F. Kajtazi: Dosja: Ideologjia serbe e gjenocidit, Analizë nga burimet serbe dhe ndërkombëtare (pjesa e I-rë)
Që nga fillimi i krizës kosovare të kohës sonë, nga vitit 1981, teza që më së shumti e kemi dëgjuar gjatë këtyre viteve nga politikanë, gazetarë, priftërinj, intelektualë, ushtarakë e policë serbë ka qenë kontestimi i autoktonisë së shqiptarëve në Kosovë dhe në hapësirat e tjera etnike shqiptare nën Jugosllavi – Luginë e Preshevës, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ky kontestim ishte i përditshëm në mediet e kohës, si ato audiovizive ashtu edhe të shkruara. Qëllimi i vetëm i këtij kontestimi ishte prodhimi i së drejtës historike, brenda së cilës përmblidheshin e drejta etnike, fetare, e luftës dhe shtetërore për Kosovën serbe dhe, mbi këtë, e drejta për spastrimin etnik të saj nga shqiptarët. Debatet e shumta në Kuvendin Federativ dhe të Serbisë, në tribunat politike e shkencore, në liturgji fetare, artikuj dhe kolumne, libra të shkruar, të gjitha orientoheshin që opinionit jugosllav dhe ndërkombëtar t’i impononin që të kuptonin e të nënkuptonin se “shqiptarët në këto hapësira i sollën turqit dhe duhet të dëbohen përtej Bjeshkëve të Nemuna dhe në Turqi”[1]. Furia e këtij kontestimi filloi nga viti 1981, pas demonstratave studentore, kërkesa e të cilave ishte për Kosovën Republikë. Unë në këtë kohë isha 14 vjeç, ndoshta i papjekur për të kuptuar rëndësinë e ngjarjeve që po tronditnin Kosovën dhe sa të rrezikshme ishin tezat serbe që kontestonin autoktoninë tonë, e që filluan të manifestoheshin pas demonstratave.
Në fakt, ne si familje nuk jemi autoktonë në Kosovë. Sipas gjyshit tim, Kajtazit (1911-1989), ne ishim dëbuar më 1878 nga fshati Mehanë i Prokuples, në Krahinën e Toplicës, që tani ishte bërë e Serbisë. “Në vitin 1877, fshati kishte 50 shtëpi me 410 banorë, nga të cilët gjatë dëbimit 32 u ekzekutuan nga serbët dhe 378 persona u shpërngulën në drejtim të Kosovës dhe Turqisë”[2]. Sipas rrëfimeve të gjyshes së tij, gjyshi na tregonte se atje na kishte mbetur e gjithë pasuria, ku përfshiheshin dy dyqane në Pokuple, dy mullinj, 45 hektarë tokë dhe ferma me 300 krerë dhen dhe 40 krerë lopë e kuaj. E shikoja atlasin e gjeografisë dhe hapësirën nga na kishin dëbuar ne dhe të tjerët që ne i njihnim dhe kishim lidhje familjare, e për të cilët gjyshi thoshte se edhe ata ishin të dëbuar nga andej. Dukej hapësirë e madhe, përafërsisht sa harta e Kosovës. I shikoja rrënjët e familjeve dhe farefisit tonë, me ata që ne hynim e dilnim: të pllanalinjve, bucalinjëve, brestovcëve, klaiqëve, mihalicëve, dragobuzhdëve, balltiqëve, byqmetëve, dubovëve, rukovcëve, slishanëve, stubllakëve, tërnavëve, gubetinëve, starabajëve, lipovicëve, kosovicëve, gërgurëve…, dhe shihja shpërndarjen e madhe të tyre në një hapësirë deri te Nishi, kurse tani, praktikisht, tkurrjen e tyre në një hapësirë në rrethin e Gjilanit. Në fakt, më vonë e kuptova se ata ishin shpërndarë në një hapësirë më të madhe me mijëra herë nga ajo që njihja unë, e cila kufij të fundit duhet t’i ketë pasur në Anadoll dhe në Siri.
