Sanxhaku që sot njihet vetëm me këtë emër, më parë quhej Sanxhaku i Jeni Pazarit ose i Pazarit të Ri. Sanxhaqet ishin njësi administrative të Perandorisë Osmane, fillimisht si nën-ndarje e ejaleteve e më pas e vilajeteve. Puna rrodhi ashtuqë duke qenë Sanxhaku i Jeni Pazarit më i përmendur e më i njohur për shkak të interesimit austriak, filloi të përdorej emërtimi i shkurtë Sanxhak, që ka mbetur edhe sot. Shumëkujt i bën përshtypje përfshirja e Sanxhakut në hartën e Shqipërisë etnike.
Punoi: Genc Kastrati
Sot Sanxhaku zyrtarisht ka një popullësi boshnjake si shumicë, dhe një pakicë të konsiderueshme serbe. Shqiptarët jetojnë vetëm në tri fshatra të rrethinës së Rozhajës, sipas regjistrimit zyrtar. Pra do të japim përgjigje veçmas për këto çështje, se si erdhi deri te humbja e popullësisë shqiptare, apo pse ajo trevë me popullësi boshnjake sot pretendohet nga nacionalistët shqiptarë. Të dhënat rreth përqindjes së popullësisë gjatë shek. XIX janë mjaft kontradiktore dhe konfuze. Arsyet për këtë janë kryesisht shtrirja e Sanxhakut në pjesët margjinale të territorit shqiptar, si dhe prania e popullësisë sllave krahas asaj shqiptare, e sidomos shpërndarja ka qenë e atillë që të krijojë përshtypjen sikur kemi të bëjmë me krahinë sllave, sepse boshnjakët, qofshin këta sllavë apo shqiptarë të posa asimiluar, jetonin në qytetin e Pazarit të Ri, duke qenë kështu më të dukshëm për çdo vizitor të jashtëm, ndërsa shqiptarët duke jetuar në fshatra ishin të izoluar. Nuk mund të trajtojmë këtu çështjen e autoktonisë së shqiptarëve në këtë trevë sepse kjo nuk i përket shekujve XIX dhe XX, kur popullësia shqiptare ishte e stabilizuar në Sanxhak. Por gjurmë të shqiptarëve gjenden në mesjetë dhe në periudhën osmane ndërsa shqiptarë të tjerë kishin ardhur në shekujt XVII – XVIII, nga Malësia, Plava e Gucia, dhe Rugova, kryesisht të fiseve Shkrel e Kelmend por edhe fise tjera.
Gjendja në gjysmën e parë të shek. XIX
Sa i përket përbërjes etnike në Sanxhak shumica e popullësisë ishte shqiptare, ndërsa popullësia sllave ishte pakicë, dhe u përkiste feve dhe kombësive të ndryshme:
– malazezë muslimanë të dëbuar nga Mali i Zi së bashku me shqiptarët nga ana e malazezëve ortodoksë, në ngjarjen e njohur si “Muzgu malazez”;
– boshnjakë të cilët kishin qenë timarlinj në Hungari kur kjo gjendej nën sundimin osman, por pas rënies së Hungarisë nën sundimin krishter, këta u vendosën nëpër Serbi dhe Maqedoni, siç do të shohim më vonë, në Sanxhak këta ishin vendosur vetëm në Novi Pazar dhe atë si një klasë agallarësh-bejlerësh; [1]
– serbë të cilët ishin këtu që nga koha e principatës së Rashkës; këta ishin ortodoksë në pjesën më të madhe, ndërsa një pjesë e tyre ishin edhe muslimanë, prej të cilëve më i spikaturi ishte Mehmet Pasha Sokolloviçi.
Historianët shqiptarë janë të mendimit se në Sanxhakun e Jenipazarit gjatë shek. XIX shqiptarët përbënin gjysmën e popullësisë[2]. Mirëpo popullata shqiptare ishte e përqëndruar më shumë në pjesën juglindore, më afër trojeve shqiptare kështuqë në këtë pjesë ishte shumicë.
Në fillim të shekullit XIX me rastin e kryengritjes serbe të vitit 1804, Maliq Pasha myteselim i Jeni Pazarit, mori pjesë në krye të 1600 trupave në kuadër të ushtrisë osmane në shtypjen e kësaj kryengritjeje. Me këtë rast pashallarët shqiptarë së bashku me trupat osmane mposhtën kryengritësit serbë në trevat e Prijepoljes, Novi Varoshit, Sjenicës dhe Suvodollit.[3] Arsyeja pse pashallarët shqiptarë mbështetën ushtrinë osmane ishte shqetësimi i arsyeshëm se me shembjen e pushtetit osman në rajon, këta pashallarë do të humbnin pushtetin që gëzonin në domenet e tyre. Kështu Maliq Pasha, myteselimi i Jeni Pazarit, pas rënies së Krushevcit në duar të kryengritësve serbë kishte shprehur shqetësimin se këta të fundit mund të depërtonin në Kosovë.[4]
Meqenëse gjatë kësaj kohe Sanxhaku ishte pjesë e Pashallëkut të Bosnës, atëherë ne na interesojnë edhe ngjarjet në kuadër të këtij pashallëku si dhe veprimtaria e boshnjakëve veçanërisht në trevat shqiptaro-veriore. Lëvizja boshnjake kundër reformave turke u ndez në kohën kur lëvizja shqiptare praktikisht u shua. Kështu, në qershor të vitit 1831 ushtria boshnjake e Hysein Pashë Gradashqeviçit, e përbërë prej 20.000 trupash u stacionua në Jeni Pazar. Qëllimi i tyre ishte t’i dilnin në pritë ushtrisë osmane për të mbrojtur Bosnën nga ekspeditat ndëshkuese.[5] Ata në betejën që zhvilluan në Lipjan të ndihmuar edhe nga Mahmut Pashë Rrotlla dhe pashallarë tjerë të Kosovës, shkatërruan krejtësisht ushtrinë osmane.[6] Por pas dorëzimit të Mustafa Pashë Bushatliut, pashallarët e Kosovës kaluan në anën e pushtetit osman, dhe u bënë kontribuesit kryesorë në fitoren e ushtrisë osmane ndaj kryengritësve boshnjakë te Prijepolja.[7]
