goditjes së bashkësisë islame”, thotë Zukorliq për DW. “Kur e mbështesni dike për muri, ai duhet të mbrohet, sepse nuk ka zgjidhje tjetër”, thotë ai.
Ndërsa Bekir Makiq mendon se Beogradi do të mund të zgjidhte këto përçarje. Por shumica këtu mendon se pikërisht Beogradi i ka zier, përzier dhe po i dirigjon dhe kontrollon këto zhvillime në Sanxhak. Banorët e atjeshëm janë të mllefosur me satanizimin e Sanxhakut dhe pyesin: ku është shteti që nuk e rregullon këtë gjendje?
“Çdo lajm për incidente këtu do të thotë se Beogradi është një hap më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës”, thotë Biberoviq.
dw