Ende isha i papjekur për të kuptuar sa duhet këtë realitet! Në këtë kohë, nuk mund ta konceptoja se si kishte mundur të lëvizej gjatë një viti një popullate aq e madhe nga një hapësirë po aq e madhe. Në këtë kohë nuk e imagjinoja dot se më 1999, do të jemi dëshmitarë të operacionit shtetëror serb për dëbimin e “957.913 shqiptarëve nga Kosova”.[3]
Në shkollë tema e dëbimit nga regjioni i Toplicës, Nishit, Prokuples, Kurshumlisë, Leskovcit dhe Vranjës ishte e kufizuar për t’u theksuar, por mbaj në mend që në klasë të shtatë apo të tetë, mësuesi i historisë, Gani Dalipi, pasi shpjegoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, përmendi shpërnguljen e madhe nga këto regjione. Ai m’u drejtua mua personalisht, duke thënë se “edhe ju jeni nga atje”, dhe më përmendi një rrëfim të vogël që stërgjyshi im, Abdurrahmani, ia kishte rrëfyer atij. Ndërkohë edhe pa këtë temë, mësuesit tanë të historisë, të gjeografisë dhe të letërsisë, këmbëngulnin për autoktoninë tonë në truallin e Kosovës, për vazhdimësi ilire – dardane të popullit shqiptar.
Për ato që po ndodhnin, arrija t’i kuptoja gradualisht nga debatet e shumta që zhvilloheshin në familje, nga miqtë dhe farefisi, që çdo mbrëmje vinin dhe në mënyrën e tyre me shqetësim komentonin ato që kishin mësuar gjatë ditës në takim më njerëzit dhe nga mediet e kohës. Gjatë këtyre seancave, rutinë ishte bërë edhe dëgjimi i lajmeve të radio Tiranës. Përshtypje më bënte efekti që shkaktonte te të paranishmit zëri karakteristik i folësit, i cili në mbrëmje jepte lajmet në gjuhën serbokroate. Kumbimi i zërit të tij “Govori Tirana” dhe e folëses në shqip, me zërin karakteristik “Ju flet Tirana”[4] i heshtte të gjithë të pranishmit dhe, derisa mbaronin edicioni shqip i orës 20, dhe ai serbokroatisht i orës 22, në dhomë mund të dëgjohej vetëm ndonjë e shkrepur eventuale e shkrepëses së gjyshes sime, apo e të pranishmëve, kur ndiznin cigaren.
Dhe dita kur përfundimisht fillova ta kuptoja realitetin ishte kur një mëngjes u nisëm për në shkollë dhe pak metra nga shtëpia e ime, në vendin e quajtur “Te Dardha e Madhe”, gjatë natës ishte vendosur një tank i ushtrisë jugosllave. Një natë më parë, më 1 prill 1981, në Gjilan kishte pasur demonstrata të rinisë gjilanase. Ne kaluam me drojë afër tankut, ngase aty e kishim rrugën më të shkurtër për të dalë në rrugën magjistrale Gjilan – Bujanoc dhe për të marrë kthesën për në shkollë, në fshatin Përlepnicë. Sapo hymë në rrugën e Përlepnicës, hasëm në forca të shumta të ushtrisë jugosllave, që në atë kohë quhej Armata Popullore e Jugosllavisë, të cilët kishin pozicionuar topa tregrykësh në formë zigzage në dy anët e rrugës, duke i dhënë asaj formën e një aleje. Ne kaluam përmes grykave të topave, thua se ata ishin vendosur aty për revistën e nderit – dhe vajtëm në shkollë! Vetëm më 1986, kur shkova në shërbim ushtarak tek e njëjta ushtri, kuptova se ata kishin qenë topa kundërajrorë dhe se vendosja e tyre në atë formë përgjatë rrugës së Përlepnicës nuk kishte pasur ndonjë qëllim taktik të mbrojtjes apo stërvitjes ushtarake. Vendosja e tyre ishte bërë për t’i frikësuar dhe për t’u futur tmerrin qytetarëve të Përlepnicës, pasi qarqet politike beogradase dhe ato policore, këtë vendbanim e kishin shpallur si “qendrën e nacionalizmit dhe irredentizmi shqiptarë”!