Gjatë viteve ‘30 shqiptarët e Sanxhakut u treguan aktivë në kryengritjet kundër Tanzimatit. Kjo ndodhte pikërisht atëherë kur kryengritjet ishin përhapur në tërë trevat veriore shqiptare: Kosovë, Rrafsh i Dukagjinit, dhe Dibër. Kështu në vjeshtën e vitit 1836 popullsia shqiptare e krahinave të Bihorit e të Tërgovishtës nuk pranoi të regjistroheshin ushtarët rezervistë.[8]
Udhëpërshkrimi i Hilferdingut
Aleksandër Hilferdingu (1831-1872) ishte një shkencëtar, politikan dhe ideolog rus. I emëruar edhe si ministër i punëve të jashtme të Rusisë, ai më së shumti u mor me çështje ballkanike. Në vitin 1858 ai ndërmori një udhëtim nëpër Bosne, Hercegovinë, Sanxhak dhe Kosovë, dhe nga të dhënat që mori, përgatiti një udhëpërshkrim me titull “Udhëtimi nëpër Hercegovinë, Bosne dhe Serbi të Vjetër”.[9] Autori përshkruan qytete të ndryshme të Sanxhakut dhe praninë e shqiptarëve në këtë rajon. Për qytetin e Sjenicës shkruan se ka 300 shtëpi muslimane dhe vetëm katër shtëpi kristiane, ndërsa në fushën pranë Sjenicës gjysma e popullësisë janë shqiptarë muslimanë dhe gjysma tjetër ortodoksë. Qytetarët e Sjenicës veshin kostume popullore shqiptare si në veri të Shqipërisë: tirq të ngushtë, xhamadanë me mëngë të gjata prej zhguni dhe me gajtanë të zinj, ndërsa ata më të pasurit veshin fustanellet e Shqipërisë së jugut, dhe fesa të kuq me tufa të murrme. Shqiptarët e Sjenicës të gjithë e njihnin serbishten ndërsa shumë prej tyre e kishin harruar shqipen fare. Për Novi Pazarin në fillim nuk flet shumë, por ndalet tek përshkrimi i manastirit mesjetar të Sopoçanit. Sipas autorit rreth Sopoçanit jetojnë muslimanët shqiptarë “të vrazhdë” siç i quan ai, ndërsa të krishterë ka fare pak. Fshatrat e rrethinës së Novi Pazarit banoheshin nga shqiptarët, të cilët ndërtonin shtëpi të vogla të mbuluara me kashtë, dhe të tilla i ndërtonin edhe më të pasurit, sepse për ngatërresën më të vogël ia digjnin shtëpinë shoqishojt. Poashtu në këto treva në luginën e lumit Joshanicë kishte parë një han të madh të një shqiptari, ndërsa ndër fshatrat shqiptare në luginën e Ibrit përmend Ribariçin dhe Çmanjkën.[10] Më pas autori shkruan edhe njëherë për Novi Pazarin kur ishte në rrugën e kthimit. Në rrethinën e Novi Pazarit jetojnë vetëm shqiptarët muslimanë. Në fshatin Pope është një kishë e vogël, e afër saj është fshati Gjonli i banuar nga shqiptarët. Kolashini ka 850 shtëpi nga të cilat 500 muslimane dhe 350 ortodokse. Në Prijepolje ka 4000 banorë nga të cilët vetëm 350 janë ortodoksë, më pas Plevla të cilën turqit e quajnë Taslixhe,[11] i ka 6000 banorë prej tyre vetëm 1000 janë ortodoksë, e të tjerët muslimanë.
Hilferdingu pra u kishte rënë dy herë viseve të Sanxhakut, njëherë nga Sarajeva në Kosovë, e herën tjetër duke u kthyer. Ai tregon se mes Sanxhakut dhe Bosnës gjendet regjioni malor Stari Vllah, i pasur me kullota dhe rrafshnalta të gjera. Më pas flet për fushën e Sjenicës: “Kjo është e gjatë 6 orë rrugë. Në fushën e Sjenicës fillojnë vendbanimet shqiptare. Nëse këndej Stari Vllahit e takoni muslimanin duhet të jeni të sigurtë se ky është shqiptar ose me prejardhje shqiptare. Nëqoftëse jua tregojnë një ortodoks duhet të dini se ai është sllav. Pas Stari Vllahit, do të thotë këtej kufirit të Bosnjes, nuk ka sllavë që kanë pranuar islamizmin, përveç një numri të vogël qytetarësh në Novi Pazar. E njëjta gjë është edhe në Serbinë e Vjetër (d.m.th. në pashallëkun e Prizrenit) dhe në principatën e Serbisë. Përjashtimet janë aq të rralla sa që ato, në krahasim me numrin shumë të madh të sllavëve muslimanë në Bosnje, nuk kanë kurrëfarë domethënie.[12]
Nga të dhënat e Hilferdingut konkludojmë se në shek. XIX Sanxhaku kishte popullësi shumicë shqiptare; se shqiptarët kishin hyrë në procesin e sllavizimit dhe shkombtarizimit duke zëvendësuar shqipen me gjuhën sllave; se muslimanët e Sanxhakut ishin shqiptarë ose me prejardhje shqiptare; ndërsa përjashtimet e rralla që i përmend në fund për mendimin tonë duhet të jenë ata pak boshnjakë të ikur nga Hungaria ose malazezë muslimanë të strehuar në këto treva.