Ksenofobinë e akumuluar serbe kundër shqiptarëve e provova në shërbimin ushtarak (1986-87), kur edhe përjetova tronditjen më të madhe jetësore deri atëherë: Qemajlit, shokut tim të fëmijërisë, të shkollës dhe të bankës, një ushtar serb ia kishte shkrepur armën në faqe, derisa ky po flinte në dhomën e kazermës ku ishte me shërbim, duke i shkaktuar plagë të rëndë dhe duke e lënë invalid për tërë jetën. Kishte filluar të më jetësohej brenga e gjyshit që e përseriste, sa herë që i jepej rasti: “Serbët na urrejnë për vdekje, pa u bërë kurrfarë të keqeje, lus Zotin që të mos ndodhë ajo që ka ndodhur më parë” dhe vazhdonte: “Ne tradita nuk na lejon të bëjmë krime mbi fëmijët, mbi gratë dhe mbi ata që dorëzohen, lufta është luftë, ushtari me ushtar, e vret ose të vret, ndërsa serbët kanë traditë që të vrasin fëmijë, pleq dhe gra”. Pas kësaj fraze, ai gati çdo herë rrëfente për ato që kishte dëgjuar nga babai, kur serbët pushtuan Kosovën më 1912 (Serbia e parë), në fshatin Sazli të Ferizajt, ushtria serbe i kishte therur në sofër të 17 anëtarët e një pjese të trungut të familjes së tyre, përfshirë fëmijë, gra dhe pleq, të cilët, pasi kishin ikur nga Mehana më 1878, ishin vendosur aty. Pastaj, për regjimin e Serbisë Mbretërore (Serbia e dytë), dhe masakrën ndaj popullatës së Gjilanit, që bënë partizanët në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945. Vrasjen e kushëririt të tij të parë Vehbiut më 1965, e rrëfente sa herë që i jepej rasti. Mënyra se si e rrëfente, nuk ishte vetëm për ta treguar një ngjarje, por për të na e tërhequr vëmendjen se nga mund të marrë rrjedhën zhvillimi i situatës!
Sipas këtij rrëfimi, kushëriri i tij, Vehbiu, 19 vjeç, ishte punëtor në fermën shtetërore të lopëve në fshatin Shillovë, fshat ky i banuar me serbë. Gjatë natës, atë, në vendin e punës, persona të panjohur e kanë marrë dhe e kanë dërguar në një pyll në periferi të fshatit, ku edhe e kanë prerë në fyt. Të nesërmen, dikush nga kalimtarët e rastit e ka parë kufomën dhe e ka lajmëruar rastin. Milicia dhe UDB-ja, njoftojnë familjen për rastin, i urdhërojnë që të marrin një qerre dhe ta shpien trupin e pajetë në spitalin e qytetit për obduksion. Deri këtu, rrëfimi i gjyshit të linte përshtypjen e një ngjarjeje të thjeshtë kriminale, por në kontekstin kohor dhe në rrethanat aktuale, ngjarja ishte thurur mirë – në funksion të dëbimit të serishëm.
Pra, jemi në vitin 1965, në periudhën kohore të njohur në popull si “Koha e Rankoviqit”, në vlugun e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Vrasja e të ndjerit ishte bërë natën, në mes të datës 7 e 8 shkurt, me qëllim për ta bërë ekspozimin e kufomës përgjatë gjithë qendrës së qytetit të Gjilanit, nga hyrja e deri në dalje në drejtim të Ferizajt, ku është spitali. Trupi i pajetë i të ndjerit ishte lënë i pambuluar, ashtu me fytin të prerë sipas ritualit të vjetër serb, dhe gurmazin të dalë jashtë. Vetëm kur gjyshi e kishte arritur qerren në mes të fshatit, e kishte hequr xhaketën dhe i kishte mbuluar fytyrën. Siç tregonin edhe ata që kishin qenë të pranishëm në ngjarje, shteti kishte autoambulanca dhe kamionë me të cilët mund ta transportonin trupin e pajetë, por i ndjeri ishte viktimë në funksion të frikësimit të popullatës me qëllim të përshpejtimit të procesit të dëbimit për në Turqi.
Ngjarjet që ndodhin në vazhdim konfirmojnë vrasjen e organizuar nga UDB-ja, për arsye se ata akuzuan familjen dhe farefisin tonë që ka kryer vrasjen, përmes shantazhit dhe dhunës u munduan të futin përçarje në mes dy familjeve tona – Mehanëve dhe Pllanajve. Prandaj, i gjithë fshati, burra e gra mbi moshën 16-vjeçare u morën në pyetje nga UDB-ja dhe u torturuan me pretekstin se paskan vrarë birin e tyre. Në familjen e të ndjerit, UDB-ja shkoi për të bastisur gjoja për të gjetur prova materiale të vrasjes. Në acarin e atij shkurti, siç tregonte gjyshi, ata e nxorën jashtë kunatën e të ndjerit, e cila ishte lehonë, pasi ajo atë natë kishte lindur një djalë. Nën pretekstin se thika me të cilën qenkësh kryer ekzekutimi ndodhet nën shtratin e saj, e nxorën atë përjashta, duke e mbajtur në acar derisa është kryer bastisja. Nga kjo, pas dy ditësh vdes edhe foshnja.
Ngjarja tjetër që kishte tronditur lagjen tonë të vogël të Muhaxhirëve, ishte ajo e vrasjes së Sabit Ramadanit, i familjes së Pllanajve, familja e dajave të stërgjyshit tim, të cilët, së bashku me familjen tonë, ishin të dëbuar nga fshati Pllanë e Vogël e Toplicës më 1878. Sabiti, nga viti 1948 punonte polic në Viti, dhe në natën e 26 shkurtit 1951, ai vritet gjoja “aksidentalisht” nga një polic serb gjatë patrullimit. Në fakt, vrasja ishte organizuar nga UDB-ja, pasi ata i kishin rënë në gjurmë se ai po mbështeste Hasan Alinë, kryengritësin e Karadakut, i cili nuk pranonte instalimin e pushtetit serb dhe me grupin i tij bënte rezistencë guerile. Këto dy rrëfime, dhe një i ndodhur në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur partizanët kishin dashur t’i pushkatonin të gjithë burrat e lagjes dhe kur një serb nga Shillova me emrin Zhivko i kishte shpëtuar, e mbushnin sfondin e ngjarjeve ditore; ato nga të ardhurit në familje, në takimet e rregullta të mbrëmjes, rrëfeheshin të plota apo të shkëputura, ose në kontekst dhe zakonisht komentoheshin në kombinim me historinë 100-vjeçare dhe me ato që prodhonte politika ditore pas ngjarjeve të tetëdhjetenjëshit.
[1] Slogan i formuar mbi bazën e teorisë së dëbimit të shqiptarëve, ideologët e së cilës ishin akademiku Vasa Çubrilloviq dhe nobelisti Ivo Andriq, e cila, pas vitit 1981, nga qarqet shtetërore, kishtare dhe akademike serbe, lëshohej në mënyrë graduale, duke e futur në vokabularin e përditshëm gazetaresk, publicistik dhe politik. Kjo kulmoi në kohën kur Vojisllav Sheshel doli në skenën politike serbe. Ai në mitingun parazgjedhor, të mbajtur në Podgoricë më 25.04.1992, para rreth 10 mijë personave të tubuar, si qëllimin e partisë së tij artikuloi, mes të tjerash, edhe kauzën “shqiptaret rrugën përtej Bjeshkëve të Nemuna” (šiptare put preko Prokletija”), burimi: “Bukovica”, Fond za Humanitarno Pravo, Beograd, 2003, f. 6.
[2] “The National Archives – London”, dok. TNA. FO424/88, publikuar nga Bejtullah Destani, “Muhaxhirët, dosja britanike, spastrimi etnik i Toplicës, Nishit, Prokuples, Kurshumlisë, Leskovcit, Vtanjës 1878-1884”, Artin, Prishtinë, 2019, f. 255.
[3] Dr Dušan Janjić, “Kosovo između Sukoba i Dijaloga (Etnički sukob i kriza identiteta: Srpsko albanski odnosi)”, Forum za etničke odnose, Beograd, 2005, f. 11.
Në ditarin e Obrad Stevanoviqit, shefit të policisë serbe, i cili, në procesin kundër Millosheviqit në Gjykatën për Krime të Luftës në Hagë, është përdorur si provë materiale, në njërën nga faqet e këtij “Ditari” është shënimi i majit të vitit 1999: “Rezultati i operacionit: Grupi i fundit u shkatërrua; Rreth 2.000 të likuiduar – shumë më tepër se në operacionet e tjera; Vendin e kanë lëshuar 900.000; Edhe 1.000 terroristë; Edhe 300.000 civilë” (kanë mbetur, F.K.) Burimi: Kjell Arild Nilsen, “Milošević u ratu i u Haagu – Dokumentacija”, Sarajevo, 2013, ISBN: 978-82-91224-40-4, f. 440.
[4] Më vonë, më 1994, i mësova emrat dhe i njoha personalisht të dy folësit, i pari ishte një i ikur nga Kosova, Ramadan Loxha, dhe folësja, Tefta Radi.