Pjesëmarrja në Lidhjen e Prizrenit
Gjatë krizës së madhe lindore, më 1875-1878, Sanxhaku mori rëndësi të madhe në skenën politike, sepse ngjalli interesimin e Austrohungarisë. Kjo e fundit donte të përdorte Sanxhakun edhe për të mbajtur të ndarë Serbinë e Malin e Zi, edhe si një korridor për t’u futur më vonë në tokat shqiptare dhe për të dalë në Detin Egje. Gjithashtu Sanxhaku pretendohej nga serbët të cilët atë sikurse edhe Kosovën e quanin Serbia e Vjetër.[13]
Në radhë të parë shqiptarët e Sanxhakut kundërshtuan vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, i cili kërcënonte trojet shqiptare e bashkë me to edhe Sanxhakun i cili parashihej që t’u ndahej Serbisë dhe Malit të Zi. Me këtë rast përfaqësuesit e Sjenicës, Jeni Pazarit dhe Novi Varoshit, i dërgojnë një letër proteste përfaqësuesit francez në Stamboll në të cilën thuhet: “Me habi kemi lexuar se, sipas Traktatit të Shën Stefanit, shumë lokalitete të vendit tonë duhet të bëhen pjesë të Malit të Zi e të Serbisë dhe disa të tjera të Bullgarisë. Mirëpo më shumë se gjysma e banorëve të rrethit tonë janë muslimanë, dhe pjesa tjetër, bashkatdhetarët tanë të krishterë janë grekë nga feja (ortodoksë-MR) dhe flasin shqip. Prandaj ne nuk kemi as nga gjuha as nga raca (kombësia-MR), as nga besimi asnjë afri me sllavët”.[14] Kjo letër ka rëndësi jo vetëm për atë se tregon që kundërshtimin e popullësisë ndaj aneksimit të Sanxhakut Serbisë dhe Malit të Zi, por edhe faktin se përveç muslimanëve, edhe një pjesë e ortodoksëve mund të kenë qenë shqiptarë.
Në Kongresin e Berlinit, Austrohungaria mori të drejtën e okupimit dhe administrimit të Bosnës, mirëpo në Sanxhak vetëm vendosi trupa ushtarake duke e mbajtur nën okupim, ndërsa administrimin ia la Perandorisë Osmane. Siç thuhet në artikullin XXV të Traktatit të Berlinit të nënshkruar më 13 korrik 1878: “Pushteti i Austro-Hungarisë, nuk dëshiron të marrë përsipër administrimin e Sanxhakut të Jeni Pazarit, i cili shtrihej në mes të Serbisë dhe Malit të Zi në juglindje të anës tjetër të Mitrovicës, ku administrata osmane do të vazhdojë t’i kryejë funksionet e veta.[15]
Por Austro-Hungaria nuk e kishte vendosur menjëherë pushtetin në Sanxhak. Një dokument anglez i datës 22 tetor 1878 tregon që trupat shqiptare ishin grumbulluar në Jeni Pazar dhe qytete tjera të Sanxhakut, me qëllim që nëse vijnë austriakët, të luftojnë kundër tyre në mbrojtje të Sanxhakut.[16]
Për pjesëmarrjen e shqiptarëve të Sanxhakut më shumë të dhëna gjejmë tek dokumentet osmane e më pak tek ato në gjuhë tjera. Me rastin e miratimit të dekretligjit të Lidhjes së Prizrenit për formimin dhe organizimin e ushtrisë shqiptare përfaqësues të Sanxhakut në këtë mbledhje ishin
- Aliu, delegat i kazasë së Jeni Pazarit
- Ejubi, delegat i kazasë së Jeni Pazarit
- Mustafa, delegat i kazasë së Sjenicës
- Një emër që nuk lexohet, nga Sjenica
- Mehmet Nuredini, delegat i Tashlixhes[17]
Lidhja e Prizrenit mori edhe disa vendime të cilat i hartoi Komiteti i Stambollit ku me rëndësi është pika 6 ku është kërkuar që Vilajeti shqiptar të ketë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare dhe si gjuhë të arsimimit:
– Vilajeti (Shqiptar), ndonëse korrespodencën, lajmërimet telegrafike dhe bisedimet, do t’i bëjë me Portën e Lartë në gjuhën zyrtare osmane, ndërsa gjuhën shqipe do t’a përdorë dhe zbatojë në gjykata, në mbledhje, konsultime, shkolla e progjimnaze, që gjenden në viset e Arnautllukut, dhe në ato që më vonë do të themelohen…[18]
Kjo nënkupton se po të realizohej kjo gjë, edhe Sanxhaku i Jeni Pazarit do të kishte shkollat shqipe dhe administratën në gjuhën shqipe.
Kemi një dëshmi të kohës që Sanxhaku i Jeni Pazarit konsiderohej tokë shqiptare apo si quhej me atë rast Arnavutlluk. Kjo dëshmi vjen nga një procesverbal i degës së Lidhjes në Dibër, në lidhje me vendimet e Lidhjes së Prizrenit të miratuara nga kjo degë. Aty në hyrje të shkrimit thuhet:
“Sikurse dihet, është e tepërt të shpjegohet që Arnavutlluk quhen shumica e viseve që përfshihen brenda sanxhaqeve të Shkodrës, Jeni Pazarit, Prishtinës, Prizrenit, Shkupit, Manastirit, Dibrës, Beratit, Gjirokastrës, Prevezës dhe Janinës, kurse popullësia e tyre përbëhet prej afro dy milionë banorë. Këta banorë gati të gjithë e flasin një gjuhë dhe dy të tretat i takojnë fesë islame e një e treta atyre orthodokse dhe katolike.”[19]
Në një letër që valiu i Manastirit i dërgon Kryeministrisë, informon këtë të fundit se janë zgjedhur 31 përfaqësues në Komitetin Qendror të Lidhjes së Prizrenit; përfaqësues të Jeni Pazarit ishin Muftiu dhe Ademi. Secili përfaqësues kishte me vete nga katër ndihmës.[20]
Në një telegram të vilajetit të Kosovës dërguar kryeministrisë, dëshmohet se Tashlixha apo siç quhet sot Plevla, si dhe Jeni Pazari kishin degë dhe këshilla të Lidhjes. Më tej shkruan se përfaqësuesit janë zgjedhur nga paria e çdo fisi dhe kombësie. Më poshtë jepen emrat e kryetarëve të degëve të Lidhjes nga Sanxhaku:
– nga Jeni Pazari është Ejub Beu
– nga Sjenica, Abdi Aga dhe Osman Efendiu
– nga paria e bejlerëve të Akovës apo Bjellopojës, Hamza Beu Qoroviqi
– dhe nga Tërgovishte apo Rozhaja, Haxhi Abdullah Aga[21]
Nga këto figura, siç e dëshmojnë vetë mbiemrat e tyre, vetëm delegati nga Akova është boshnjak, kurse të tjerët janë shqiptarë. Në fund thuhet se këto degë nuk veprojnë krye më vete por marrin urdhëra nga Organizata Qendrore e Lidhjes së Prizrenit.[22]
Në një raport të vilajetit të Kosovës dërguar kryeministrisë më datën 17 janar 1881, tregohet gjerësisht për marrjen e Prishtinës dhe qyteteve tjera nga forcat e Lidhjes. Nga kjo po shkëpusim një pjesë të dialogut mes zyrtarëve të vilajetit dhe kryeministrisë:
“PYETJE: Këta shqiptarë që thonë se nesër përfundon afati i besës, çfarë bese është ajo, dhe kur të vijnë në qytet, çka do të bëjnë aty? Ç’flitet për numrin e tyre se janë dhjetë mijë veta, këta duhet të jenë prej çdo ane. Prej cila kazave vijnë?
PËRGJIGJE: Po, dhjetë mijë veta janë, edhe një mijë janë duke ardhur për ta përforcuar besën, dhe nesër në mbrëmje do të përfundojë. Besa e tyre është dhënë se patjetër duhet hyrë në qytet. Këta janë: nga Gjakova, Peja, Prizreni, Shkupi, Jeni Pazari, Sjenica, Plevla (Taslice), dhe Berana. Përveç këtyre janë mbledhur edhe nga shumë kaza dhe fshatra të tjera. Komandanti i tyre është Sulejman Vokshi Prezren.”[23]
Dokumenti dëshmon pjesëmarrjen e barabartë të shqiptarëve të Sanxhakut me shqiptarët e tjerë në veprimtarinë e Lidhjes së Prizrenit, dhe kontributin e tyre në çlirimin e Prishtinës në atë kohë nga pushtuesit osmanë.
Në një letër tjetër që kryeministria i dërgon dy vartësve të pushtetit osman më datën 21 janar 1881, i udhëzon se si ta largojnë popullësinë shqiptare nga idetë autonomiste. Kryeministria propozon që popullësisë t’i flasë Shejh Efendiu për të cilin mendohet se ka qenë Sheh Mustafa Tetova si dhe Muftiu i Tashlixhes, që t’i largojnë nga idetë autonomiste.[24] Këtu na dalin në pah dy gjëra, që Muftiu i Tashlixhes paska qenë pro-osman, dhe se ka pasur autoritet në mesin e shqiptarëve, ndaj është propozuar si njëri ndër ata që duhet t’u flasin shqiptarëve.
Në fillim të marsit kur autoritetet osmane po synonin të transferonin qendrën e vilajetit të Kosovës nga Prishtina në Prizren, shqiptarët ishin acaruar shumë, dhe zyrtarët e vilajetit kërkonin nga kryeministria që të hiqnin dorë nga kjo masë, që të mos e tensiononin gjendjen më tej. Në telegramin që zyrtarët lokalë i dërgojnë kryeministrisë, thuhet: “popullësitë e Prishtinës, Jeni Pazarit, Tashlixhes dhe Shkupit, për këtë gjë janë shqetësuar”,[25] duke përmendur kështu shprehimisht se popullësia e Sanxhakut ishte e interesuar për problemet aktuale në tërë vilajetin dhe jo vetëm në rrethinën e vet.
Në një shkresë tjetër të po atij viti, thuhet “Në tërë Vilajetin mbretëron tollovia, gjë që bëhet nga ana e Lidhjes me qëllim për ta fituar autonominë”. [26]
Sanxhaku gjatë kësaj kohe u dallua edhe në një drejtim tjetër: aty, përkatësisht në Jeni Pazar ishin strehuar muhaxhirë shqiptarë nga trevat që i pushtoi Serbia[27], pra nga Toplica e Nishi, numri i të cilëve, të vendosur në këtë trevë, arrinte në 10 mijë.[28]
Delegatë nga Jeni Pazari morën pjesë edhe në Kuvendin e Prevezës (11 janar 1879), ku u vendos që “të mobilizohen, me shpenzimet e Lidhjes, të gjithë shqiptarët e aftë për luftë” për të mbrojtur Epirin nga pushtimi grek.[29]
Gjatë mbrojtjes së Plavës e Gucisë më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndërmorën dy sulme në verilindje të Malit të Zi, nga ana e sanxhakut të Novi Pazarit. Kjo taktikë dha fryte sepse me këtë rast shqiptarët korrën fitore në Velikë e Pepaj të cilat lanë përshtypje të thellë në opinionin ndërkombëtar.[30]
Por në fund të shkurtit 1881 kur qeveria e përkohshme shtriu pushtetin e vet në katër sanxhakë të vilajetit të Kosovës, në atë të Prizrenit, të Pejës, të Shkupit e të Prishtinës, nuk arriti t’a bëjë këtë edhe në Sanxhakun e Jeni Pazarit,[31] që tanimë ishte nën okupimin austriak, gjendje kjo që vazhdoi gjer më 1908.
Fillimi i shekullit XX
Që nga okupimi austro-hungarez e gjer më 1908 kur iu kthye Perandorisë Osmane, Sanxhaku nuk u dallua për ndonjë trazirë, përkundrazi gjendja ishte e qetë ashtu siç ndodhte në tërë Evropën. Përjashtim bën pjesëmarrja e shqiptarëve të Novi Pazarit, në lëvizjen shqiptare kundër reformave për Maqedoni në vitet 1903-1904. Këta hynë në lidhje me shqiptarët e Mitrovicës, Vuçitërrnës, Prishtinës dhe Gjilanit, në mënyrë që të vendosnin një qëndrim të përbashkët ndaj reformave. Ndonëse këto kryengritje u shtypën, shqiptarët arritën fillimisht të impononin qëndrimet e tyre në agjendën ndërkombëtare. Në janar të vitit 1904 Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar, shqyrtoi mundësinë e formimit të një sanxhaku shqiptar në vilajetin e Kosovës, që do të përfshinte të gjitha trevat shqiptare, dhe do të përjashtohej nga reformat për Maqedoni. Ky sanxhak parashihej që të përfshinte edhe rrethet e Novi Pazarit dhe Plevles.[32]
Për strukturën etnike të Sanxhakut në këtë kohë mund të dimë pjesërisht duke shikuar numrin e përfaqësuesve të popullësisë në parlamentin e Vilajetit të Kosovës. Duke mos i përmendur këtu rajonet tjera por vetëm rrethet e Sanxhakut të sotëm, struktura është si vijon:
Jeni Pazari: 13 shqiptarë – 8 serbë
Sjenica: 10 shqiptarë – 4 serbë
Nova Varoshi: 1 shqiptar – 4 serbë
Belo Polja: 10 shqiptarë – 1 serb
Plevla: 17 shqiptarë – 14 serbë
Prijepolje: 4 shqiptarë – 7 serbë[33]
Nga të dhënat e mësipërme mund të vimë në një konkluzion për strukturën e përafërt të popullësisë në Sanxhak. Numri i shqiptarëve ishte diku më shumë se gjysma e popullësisë.
Pas vitit 1912 me shpalljen e pavarësisë, trojet shqiptare u cunguan.[34] Sikurse shumë troje shqiptare, edhe Sanxhaku mbeti nën pushtimin serb.
Pas luftës së parë botërore Sanxhaku iu aneksua Mbretërisë SKS, që më vonë merr emrin Jugosllavi.[35] Në këtë kohë në Jugosllavi shqiptarët dhe muslimanët ishin të shtypur, prandaj në dhjetor më 1919 në Shkup u themelua partia “Xhemijeti”, që mbronte të drejtat e dy grupacioneve etnike. Kryetar i partisë u zgjodh Ferat Draga[36], një shqiptar nga viset e Peshterrit të Sanxhakut, i biri i Ali Pashë Dragës.[37] Xhemijeti fillimisht kishte disa nisma për të mbrojtur të drejtat e ish-çifligarëve osmanë, por shumë shpejt kaloi në mbrojtje të popullësisë shqiptare, duke kërkuar më shumë të drejta, duke dënuar dhunën e terrorin mbi shqiptarët, shpërnguljet e dhunshme dhe kolonizimin serb.[38] Vëllai i Ferat Dragës, Nexhibi me veprimtarinë e tij në kuadër të Xhemijetit kishte synim të bashkonte Maqedoninë, Kosovën dhe Sanxhakun me shtetin e atëhershëm shqiptar.[39]
Epika kreshnike e Sanxhakut
Në Sanxhak deri më tani është botuar vetëm epika e ruajtur në sllavisht. Atë e ka mbledhur studiuesi amerikan Milman Perry gjatë viteve 1933-1935, ndërsa kolegu i tij Albert Bates Lord mblodhi këngë të tjera më 1951. Sanxhaku nuk ka rapsodë boshnjakë, të gjithë janë shqiptarë; të njëjtit rapsodë kanë kënduar në dy gjuhët.[40] Këngët shqipe janë mbledhur nga Lordi por nuk kanë gjetur ende dritën e botimit. Milman Perry përmend me radhë lahutarët dhe biografitë e tyre bashkë me detaje të rëndësishme nga jeta e tyre. Lahutari më i shquar ishte Salih Ugljanin, i cili kishte filluar të këndojë shqip me lahutë që në moshën dymbëdhjetëvjeçe. Në moshën tridhjetë vjeçare, merr gruan e dytë që ishte boshnjake nga Kolashini, dhe vetëm tani mëson sllavishten dhe fillon t’ë këndojë këngë boshnjake me lahutë.[41] Rapsodi tjetër Xhemal Zogiq, ishte martuar me dy gra boshnjake në Novi Pazar ku edhe punonte si kafexhi. Ai tregon se si po asimiloheshin: “Pleqtë tonë flasin shqip, se pastaj ne u martuam me këto të këtushmet që janë vendase nga Kolashini, prej këtyre dhe flasim bosnisht. Dhe fëmijët flasin bosnisht. Vetëm nëna dhe babai, ata më kanë folur në gjuhën shqipe.” Kur Parry e pyet Xhemalin se në cilën gjuhë i pëlqen më shumë kënga ai përgjigjet: “Epo tani unë s’e di. Mua më tërheq filli nga gjuha shqipe”. Xhemali me dhembje ndahet nga gjuha dhe epika shqiptare: “Më lusin boshnjakët që t’u këndojë në gjuhën e tyre, hajde pra na këndo ca në bosnisht, kërkojnë”. Rapsodi tjetër Sulejman Nakiqi bujk analfabet, nga fshati Rasno i Sjenicës, shqipen e di shumë mirë, por këndon vetëm në gjuhën boshnjake sepse në fshatin e tij nuk këndohet shqip. Rapsodi tjetër ishte Sulejman Fotiqi, nga rrethina e Tutinit, punonte si kamarier në Novi Pazar. Rapsodi i pestë ishte Ali Fjulanini, i cili ishte bilinguist por në fshatin e tij Leskovë, shqipja ishte harruar.[42] Rapsodët që i kishte intervistuar Lordi ishin nga krahina shqiptare e Peshterit por me banim në Novi Pazar. Këta rapsodë i kishin këngët të mësuara në mënyrë popullore, pra me trashëgim nga të parët, apo duke i mësuar nga rapsodë të tjerë të rrethit të tyre, ndryshe nga këngëtarët e Bosnës e Hercegovinës, të cilët në këtë kohë i kishin mësuar këngët nga librat e pastaj i këndonin.[43]
Një element tjetër me rëndësi, janë barbarizmat shqipe në epikën sllave të Sanxhakut si p.sh. fis nga fjala shqipe fis, fisan që do të thotë i fisëm, betimiti nga fjala betohem, shpotovati nga shpotis, jedem hleba nga ha bukë, samshesti nga vet i gjashti, etj. Këto shprehje gjenden vetëm në Sanxhak, ndërsa nuk gjenden në asnjë rajon tjetër sllav.[44]
Rapsodi Xhemal Zogiqi dëshmon se në trevat e Sanxhakut këngë shqipe këndoheshin me të madhe. Ato këndoheshin me lahutë, për Mujën e Halilin, në rastet kur kishte gëzime, dasma, e festa.[45]
Me sa u argumentua deri më tani, epika shqiptare u bart nga shqiptarët tek boshnjakët me anë të rapsodëve bilinguistë, që flisnin dhe këndonin në dy gjuhët. Epika u sllavizua tok me shqiptarët që banonin aty në Sanxhak. Shihet gjithashtu se martesat e përziera në kushtet e analfabetizmit kanë ndikuar në asimilimin e shqiptarëve.
Lufta e Dytë Botërore
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Sanxhaku u nda mes tri shteteve. Nën tutelën fashiste u krijua Shqipëria e Madhe, në të cilën u përfshinë Rozhaja dhe Tutini. Për këta të fundit ky ishte çlirim, sepse gjendeshin nën sundimin e shtetit kombëtar. Nën pushtimin gjerman mbeti Novi Pazari, ndërsa pjesët veriperëndimore të Sanxhakut u futën nën administrimin e Mbretërisë Malazeze që ishte një shtet kukull nën pushtetin faktik italian.[46]
Një humbje e rëndë për popullësinë shqiptare në Sanxhak ishte Masakra e Bihorit. Më 5 dhe 6 janar të vitit 1943, forcat çetnike serbo-malazeze të ndihmuara nga forcat italiane fashiste, rrafshuan me tokë 82 fshatra shqiptare të Bihorit, që është në afërsi të Bellopojës dhe Beranës. U masakruan mbi 4600 banorë shqiptarë, u morën qindra robër, ndërsa 15.000 banorë shqiptarë u dëbuan përgjithëmonë nga vendi. Mbretëria shqiptare dërgoi një komision i cili vërtetoi masakrat e kryera mbi popullësinë shqiptare.[47] Sot e kësaj dite Bihori nuk ka më asnjë shqiptar të vetëm.
Më pas me direktivat e Drazha Mihajlloviçit, çetnikët filluan të bëjnë inkursione nëpër vise shqiptare duke përfshirë dhe Sanxhakun.[48] Për shkak të këtyre sulmeve çetnike u organizua popullësia shqiptare në Sanxhak nën udhëheqjen e Aqif Blytës një atdhetar shqiptar nga Novi Pazari,[49] dhe popullësia e rrethit të Drenicës e udhëhequr nga Shaban Polluzha, Sulejman Shkoza dhe prijës tjerë, të cilët që nga muaji mars 1943 u gjendën në Sanxhak, duke mbrojtur popullësinë shqiptare dhe muslimane të asaj treve. Ushtarët shqiptarë atje dëshmuan për terror të paparë të çetnikëve. Ata kishin vrarë e masakruar, fëmijë e gra shtatzëna. Mbrojtja e Sanxhakut rezultoi e suksesshme në këtë kohë, dhe popullësia vendëse ndihej e sigurtë vetëm me praninë e luftëtarëve shqiptarë në atë trevë. Mbi njëqind shqiptarë nga Kosova u vranë në mbrojtje të kësaj treve nga çetnikët. Më pas ndërhyn ushtria gjermane me arsyetimin se shqiptarët kanë hyrë në territor gjerman, dhe vendos sërish rendin.[50]
Forcat jugosllave ripushtuan Sanxhakun me ndihmën e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë gjatë dimrit të viteve 1944-1945. Divizionet V dhe VI të kësaj ushtrie luftuan në Mal të Zi, Sanxhak dhe Bosne.[51]
Periudha e komunizmit
Gjatë periudhës komuniste Sanxhaku mbeti ekonomikisht mjaft i pazhvilluar. Kishte gjithsej dy fabrika tekstili një në Prijepole që prodhonte tenda ushtarake, dhe një në Novi Pazar që prodhonte rroba. Kishte dhe ca xeherore, fabrikën e automobilave “FAP” në Priboj, dhe ca fabrika tjera jo shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Nga urbanizimi përfituan pothuajse vetëm serbët; serbët ishin ata që vendoseshin në qytet dhe siguronin vende pune pa problem.[52]
Gjatë kësaj kohe së bashku me dëbimin e shumë shqiptarëve nga Kosova, u prek edhe Sanxhaku. Në vitin 1960 u dëbuan 30 mijë banorë të fesë muslimane nga Novi Pazari për në Turqi. Kjo ishte shpërngulja e fundit e këtij lloji.[53]
Periudha e komunizmit ishte periudhë e asimilimit më intensiv të shqiptarëve në sllavë. Kjo shihet në regjistrimin e vitit 1948 ku mbi 90% e popullësisë ishin regjistruar si serbë ose malazezë, dhe në regjistrimin e vitit 1953 ku sërish serbët e malazezët ishin shumicë dërmuese, një pjesë e vogël ishin regjistruar si turq ose jugosllavë, kurse shqiptarët nuk figurojnë askund.[54]
Më vonë popullësia muslimane deri në vitet ’90 u quajt “muslimane” në kuptimin etnik, ndërsa nga vitet e ’90 gjithnjë e më shumë quhen “boshnjakë”.[55]
Megjithatë gjuha shqipe nuk është shuar tërësisht dhe jo aq shpejt sa mund të pandehet. Gazeta beogradase Svet, akuzonte muslimanët e Sanxhakut se po bashkëpunojnë me shqiptarët e Kosovës për të formuar Shqipërinë e Madhe, e quante Sanxhakun “Kosovë e dytë”, dhe poashtu i akuzonte se nëpër shkollat islamike në vend të gjuhës sllave po ligjëronin në shqip.[56]
Dy autorë letrarë nga Sanxhaku
Hivzi Sulejmani
Hivzi Sulejmani u lind në fshatin Mojstir të rrethit të Tutinit, më 1910. Ai jetoi pak në Mitrovicë, e më pas u vendos përfundimisht në Prishtinë. Kreu Medresenë në Shkup, dhe më pas fakultetin Teknik në Beograd. Vdiq në Prishtinë më 1975. Ai kontriboi në letërsinë shqipe me shumë vepra letrare ndër të cilat mund të veçojmë romanet “Njerëzit” dhe “Fëmijët e lumit tim”, si dhe poezia “Plagë shpirti”.[57] Sot fshati i tij sipas regjistrimit zyrtar ka 99% popullësi boshnjake, gjë që tregon për asimilimin e kryer në këtë fshat gjatë periudhës komuniste.[58]
Ali Daci
Ali Daci u lind në fshatin Dacaj të Rozhajës më 1959. Ai studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, dhe zhvilloi veprimtari poetike. Përveç kësaj në bashkëpunim me gazetat dhe shtypin shqiptar në ish-Jugosllavi ai vazhdimisht ka botuar publikime që flasin për gjendjen e shqiptarëve në Sanxhak, dhe për veprimtarinë e figurave kombëtare nga Sanxhaku si Aqif Blyta, Jakup Kombi, Xhemail Konica, Osman Rastoderi, etj. Ali Daci jeton dhe vepron ende në fshatin e tij, në Malësinë e Rozhajës.[59]
Konkluzion
Nga elaborimi i mësipërm mund të nxirren ca konkluzione sa i përket historisë së shqiptarëve në Sanxhakun e Novi Pazarit dhe Sjenicës. Në Sanxhak në shek. XIX dominonte popullësia shqiptare e cila gjatë gjithë kohës u tregua me pikëpamje atdhetare dhe kontriboi e sakrifikoi për kombin dhe atdheun. Nga ana tjetër, mungesa e shkollave shqipe, martesat me popullësinë boshnjake, masakrat dhe dëbimet, asimilimi i dhunshëm nga Jugosllavia ndikuan në ndërrimin e strukturës etnike në këtë trevë, ashtuqë shqiptarët kanë mbetur në vetëm dy-tri fshatra. Prandaj përfshirja e Sanxhakut në hartën e Shqipërisë Natyrale ka një bazë të fuqishme historike.
Literatura:
- Georges Castellan: “Histori e Ballkanit (shekulli XIV-XX)”, shtëpia botuese “Çabej”, Tiranë, 1991,
- Grup autorësh: Historia e popullit shqiptar IV, Botime Toena,
- Mark Krasniqi: “Gjurmë e gjurmime”, Prishtinë, 1979,
- Islam Dobra: “Lufta e Drenicës, 1941-1945 dhe NDSH deri 1947”, Prishtinë, 1997,
- Skender Rizaj: “Lidhja shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze”, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1978,
- Iljaz Rexha: “Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane”, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1978
- Bujar Dugolli: “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe, 1878-1912”, Prishtinë, 2011,
- Grup autorësh: Historia e Popullit shqiptar, Prishtinë, 1958,
- Veiz Sejko: “Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptaro-arbëreshe dhe serbokroate”, shtëpia botuese “Bargjini”, Tiranë
- Marjan Prenkaj: “Prejardhja e familjes së Rrotllajve, dhe roli i saj në Pashallëkun e Prizrenit (1795-1836)”, në revistën shkencore “Kosova” nr. 15, Instituti i Historisë së Kosovës, Prishtinë, 1986
- Masar Rizvanolli, “Qëndrimi i Francës ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe misionit të Mehmet Ali Pashës më 1878, Buletin i Fakultetit Filozofik, XXIV/1994, Prishtinë, 1996
Libra nga “Google Books”:
- Katarzyna Górak-Sosnowska, “Muslims in Poland and Eastern Europe: Widening the European Discourse on Islam”,
- Barbara Jelavich, “History of the Balkans”,
- Hugh Poulton, Suha, “Muslim Identity and the Balkan State”,
- Tim Judah, “Kosovo: What Everyone Needs to KnowRG”,
- Munevera Hadžišehović, “A Muslim Woman in Tito’s Yugoslavia”,
Faqe tjera interneti:
- http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/9/90/Map_of_Albania_during_WWII.png
- http://www.bosnjaci.net/prilog.php?pid=54803&GENOCID_U_BIHORSKOJ_KRAJINI
- http://shenja.mk/index.php/kulture/histori/7729-aqif-blyta-patrioti-shqiptar-nga-sanxhaku.html
- http://en.wikipedia.org/wiki/Demographics_of_Sand%C5%BEak
- http://historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_2.php
- http://historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_3.php
- http://historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_5.php
- http://historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_8.php
- http://sq.wikipedia.org/wiki/Xhemijeti
- http://sq.wikipedia.org/wiki/Ferat_Draga
[1]Georges Castellan, “Histori e Ballkanit (shekulli XIV-XX)”, shtëpia botuese “Çabej”, Tiranë, 1991, fq 222
[2]http://historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_2.php – «në atë të Novi Pazarit shqiptarët përbënin gjysmën e popullsisë»
[3] Mr. Marjan Prenkaj, Prejardhja e familjes së Rrotllajve, dhe roli i saj në Pashallëkun e Prizrenit (1795-1836), revista shkencore “Kosova” nr. 15, Instituti i Historisë së Kosovës, Prishtinë, 1986, fq. 379
[4]Poaty, fq. 379
[5]Poaty, fq. 385
[6]Poaty, fq. 386
[7]Poaty, fq. 387
[8]http://historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_3.php
[9] Mark Krasniqi, “Gjurmë e gjurmime”, Prishtinë, 1979, fq. 291
[10]Poaty, fq. 294
[11]Poaty, fq. 307
[12]Poaty, fq. 308
[13] Barbara Jelavich, “History of the Balkans”, Google Books, fq. 29
[14] Dr. Masar Rizvanolli, “Qëndrimi i Francës ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe misionit të Mehmet Ali Pashës më 1878, Buletin i Fakultetit Filozofik, XXIV/1994, Prishtinë, 1996, fq. 75
[15]“Lidhja shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze”, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1978, fq. 73
[16]Poaty, fq. 103
[17]“Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane”, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1978, fq. 30
[18]Poaty, fq. 40
[19]Poaty, fq. 43
[20]Poaty, fq. 73
[21]Poaty, fq. 78
[22]Poaty, fq. 79
[23]Poaty, fq. 106
[24]Poaty, fq. 110
[25]Poaty, fq. 116
[26]Poaty, fq. 174
[27]“Lidhja shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze”, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1978, fq. 145
[28]Poaty, fq. 146
[29]http://historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_5.php kapitulli: Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë (tetor 1879-janar 1880)
[30]Poaty, kapitulli: Mbrojtja e trojeve jugore. Kuvendi i Prevezës (11 janar 1879) dhe misioni diplomatik i Abdyl Frashërit (pranverë 1879)
[31]Poaty, kapitulli: Kryengritja e armatosur dhe formimi i qeverisë së përkohshme (dhjetor 1880-janar 1881)
[32]Poaty, kapitulli: Programi i reformave i Myrcshtegut (22 tetor 1903) dhe kryengritjet shqiptare të vitit 1904
[33] Bujar Dugolli, “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe, 1878-1912”, Prishtinë, 2011, fq. 279-280
[34]Grup autorësh, Historia e Popullit shqiptar, Prishtinë, 1958, fq. 381
[35] Katarzyna Górak-Sosnowska, “Muslims in Poland and Eastern Europe: Widening the European Discourse on Islam”, Google Books, fq. 329
[36] http://sq.wikipedia.org/wiki/Xhemijeti
[37] http://sq.wikipedia.org/wiki/Ferat_Draga
[38] http://sq.wikipedia.org/wiki/Xhemijeti
[39] http://sq.wikipedia.org/wiki/Ferat_Draga
[40] Veiz Sejko, “Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptaro-arbëreshe dhe serbokroate”, shtëpia botuese “Bargjini”, Tiranë’, 2002, fq. 141
[41]Poaty, fq. 144
[42]Poaty, fq. 145
[43]Poaty, fq. 147
[44]Poaty, fq. 141
[45]Poaty, fq. 151
[46] http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/9/90/Map_of_Albania_during_WWII.png
[47]GENOCID U BIHORSKOJ KRAJINIAutor: Ismet Azizihttp://www.bosnjaci.net/prilog.php?pid=54803&GENOCID_U_BIHORSKOJ_KRAJINI
[48] Prof. Dr. Islam Dobra, Lufta e Drenicës, 1941-1945 dhe NDSH deri 1947”, Prishtinë, 1997, fq. 128
[49]AQIF BLYTA, PATRIOTI NGA SANXHAKUhttp://kosovapersanxhakun.org/?p=896&lang=sq
[50] Prof. Dr. Islam Dobra, Lufta e Drenicës, 1941-1945 dhe NDSH deri 1947”, Prishtinë, 1997, fq. 135-137
[51]Grupautorësh, Historia e popullitshqiptar IV, BotimeToena, fq. 148
[52]MuneveraHadžišehović, “A Muslim Woman in Tito’s Yugoslavia”, Google Books, fq. 132
[53]Hugh Poulton, Suha, Muslim Identity and the Balkan State, Google Books, fq. 180
[54] http://en.wikipedia.org/wiki/Demographics_of_Sand%C5%BEak
[55] Tim Judah, “Kosovo: What Everyone Needs to KnowRG”, Google Books, fq. 17
[56]Hugh Poulton, Suha, Muslim Identity and the Balkan State, Google Books, fq. 179
[57] http://koha.net/arkiva/?page=1,5,102509
[58] http://sq.wikipedia.org/wiki/Mojstiri_Per%C3%ABndimor
[59] Ali DACI – SHTIGJEVE TË RINISË -Poezi-, Google Books, fq. e fundit